Skip to main content

“Rama duhet t’i kërkojë falje gazetares Ambrozia” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Rama duhet t’i kërkojë falje gazetares Ambrozia” plus 1 more Telegrafi Opinione


Rama duhet t’i kërkojë falje gazetares Ambrozia

Posted: 26 May 2018 06:34 AM PDT

Ambrozia, në mitologjinë greke është ushqim iz zotave, perëndive. Por, për mediat, meqenëse ajo nuk u bë dot "ushqim i Edi Ramës" në konferencën e tij të shtypit pas ardhjes nga Sofja, ajo po bëhet ushqim i një narrative të re, që e kapërcen apo e pasuron narrativen ekzistuese ditore apo të momentit politik.

Pikërisht ditët e fundit, mediat, në përpjekje për të injektuar ide dhe fytyra të reja, narrativës tashmë të vjetruar që po ekziston me çështjen Xhafaj, krijuan me të drejtë fabulën e gazetares së guximshme Ambrozia Meta, e cila u duk se e gozhdoi kreun e qeverisë me pyetje-përgjigjen e saj.

Megjithëse kjo fabul është klasike pasi është përdorur edhe në raste të tjera, sërish në të mund të gjesh elemente interesante që e bëjnë atë të duket si ajo e Davidit që përplaset me Golian. Nuk ka asnjë dyshim se Rama zgjodhi aty për aty (më vonë u duk se i ra pishman) një rrugë të gabuar të përplasjes publike me gazetaren e re. Pse? Nëse do të mbështetesh te pyetja që bëri ajo dhe qëndrimi i saj i mëpastajmë, duket se nuk ka pasur asgjë të qëllimshme.

Pyetja e saj ishte në të vërtetë, një pyetje që Ramës do të kishin dashur t'ia bënin gazetarët me eksperiencë apo politikanët e krahut tjetër. Ishte një pyetje sugjestive me brenda qëndrimin apo përgjigjen, nga ato pyetje që gjykatësit ua ndalojnë avokatëve dhe prokurorëve që t'ia bëjnë të pandehurve në një proces penal. Në thelb, ajo mbetej një pyetje që po artikulohej masivisht, por pa marrë fuqi morale në banaqet mediatike që janë shumëfishuar së fundmi.

Në këtë kuptim, Ambrozia, si gazetare, nuk u shqua për cilësinë e pyetjes, por për qetësinë, me të cilën i qëndroi stoike presionit të Kryeministrit, duke e ripërsëritur pyetjen, me gjithë këtë presion, i cili në fakt nuk kishte në fokus atë, sesa pronarin hipotetik të medias ku ajo punonte. Në këtë rast mund të supozojë se Rama ka pasur referencë të atypëratyshme dhe zgjodhi të shigjetonte përmes Ambrozias, pronarin e kësaj mediaje, "Faxnews".

Ose ndoshta duke zgjedhur personin e gabuar, duke dashur ta përdorë fiks gazetaren e re si "ushqim" për paravolitë e tij, Rama deshi t'i përgjigjej pyetjes sugjestive që e kishte përgjigjen brenda, me një pyetje tjetër sugjestive që e hidhte pataten e nxehtë nga vëllazëritë politike, tek ato mediatike apo dhe ato të njerëzve publikë në përgjithësi, ku nuk përdoret dot parimi biografik. Kësisoj, ai nuk iu përgjigj Ambrozias, por njerëzve të mediave që e kishin përdorur këtë pyetje të formuluar më parë, të cilën gazetarja e gjeti të gatshme.

Kjo rimarrje, ky ripotencim i saj nuk është ndonjë mëkat: gazetarët e rinj marrin pyetje të gatshme, nga tryezat apo banaqet mediatike. Nga shprehja e palëvizshme e fytyrës së saj nuk u duk ndonjë hile, pra, ajo nuk duket se ka dashur ta potencojë helmin që qëndronte prapa asaj pyetje nga autorët e saj fillestarë. Kësisoj, Rama gaboi në shënjestrimin e një gazetareje të re, e cila siç u duk në shfaqjet e saj të mëvonshme publike, ishte një figurë interesante profesionale që i rezistoi presionit, nuk tregoi emocion, tregoi identitet, formim të përgjithshëm relativisht solid dhe hëpërhë dhe.. pavarësi gjykimi.

Me sjelljen e saj në atë moment dhe më vonë, ajo dëshmoi se nuk ishte një pyetje e mësuar përmendsh qëllimisht nga një pronar apo gazetar më me përvojë, diçka e paqortueshme megjithatë, por u duk që Ambrozia e ka përftuar atë pyetje autentike në mënyrë krejt natyrale me metodën e ripërtëritjes së përsëritjes. Ndaj, edhe Rama gaboi në qasjen e tij, kur e ftoi atë të vijonte konferencën nga podi i drejtuesit të saj, sepse "nuk po pyeste, por po mbante qëndrim." Dikush mund të thotë se gazetarja zgjodhi vendin më të papërshtatshëm për atë pyetje, duke qenë se tema e konferencës nuk kishte lidhje me pyetjen.

Tema kryesore, siç thoshte me një shqetësim të dikujt që ka punuar në punë të shtetit, ish-zëvendëskryeministri Kopliku, ishte "a do të merrte Shqipëria statusin e vendit kandidat në qershor?", ndërsa Ambrozia, sipas tij, bëri sakaq një pyetje prej militanteje. Nuk mund të jesh dakord me këtë puritanizëm: ka plot raste kur gazetarët i shfrytëzojnë konferencat tematike të politikanëve për të dalë jashtë teme, ndaj nuk mund të thuhet se Ambrozia bëri një gabim deontologjik. Ajo thjesht përsëriti një pyetje sugjestive, i dha pavetëdijshmërisht besueshmëri publike asaj pyetjeje, i dha spektakularitet përplasjes me Kryeministrin. Pse besueshmëri?

Sepse Kryeministri nuk qëndroi. Pse spektakularitet? Pse, sepse shfaqja vazhdon dhe sot. Këtë pyetje edhe opozita do t'ua përplasë turinjve Qeverisë dhe Kryeministrit: shikoni se ministri i Brendshëm ka një vëlla që akuzohet se bën ende sot e kësaj dite trafik droge dhe për pasojë ai nuk mund të rrijë në këtë detyrë pasi nuk mund të luftojë kundër të vëllait. Në fakt, opozita donte të potenconte vetëm se ai bën dhe aktualisht trafik, se nëse do shkonte te biografia e shkuar e vëllait të ministrit, atëherë çfarë hedh te tjetri, të bie në fytyrë. Kësisoj, gjithë ata opinionbërës, apo opozita, gjetën çlirim te shfaqja e saj, dhe strehim te fytyra e saj e pafajshme apo te soliditeti i saj psikologjik në përballjen e saj me Ramën.

Shfaqja e Ambrozias solli në mjedisin publik frymën e freskisë që vjen nga terreni real. Ambrozia nuk është një yll që ra nga qiellin tonë mediatik dhe pastaj s'ka më yje të tjerë, por ajo është shembull i ndërrimit brezor të këtij profesioni që nuk vdes kurrë. Kjo ngjarje nxiti gazetarët e tjerë të kuotuar që t'i bëjnë jehonë pyetjes dhe qëndrimit që ajo mbajti përballë Kryeministrit, duke u munduar ta metaforizojnë figurën e saj në mënyrë të qëndrueshme.

Ambrozia, siç u dha rasti kur u shfaq në emisionin e Zhejit, në një intervistë edhe jashtë kësaj teme, tregoi se ka identitetin e saj intelektual që nuk bie pre e grackave të gazetarëve me eksperiencë, që nuk rreshtohet politikisht as në njërin krah dhe as në tjetrin, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e atyre që e konsideruan si një militante. Është tamam një profil profesional, që çdo botues do të duhet ta vlerësonte. Tek ajo shumë prej nesh panë atë që duhet të jenë dhe që nuk e kanë. Hëpërhë të paktën. Po rritet një brez që arsyeton politikisht jashtë dy kampeve kryesore, jashtë preferencave politike të prindërve, krahinës, etj., etj.. Bash për këtë arsye, këtij profili profesional i pafajshëm dhe jo i prodhuar nga politika, z. Rama do të duhet që të gjejë një mënyrë për t'i kërkuar falje. Ambrozia tregoi edhe pas konferencës se nuk ngjante e ndikuar nga interesat e pronarëve, ndaj dhe Rama duhet ta falënderojë për modelin e mirë që ajo dha.

Rasti i Ambrosias na çoi apo erdhi te ne për shkak të së ashtuquajturës gazetari investigative, bisedës së përgjuar me vëllain e ministrit Xhafaj. Është krejt e qartë se për të bërë një gazetari të tillë, do të duhen mjete të fuqishme financiare, redaksi të mëdha, do të duhet investim në vetë të parë i atyre që janë pronarë të mediave, të cilët kanë interesat e tyre në raport me shtetin dhe të singjashmit, dhe për rrjedhojë për këto interesa dhe mund të konfliktohen, duke përdorur jo rrallë investigimin si moment presioni.

Pa këto kushte, ngjan e vështirë për një gazetar që të investigojë duke vënë në rrezik jetën e vet pa suport profesional, moral dhe material. Me këtë nuk dua të paragjykoj interesin e redaksive të caktuara për të investiguar apo për të goditur veprimtarinë e narko-trafikut ku ka pasur arritje të kësaj gazetarie dhe dua të veçoj punën e portalit Birn, sepse në panoramën mediatike shqiptare ka subjekte të financuara nga Perëndimi, që do të inkurajojë këtë lloj gazetarie në Shqipëri. Por ndërkohë, e kam të vështirë që të mendoj se këto raste, pra, dhe ky i fundit me Babalen, kanë qenë iniciativa të një gazetari të vetëm.

Dua ta vlerësoj publikisht Jetmir Olldashin për kurajën profesionale në shumë raste, por më duket çudi, se pse ndonëse Jetmiri ka punuar në shumë redaksi, asnjë prej tyre nuk ka dalë që të marrë në mbrojtje ose të flasë për këtë iniciativë të tij, si pjesë të një projekti apo emisioni. Në një rrethanë si kjo, e quaj normale që ai të mbrohet duke u mbështetur tek opozita. Megjithatë, kjo është një temë tjetër. Midis figurës së Jetmirit dhe Ambrozias ka të përbashkëta dhe dallime. Ambrozia është e re në profesion, ndaj le të shpresojmë që në të ardhmen të mos i duhet që për hir të marrjes në mbrojtje të interesave të pronarëve të bëjë diçka, për të cilën të pendohet. E ka nisur mirë, kjo ngjan e sigurt. /konica.al/

The post Rama duhet t'i kërkojë falje gazetares Ambrozia appeared first on Telegrafi.

Përse ta zbatojmë GDPR-në?

Posted: 25 May 2018 11:05 AM PDT

Elvin Mala

Që nga dita e sotme ka hyrë në fuqi rregullorja e shumëpërfolur për mbrojtjen e të dhënave – GDPR (General Data Protection Regulation). Që nga miratimi i saj kanë kaluar dy vite dhe kjo periudhë kohore u është dhënë në dispozicion të gjithëve për të përgatitur sistemet e tyre teknike, proceset operative, por edhe legjislacionin e nevojshëm në mënyrë që të dhënat e qytetarëve të Bashkimit Evropian të trajtohen në pajtueshmëri me këtë rregullore.

Ditëve dhe javëve te fundit, nga shoqata dhe institucione të shumta janë organizuar ngjarje të ndryshme për të rritur vetëdijesimin lidhur me zbatimin dhe fushëveprimin e saj. Ditëve dhe javëve të fundit, shoqata dhe organizata të ndryshme janë duke organizuar ngjarje për të rritur vetëdijesimin lidhur me zbatimin dhe fushëveprimin e saj. Mirëpo, kjo iniciativë mungon tek institucionet përgjegjëse për zbatim.

Me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje nënkuptohet që të gjithë ata të cilët trajtojnë të dhënat personale të qytetarëve të BE-së, janë të obliguar që të zbatojnë këtë rregullore ne plotësi. Në të kundërtën, gjoba për mos zbatueshmëri mund të arrijë deri në 20 milionë euro apo katër për qind të qarkullimit vjetor. Shembuj të padive – qysh në ditën e parë të hyrjes në fuqi – janë rastet kundër Facebook-ut me padi prej 3.9 miliardë eurove, si dhe ajo prej 3.7 miliardë eurove kundër sistemeve operative Android të Google-it (ref: IrishTimes).

Fatmirësisht, disa organizata kompani në Kosovë veçse kanë filluar me përgatitjet për pajtueshmëri me ketë rregullore, ndërsa shumica prej tyre nuk kanë dëgjuar për GDRP-në. Përgjegjësia për zbatimin e kësaj rregulloreje u takon udhëheqësve të organizatave/kompanive ku në përpikëri duhet t'i zbatojnë te gjitha kërkesat e saj, përfshirë sigurinë e informacionit, privatësinë, pajtueshmërinë me legjislacionin në fuqi, por edhe rrezikun e privatësisë i cili mund të shfaqet dhe si i tillë duhet trajtuar atë.

Për të zbatuar këtë rregullore e cila në vete përmban më shumë se 17,099 kërkesa, nene dhe detyrime specifike, organizata/kompania fillimisht duhet të vlerësojë se a është kjo rregullore e aplikueshme me legjislacionin në fuqi. Duhet të rikujtojmë se kjo rregullore aplikohet për të gjithë ata të cilët mbledhin, përpunojnë, ruajnë, bartin të dhëna personale të qytetareve të BE-së, pavarësisht vendndodhjes territoriale të tyre në kohën e ofrimit të shërbimit apo shitjes së produkteve.

Fillimisht, organizata/kompania duhet të vlerësojë qëllimin dhe kohëzgjatjen e mbledhjes së të dhënave të nevojshme për të arritur qëllimin e mbledhjes së të dhënave, rruajtjen dhe deponimin e tyre, bartjen e tyre tek ndonjë kompani, organizatë apo edhe institucion publik, si dhe shkatërrimin e këtyre të dhënave pas realizimit të qëllimit fillestar për mbledhjen e tyre. Në vazhdimësi, kompania duhet vlerësuar kapacitetet e nevojshme teknike për të realizuar këtë proces, pasi që lirisht mund të themi se do të ndryshojë rrënjësisht operimi i sistemeve të tyre. Do të ndryshojë mënyra e pasqyrimit të tyre në bazat e tyre të shënimeve; do të duhej zbatuar katalogimi i të gjitha të dhënave; duhet përcjell qasjen ne në to dhe autorizimet e duhura; deponimin dhe ruajtjen e kopjeve rezervë etj. e shumë e shumë procese te tjera.

Këto janë disa nga proceset të cilat duhet zbatuar, por edhe dokumentuar në mënyrën e duhur, pasi që do të kërkohet qe të dëshmohen masat e ndërmarra për mbrojtjen dhe trajtimin e duhur të këtyre të dhënave personale.

Risi në GDPR është edhe mënyra e njoftimit të subjektit të të dhënave – i cili në këtë rast është personi të cilit i merren të dhënat – si dhe miratimi (eng. Consent) nga ana e tij për të trajtuar të dhënat e tij/saj.

Përveç nëse është e specifikuar me ndonjë ligj tjetër, i cili u mundëson trajtimin e të dhënave institucioneve publike në mënyrë që ato të realizojnë mandatin e tyre, i cili ka të beje bëjë me sigurinë e përgjithshme, shëndetin publik apo të ngjashme, nuk duhet kushtëzuar në asnjë mënyrë ofrimin e shërbimit apo shitjen e produkteve në rast se subjekti i të dhënave – personi – refuzon që të pranojë trajtimin e të dhënave të tij/saj.

Po ashtu, njoftimi për miratim, i cili duhet t'i kumtohet në formë të shkruar apo edhe verbale subjektit të të dhënave, duhet të jetë i thjeshtë, i lexueshëm dhe i kuptueshëm për subjektin e të dhënave. Përmbajtja e këtij njoftimi duhet të jetë e kuptueshme nga të gjithë dhe mundësisht të përmbajë sa më pak terminologji juridike apo teknike. Ky miratim do të jetë i vlefshëm vetëm në rastet e pajtueshmërisë së theksuar të një akti konfirmues.

Në të kaluarën, miratimet janë marrë të parakonfirmuara apo janë pranuar në mënyrë pasive pa pasur nevojë për ndonjë veprim shtesë, si për shembull "tick the box" apo të ngjashme. Kjo formë e marrjes së miratimit nga subjekti i të dhënave, me fuqizimin e rregullores, më nuk do të jetë e pranueshme dhe konsiderohet shkelje e rregullores. Pasiviteti – miratimi duke vendosur paraprakisht përzgjedhjen apo 'tick' – nuk do të konsiderohet si miratim i vlefshëm. Subjekti i të dhënave do të ketë përgjithmonë të drejtën e përditësimit të dhënave të tij/saj, ofrimin e informatave se ku, si dhe nga kush janë trajtuar të dhënat e tij/saj, si dhe të kërkojë fshirjen e tyre.

Ditëve të fundit, qytetarët kanë kemi filluar të pranojnë njoftime edhe nga kompanitë vendore ku më herët ishin regjistruar si shfrytëzues të produkteve apo shërbimeve të tyre. Këto njoftime përmbajnë informata për përditësimet e politikave dhe procedurave të tyre, mirëpo rastisa në disa nga to, me anë të të cilave kërkohet pëlqimi i shfrytëzuesve për trajtimin e të dhënave të tyre personale. Shembuj të cilët – sipas GDPR-së – janë në kundërshtim me parimet e dhënies së miratimit, janë paraqitur në vijim, duke theksuar edhe shkeljen e cila bëhet. Ato janë:

• "…duke vazhduar të përdorni shërbimet tona, ju pajtoheni me…";

• Ofrimi i shërbimit kushtëzohet me dhënien e miratimit;

• "…aplikohet për çdo produkt, aplikacion, instrument, ueb-faqe apo shërbim tjetër…";

• Të gjitha shërbimet trajtohen pavarësisht qëllimit të trajtimit të të dhënave dhe grupohen si shërbime të përgjithshme;

• "…duke u regjistruar për të krijuar një llogari të re, ju pranoni dhe pajtoheni me kushtet dhe termet e kësaj politike të privatësisë, njëherësh autorizoni kompaninë që të bëjë mbledhjen, përpunimin, përdorimin, transferimin, shpalosjen, ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave tuaja personale…";

• Qëllimi dhe kohëzgjatja e trajtimit të të dhënave nuk është e qartë dhe specifike;

• "…nëse ju nuk na jepni apo siguroni informacionin që kërkojmë, ne mund të mos jemi në gjendje të ofrojmë të gjitha shërbimet tona për ju…";

• Ofrimi i shërbimit kushtëzohet me dhënien e miratimit.

Këto janë në kundërshtim me parimet e dhënies se pëlqimit sipas GDPR-së, pasi që ofrimi i shërbimit kushtëzohet me dhënien e pëlqimit; të gjitha shërbimet trajtohen pavarësisht qëllimit të trajtimit të të dhënave; grupohen si shërbim dhe qëllimi dhe kohëzgjatja e trajtimit të të dhënave nuk është i specifikuar apo qartësuar.

Këto janë vetëm disa nga veprimet fillestare të cilat duhet zbatuar nga kompanitë, por edhe nga institucionet publike të cilat trajtojnë të dhënat personale të të qytetareve qytetarëve te BE-së.

Te shpresojmë se kompanitë tona nuk do ta kenë fatin e keq të të paditen qysh në ditët e para të hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje.

The post Përse ta zbatojmë GDPR-në? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more