Skip to main content

“Zagoritët dhe gjimnazi Zosimea i Janinës” plus 9 more - Gazeta Dita

“Zagoritët dhe gjimnazi Zosimea i Janinës” plus 9 more - Gazeta Dita


Zagoritët dhe gjimnazi Zosimea i Janinës

Posted: 25 Apr 2018 01:54 AM PDT

Mitro Saqellari

Zosimea e Janinës ka qenë në vitet 1830 – 1930 një nga gjimnazet më të shquara të kontinentit Europian. Ajo është shquar si vatra e rilindjes shqiptare.
E krijuar zyrtarisht në vitin 1828 nga gjashtë vëllezër grekë nga zona e Epirit. Në vitin 1833 drejtor i shkollës emërohet Anastas Sakellari nga fshati Hoshtevë i Zagories. Nën drejtimin e Anastasit , shkolla arriti nivele të larta bashkëkohore. Në këtë shkollë krahas greqishtes, studiohej, latinishtja dhe frëngjishtja. Si lëndë kryesore kanë qenë matematika, fizika, kimia, letërsia, historia, por nën drejtimin e drejtorit, Sakillariut, ishte futur si lëndë e veçantë dhe “Historia e Skënderbeut” e botuar në Moskë në vitin 1812. Kjo pa dyshim ishte meritë e stafit pedagogjik të drejtuar nga Anastas Sakellari.
Krahas shumë nxënësve të njohur shqiptarë, nga Zagoria, i ndihmuar nga Evjen Peri, në po japim disa prej tyre, me shpresë se në të ardhmen mund ta pasurojmë zhvillimin e arsimit tonë: Sheper, Ilia Dilo Sheperi, Aristidh Ruci. Koncke Ndreko Mici ose Ndreko Dhaskali. Hoshtevë, Kolo Ndreu, Qiro Prifti, Qirjako Saqellari. Kico Kalaja, Malëshovë, Petro Tyto ( Mësues letërsie i ka dhënë Çajupit në shkollën e Manastirit të Nivanit. Lliar, Spiro Prifti dhe Aleks Shabani, të dy më mbrapa janë pajisur me mësime fetare (kanë shërbyer respektivisht në Zhej dhe Lliare). Zhej ,Ndreko Sotiri. Doshnice Jorgo Shabani, me origjinë nga Lliara.
Kemi të dhena dhe për Sotir Bitën, Andon Bitën, Vangjel Kason, Sofokli Capin e parë, Mitro Stefanin dhe Mihal Garon.

PERSONALITETE TË SHQUARA
Ismail Qemali , Vëllezërit Frashëri, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, Myfit Libohova, Mustafa Kruja , Thoma Papapano, Mehmet Esat Pasha, Hasan Dosti, Dhimitër Tutulani, Sali Nivica, Vangjel Zhapa.

ANASTAS SAKELLARI
Në vitet 1857-1858 Ismail Qemali ka qëndruar për rreth tre muaj në Hoshteve tek Qirjaq Puleshi, një familje e cila ruante lidhje miqësore prej më se 20 vjetësh, miqësi që kish ardhur si rezultat se Kalloqirjaqi i kish shpëtuar jetën mëmës së Ismailit, (Qirjaq Puleshi ose Kalloqirjaqi ishte Xhara me famë, Jatro popullor) Kjo e dhënë është e fiksuar në kujtimet e Ismail Qemalit, por dhe në disa këngë të vjetra të Hoshtevës ,
Muhamet beu i Vlonjate,
Miku i Kalloqirjaqe. …
…Penxheret me xhama,
Dyert me qemere
Ky Kallo-Qirjaqi
Behet  me bejlere.

Por dhe në librin e Milo Kristanit ” Hoshteva & Hoshtevjatët ” me bashkautor Ll. Saqellarin .
Duke parë inteligjencën e Ismailit , Anastasi, ku ai rrinte në Hoshtevë pranë familjes me pushime, e regjistron në gjimnazin e Zosimesë, ku Ismaili mbaroi me rezultate të shkëlqyera , sikundër e shpreh vetë në kujtimet e tija.
Regjistrimi në shkollë i Ismail Qemalit, nuk i pëlqeu pronarit të Zosimesë Nikollaq, për dy arsye : Së pari, ishte mysliman , së dyti ngriti dyshimet për ryshfet ( që për këtë kishte të drejte , se në kujtimet që ruante Xhorxh Saqellari , shpesh e përmendte këtë element, të ruajtur nga kujtimet e gjyshit të tij, një mësues që jepte mësime në gjuhën greke, kur në Shqipëri nuk ishin hapur shkollat shqipe). Ismail Qemali ishte nxënësi i parë mysliman që u regjistrua në atë shkollë.
Në vazhdim të punës Anastasi konflikohet me një mësues, mikun e ngushtë të pronarit, të cilin e kishte përjashtuar nga marrëdhëniet akademike (e kishte lënë mësues të thjeshtë) për rezultate të dobëta, duke parë se reputacioni po i binte pronarit të shkollës. Nikollaqi për të marrë një autoritet më të lartë në vitin 1862, kur Zosimea kishte arritur nivelet më të larta, Anastasit nuk i përsëritet mandati, por dhe për një arsye, ndoshta objektive , Anastasit i kishte trokitur pleqëria, dhe kur plakesh shumë pak të duan.
Familja e Anastasit
Anastas Sakellari, drejtori më jetëgjatë i gjimnazit të famshëm të Janinës, nuk u martua dot në kohë, por ai la një djalë me një shërbyese që i mirëmbante shtëpinë, të cilës i kishte humbur burri. I ndodhur përballë presionit të kohës dhe reputacionit që kërkonte ta ruante ai nuk ia ofroi atësinë deri sa ishte në marrëdhënie pune, (shtoj se dhe ajo nuk ia prishi karrierën mbasi rregullat e kohës ishin shumë të ashpra) por ai vazhdimisht paguante për të dhe kjo i kushtoi shumë. Në fund të jetës si ndërpreu marrëdhëniet mësimore Anastasi bashkëjetoi me gruan me të cilën kishte sjellë në jetë djalin dhe u muarr me tekste mësimore ku spikat një gramatikë e niveleve të ulëta.

Anstas Saqellari 24 karat zagorit
Anastasi , Qirkua , Kiçua ishin tre vëllezër ,por kishin dhe dy motra . Anastasi dhe Qirkua, mbaruan të dy në Athinë, Qirkua ishte më i madhi i vëllezërve dhe mbaroi shkollë fetare, shërbeu në kishën e Hoshtevës si epitrop i dhespotit (prift) e dhënë e ruajtur nga një mbishkrim në kishën e Shënpjetrit të cilën e ka përkthyer në librin e tij profesor Theofan Popa e titulluar “Mbishkrime në kishat shqiptare”. Shtoj se arsimimi i tyre vinte si rezultat i statusit që kishte fituar familja në hierarkinë fetare (Saqellari, gradim fetar) ku kisha mbante lidhje të ngushta qysh nga koha e pushtimit Osman, që së bashku me logotetet dhe anagenostet formonin zinxhirin e pushtetit fetar (Francois Pouqueville, në librin "Ali Tepelena") Popa në librin e tij thotë: "Kjo kishë është e pikturuar në kohën kur ka qënë epitrop i dhespotit , prift Saqellar Qirkua ….” Anastasi ishte i dyti dhe megjthëse ishte për të vazhduar kolegj fetar, e la në mes dhe merr studime të tjera. Por ku bëhet edhe nxënës i një iluministi të madh grek Anastas Psalidhas në Janinë, ish-këshilltar i  Ali Pashës. Historia nuk do të kishte  ardhur tek unë në  rast se nuk do t'i rrezikohesh jeta Kiços , vëllait të tretë.

Qirkua largohet nga shërbesat fetare
Kicua vëllai i tretë punonte rrobaqepës në një fshat afër Leklit, qepte  kostume të kohës.
Mëmës së tyre i shfaqet  në ëndërr, se Kiçon do ta vrisnin dhe në mëngjes i thotë djalit, Qirkos: Çfarë bën që s'interesohesh për vëllain Kiçon, kam parë ëndërr të keqe! Po dhe unë kam parë i thotë prifti. … Vete Qirkua në Lekël , dhe në mëngjes vjen për ta vrarë një person (Kiçon), mbasi i kishte thënë, se e dua të mbaruar kostumin në mëngjes, Prifti ne bastumin e tij kishte të montuar thikë, e hap dhe e vret.

Bashkë me të vëllanë vinë në Hoshtevë. Të nesërmen mbasi mbaroi shërbesën në kishën e Hoshtevës do të vinte në kishën e Konckës për të bërë të njëjtën gjë, por gjatë shërbesës kërkon ujë, në moment ujët iu kthye në  gjak, dhe ai  la  shërbimet kishtare, hoqi dorë nga kisha se vrau një njeri.
Financat e familjes u zvogëluan dhe mëmës së tyre  tani i mbetën sytë nga Janina, ku djali tjetër nuk vinte, Anastasi, dhe  mbas vdekjes së saj marrëdhëniet u dobësuan.
Historiografia komuniste nuk pati interes për shumë figura të kombit, rast unikal është rasti i Ali Pashës që historiografia e la  mënjanë deri në fillim të viteve 1970 sikur mos të kishte ekzistuar fare. U desh një liber brilant i S. Godos që gjerat  të ndryshonin, pastaj  e bënë Aliun më të mirë se Jezu Krishtin, i harruan krimet çnjerëzore në Hormove dhe në Kardhiq.

Kjo është historia e Anastas Saqellarit, pionierit të atdhetarizmit  shqiptar që regjistroi në shkollë babain e kombit shqiptar Ismail Qemalin, mori para që e futi në shkollë dhe mirë bëri, rrezikoi për vete, mbasi komprometoi dhe koleg , mbase jo. Por kur hidhen në peshore dhe  bëhet seleksionimi rezultati del flori … Kush nuk e merr paranë e Beut?!

Plani i “çmendur”, Reali heq dorë nga Neymar, tani kërkon Mbappe…

Posted: 25 Apr 2018 01:44 AM PDT

 

Real Madrid po përgatit një ofertë prej 200 milionë eurosh për sulmuesin e PSG-së, Kylian Mbappe, raporton "Don Balon". "Los Blancos" shpresonin ta merrnin Mbappe verën e kaluar, por u mposhtën në përpjekjet e tyre nga një ofertë prej 180 milionë eurosh, fillimisht për huazim dhe këtë verë për blerje, e bërë prej gjigantëve të Ligue 1.

Tani, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, shpreson ta tërheqë PSG-në pas vetes, që ta shesë të riun francez, duke premtuar se do ta braktisë ndjekjen dhe interesimin për Neymar, nëse Mbappe lejohet të largohet nga Franca.

Ka qenë Sergio Ramos, ai që e ka "revolucionarizuar" sfidën Bayern Munich-Real Madrid me një filtrim zanor: "Florentino Pérez tashmë po punon për një nënshkrim të befasishëm prej 200 milionë eurosh". Kapiteni i Real Madridit me siguri që di shumëçka. Dhe, në këtë rast, kjo nuk ka të bëjë fare me Harry Kane, por është diçka shumë më e zhurmshme: Kylian Mbappé, shkruan telesport.

Florentino Perez ka qenë i bindur se gjëja më e mirë për Real Madridin është të rrezikojë gjithçka për gjithçka, sepse bëhet fjalë për një lojtar, i cili thirret që të shënojë një epokë të tërë në futbollin europian. Mbappé shkëlqeu në radhët e Monakos, por pronari i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, ofroi 180 milionë euro verën e kaluar, duke e marrë talentin francez në formë huazimi dhe pastaj blerje të plotë të kartonit të tij. Por, UEFA e ka vënë nën hetim klubin parizien, për shkelje të "fair-play financiar", ndaj drejtuesit e PSG-së duhet t'i "pastrojnë disi dollapët"

l.h/ dita

Dasma e Skënderbeut/ Fate Velaj: Një përgjigje për ata që e duan Shqipërinë vetëm me festa ëmbëlsirash, e mishit të pjekur

Posted: 25 Apr 2018 01:38 AM PDT

Nga Fate Velaj

Në Kaninë të Vlorës, në datë 22 Prill, për herë të parë në histori, u festua 567 vjetori i dasmës më kuptimplotë të historisë së kombit shqiptar, asaj të Skënderbeut me Donika Arianitin.
Në një ceremoni modeste, me pjesëmarrjen e një grupi prej 50 arbereshësh, si dhe të ardhur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Kruja, Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora, Kalaja e Kaninës u rikthye në qendrën e kujtesës kombëtare.

Si ideator dhe organizator i këtij aktiviteti, realizova një ëndrrën time të vjetër, shprehur prej vitesh mes miqsh e, për ta realizuar këtë, iu drejtova përsëri miqve, vëllezërve të mi kaniniot, që e mbajtën në zemër e në mendje këtë ngjarje dhe e realizuam ashtu siç mundëm. Madje, shumë herë më bukur seç kishim mundësitë.
Skënderbeu e Donika erdhën nga Lungro e Kalabrisë. E donin me patjetër vëllezërit tanë Arbëresh të ishin ata të parët që do e martonin këtë çift, më të famshmin çift të historisë së kombit tonë. Ditën e dielë, 22 Prill, Kalaja e Kaninës u mbush me festues, me valltarë nga vise të ndryshme, ardhur enkas për të festuar.
Ngjarja e tejkaloi madhështinë por, njëkohësisht, vapa e madhe e asaj dite, nxori dhe zhapikët e fshehur poshtë gurëve të kalasë shekullore, të cilët filluan të hidhnin në hava helmin e tyre. Kuturu. Të kapë kë të kapë, e të helmohet kush të dojë. Ata nuk mbanin përgjegjësi për fatin e zi të atij që do helmohej.

Fillimisht u hodh helmi i një hardhuce, se dasma ka marrë para publike prej 25 milionë lekë. Do ishte mirë të kishte marrë, por nuk mori. Para publike kanë marrë shumë aktivitete në këto 27 vite, por jo të gjitha kanë qenë vlerë.
Nuk u mor asnjë lek nga Ministria e Kulturës. ZERO. Shkoni pyesni. Hapni dosjet e ministrisë dhe shikoni. Dasma u financua nga djemtë e Kaninës për ta nisur këtë ngjarje në vitin jubilar të Skënderbeut.
U tha se ishte qesharake. JO. Ishte madhështore. Ishte dritëruese si dielli që i rrinte në kokë nuses, vajzës së Kaninës dhe djalit të Krujës. Në fjalën time përshëndetëse thashë se vitin tjetër do të vijnë 5000-10.000 veta në dasmën e Skënderbeut sepse kjo festë do të jetë e përvitshme. E përhershme. Kjo është DASMA E KOMBIT dhe do jetë e të gjithëve. Dhe vitin tjetër, në atë pas dy viteve e shume viteve do jetë akoma më e bukur,më madhështore, më vezulluese, më verbuese.

Të krahasosh Kaninën me Romën është groteske, mjerane. Vetëm buxheti i kulturës së bashkisë së Romës është më i madh se i shtetit shqiptar.
Është e vërtetë që kali tërhiqej nga një litar por, paska akoma njerëz që e shohin kalin nga dhëmbët. Si t’ia bënim në momentin e fundit, kur personi që na premtoi të na sillte kuajt më të bukur në Shqipëri nuk erdhi sepse ashtu i doli një punë. Ata kuaj që t’i komenton u gjetën orën e fundit.
Çfarë t’i thosha unë arbëreshit që erdhi si Skënderbeu; ndërro këpucët se, diku maleve është dikush që është rritur me Gaius Iulius Caesar e Marcus Antonius dhe i njeh mirë veshjen e tyre, tabjatet e tyre.
Për t’u mos u marrë me çfarë është shkruar, dua t’iu them se Shqipërisë iu shtua një festë domethënëse, e përvitshme,e përhershme.

DASMA E KOMBIT.
DASMA E BASHKIMIT.

Ata që janë mësuar ta shohin kalin nga dhëmbët, e duan Shqipërinë vetëm me festa ëmbëlsirash, me festën e mishit të pjekur. Janë ata që kanë 27 vite që merren me analizat se kur iku gjermani i fundit nga Shqipëria, në datë 28 apo 29 nëntor 1944, e shpikën festat e tyre,të revanisë, të asudes, të reshedisë, të dhisë e të kecit.
Por, kur shohin të realizohet një festë ku mblidhet shqiptarizmi, kërkojnë ta çojnë kalin tek dentisti.
Ejani vitin tjetër në Kaninë. Ejani të shihni si do jetë. Ejani të festoni në vendin më të bukur mbi dhe. Ejani të ndiheni princëror, si njëherë e një kohë. Bashkojuni të ardhurve nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, arbëreshëve, dhe nga e gjithë Shqipëria.

 

Fshehu pasurinë, Prokuroria dërgon për gjykim ish-kreun e komunës Pajovë

Posted: 25 Apr 2018 01:38 AM PDT

 

Prokuroria e Elbasanit ka dërguar për gjykim çështjen ndaj ish-kryetarit të komunës së Pajovës, Albert Kreci, për pastrim parash. Ish-kryekomunari i Pajovës akuzohet për refuzim të deklarimit ose fshehje të pasurisë.

Sipas Prokurorisë, Albert Kreci nuk ka deklaruar kontratë qiraje financiare për makinën "Mazda CX7", kontratë shitjeje, kontratë qiraje me çmim të blerjes 51.500 euro dhe kontratë me shumë 20 mijë Euro.

Organi i akuzës ka dërguar gjithashtu për gjykim edhe Shpëtim Plakun, teknik për deklarim të rremë në polici. Prokuroria thotë se Albert Kreci nuk ka deklaruar as ushtrimin e aktivitetiti privat të llojit kabllor "TV-ALB Pajovë", të cilin e ka vendosur në emër të të pandehurit tjetër Shpëtim Plaku.

Organi i akuzës së Elbasanit rendit edhe të tjera shkelje të rënda ligjore të kryera nga ish-kryetari i komunës Pajovë:

  • për seksionin e "Detyrime financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, kredia e materializuar në një kontratë huaje nr.rep 2723, nr. kol 898 datë 25.06.2015 midis personit juridik Shoqëria "Noa" sh.a. në cilësinë e huadhënësit dhe palëve Albert Kreci, Besnike Kreci dhe Shpëtim Plaku në cilësinë e huamarrësve.

Ka bërë deklarim të rremë në shkelje flagrante të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 dhe si rrjedhim edhe të nenit 257/a/2 të K.P për këto akte:

  • në vitin 2007, se i ka dhënë me qira Mustafa Gjevorit, dyqan, me dat 25.08.2005, për 5 vjet, me vlerë qiraje 20.000 lekë në muaj. Mustafa Gjevori mohon ekzistencën e një marrëdhënie të tillë qiraje, deklarim i rremë në vitin 2009 për shitje toke arë 4000 m2, në fshatin Lazarej, Komuna Pajovë, shtetasit Berom Gjevori në vlerë 58.000 euro. Toka i është shitur Idajet Gjevorit në vlerë 4.500.000 lekë;
  • deklarim i rremë në vitin 2010, se ka marrë borxh te Nezir Salla shumën 60.000 euro për ndërtim, shtesë kati. Deklarim i rremë në vitin 2013 se i ka shlyer Nezir Sallës shumën prej 14.000 euro. Deklarim i rremë në vitin 2014 se i detyrohet Nezir Sallës në vlerë 6000 euro. Nezir Salla mohon në tërësi ekzistencën e këtij borxhi apo huaje;
  • deklarim i rremë në vitin 2014, në vitin 2015 dhe pas largimit nga detyra se ka siguruar të ardhura nga objektet e dhëna me qira Mahir Sallës në vlera 6480 euro + 6480 euro + 3780 euro. Mahir Salla mohon ekzistencën e kësaj marrëdhënie qirajel;
  • deklarim i rremë, në vitin 2008, në vitin 2009, në vitin 2010, (200 euro në muaj) në vitin 2012 (qiraja 1000 euro në muaj), në vitin 2014, në vitin 2015, pas largimit nga detyra që ka siguruar të ardhura nga qiraja e objektit që i ka dhënë Shpëtim Plakut (për vitin 2008 – 2009 – 30.000 dhe 35.000 lekë në muaj) për vitet e tjera në vlerë 8100 euro + 8100 euro + 4725 euro. Shpëtim Plaku mohon ekzistencën e kësaj qiraje. Albert Kreci ka patur një aktivitet kabllor të tijin ku e paguante 30.000 lekë në muaj. Këtë aktivitet e ka fshehur duke e regjistruar në emër të Shpëtim Plakut;

 

  • ka deklarim të rremë në lidhje me deklarimin e kredisë, përpara fillimit në detyrë, për shtëpi në "Raiffeisen" bank në vlere 1,700,000 lekë. "Raiffeisen" bank konfirmon për kredi në shumën 1 845 000 lekë, marrë më datë 11.10.2006, e mbyllur më datë 07.10.2010. Në vitin 2010 nuk deklarohet mbyllja e kësaj kredie.
  • ka deklarim të rremë në lidhje me deklarimin e tre kredive, përpara fillimit në detyrë, për shtëpi në "ProCredit" bank në vlerat 20973 euro, 17.873 euro dhe 28.929 euro. "Pro Credit" bank konfirmon për kredi në vlera 25.000 euro, 39.000 euro dhe 29.000 euro.
  • deklarim i rremë në vitin 2012, vlera e banesës së blerë Luan Hajkës është deklaruar 33,000 euro, ndërkohë që një vit më parë e kishte deklaruar 50,000 euro

l.h/ dita

Champions, sonte Bayerni kërkon hakmarrje ndaj Real Madrid

Posted: 25 Apr 2018 01:27 AM PDT

Bayern Mynih-Real Madrid premton gjithmonë spektakël. Sonte në mbrëmje në "Allianz Arena" luhet akti i parë i gjysmëfinaleve të Champions mes rekordmenëve gjerman dhe Realit mjeshtërit të Championsit. Pritet një duel i fortë me emocione dhe grintë ku bavarezët do të kërkojnë hakmarrje.

Vidal dhe Alaba janë dy mungesat e mëdha të Bayernit ndërsa pritet titular në të majtë të mbrojtjes Rafinha e më pas në skemën 4-1-4-1 do të luajnë Robben e Ribery së bashku me James, Muller e Lewandowski.

Trajneri i gjermanëve Jupp Heynckes kërcënon madrilenët duke thënë: "jemi në një formë të ngjashme si në vitin 2013-të kur fituam tripletën. Unë kam kujtime të mira nga Champions. Në këto sfida nuk ka favoritë por kam ndjesi të mira", e mbyll trajneri i Bayernit.

Mëse gati për luftë është edhe Real Madrid që Championsin e ka në AND-në e tij. Skuadra është përgatitur prej një jave për këtë duel dhe formacioni do jetë ai tradicionali. 10 lojtarë janë të përcaktuar dhe vetëm për një vend luftohet në formacionin e Zinedine Zidane. Rikthim i rëndësishëm pas pezullimit është a ii kapitenit Ramos. I qetë dhe pa emocione është paraqitur Zidane në konferencën për shtyp pasi për të një gjysmëfinale Championsi nuk është diçka e re.

"Jemi gati, nuk i trembemi aspak Bayernit pasi jemi shumë mirë fizikisht dhe psikologjikisht. E dimë që do jetë ndryshe nga një vit më parë por ne do të japim 150% për të kapur finale", përfundon tekniku francez. Kompanitë e basteve për ndeshjen e mbrëmjes së sotme shohin Bayernin disi favoritë.

o.j/dita

Vettingu ngec tek shifrat, KPK shtyn vendimin për Xhoxhajn

Posted: 25 Apr 2018 01:17 AM PDT

 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duhej të dilte në orët e paradites së kësaj të mërkure me një vendim përfundimtar në lidhje me fatin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.

Por e ka shtyrë në momentin e fundit nxjerrjen e vendimit. Shtyrja është bërë për shkak të kohës që kërkohet në llogaritjen e likuiditetiteve në deklaratën e pasurisë së gjyqtares.

Gjatë seancë dëgjimore publike, të mbajtur ditën e hënë, KPK tha se për blerjen e një apartamenti 101 metra/katrorë në Tiranë, Xhoxhaj nuk justifikon të ardhurat prej mbi 4 milionë lekë. Nuk justifikohen gjithashtu, thotë KPK, dy llogari bankare që janë 61 mijë dollarë dhe 15 mijë euro, si edhe kursimet me vlerën e 6 milionë lekëve.

Edhe për truallin në Gjirin e Lalzit dhe një banesë dupleks, nuk dihej burimi i 450 mijë lekëve në këtë investim. Sipas KPK, nga hetimi administrativ gjyqtarja Kushtetuese nuk justifikon gjithashtu edhe shpenzimet ndër vite.

Vetë gjyqtarja nuk foli, por reagoi përmes avokates së saj, menjëherë pas gjetjeve fillestare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe një ditë më vonë përmes një deklarate për mediat.

Avokatja Shehi thotë se gjyqtarja ka si pasuri pas 24 viteve punë në organet e drejtësisë: gjysmën e një apartamenti prej 59 metrash katrorë në Ishëm të Durrësit, gjysmën e truallit prej 220 metrash katror nën dhe rreth këtij apartamenti.

Sipas avokates, pasuria apartament prej 100 m2 është shlyer plotësisht nga Bashkejetuesi, i cili si subjekt i ligjit për deklarimin e pasurive ka deklaruar dhe provuar burimin e të ardhurave me deklarimet e bëra nisur nga viti 2003.

Në procesin e regjistrimit në Zyrën e Regjistrimit të pasurive të Paluajtshme, gjysma e këtij apartamenti është regjistruar edhe në emër të Altina Xhoxhajt në vitin 2011, si bashkëpronësi e dhuruar nga Bashkëjetuesi me të cilin ka dy fëmijë.

Avokatja zbardh edhe të ardhurat e gjyqtares nga puna në vitet 2003-2016 në shumën 23.4 milionë lekë dhe të ardhurat e bashkëjetuesit për të njëjtën periudhë, në shumën 25.4 milionë lekë si dhe kursimet në formën e depozitës prej 30 mijë dollarësh.

Trupa e KPK-së njoftoi se vendimi do të dalë më datën 3 maj.

l.h/ dita

Pse terroristët nuk sulmojnë Italinë? A ka lidhje “mafia”?

Posted: 25 Apr 2018 01:15 AM PDT

Është fotoja e një djali të ri, i kthyer me shpinë, me një thikë të madhe në dorë. Përkrah tij shkruhet me shkronja të mëdha në italisht "Duhet t'i Luftosh".

Fotoja u shpërnda Gushtin e shkuar në "Telegram", aplikacionin e preferuar të ISIS-it. Ishte ftesë e hapur për "ujqit e vetmuar" që të vrisnin italianët. "Site Intelligence Group", faqja e internetit që monitoron komunikimet e xhihadistëve, e vendosi foton pak pasi u shpërnda videoja e guerrilasve të ISIS-it në Filipines, të cilët shfaqeshin duke sulmuar një kishë katolike dhe duke grisur foto të Papës Françesk.

"Ju qafirë (të pafè), mbajeni mend këtë", thoshte personi i maskuar duke tundur gishtin para kamerës: "Do të vijmë në Romë, inshallah!" Kërcënimi i tij që prej 10,000 kilometrash distancë mund të duket si larg nga realiteti. Por dëshira e xhihadistëve për të sulmuar shtëpinë e krishterimit perëndimor është mëse reale.

Prandaj është mbresëlënës fakti që Italia nuk ka qenë asnjëherë shënjestër e sulmeve si ato që kanë ndodhur në Britani, Francë, Gjermani e Spanjë. Dhe nuk ka lidhje me numrin e lartë të emigrantëve të secilit vend, sepse vetëm në gjysmën e parë të vitit 2017 Italia ka pritur 82% të të gjithë emigrantëve që kanë zbritur në Europë.

Disa e shpjegojnë me faktin që mafia italiane nuk i ka lejuar xhihadistët të organizohen. Por këtë ide nuk e mbështet Arturo Varveli, anëtar i Institutit për Studime të Politikave Ndërkombëtare, një grup ekspertësh në Milano. Ai thotë që mafia italiane e ka kontrollin në jug, dhe emigrantët myslimanë jetojnë të përqendruar në veri të Italisë

Një zyrtar i lartë i policisë italiane thotë se mafia ka ndikuar vërtet, por jo ashtu siç mendojnë njerëzit. Lufta që i ka bërë policia italiane grupeve mafioze italiane ndër dhjetëvjeçarë u ka dhënë një përvojë të mirë për sa i përket krimit të organizuar. Dhe policia italiane nuk ka pasur të bëjë vetëm me mafian, por edhe me ekstremistët politikë (të majtë e të djathtë) që kanë qenë aktivë në Itali mes viteve 1970 dhe 1980, dhe që planifikonin sulme terrori. Krimi i organizuar dhe terrorizmi ndër vite ka bërë që gjykatësit italianë të jenë më të shpejtë kur u kërkohet autorizim për të përgjuar të dyshuarit. Historia e viteve të fundit në Itali shpjegon edhe pse vendi është aq i ashpër kundër atyre që përpiqen ta shfajësojnë terrorizmin.

Më 24 shtator, kur një avion Boeing 737 u nis nga aeroporti i Bolonjës për në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, brenda kishte personin e 209-të që dëbohej nga Italia që nga viti 2015 për ekstremizëm fetar. Myslimani 22 vjeçar ishte arrestuar nga policia teksa përpiqej t'u mbushte mendjen njerëzve të mos futeshin brenda në kishë. Ai ishte mbajtur një ditë në qeli dhe ishte liruar të nesërmen. Më pas ishte mbajtur nën vëzhgim të plotë nga policia, deri sa u vendos për ta dëbuar.

Policët italianë thonë se kanë më pak të dyshuar për të montuar se kolegët e tyre francezë e britanikë, për faktin se shumica e të dyshuarve janë dëbuar nga vendi. Numri i "luftëtarëve të huaj" që janë nisur nga secili vend për të ndihmuar ISIS-in tregon në një farë mënyre se ku ka më shumë të radikalizuar. Një studim i Zyrës Kombëtare Amerikane për Kërkime Ekonomike arriti në përfundimin se nga Italia, në vitin 2014-2015, ishin nisur vetëm 87 luftëtarë të huaj për të ndihmuar ISIS-in. Nga Britania ishin nisur 760 e nga Franca gati 2500. Dhe të tria vendet kanë pothuajse numër të njëjtë popullsie. Sipas z.Varveli, kjo ndodh për dy arsye: Së pari, pak myslimanë që jetojnë në Itali i përkasin brezit të dytë të emigrantëve, të cilët janë më të prirur për t'u radikalizuar. Vetëm 0.3% e banorëve të Italisë janë emigrantë nga vende jashtë BE-së. Në Britani janë 3%, në Francë 3.9%. Veç kësaj, Italia nuk ka "ghetto" myslimanësh, lagje të veçuara e të pa-integruara emigrantësh nga Lindja e Mesme, siç është rasti në Francë.

Michele Groppi, i cili jep mësim te Akademia e Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, vë në dukje një faktor të tretë. Ai thotë se ka prova që sugjerojnë se kur Al-Kaeda ishte forca drejtuese e xhihadistëve, Italia përdorej si baza e armatimeve në Europë.

"Kjo na ka mbajtur të sigurt, sepse na e kishin nevojën", thotë ai. Situata ka ndryshuar që atëherë. Shumë xhihadistë që kanë rënë në sy kohët e fundit kanë pasur në fakt lidhje me Italinë. Mes tyre është edhe Jusef Zagba, një maroken me nënshtetësi italiane, si dhe një prej tre terroristëve që përdorën një kamion dhe thika për të vrarë tetë njerëz në London Bridge, më 3 Qershor. Z.Groppi thotë se nëse Libia bëhet qendra e radhës për rebelimet e xhihadistëve, Italia dhe Vatikani do të ishin në rrezik serioz. /The Economist, Perkthimi: TCh

o.j/dita

Auron Tare zgjidhet kryetar i Këshillit Shkencor në UNESCO

Posted: 25 Apr 2018 01:10 AM PDT

 

Në Selinë e UNESCO-s në Paris, në sesionin e radhës së vendeve anëtare të Konventës së 2001 mbi Pasurinë Kulturore Nënujore Botërore u mbajt mbledhja e Këshillit Shkencor dhe teknik të kësaj Konvente.

Me propozimin e përfaqësuesit të Argjentinës mbështetur nga Franca dhe Meksika, Këshilli Shkencor dhe Teknik i Pasurive Botërore Nënujore të UNESCO-s,  votoi Auron Taren  si Kryetar të këtij organizmi të rëndësishëm.

Votimi ishte unanim pa asnjë votë kundër, në prani edhe të Sekretariatit të UNESCO si dhe të dhe Drejtores se Përgjithshme të Pasurive Botërore të Unesco-s.

Ky pozicion i lartë 4 vjeçar, mbahet për herë të parë nga një shqiptar dhe vjen si angazhim i gjatë i z.Tare në kërkimet dhe zbulimet e anijeve të mbytura historike.

l.h/ dita

I dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni, arrestohet dibrani i kërkuar nga Interpol

Posted: 25 Apr 2018 01:02 AM PDT

 

Një 24-vjeçar nga Dibra,  është dënuar me 6 vite burg nga Gjykata e Torinos në Itali për shfrytëzim prostitucioni.

Interpol Roma e kishte shpallur atë në kërkim ndërkombëtar, gjë e cila ka vënë në lëvizje Interpol Tiranën.

Arrestimi i tij është bërë në Maqellarë, Dibër, ku edhe banonte.

Njoftimi i Policisë:

Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/ Itali

Sektori për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, në njësinë Administrative Maqellarë, Dibër, kanë zhvilluar një operacion policor, ku është finalizuar me kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar :

Florjan Zeqja, 24 vjeç, banues në Maqellarë-Dibër.

Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Torinos/Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni”.

Ky shtetas është dënuar me 6 vjet burg. Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana, po kryen procedurat e nevojshme me qëllim e ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

l.h/ dita

Pse 2% e femrave janë biseksuale (dhe disa mendime mbi homoseksualizmin shqiptar)

Posted: 25 Apr 2018 12:59 AM PDT

Dr. Adem Harxhi

Edhe pse ka të dhëna që flasin për faktorë biologjikë në shfaqjen e homoseksualizmit, deri sot nuk është zbuluar një gjen homoseksual. Sipas statistikave më të besuara rreth 2% e të gjithë femrave janë biseksuale. Ju  duhet ta pranoni faktin, se rreth jush ka edhe njerëz që janë ndryshe nga ju. Por nuk ka asnjë arsye që një gay, lesbiane ose biseksual të jetë më krenar se një heteroseksual. Lidhur me martesat legale midis çifteve të të njëjtit seks, më duket se tradita dhe kultura jonë, akoma, nuk është e përgatitur ta pranojë këtë.

 

Homoseksualizmi dhe homofobia janë tema që vazhdimisht krijojnë debate dhe keqkuptime. Para disa ditësh në shtypin e përditshëm, kishte një diskutim për këto probleme. Me dëshirën që ju, miqtë e mi të rinj, të dini të orientoheni më mirë në këtë diskutim, i kthehem edhe një herë kësaj teme.

Ju  duhet ta pranoni faktin, se rreth jush ka edhe njerëz që janë ndryshe nga ju. Që ta pranosh dhe ta duash veten ashtu siç  je, duhet të kesh fituar vetë-besimin. Të rinjtë gay, lesbiane, dhe biseksuale, e kanë më të vështirë rrugën që duhet të bëjnë për të njohur veten. Kjo është arsyeja pse shokët e tjerë rreth tyre, ushqejnë ndjenja homofobike ndaj tyre.

Çdo ditë bëhen komente negative për këdo që nuk është 100% heteroseksual. Këto komente negative, zakonisht, i bëjnë homofobët. Urrejtja dhe intoleranca detyruese e homofobëve ndaj gay-ve, buron nga frika që ata ndjejnë, se mos edhe vetë janë homoseksualë.  Askujt nuk i lejohet të përdorë etiketa, që synojnë të poshtërojnë ata që janë ndryshe. Njerëzit  e shëndetshëm dhe që ndjehen të sigurtë, nuk i poshtërojnë të tjerët, nga që janë të ndryshëm. Ata nuk shqetësohen, pse të tjerët i akuzojnë se mbrojnë gay-të, lesbianet dhe biseksualët.

Shembuj të sjelljeve diskriminuese ndaj gay-ve gjenden në media, në fe dhe në ligj. Fatkeqësisht, disa fe i shikojnë gay-të dhe lesbianet  si mëkatarë.  Media, shpesh, etiketon keq këdo që është i ndryshëm. Minoritetet kanë shumë vite që e provojnë këtë padrejtësi.

Homofobia, që shkakton dhunën dhe keqtrajtimin e gay-ve, madje, edhe vrasjen e tyre, duket hapur në shoqëritë ku diskriminohen homoseksualët. Gazetat, kudo në botë, raportojnë shembuj tronditës të dhunës homofobike. Por, shumë krime homofobike mbulohen dhe kurrë nuk shfaqen në media ose në gjyq. Ju, me siguri keni dëgjuar për studentin e Rutger University, që në pranverë të vitit 2011 u hodh nga ura George Washington në New York. Ai u turpërua nga që shokët e panë të përfshirë në seks homoseksual.

Pse ekziston homofobia? Shkak i homofobisë është qëndrimi kundër-gay i pjesës dërmuese të shoqërisë. Por këtu, nuk duhet të lëmë pa thënë se edhe "Marshimet e krenarisë gay", nuk sjellin ndonjë të mirë. Nuk ka asnjë arsye që një gay, lesbiane ose biseksual të jetë më krenar se një heteroseksual.

Seksualiteti, orientimi seksual dhe preferencat seksuale, janë pjesë e personalitetit të njeriut dhe gjithkush vepron sipas preferencave dhe mundësive të tij. Gjithkush vepron sipas dëshirës dhe nuk ka arsye që ata vetë ose të tjerët, të duartrokasin zgjedhjen e tyre. Çiftet me gjini të njëjtë kanë të drejtën, por aspak privilegjin, ta duan njëri-tjetrin. Kjo është njësoj si dhe për çiftet me sekse të ndryshme. Të gjithë, hetero ose homoseksualë, i ndjejmë njësoj nevojat emocionale dhe seksuale, për të qenë të lirë dhe të dashuruar.

Shumica nga ju janë heteroseksualë. Sipas statistikave vetëm 2% e njerëzve janë homoseksualë. Ka disa vende ku kjo shifër  raportohet më e madhe.  Sipas një statistike amerikane të vitit 2002; 11.5% e grave dhe 6.2% e burrave të moshës 18-44 vjeç, kanë kryer disa kontakte seksuale me të njëjtin seks. Sipas një anketimi tjetër të vitit 1992, vetëm 4% e grave dhe 4.9% e burrave, kishin kryer kontakte të tilla homoseksuale. (Associated Press, MSNBC, Shtator 15, 2005; Tamar Lewin, New York Times 2005).

Nga kjo statistikë shihet qartë se në dhjetë vjet, kontaktet homoseksuale të grave janë trefishuar, ndërsa për burrat, rritja e kontakteve homoseksuale është më e vogël.

Ju dëgjoni zëra që u thonë se orientimi i juaj seksual nuk është zgjedhja e juaj, por është e lindur. Juve u thuhet, gjithashtu, se ju nuk mund ta ndryshoni orientimin tuaj seksual gjatë jetës.  Unë mendoj se kjo nuk është plotësisht e drejtë, për këto arsye:

  • Edhe pse ka të dhëna që flasin për faktorë biologjikë në shfaqjen e homoseksualizmit, deri sot nuk është zbuluar një gjen homoseksual.
  • Disa homoseksualë, kur detyrohen nga presioni i shokëve, e ndryshojnë orientimin e tyre homoseksual.
  • Kush dëshiron dhe ka vullnet të heqë dorë nga praktikat homoseksuale, mund ta arrijë këtë me sukses.

Këto fakte tregojnë, se faktori biologjik nuk është i vetmi që  përcakton homoseksualitetin, por ka edhe faktorë të tjerë socialë e edukativë.

Rritjen e numrit të lesbianeve, shumë autorë, e shpjegojnë me këto dy arsye:

  • Tendenca në rritje për ta bërë lesbianizmit modë.
  • Pasojë e përpjekjeve feministe që synojnë t'u thotë burrave, se edhe për seks nuk ua kemi nevojën.

Sipas statistikave më të besuara rreth 2% e të gjithë femrave janë biseksuale (National Center for Health Statistics ).

Të rinjtë, për të kuptuar orientimin e tyre seksual, ndonjëherë, u duhen vite të tëra. Shumë pyetje dhe komente që bëjnë ata lidhur me seksualitetin, shprehin konfuzionin  që ata kanë lidhur me identitetin e tyre seksual. Konfuzioni vjen nga që shoqëria është e mbyllur dhe nuk i pranon, akoma, gay-të dhe lesbianet. Të rinjtë janë, akoma, në procesin e njohjes së vetes. Ata janë duke zbuluar  preferencat e tyre seksuale dhe ky është një proces krejt normal. Rrugëtimi i tyre seksual shoqërohet edhe me fantazi dhe eksperimentime me seksin e njëjtë. Kjo është normale për adoleshentët. Ata janë në kërkim të vetes dhe dëshirojnë të eksperimentojnë.

Homoseksualiteti është subjekt i komplikuar. Identiteti seksual i të rinjve është përzierje e dëshirave, e fantazive dhe sjelljeve të tyre seksuale. Të jesh gay, lesbiane, biseksuale, ose heteroseksual është një gjendje mendore, po aq sa dhe  një sjellje seksuale. Konfuzioni, lidhur me preferencat tuaja seksuale rritet, nga përpjekja që ju bëni për të gjetur për veten dhe për të tjerët një vrimë pëllumbi të caktuar. Kjo vjen nga tendenca që ne kemi, për  t'i klasifikuar sjelljet e njerëzve si ekstreme dhe të kundërta.

Ato pak fantazi që kanë disa nga ju, për të bërë seks me shokët e shoqet e së njëjtës gjini, flasin për  dëshirën që ata kanë për të eksperimentuar seksualisht. Kjo, kurrsesi nuk do të thotë se ata janë gay ose lesbiane.  Po qe se nuk veprojnë sipas fantazive që kanë tani, ata do ta kenë të vështirë të përcaktojnë orientimin dhe preferencat e tyre seksuale për vitet që do pasojnë.

Ka disa nga ju që janë, siç i quajnë, transseksualë. Ata nuk janë as gay as lesbiane. Ndryshe nga shumica juaj, djem dhe vajza, që jeni të kënaqur me gjininë që keni, transseksualët janë të pakënaqur me gjininë që kanë. Ata ndjejnë se nuk i përkasin, emocionalisht, gjinisë anatomike të trupit të tyre. Atyre u duket sikur janë zënë në grackë në një trup të gabuar, që nuk është i gjinisë së tyre.

Njerëzit shpesh mendojnë se duke qëndruar pranë mësuesve, ose njerëzve të tjerë që janë gay, edhe ata do të bëhen homoseksualë. Kjo është, krejtësisht e gabuar. Është krejt normale, që disa të rinj, ndonjëherë, të eksperimentojnë marrëdhënie seksuale me shokë dhe shoqe të të njëjtit seks. Kjo do t'i ndihmojë ata të kuptojnë se çfarë janë. Duke thënë këtë, në asnjë mënyrë nuk rekomandoj, që të gjithë adoleshentët të eksperimentojnë marrëdhënie seksuale me të njëjtën gjini. E përsëris, kjo vlen vetëm për disa të rinj!

Ju duhet të dini se të gjitha format e marrëdhënieve seksuale, siç janë, masturbacioni reciprok, seksi oral, seksi anal, interkursa, puthjet, përkëdheljet, janë sjellje seksuale të sigurta për adoleshentët homoseksualë, ashtu siç janë të sigurta edhe për adoleshentët e drejtë.

Siç e theksova edhe më lart, nuk duhet të ngatërrohet orientimi seksual me politikat seksuale. Është e gabuar dhe false ideja, që  gratë që përkrahin lëvizjen feministe duhet të zgjedhin gra  për partnere seksuale. Sipas shumë studiuesve, kjo është një nga arsyet që janë rritur shumë rastet e marrëdhënieve lesbiane. Në favor të këtij opinioni është dhe fakti se deri sot, nuk ka asnjë të dhënë biologjike shkencore në favor të lesbianizmit. Kurrë, mos i u dorëzoni presioneve. Mësohuni të ndjeheni mirë me veten tuaj. Mund të duhet kohë për të njohur veten. Kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka mënyra si ndjeni dhe veproni ju vetë. Ajo që mendojnë të tjerët, në krahasim me atë që mendoni dhe ndjeni ju për veten, nuk ka fare rëndësi.

Disa nga ju qëndrojnë, siç i thonë, të mbyllur në dollap. Ata jetojnë si gay, lesbiane, ose biseksualë të fshehur. E kuptoj arsyen pse ata zgjedhin ta mbajnë sekret identitetin e tyre seksual. Ata orientimin e tyre seksual ua shfaqin vetëm pak shokëve, ose fare pak prindërve. Ata duhet të gjejnë kurajën ta shfaqin orientimin e tyre seksual. Këtë duhet ta bëjnë    vetëm në ambiente që i mbështetin.

Adoleshentët e rinj që ndjejnë se janë gay ose lesbiane, bëjnë mirë të mos e afirmojnë dashurinë e tyre homoseksuale ende pa shkuar në gjimnaz. U lutem ta respektoni këtë këshillë: Prisni, që në kohën e duhur dhe në vendin e duhur të kuptoni kush jeni, heteroseksualë ose homoseksualë. Po qe se nxitoni të shfaqni prirjet tuaja seksuale para kohe, kjo mund të jete shkak për gabime qe do t'i vuani gjithë jetën.

Në vende të mëdha ka grupe adoleshentësh që organizohen nga gay-të dhe lesbianet, ku diskutojnë orientimin dhe preferencat e tyre seksuale. Në vendin tonë të tilla organizime nuk ka. Edhe pse thuhet që këto organizime janë shumë ndihmuese për adoleshentët, personalisht, dyshoj në vlerën e tyre dhe nuk do t'i rekomandoja.

Interneti është një burim i mirë informimi për seksualitetin. Asnjë adoleshent nuk duhet të mbetet në errësirë, lidhur me seksualitetin e tij. Gjithkush duhet të përpiqet të gjejë informacionin e kujdesshëm dhe ndihmues për këto çështje.

Sipas shumë studimeve, adoleshentët gay dhe biseksualë janë të predispozuar për tentativa vetëvrasëse. Këta adoleshentë duhet të bien në kontakt me  gay të tjerë të shëndetshëm, të cilët do të ofrojnë këshilla dhe inkurajim.

Dua ta theksoj edhe njëherë, askush nuk e zgjodhi vetë të jetë homoseksual, gay, lesbiane, ose biseksual. Homoseksualët dëshirojnë marrëdhënie seksuale të kënaqshme me seksin e njëjtë. Kjo është mënyra që ata zgjedhin për një jetë intime të mirë. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Këto veprime homoseksuale duhet t'i aprovojë edhe shoqëria. Ata nuk duhet të  bien ndesh me kulturën dhe traditën popullore të vendit. Çdo veprim që shkel rregullat dhe traditat e kulturës së vendit, e ka një çmim.  Hapat duhet të hidhen me kujdes.

Lidhur me martesat legale midis çifteve të të njëjtit seks, më duket se tradita dhe kultura jonë, akoma, nuk është e përgatitur ta pranojë këtë. Tek ne nuk është vetëm feja kundër martesave  homoseksuale. Këto lloj martesa janë akoma të papërshtatshme dhe të pambështetura nga shoqëria shqiptare. Kundërshtitë do të vazhdojnë edhe për shumë vite, madje edhe sikur ligjvënësit të bëjnë legjislacionin  që do t'u japë gay-ve dhe lesbianeve të njëjtat të drejta me heteroseksualët. Do të marrë kohë që këto martesa opinioni ynë shoqëror t'i pranojë.

Në qofte se legjislacioni nuk do të marrë parasysh traditën dhe kulturën kombëtare, pa dyshim, që do të hapen probleme të mëdha. Në fund të fundit, çdo popull meriton t'i respektohet ajo që beson më shumë. Ne nuk duhet të bëjmë, patjetër, atë që bën Suedia, ose Holanda dhe vende të tjera, pa pritur të vijë koha dhe zhvillimi për këtë. Gjithçka e sforcuar është me rreziqe.

Botuar në Dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more