Skip to main content

“Zbulohet “Radëshi me 3 000 vjet histori”” plus 9 more - Gazeta Dita

“Zbulohet “Radëshi me 3 000 vjet histori”” plus 9 more - Gazeta Dita


Zbulohet “Radëshi me 3 000 vjet histori”

Posted: 22 Apr 2018 02:10 AM PDT

 

Nga Bashkim Koçi

Sa mirë ndjehet lexuesi, kur, pas shumë zhgënjimesh, i bie të lexojë një libër i cili është shkruar "me zemër në dorë", me përgjegjësi intelektuale dhe  ai, pra autori,  në çdo radhë a faqe të shkruar ka menduar "fundin". Fundin e emrit të tij si autor, por edhe fatin e librit i cili, kur ti ta  kesh mbaruar së lexuari, të mos bëhesh pishman për kohën e humbur. Përkundrazi, të të krijojë e sjellë ndjesi të munguara e të çmuara nga çdo këndvështrim  i trajtimit të vlerave të librit. Një i tillë, mik me "trurin plot", është edhe "Radëshi me tre mijë vjet histori", shkuar nga Neim Mustafaraj (botuar pas vdekjes), mësuesi "Ndre Ndue Gjokë" skraparas, i cili me një punë disa vjeçare sfilitëse, në kushte tmerrësisht të papërshtatshme,  ka mundur  të hedhë në vandaqe  letrash format, me shirit "të lodhur" shaptilografi, të gjithë historinë, të shkuarën e deri në ditët e sotme, të fshatit Radësh, por dhe të Skraparit.

Një gjë më duhet ta them si për fillim. Libri "Radëshi në tre mijë vjet histori", ashtu si ai, mësues Neim Mustafaraj, gjatë leximit të sillet si një mik i qetë e i urtë dhe që "të jep fjalën" se do të jetë  përherë  këshilltar i gjindshëm dhe mësues i durueshëm. Nxirret ky përfundim për faktin e thjeshtë: Materiali i grumbulluar me aq këmbëngulje e fanatizëm,  me përpikmëri  të pashoqe nëse iu referohemi burimit popullor, në faqet e librit rrjedh lirshëm, pa asnjë sforcim të sajuar dhe me përgjegjësinë njerëzore se dikur ky libër do të mund të ballafaqohet  me kërkesa shkencore.  Nga ky këndshikim, pra i "frikës" për të mos mbetur peng i ndonjë gabimi të mundshëm njerëzor, autori ka sforcuar veten, i ka thënë "jo" hedhjes të shënimeve badjava, studimeve  shkollareske.  "Brumi" nga do të përgatitej "Radëshi me tre mijë vjet histori"  është marrë ashtu si është ngurosur nga koha,  i konservuar  në mijëra vite jetë njerëzore.

Njohja e së kaluarës, e historisë njerëzore, e folklorit, toponimisë, qoftë edhe të një fshati apo zone të caktuar siç Skrapari është stoli, por është edhe ushqim i mendjes për breza njerëzish. Çuditërisht  mësuesi Neim Mustafaraj nëpërmjet librit të tij, të shkruar me aq dashuri, na ka sjellë stolira të florinjta dhe, pa asnjë mëndyshje, do të shërbejnë jo për të shuajtur kuriozitetin e lexuesit  rreth "fizionomisë" të mijëravjeçarëve të shkuar, por për të shërbyer si fond i çmuar studimi për të gjithë ata që do të interesohen  për të gjetur realisht magjinë e jetës në shekuj. Ne e kemi ditur se ky autor i një libri modest ka qenë  bashkëpunëtor i denjë i institucioneve shkencorë të folklorit në shkallë vendi dhe mik me vlera të spikatura të Prof. Andokli Kostallarit, Dritero Agollit, poetit Xhevahir Spahiu e Ali Podrimnja,  Prof. Shaban Sinanit etj., por kur lexon "Radëshi ne tre mijë vjet histori" krijon bindjen se vlerat  dhe puna shkencore e këtij mësuesi kokëulur, të urtë deri tek ai, të pasionuar  e skrupuloz  i pashembullt, kanë qenë në lartësi të admirueshme.

Shkrimtari Neim Mustafaraj mbetet emblemë e njeriut punëtor, e intelektualit që sakrifikoi  për të lënë diçka pas shumë përpjekjeve shumëvjeçare në fusha të caktuara, por në veçanti në atë të folklorit. Por sado natyral që mund të jetë talenti i njeriut, akti i të shkruarit nuk mund të mësohet i gjithi menjëherë. Në këtë kuptim, nëse sjellim fakte nga puna e tij mahnitëse për të studiuar, për të mësuar të tjerët, për të nxjerrë "perla" nga e kaluara, mund të shkojë shumë bukur  krahasimi i sjellë nga redaktori i librit, historian Petrit Zeneli. Kur studion punimet e tij, thotë historian,  të duket sikur përballesh me "Lulin e vocërr" të Migjenit,  "Gavroshin" e Hygoit, apo "Coli" i Debatikasve.

Neim Mustafaraj nuk ka qenë një dhaskal fshati, një mësues i cili paska guxuar të shkruaj për një copëz vend, për një fshat apo zonë  për jetën me tre mijë vjet histori.  Fatmirësisht ai është shumë më shumë, me punë të mëdha, të vlerësuara nga institucione akademike. Ai mbante lidhje të ngushta me Institutin e Gjuhësisë, me Institutin e Folklorit, me Akademinë e Shkencave, me autoritete e personalitete shkencorë, të cilëve sapo u trokiste tek dera, ishte i mirëpritur dhe ndjehej i barabartë midis të barabartëve. Ai pritej e vlerësohej si ta kishin koleg, si të ishte pjesë e stafit kërkimor-shkencor. Kur mbaron së lexuari "Radëshi tre mijë vjet histori" nuk ka si të mos shkojë mendja për të pyetur: Ka ndonjë gradë shkencore  a vlerësim moral ky Neim Mustafaraj? Fatkeqësisht apo fatmirësisht, nuk ka. Sidoqoftë veprimtaria kërkimore historike, gjuhësore dhe kulturore e tij është një pasuri e pafundme, me një larmi e tematikë të gjerë, deri në krijimtari të mirëfillta letrare që në total i kalon 15 mijë faqe krijimtari.

Kurora mbetet vetëm një: "Radëshi në tre mije vjet histori".

Kush po përfiton prej zhvlerësimit të euros?

Posted: 22 Apr 2018 02:03 AM PDT

 

Tre janë përfituesit e mëdhenj ndaj zhvlerësimit të valutës në vend, sipas Arben Shkodrës, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë:

-Së pari, importuesit, të cilët blejnë në valutë dhe shesin në lek, duke mos reflektuar asnjë ndryshim në çmimet. Nga kjo situatë, ato përfitojnë shuma të konsiderueshme dhe janë përfitues pasivë pa bërë asnjë lloj veprimi. "Natyrisht nuk mundemi kurrsesi t'i paragjykojmë pasi kjo është veçse një situatë e favorshme për ta", shton Arben Shkodra për "Monitor".

Përfituesi i dytë, sipas zotit Shkodra, është qeveria, ku gjithashtu në mënyrë pasive përfiton në uljen e shifrave të borxhit të huaj për shkak të zhvlerësimit të valutës në vend. "Në çdo rast është i papranueshëm ky rol i përfituesit pasiv i qeverisë në këtë situatë për një kohë kaq të gjatë".

Së treti, përfitues janë spekulantët e tregjeve valutore. Nëse do të kemi një ringritje të shpejtë, spekulantët, të cilët kanë edhe informacion të brendshëm do të përfitojnë tej mase.

"Nëse do të kemi një rritje të shpejtë, do të të spekulojnë pasi mund të kenë shitur valutën me një çmim të lartë, e blenë atë me çmimin minimal dhe presin ringritjen për të pasur fitime të konsiderueshme. Në këtë aspekt pasiviteti, paaftësia apo mosndërhyrja e sistemit tonë shtetëror për të stabilizuar ndihmon spekulimet".

Banka e Shqipërisë dhe Qeveria, duhet veprojnë menjëherë për të ndaluar këtë fenomen të zhvlerësimit të euros dhe dollarit në vend, rekomandon ai.

Për zhvlerësimin e euros në vend, Arben Shkodra thotë për "Monitor" se një ndër arsyet kryesore janë prurjet nga ekonomia e zezë, dhe për këtë, sipas tij, nuk ka dyshime. Ndërkohë që masat të cilat mori Banka e Shqipërisë, nën siglën e një plani veprimi për deeuroizimin e tregut, sollën një situatë kaotike, shoqëruar edhe me sjellje të çrregullta në treg, nën ndikimin psikologjik.

Sipas Shkodrës, jemi ndër të paktat ekonomi që përqafuan monedhën e përbashkët europiane shumë më shpejt sesa duhet, dhe kjo sipas tij jo për shkak të tregut, por për shkak të sistemit të ngritur.

Nga shitblerjet më komplekse, si apartamentet dhe makinat, te pagesat e hoteleve, dhe deri te dyqanet e veshjeve, monedha e përbashkët përdoret lehtësisht.

"Për mendimin tonë, qeveria mund të fillonte procesin e deeuroizimit duke ndaluar shitblerjen e apartamenteve në monedhën e huaj, të ndalonte pagesat në hotele në euro në cash, të mos lejojë shitjet e produkteve në valutë",- tha Shkodra duke argumentuar se mund të gjendeshin mënyra të tjera për deeuroizimin e ekonomisë. Madje mënyra që do të sillnin deeuroizimin e Shqipërisë në mënyrë më graduale.

"Banka e Shqipërisë dhe qeveria duhet të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur dhe për të rritur konkurrueshmërinë. Nuk mund të qëndrojnë pasivë për këtë çrregullim të tregut, duke qenë se preken të gjithë eksportuesit", rekomandon Shkodra.

Qeveria duhet të ketë kujdes në çdo politikë publike që ndërmerr, me qëllim që të sigurojë prodhuesit shqiptarë, që nuk do të ketë ndikim negativ në konkurrueshmerinë e produkteve "Made in Albania", aq më tepër edhe në kuadër të nismave rajonale për një ekonomi të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, tha Shkodra.

Zhvlerësimi i euros, ul më tej konkurrueshmërinë e vendit

Zhvlerësimi i euros në tregun vendas ka ndikuar drejtpërdrejtë te konkurrueshmëria. Sekretari i Përgjithshëm i Prodhuesve thotë se, aktualisht, nuk ka asnjë raport apo analizë mbi konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Për prodhuesit, konkurrueshmëria është një nga dy shtyllat kryesore për t'u pasur në konsideratë. Në vendet e tjera, qeveritë e përkthejnë konkurrueshmërinë si program politik.

"Nuk kemi një shifër të qartë se cilat janë nevojat reale të ekonomisë, veçanërisht për sektorin e prodhimit", – pohon Shkodra për "Monitor".

Me rënien euros në pikiatë, eksportuesit (prodhuesit që eksportojnë) janë ata që e pësojnë më shumë.

Për shoqëritë prodhuese eksportuese, që kanë kontratat në vazhdim me klientë të huaj, produktet e tyre do të vazhdojnë të shkojnë jashtë vendit me çmimin e negociuar më parë dhe diferenca në kursin e këmbimit do të prekë drejtpërdrejt fitimin e eksportuesit dhe duke i nxjerrë kompanitë me humbje.

Në rast se prodhuesit shqiptarë rrisin çmimin, ata automatikisht humbasin konkurrueshmërinë, duke humbur edhe tregun e huaj. Në shumicën e rasteve, eksportuesit do ta kenë të vështirë të rinegociojnë çmimet e kontratave.

Si mund të mbrohen

E vetmja mënyrë për të mbrojtur eksportuesit shqiptarë, sipas Shkodrës, është diferencimi në trajtim i eksportuesve.

Shkodra thotë se qeveria duhet të organizojë një tryezë serioze dhe permanente me prodhuesit shqiptarë. Prej saj, ne presim që të evidentohet situata aktuale, problemet që kanë prodhuesit dhe presim që angazhimi qeveritar të jetë serioz.

"Qeveria nuk ka një strategji apo plan në lidhje me konkurrueshmërinë. Ministria për Europën dhe Punëve të Jashtme nuk ka një ide të qartë të mbështetjes që mund t'u japë prodhimeve shqiptare për të aksesuar në tregjet e huaja.

 Qeveria, në tërësi nuk ka një ide të qartë se si mund ta mbështesë prodhimin vendas si p.sh.: diferencim në trajtim të prodhueseve kur flasim për taksat, tatimet, tarifat, procedurat etj. Shohim me keqardhje që, sipërmarrjet e rajonit po bëhen më konkurruese, pasi qeveritë e tyre kanë shtuar vëmendjen dhe përkujdesjen ndaj prodhimeve të tyre, pasi siç e dimë, profili i një vendi përcaktohet edhe nga produkti vendor."

Burimi: Monitor

FOTO: Panairi i Kafshëve Shtëpiake te Kopshti Zoologjik, ja surprizat që janë rezervuar sot për fëmijët

Posted: 22 Apr 2018 02:01 AM PDT

 

Panairi i Kafshëve Shtëpiake nis sot në ambientet e Kopshtit Zoologjik dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit të komunitetit, veçanërisht fëmijëve, për mbrojtjen, kujdesin, trajtimin e duhur.

Gjithashtu ky aktivitet synon të sjellë uljen e numrit të kafshëve të braktisura dhe ai do të mbledhë së bashku partnerë, organizata të ndryshme, profesionistë, subjekte private, individë e dashamirës që kanë interes dhe janë pjesë aktiv në çështjet e mirëqenies së kafshëve.

Përgjatë gjithë ditës në "Pet Fair – Panairin e Kafshëve Shtëpiake", do të zhvillohen aktivitete të shumta argëtuese dhe edukuese, si demostrime me qenushë të stërvitur, ndërsa rreth mesditës do të nisin edhe tre konkurset ku një juri e pavarur do të bëjë vlerësimin dhe shpalljen e çmimeve fituese për secilën kategori:

a) “Qeni më i Zgjuar” do të përzgjidhet ai qenush i cili tregon zgjuarsi, besnikëri dhe ju bindet komandave.

b) "Qeni më i Bukur" do të përzgjidhet ai qenush që ka gradë Pedigree më të lartë.

c) "Veshja më Trendy" do të përzgjidhet veshja e stiluar nga vetë ju për qenushin tuaj. Natyrisht që për secilin çmim do të ketë dhe një vlerë monetare të cilat variaojnë deri në 100 euro.

a.s/dita

Vrasja e Mario Majollarit, gjykata lë në burg Kastriot Gjuzin

Posted: 22 Apr 2018 01:58 AM PDT

 

Është dhënë sot masa e sigurisë për autorin e dyshuar si vrasës të Mario Majollarit.

Gjykata ka vendosur arrest me burg për shtetasin Kastriot Gjuzi.

Gjuzi u arrestua 3 ditë më parë në Kosovë.

Sipas policisë, ai ka tentuar të largohet malit për në shtetin fqinj, por është pikasur nga policët kufitare afër Vërmicës.

Mario Majollari u vra më 10 prill, në një pritë poshtë shtëpisë. Dyshimet e para ishin pikërisht për hakmarrje, pasi i ati i 28-vjeçarit, Avni Majollari vuan dënimin me burgim të përjetshëm për dy vrasje në vitin 2001.

Kastriot Gjuzi është vëllai i njërit prej viktimave të vrasjes.

Vetë Mario kishte kërkuar azil në Suedi, por i ishte refuzuar.

a.s/dita

Shkrumbohet fabrika e riciklimit të mbetjeve në Tiranë (VIDEO)

Posted: 22 Apr 2018 01:40 AM PDT

 

Një zjarr i madh ka përfshirë një fabrikë riciklimi mbetjesh në Mëzes të Tiranës.

Fabrika është e përfshirë e gjitha nga zjarri, ndërsa disa makina zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

Shkaqet e rënies së zjarrit janë ende të paqarta.

Me anë të një deklarate, policia njofton se fatmirësisht si pasojë e zjarrit të madh nuk ka asnjë person të lënduar, vetëm dëme të konsiderueshme materiale.

a.s/dita

Si Greta Garbo bashkon Migjenin me Borgesin

Posted: 22 Apr 2018 01:31 AM PDT

 

Nga Moikom Zeqo

Jorge Luis Borges ka thënë: "Më kujtohet reklama e bujshme e bërë për shfaqjen e filmit "Mbretëresha Kristina" të Greta Garbos, sipas një pjese të Eugene O'Neill.

 Reklama shënonte "Greta tolks" ("Greta flet").

Për këtë film, ishin ndërtuar posaçërisht – për një kënd më të gjerë – një serë baresh, pastaj kishte edhe brymë, një kalë në brymë, dhe së fundi një grua që vinte nga Suedia dhe që vete në këtë dekor… që ishte Greta Garbo.

Ajo hynte në një bar dhe aty ajo shkon drejt një tryeze tepër të gjatë.

 Ne (spektatorët) prisnim që ajo të fliste – do të dëgjonim më në fund zërin e Greta Garbos – ajo çka ne dëgjuam qe një zë pothuaj i ngjirur që shqiptoi "Give me a whisky", dhe ne zumë të dridheshim të gjithë nga emocioni.

 Dhe pastaj ajo vazhdoi të flasë dhe ky qe filmi i parë me zë. Tërë brezi im ka qenë i dashuruar me Greta Garbon, mendoj se e tërë bota ka qenë e dashuruar me të.

Motra ime, Norah, ka thënë diçka të bukur: "Greta Garbo nuk do të jetë kurrë e lënduar" dhe kjo është e vërtetë; një femër e madhe, me shpatulla të gjëra.

Artistet e tjera të asaj kohe qenë të brishta, por jo Greta Garbo; ajo kishte në vetvete një lloj qëndrueshmërie, diçka të mistershme, kështu e quanim ne: "Sfinksi suedez"".

Borgesi bën një apologji elegante, të beftë.

***

Po ai nuk e dinte (o Zot, s'kish si ta dinte!) që shumë përpara tij në 1936 një tjetër shkrimtar, shqiptari i brishtë dhe rebel Migjeni ka shkruar diçka për këtë motiv, ku dallimi midis së ngjashmes dhe të pangjashmes krijon një subjekt më vete.

Në skicën migjeniane "Urime për 1937" shkruhet: "t'uroj shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos dëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue shkue në Golgotha.

 Të mos dëgjosh as dëshpërimin e të mundurve, as britmën e ngadhnjyesve në këtë jetë.

 Të mos dëgjosh bubullimën e Spanjës… mbas gjumit tambël, t'uroj – ç'asht dhe e natyrëshme – të jesh i gëzuem, gjithmon i gëzuem.

 Nga gëzimi i madh, në semintalizëm, të puthish drrasat e dhomës dhe shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin "Mbretëresha Kristina" kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht).".

Ah, Mbretëresha Kristina!

Mbretëresha e çuditshme dhe gati e çmendur e Suedisë. Vajza e mbretit Gustav Adolfit të Suedisë dhe Maria Eleonora e Bradenburgut.

Lindi në 1632 në Stokholm dhe vdiq në 1689 në Romë. Shumë e re në moshë u kurorëzua Mbretëreshë.

Por në moshën 19 vjeç papritur abdikoi nga të drejtat e fronit, duke habitur e lemerisur tërë Europën dhe bashkëkohësit. Natyrë e vrullshme, pasiononte, poliglote dhe jashtëzakonisht e ditur.

Si Mbretëreshë ajo u mbiquajt si Minerva e Veriut.

Ndërsa Stokholmi u shpall Athina e Veriut.

Ajo qe padrone e arteve, filozofisë, muzikës.

Ajo e mbrojti filozofin francez René Descarte-in, për t'i shpëtuar censurave feudale të kohës.

Në fillim Kristina qe protestante dhe luteriane e thekur.

Më pas u konvertua në katolicizëm, por gjatë tërë jetës Kristina u akuzua për ateizëm të fshehtë.

Ajo u lidh me priftin katolik Antonio Macedo – aq shumë sa e kërcënoi, e vuri në provë, e sfidoi virgjërinë seksuale të priftit të shkretë.

Ajo u vendos në Romë, për shkak të katolicizmit të saj tashmë pasionant.

Kur vdiq 63 vjeç- salma e saj në një sarkofag të përzishëm u vendos përfundimisht brenda bazilikës së shën Pjetrit në Vatikan.

***

Greta Garbo

Kristina qe një femër krejt e lirë, dinake, autoritare që vishej me shpesh me rroba burri.

Jeta e saj seksuale qe pa kufij.

Qe lesbike dhe interseksuale.

Përherë sfiduese dhe joshëse!

I hutonte në biseda dijetarët.

I shpërfillte teologët.

Abdikimi i saj qe i tmerrues.

Por dhe tepër kalorsiak.

***

Në 23 dhjetor 1933 Metro-Goldwyn-Mayer shfaqi në New Jork filmin "Mbretëresha Kristina" me Greta Garbon e famshme.

Këtë film – pikërisht këtë edicion në pelikulë e ka parë Migjeni.

Por edhe Borgesi.

Reagimet e tyre janë të ndryshme.

Por edhe plotësuese.

Filmi ka sekuenca lesbike (mund të shihet në You Tube lehtësisht, mrekullisht paradoksalisht), por dhe skenën skandaloze të seksit që e ka çmerituar Migjenin puritan dhe poet ironik.

Migjeni

Në arkivin e Migjenit ruhet ende dhe sot një fotografi e Greta Garbos.

Ah, fotografia e Greta Garbos!

Hapësirë e vogël e koncentruar.

Tek sytë magjikë të Gretës janë edhe sytë e verbër të Borgesit, tek balli i saj edhe balli i Migjenit.

Të tre e bëjnë një rastësi sikur i ka mbledhur në fshehtësi një regjizurë. Bije bora e New Yorkut, Mbretëresha Kristina (ajo në fakt nuk është e katërta!) takon në bar Migjenin (ç'ne Migjeni në New York?) dhe Migjeni i thotë "Give me a whisky".

Shkrep një vetëtimë si klithma e orgazmës.

Pastaj filmi rrotullohet mbrapsht.

Një tren vjen mbrapsht në një stacion të panjohur.

Borgesi, Greta dhe Migjeni largohen mbrapsht nga njëri tjetri. Realiteti është dekori i një ëndrre.

Tërë njerëzimi lëviz me kryqe në Golgothanë e filmit, lufta e Spanjës rishfaqet përsëri. Dolores Ibarruri nuk është Greta Garbo, por ama del nga Guarnika e Pikassosë.

Greta ja vlen të adhurohet dhe urrehet.

Kjo aktore e jashtëzakonshme në kulmin e suksesit abdikoi nga karriera dhe kaloi në një jetë private, larg syve të famës dhe idhujtarisë botërore.

Qe tepër e re, diçka më shumë se sa mosha e Migjenit që vdiq 27 vjeç.

***

Vdekja e Migjenit qe i ngjashëm me abdikimin e Gretës. Greta vdiq anonime në moshë të madhe, – të njëjtën moshë fizike e arriti dhe Borgesi.

Vdekja e Borgesit nuk qe si e Migjenit.

Jorge Luis Borges

Vdekja e Borgesit s'qe "abdikim" por natyralitet.

Greta Garbo pati famë të paskajshme – Borgesi gjithashtu.

Migjeni pati një fat krejt të përkorë, jashtë famës botërore – por Migjeni është ndër shkrimtarët e zgjedhur që e ka fituar betejën e tij me amëshimin.

Ai është në substancën inkandeshente, pulsuese të letërsisë së madhe, pra edhe botërore.

Ai skaliti shkurtimisht një fragment ambikuid për Greta Garbon si Mbretëresha Kristina e Suedisë.

Dhe ky fragment është i vetëmjaftueshëm.

Në mendjen e tij Migjeni kishte diçka më tepër. Shumë më tepër.

Po ai s'i pëlqente apoteozat.

Asnjë apoteozë !– as për veten e tij!

E ç'i dukeshin apoteozat?

Ai qe çmitizues i lindur.

Çmitizues edhe në pasvdekje.

E pra, kjo nuk është asnjëherë pak!

Si hije e Hadit ai ka mundësi të takojë hijen e Borgesit dhe të Greta Garbos për të thënë "të pathënat".

Të tre të ndryshëm, por dhe të ngjashëm.

Çdo shkrimtar është aktor i roleve të personazheve të tij. Këtë bëri edhe autorja Greta.

Jetuan jo për veten por për të tjerët.

Në përjetësi! Amen!

VIDEO/ E pabesueshme, shikoni çfarë ndodh kur ultrasit e Napolit dhe Juves takohen në rrugë

Posted: 22 Apr 2018 01:21 AM PDT

Juventus do të presë Napolin mbrëmjen e sotme për ndeshjen më të madhe të sezonit të Serie A.

Juve ka një avantazh prej katër pikëve ndaj Napolit, që akoma nuk i ka humbur shpresat për titullin kampion.

Një fitore e Napolit do të rikthente luftën për titull dhe këtë gjë shpresojnë të ndodhë të gjithë tifozët e futbollit.

Nuk do të ishte një ndeshje e madhe italiane nuk tifozët vizitorë nuk do të do të bënin zhurmë në qytetin e ekipit kundërshtar.

Por teksa të gjithë mund të prisnin trazira kur vjen puna për ultrasit e Napolit në Torino, ata kanë vërtetuar të kundërtën.

Shikoni videon më poshtë për të parë se çfarë ndodh kur tifozët e Napolit dhe ata të Juves takohen në rrugë.

a.s/dita

“Operacioni fshesa blu”/ Përjashtohen dhëndri i Berishës dhe 24 figura nga kryesia e PD

Posted: 22 Apr 2018 01:12 AM PDT

 

Paketa me ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike, përpos përfshirjes së Jozefina Topallit në Këshillin Kombëtar dhe ndryshimin e rregullave për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie, ka prodhuar edhe një surprizë të tjetër.

Ndryshimet në statut, miratuar ditën e premte nga Këshilli Kombëtar, përjashtojnë Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, nga Kryesia e Partisë Demokratike.

Krahas Malltezit nga Kryesia e PD largohen automatikisht edhe krerët kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin PD.

Në total, nga Kryesia e PD përjashtohen automatikisht 25 figura të kësaj partie. Të gjithë të përjashtuarit, për t'u bërë sërish anëtarë të Kryesisë, duhet të kandidojnë dhe të zgjidhjen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar.

Por, me votim nga Këshilli Kombëtar, mund të zgjidhjen vetëm 15 anëtarë, një numër mjaft i reduktuar në krahasim me numrin e të larguarve.

Mekanizimi 

Po si u përjashtua Malltezi nga Kryesia e PD, gati një vit pasi Lulzim Basha nuk e futi në listën e kandidatëve për deputetë?

Statuti i ri i partisë më të madhe në opozitë ka ndryshuar përbërjen e Kryesisë, duke u hequr të drejtën krerëve të departamenteve për të qenë anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike. Neni 39 i statutit aktual të PD parashikon që, Kryesia e Partisë Demokratike, përbëhet nga kryetari i partisë, nënkryetarët e partisë, sekretari i Përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve etj.

Jamarbër Malltezi është kreu i departamentit të Ambientit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike, ku si tillë ishte automatikisht anëtar Kryesie. Por, sipas statutit të ri, i konfirmuar nga Këshilli Kombëtar, krerët e departamenteve nuk mund të jenë më anëtarë të Kryesisë. Neni 52 i statutit të ri parashikon që Kryesia e PD përbëhet nga kryetari i partisë, nënkryetarët e partisë, sekretari i përgjithshëm, sekretarët funksionalë etj., por jo nga krerët e departamenteve.

Ky ndryshim ka përjashtuar automatikisht Jamarbër Malltezin dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të departamenteve nga Kryesia e PD. Ashtu si Malltezi, nga Kryesia largohen edhe krerët e tjerë të departamenteve si Suzana Guxholli, Florion Mima, Sherefedin Shehu, Jemin Gjana, Bardh Spahia, Ardian Turku, Tritan Shehu etj.

Të larguarit e tjerë

Me ndryshimet e reja në statut, nga Kryesia e PD largohet edhe Genc Pollo, i cili mban postin e kryetarit të Komisionit të Integrimit Evropian. Të drejtën për të qenë anëtare e Kryesisë së PD e humbet edhe zonja Jorida Tabaku, e cila është zëvendëskryetare e Komisionit të Ekonomisë. Nga Kryesia e PD ikën edhe Flamur Noka, i cili mban postin e zëvendëskryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Albana Vokshi, si kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nuk do të jetë më anëtare e Kryesisë së PD.

Marrë me shkurtime nga "Shqiptarja.com"

a.s/dita

VIDEO: Si po rritet “Arena Kombëtare”

Posted: 22 Apr 2018 12:58 AM PDT

 

Kryeministri Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm një video nga stadiumi në ndërtim "Arena Kombëtare".

"Mirëmëngjesi! Dhe me këtë ditar filmik të lindjes e rritjes së "Arenës Kombëtare", ju uroj një të diel të bukur", shkruan Kryeministri.

Ndërkohë, "Arena Kombëtare" ka marrë formë tashmë, ku tri tribuna janë thuajse të përfunduara dhe tashmë po punohet për tribunën kryesore.

Tribuna karshi është pothuajse drejt përfundimit, sa i takon konstruksionit të betonit dhe atij metalik, me punimet kanë arritur deri në katin e fundit të stadiumit, ku ka mbetur vetëm një pjesë për tu plotësuar.

Në tribunën jugore mbrapa portave është për t'u plotësuar vetëm një sektor ku do të jetë kulla e kontrollit, e cila do të ketë lartësinë e impiantit.

Punimet kanë ecur me ritme të larta edhe në tribunën veriore mbrapa portave, ku skelat janë ngritur thuajse deri në fund.

Impianti me kapacitet 22 mijë vendësh pritet të përfundojë plotësisht gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.

a.s/dita

Ndahet nga jeta në moshën 49-vjeçare aktori, Verne Troyer

Posted: 22 Apr 2018 12:54 AM PDT

 

Aktori Verne Troyer, i njohur më së shumti në rolin e tij Mini-Me në serinë e filmave komedi "Austin Power", ka vdekur në moshën 49 vjeçare.

Ai kishte lindur me një çrregullim gjenetik të njohur si "achondroplasia dëarfism" e që kishte bërë që të mbetej vetëm 81 centimetra i gjatë.

Troyer ka pasur probleme me alkoolin për shumë vite dhe kishte qenë në rehabilitim disa herë.

Ka qenë familja e tij, që ka bërë të ditur lajmin për ndarjen nga jeta.

"Është një  trishtim i madh për zemra tona për të shkruar se Verne vdiq sot. Gjatë viteve ai ka luftuar dhe ka fituar … por për fat të keq kjo kohë ishte shumë".

a.s/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more