Skip to main content

“Izet Haxhia vetëdorëzohet në policinë turke” plus 9 more - Gazeta Dita

“Izet Haxhia vetëdorëzohet në policinë turke” plus 9 more - Gazeta Dita


Izet Haxhia vetëdorëzohet në policinë turke

Posted: 24 Apr 2018 01:56 AM PDT

 

Izet Haxhia duket se është vetëdorëzuar në policinë turke, pas vendimit të drejtësisë turke, për ekstradimin e tij në Shqipëri.

Kjo gjë bëhet me dije nga vetë Haxhia: "Meqe nuk erdhën të me marrin, u dorëzova vete ne policinë turke", shkruan ai.

Drejtësia turke vendosi rreth dy muaj më parë ekstradimin e tij në Shqipëri, por deri më tani nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim.

Ish-badigardi i Sali Berishës, që është dënuar në Shqipëri me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, ka deklaruar disa herë se kërkon që të vijë në Shqipëri për t'u rigjykuar.

Ai pretendon se është dënuar pa të drejtë.

Gjithashtu Haxhia ka thënë se është gati që të dëshmojë për veprimtarinë kriminale dhe korruptive të Sali Berishës ndër vite.

Pas vetëdorëzimit në polici, pritet që Haxhia të depërtohet për në Shqipëri brenda 30 ditëve.

l.h/ dita

Migjeni pa “shtëpi”

Posted: 24 Apr 2018 01:51 AM PDT

Moikom Zeqo

Në ciklin e shkrimeve të mia, që lidhen në raportin e politikës me kulturën, përherë kam ngritur në reliev, plot shqetësim, faktin që politika shqiptare, gjatë këtyre 26 vjetëve të fundit ka mbajtur një negativitet të plotë ndaj kulturës.

Sidomos ndaj korifenjve të kulturës. Ndonjë element spektakël nderimi që është bërë për emra të shquar të kulturës, në momente të caktuara, kanë patur konotacion, ose një shfrytëzim dhe prapavijë politike për arsye të politikanëve në pushtet.

Kurse në substancë ndaj njerëzve të mëdhenj të kulturës është mbajtur një heshtje e plotë, një indiferencë e frikshme.

Një figurë e jashtëzakonshme dhe e patjetërsueshme e letërsisë shqipe është Migjeni. Në librin tim "Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit" argumentoj se Migjeni është shkrimtari më i madh konceptual i krejt letërsisë shqipe. Një shkrimtar si Migjeni është i tillë, ne nuk kuptojmë vetëm faktin që ai ka qenë, por se edhe është dhe pa dyshim dhe do të jetë.

I ripashë dy shkrime të miat, që kam bërë për Migjenin, në vitin 1995, kur shteti shqiptar i asaj kohe, pa asnjë kuptim, në mënyrën më antikulturë, vendosi dhe prishi Shtëpinë Muze të Migjenit në Shkodër. Kjo Shtëpi Muze ishte një monument kulturor i klasit të parë. Dikur ka qenë pronë e familjes së Spase Trimçevit, mik shumë i ngushtë i Migjenit. Pastaj u kthye në Shtëpinë Muze ku vendosen sendet personale të poetit të madh, si dhe biblioteka e tij e librave dhe koleksioni i dorëshkrimeve, duke përfshirë dhe atë të fotografive.

Pa asnjë arsyetim, juridik por qoftë dhe pronësor, u mor vendimi për prishjen dhe çmontimin e Shtëpisë Muze të Migjenit, më tepër për arsye okulte, dhe vetëkuptohet ,kundër figurës komëbëtare të ndritur të Migjenit.

Në 1995 unë isha deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë. Në atë kohë ministri i Kulturës qe shkrimtari Teodor Laço, me të cilin unë kisha dhe nje njohje të hershme.

Më 8 mars 1995 në gazetën "Koha jonë" botova një Letër të Hapur, drejtuar ministrit Teodor Laço duke pasur një shpresë të vagullt, që duke sensibilizuar opinionin publik, do të mund ta ndalja shkatërrimin e Shtëpisë Muze të Migjenit.

Për fat të keq nuk ndodhi asgjë pozitive. Për fat të keq Shtëpia Muze u zhbë, për turpin e shtetit të Shqipërisë dhe të gjithë njerëzve të kulturës.

Gjithashtu, unë nuk u mjaftova me kaq, por botova dhe një esse të quajtur "Migjeni pa shtëpi", të botuar në ZP, në 7 prill 1995.

Kjo esse kishte formën e një letre me të cilën i drejtohesha një të panjohuri N. Nuk mjaftoi vetëm prishja e Shtëpisë Muze të Migjenit, por në të njëjtën kohë u thyen me çekiç pllakat prej mermeri të varreve të Vaso Pashës, Luigj Gurakuqit si dhe Migjenit.

Pllakën e varrit ku shënohej "Gjergj Millosh Nikolla – Migjeni" të copëtuar unë e mblodha me fragmente të vogla, e ruaj akoma në shtëpinë time të ngjitur në një kornizë si një dëshmi groteske të një urrejtje të paskrupullt dhe të një barbarizmi antikulturor.

Pyetja që shtroj sot mbas 26 vjetësh është: pse nuk nderohet, ashtu siç e meriton Migjeni i madh?

Pse ministrat e Kulturës, qoftë të djathtë dhe qoftë të majtë nuk kanë pikën më të vogël të ndjeshmërisë dhe të nderimit konceptual të këtij gjeniu të letrave shqipe?

Harxhohen miliona euro për zbukurime të qendrave, të rrugëve pedonale, të lloj-lloj aksesorëve të stilit barok dhe banal. Por nuk ka asnjë projekt për ngritur nje skulpturë dhe memorial të madh, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë që t'i kushtohet Migjenit të pavdekshëm.

Migjeni është shkrimtari më i cituar, referenca më ekzistenciale dhe më inkandeshente për të gjithë shqiptarët sot.

Asnjë shkrimtar i gjuhës shqipe nuk e zotëron këtë referencë, që kapërcen kohërat dhe trondit imagjinatën ,për shkak të metaforës tragjike të realitetit shqiptar.  Migjeni vazhdon të jetë "i persekutuar" nga injorantët e pashpirt".

Të gjithë këta deputetë të pasur që ka Shqipëria, këta kryetarë të partive shqiptare që "përgjërohen" për Shqipërinë nuk e kanë përmendur asnjeherë Migjenin.

Moikom Zeqo

Sepse Migjeni në të vërtetë nuk u përket atyre. Sepse Migjeni në thelb është kundër atyre.

Por populli është me Migjenin.

Se Migjeni është vetë populli.

Është ndërgjegja estetike, shpërthyese, është shpresa, revolta dhe durimi shekullor i këtij populli për një jetë më të denjë dhe më njerëzore.

Duke ringjallur motivin apo subjektin e Migjenit për opinionin publik, unë nuk bëj gjë tjetër përveçse vërtetoj një të vërtetë të epërme, të pamposhtur, të plotfuqishme se Migjeni si kryemjeshtër i letrave shqipe, ndriçon hapësirat e vetëdijes sonë në amshim.

Ai është motivi i emancipimit të shumëanshëm dhe shpirtëror i të gjithë shqiptarëve, si dhe i gjeneratave që do të vijnë.

Ai i përket më tepër të ardhmes sesa të sotmes së paradoksit.

***

MIGJENI I PERSEKUTUAR

Turpi i Shqipërisë dhe Kulturës sonë

LETËR E HAPUR

DREJTUAR MINISTRIT TEODOR LAÇO

Zoti ministër,

Ju qëlloi ju – për arsye, për arsye që nuk dua t'i shtjelloj – detyra qytetare për të përballuar një turp të neveritshëm, një blasfemi të egër, arkaike, të pabesueshme.

Shtëpia Muze e Migjenit në Shkodër u shpërbë, me një mendjelehtësi kriminale, me një përbuzje tipike antishqiptare.

Tani Migjeni i madh nuk ka një muze, që ishte një krenari kombëtare, një vend i shenjtë pelegrinazhi për të tërë shqiptarët, po edhe një objekt i spikatur për qytetërimin e kulturës ballkanike dhe evropiane.

Ky është një persekutim sui generis i Migjenit, një triumf i zi i antikulturës, një marrëzi shtetërore, një turpulëritës, një mallkim shkatërrues.

Kjo gjë nuk duhet të ndodhte!

Kjo gjë mund të shmangej pa asnjë mëdyshje!

Në bazë të ligjit aktual objekte të veçanta, pavarësisht nga pronësia private, kur përfaqësojnë muze të tillë si ai i Migjenit janë në kompetencë dhe në mbrojte të pamohueshme të shtetit, të Ministrisë, që ju drejtoni, më kryesorja, ato kanë të bëjnë me diçka më supreme dhe të madhe në ndërgjegjen kombëtare, me nderin e secilit shqiptar, me krenarinë dhe dinjitetin.

Ju kujtoj, se edhe Shtëpia Muze e Frashërillinjve nuk është pronësia origjinale e tyre dhe me të njëjtën antilogjikë duhet të shpërbëhet për të plotësuar ritin ikuizionist të poshtërisisë! Edhe Muzeu i Migjenit edhe i Frashërllinjve varen ligjërisht nga Ministria, po më tepër varen nga lidhjet e plotfuqishme të vetëdijes sonë kombëtare në amshim dhe jo vetëm në një segment kohor të kufizuar të përkohshëm, të paradoksuar.

Persekutimi i Migjnenit mund të bëhet edhe persekutimi i Frashërllinjve.

Ju kujtoj se edhe qytetarët e thjeshtë, që jetëpjnë në shtëpitë që ju kanë dalë pronarët e dikurshëm e gëzojnë të drejtën për të qëndruar në to, të paktën deri deri në fund të vitit 1996.

E pra, Migjeni kishte mëshumë arsye dhe argument ët mbijetonte, aq më tepër që mbijetesa muzeore, është vetëm një refleks, vetëm një metaforë e mbijetesës së tij artistike dhe shpirtërore.

Po krimi më në fund – ndonëse i paralajmëruar ndërmjet një debati në shtyp – u krye!

Amen! Ajme!

O çmenduri shtetërore!

Përpara se të jeni ministër, ose politikan, ju zoti Teodor jeni shkrimtar!

Ja, prova juaj e shkrimtarit për gjeniun e letrave shqipe, një provë, që ju turpëron personalisht, përfundimisht.

Tërë të pastrehët e Shqipërisë, midis tyre dhe unë, që jetoj mjerisht në 52 metra katrorë me tërë familjen, janë gati të mos mendojnë për veten e tyre, por për Migjenin "strehimi" muzeor është diçka e veçantë. Askush nuk do që Migjeni të përdhunohet kësisoj.

E di, që kjo është një sfidë e pabesueshme për Shkodrën, "Dashnoren e shekujve", siç e ka quajtur i sfilituri dhe rebeli Migjen.

Po një Ministri e Kulturës, që nuk mbron Migjenin është një butafori idiote, nje  aksident konceptual, një ofiq i rëndë i antikutlurës antishqiptare.

Në këtë Letër të Hapur unë nuk nisem nga njohja jonë, e cila ka qenë normale dhe shoqërore dhe të lutem mos krijo asnjë keqkuptim, ose paragjykim. Jo, njëmijë herë jo! Le të jem unë i gabuar, po Migjenit le t'i kthehet dinjiteti i shkelur. Ka kohë për të vepruar!

Zoti Ministër,

Ka gati dy vjet, që e kam ngritur publikisht "çështjen Migjeni" e kam shkruar në shtyp për të protestuar.

Më kot! Si deputet, anëtar i Komisionit Parlamentar të mjeteve të informimit dhe të kulturës, po para së gjithash si shkrimtar dhe si njeri shqiptar, ju drejtohem juve si titullari, që mund të bëni diçka, në rast të kundërt është më e ndershmet jepni dorëheqjen, sepse të gjithë do ta kujtojnë këtë burrëri me mbrojtjen e një lavdie të tillë të kombit, siç është Migjeni i pavdekshëm.

Heshtja, pasiviteti, strucëzimi është pjesëmarrje, aprovimi i turpit.

Nga ana tjetër nuk e kuptoj se si nuk proteston për këtë autodafe mesjetare Akademia e shkencave, Lidhja e Shkrimtarëve etj etj.

Kanë frikë? Nëse s'kanë frikë nga Migjeni, atëherë kanë frikë nga shteti, në këtë rast anti Migjen.

POST SCRIPTUM

Migjeni është edhe "Mësues i Popullit". Më 7 mars, festë tipike për mësuesit unë e ngrita çështjen e Migjenit në mbledhjen e Komisionit parlamentar të mjeteve të informimit e të kulturës dhe dua të them që anëtarët deputetë qenë dakord me shqetësimin tim. Le të shpresojmë për…(Botuar te "Koha jonë", Tiranë 8 mars 1995 )

***

MIGJENI PA SHTËPI

I dashur N.

Më shkruaje nga Shkodra mbi një trill lokal pushtetarësh anonimë dhe akt ligjor absolutisht formal dhe të pafajshëm për Shtëpinë Muze të Migjenit.

Është marrë vendimi që Shtëpia Muze të zhbëhet përfundimisht, sepse i kanë dalë pronarët e dikurshëm.

Ka një farë hamletizmi të këndshëm dhe ekzotik: të zbatohet vendimi apo jo, shteti "i sipërm" hesht i nemitur çka është alibi e një autoriteti të padiskutueshëm, kurse shteti "shkodran" ka firmosur ad hoc për profanizimin e pakompromis të fantazmës heretike dhe të dyshimtë të Migjenit, të dëbimit të saj sëbashku me reliket, librat, dorëshkrimet, fotografitë, gravurat etj.

Migjeni pa shtëpi – një subjekt posterior i papritur, gjithsesi një sensacion i konceptuar nga një mediokritet madhështor, fatal, onirik, ose një aksident i mrekullueshëm.

Borgesi ka thënë në një intervistë, tashmë të harruar, se të "shkruarit është një lloj vetëverasje". Migjeni më i përkorë dhe më fatkeq, i kushtoi vëmendje vetëvrasjes së një trumcaku, mes një pejsazhi, kku në vend të pemëve ngriheshin brirët e një shtaze prehistorike dhe në vend të barit kishin mbirë qimet e derrit (të kujt derri? Të Derrit të Kënaqur – Trupëzim i Sokratit të Vuajtur?)

Duke përmendur fare pa kujdes dhe shpërfillshëm vargun tmerrues "Qeshu palaço, ndërsa zemra të pëllcet".

Migjeni si pa e kuptuar, në gjendje kome projektoi mbas vdekjes nga bacilet e turbekulozit dhe vetëvrasjen ligjore demokratike, pra, dy vdekje krejtësisht të vërteta, ndërsa pavdekësia e tij kaq e pakëndshme dhe e padobishme mbi bacilet dhe ligjet është dëshmi e papërfillshme e pafuqisë së marrëzisë, që njerëzit e dalldisur e quajnë art, kurse pragmatistët e padjallëzuar e kanë nënçmuar në shkeuj thjesht si një keqkuptim, shpërdorim kriminal i kohës biologjike, instiktive.

Migjeni me një paturpësi plebeu ka shkruar se "njeriun palaço e krijoi absurditeti për me argëtue yjtë e natës, dritën e ditës dhe krijesat e dorës tjetër. Të gjithë këta presin prej njeriut të qeshunit e tij dhe qashtu dhe ia fillue një të qeshuni universal, që ka për të tundë Kozmosin me planetat dhe sferat në të… – ndërsa njeriut zemra do t'i pëlcasë, se jeta i mvaret nga ai i qeshun, mvaret nga absurdi i cili e krijoi".

 Të gjitha këto përsiatje tregojnë pikëllueshëm dhe egërsisht se shkrimtari ja ka profetizuar në mënyrë mazohiste vetes… vetëvrasjen, sipas thënies ogurzezë dhe shpotitëse të Borhesit ngatërrestar me një gjenialitet të kotë.

Mendimi skandaloz i Pitagorës për metapsikozën, të kalimit të shpirtit në një pafundësi trupash, që Naim Frashëri e huazoi me mendjelehtësi për doktrinën e tij pretencioze e universale të panteizmit bektashian, në rastin e Migjenit gjen deri diku një shpjegim: derri i artë, kaq i urryer nga Moisiu biblik.

Sekreti filozofik i dështuar dhe paradoksal, King Kongu hollivudian majmun të cilin mendja dogmatike e Darvinit nuk mund ta përfytyronte dot. Lukja, prostituta e bjeshkëve, para së cilës Ana Kareninat, zonjat Bovari janë thjesht krijesa të sajuara, punëtori i papunë që s'pati fat t'i njihte sindikatat e pavarura, Luli i vocër, që nuk mësoi të shiste cigare, banane, drogë dhe naftë, murgesha e virgjër, që nuk u bë dot Tereza e Kalkutës, kali i rrëzuar dhe i rrahur sipas të drejtës hyjnore të pronarit me kamxhik, një farë Mbinjeriu i Niçes që përfundoi i çmendur në një ekstazë zarathustriane të merituar , muzat e meditimeve të neveritshme studentore dhe pa dyshim trumcaku melankolik, harbur dhe rebel etj, janë forma dhe sozia, të vetë Migjenit në të gjitha kuptimet fizike dhe shpirtërore.

Kështu Migjeni solli në kulturën optimistike shqiptare një pështjellim kozmik pikëllimi dhe revolte të rrezikshme, të cilësuar nga pozitivizmi juridik si subversive dhe degradim i qëllimshëm i konceptit komod të opozitës, sepse justifikon një masoneri të mallkuar në shkeuj.

A mundet, përveç handikapatëve paqësorë dhe afirmativë, ndokush tjetër në faqe të dheut të mendojë qoftë edhe në një të miliontën pjesë të sekondës se Migjeni e meriton seriozisht një Shtëpi Muze?

Studiuesi i famshëm nga Lintejshtejni, baroni Frankeshtjan Von Roza botoi në 1983 librin studiues "L'apokalipse du memoire" ("Apokalipsi i kujtesës") , që u përkthye fillimisht në esperanto, pastaj, në gjuhët e tjera evropiane dhe të Azisë së Vogël, deri dhe në gjuhën e kumbueshme dhe abstrakte të zuluve.

Ky libër, frut i një pune vetëmohuese dhe asketike prej njëzet vjetësh, shtjellon tezën rrënqethëse, po absolutisht të saktë, se okultizmi i shkrimtarëve, artistëve, filozofëve tej., ngritja e muzeve dhe statujave për ta, është një gabim i paimagjinueshëm, primitiv, barbar, irracional, që i ka sjellë njerëzimit dëme të pallogaritshme.

Ky kultivim është nje përdhosje e kujtesës dhe historisë.

Ky libër u prit edhe me admirim edhe me përbuzje.

Fridrih Dyrrenmat skicoi projektin e një komedie , duke u mbështetur në materialin pasionant të librit, po më pas hoqi dorë për arsye krejtësisht të panjohura. Mëkat, blasfemi e pafalshme!

Opinioni publik ndërkobëtar është i njohur me protestën që bëro baroni Frankejshtajn në vitet '60 për ngritjen e një muzeu për Heminguejin në Kubë ("marrëzi kastriste", e quajti ai), si dhe për muzeun kushtuar Franc Kafkës në Vjenë në vitet '70, ku baroni energjik zbuloi, veç të tjerave, dhe një përvetësim të hollash nga fondi i krijuar për këtë qëllim, që ai i dha kuptimin e një simboli kuptimplotë ndërgjegjësimi, çmitizues.

Nuk e di a është futur në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës ndonjë ksombël e këtij libri, që një reçezenr poliglot e quajti "filozofi preventive e botës"?

Pa Shtëpinë Muze Migjeni është deri diku më pak i diskutueshëm. E drejta e pronësisë nuk përfillet nga ateistët, – kjo dihet. Edhe Shtëpia Muze e Vëllezërve Frashëri nuk është ligjërisht e tyre: E pra, frashërllinjtë e kanë besuar Zotin! Më kot: do të dëbohen! Prona është vetëm mbi Zotin. Mbi kodin teologjik.

Kjo është aryeja, që pinjollët e hindjanëve lëkurëkuq, që kanë qenë para ca shekujsh pronarë legjitimë të tokës së Manhatanit kanë bërë një padi gjyqësore për ta përfituar më në fund pronën e tyre, që i ka kushtuar një telash të rëndë gjykatës federale amerikane.

Po kështu ish pronarët e pazarit të vjetër të Tiranës kanë formuluar pretendimet e tyre për sheshin qendror të kryeqytetit, për tërë territorin, ku është ngritur pallati i madh i kulturës etj. Një stërnip arbëresh, i Karl Topisë, që jeton në Buenos Aires kërkon të respektohen të drejtat e tij proncërore të trashëguara mbi krejt qytetin e Krujës, që dihet, babai i Gjergj Kastriotit e përvetësoi forcërisht etj. etj.

I dashur N.

Dikur vetë Migjeni ka shkruar një letër publike për mikun e tij T.

Në mënyrë eksklamative Migjeni shpall se si murgjerit e krishterë, që në shkretëtira dhe shpella vetmitare futeshin thellë në egon e vet, ashtu ai zhytej ne veten prej shkrimtari dyshues dhe të paqetë.

Migjeni thotë për Shkodrën: "sa dëshira të flakta ushqej për këtë qytet! Dëshirat e mia janë shumë-shumë më të mëdha e të sinqerta se dëshirat që pat perëndia kur krijoi botën. Shkodran, dashnorja e shekujve!"

Është thënë se Migjeni ishte talent uraganik, që nderonte Shkodrën, Shqipërinë, Ballkanin dhe Europën! Shtëpia e tij është Kombi dhe Arti. Migjeni pa shtëpi, është sipas këtij silogjizmi madhështor Migjeni pa komb dhe pa art. (Të fala Moikom Zeqo,Durrës, 7 prill 1994 ,botuar  fillimisht  te ZP.)

 

Italia arrin marrëveshjen me Ancelottin

Posted: 24 Apr 2018 01:43 AM PDT

 

Drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) i kanë ofruar rolin e trajnerit të kombëtares Carlo Ancelottit.

Sipas mediave sportive italiane, Roberto Fabbricini dhe Alessandro Costacurta kanë zgjedhur ish-trajnerin e Juventus, Milan, Chelsea, Real Madrid, PSG dhe Bayern Munchen për të rindërtuar "axurrët" e shkatërruar pas disfatës ndaj Suedisë dhe mungesës në Botërorin rus.

Marrëveshja është arritur, mungojnë vetëm disa detaje mbi aspektin financiar që gjithçka të zyrtarizohet.

FIGC kërkon që Ancelotti të nisë punën me miqësoren ndaj Arabisë Saudite, në 28 maj.

l.h/ dita

Video: Po lali Eri ku është?

Posted: 24 Apr 2018 01:42 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron, të shoqëruar nga dy bashkëshortet e tyre, Melania dhe Brigitte kanë mbjellë një pemë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

Pema është dhuratë e Presidentit Francez për Shtëpinë e Bardhë dhe ka një rëndësi historike.

Fidani i lisit vjen nga Belleau Wood, vend ku gjatë luftës së Parë Botërore, në vitin 1918 vdiqën 9000 mijë amerikanë. Por pas këtij zhvillimi lind një pyetje e pashmangshme: Lali Eri ku ishte kur mbillej kjo pemë?

o.j/dita

Mos bëni më gabimin që bëjnë të gjithë me ujin e ngrohtë me limon në mëngjes

Posted: 24 Apr 2018 01:32 AM PDT

 

Miliona njerëz në të gjithë botën përdorin ujin e ngrohtë me limon si gjënë e parë me të cilin nisin ditën.

Gazetat kanë shkruar disa herë për të mirat e këtij lëngu që mund ta quajmë një çaj natyral, fare të thjeshtë, tek i cili mund të shtoni xhenxhefil apo një lugë kafeje mjaltë. Mirëpo, deri tani, duket se kemi bërë një gabim jo pak të rëndësishëm.

Limoni, sikurse të gjitha agrumet, pjesën e tyre më të dobishme për shëndetin, e ka te lëkura. Pikërisht aty gjenden vajërat e çmuar që i shërbejnë organizmit. Nëse deri sot keni përdorur vetëm lëngun, duhet, në vazhdim, të grini në ujin e ngrohtë edhe një pjesë të lëkurës, aq sa doni. Ta lini të veprojë për 3-4 minuta dhe më pas ta pini.

Veprimi do të jetë shumë më i mirë!

l.h/ dita

Pengu i Lirisë

Posted: 24 Apr 2018 01:31 AM PDT

 Xhevdet Shehu

Dje u shua në moshën 92-vjeçare Liri Belishova, një nga drejtueset kryesore të Partisë Komuniste që nga vitet e para të krijimit të saj. Liri Belishova ka qenë anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së. Ajo lindi në Belishovë të krahinës së Mallakastrës në një familje të kamur të zonës, e bija e Kamber Belishovës, përfaqësues i krahinës në Kongresin e Durrësit. Shkollën fillore pesëvjeçare e mbaroi më 1937 në Ballsh. Më 1938 fitoi bursë që të ndiqte studimet në Institutin "Nana Mbretneshë" në kryeqytetin e mbretërisë. Kontaktet me idetë dhe materialet komuniste i pati prej kushëririt të saj, Besimit, student në Normalen e Elbasanit. Ajo njihet edhe si gruaja që sfidoi diktaturën. Gjatë viteve 1946 dhe 1947 ajo ishte kryetare e Rinisë Popullore (Rinia Popullore).Vdekja e bashkëshortit të saj, Nako Spiru, në vitin 1947, një vetëvrasje e supozuar, çoi në shkarkimin e saj nga roli i saj dhe ajo u dërgua nga Tirana në Berat për të dhënë mësim. Pas rehabilitimit të Nako Spirus, si rezultat i ndarjes Jugosllave-Shqiptare, më 1948, Belishova u rehabilitua gjithashtu dhe u bë anëtare i Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë nga viti 1948 deri më 1960.

Më pas provoi kampet e internimit deri në vitin 1991. Herë pas here shfaqej në shtyp, ku meraku i saj ishte zbulimi i vrasjes së Nako Spirut, ish bashkëshortit të saj

Nuk u ligështua dhe me fillimin e proceseve demokratike u përfshi për të dhënë ndihmesën e saj nëpërmjet Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇl (OBVL), në interes të atdheut.

E kam njohur personalisht këtë grua me një personalitet të spikatur në historinë e Shqipërisë Komuniste. Ishte viti 1991. Ajo sapo ishte kthyer nga internimi. Më preku pamja e saj krejt e përkulur në një kënd 90 gradësh, e rrënuar. Kishte mbajtur arka me domate dhe patate gjatë tridhjetë viteve të fundit. Por mendjen e kishte top…

Takimi i fundit me të ka qenë para gjashtë vjetësh, kur i kam shkuar në shtëpinë e saj buzë Lanës tek 'Palma e Artë" bashkë me kolegun gazetar Leonard Veizi. Pikërisht atë ditë kemi bërë dhe këto fotografi të papërsëritshme që po botohen sot ekskluzivisht në 'DITA'.

Në vijim po sjell mbresat e asaj dite, sipas shënimeve të Nardit dhe të mijat, si dhe një dëshmi nga Vath Jeshili që gjeti plumbin që i mori jetën Nako Spirut.

***

Pengu më i madh i jetës së Liri Beliashovës ka qenë ndriçimi i së vërtetës për Nako Spirun, ish bashkëshortin e saj, një nga personalitet më të shquartë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Liria e kishte adhuruar Nakon sa ishte gjallë dhe jetoi me kujtimin e tij deri në fund të jetës.

Liri Belishovën e kam njohur që nga viti 1991 kur ajo fitoi lirinë dhe erdhi në Tiranë. Gjatë shumë takimeve me të kam vërejtur pengun e madh të saj për të zbardhur enigmën e vrasjes apo vetëvrasjes së Nako Spirut. Sidomos takimi i fundit me të ka qenë jashtëzakonisht prekës. U ngrit me mundim, shkoi në një aneks që ajo e quante kuzhinë dhe prej andej na solli një valixhe demode të nja gjysmë shekulli të shkuar. "Kudo ku kam shkuar, kudo ku kam vuajtur, këtë valixhe nuk e kam ndarë asnjëherë nga vetja dhe nuk kam lejuar të ma prekë askush…", na tha. E hapi me shumë kujdes dhe na tregoi: "këto janë rrobat e Nakos ditën që vrau veten. Kostumi. Këmisha… Ja edhe plumbi…". Por mos m'i nxirrni në gazetë… – na porositi.

Në të vërtetë, ne e "tradhtuam". Dhe ja po i botojmë sot në gazetë…

Akuzat e paqena

"Jetuam shumë pak bashkë nga janari i 1946-ës deri në 20 nëntor të vitit 1947, por ishim njohur shumë më përpara dhe përveçse njerëz të dashur, ishim edhe shokë të mirë. Nako Spiru besonte në fillim se, komunistët jugosllavë ishin internacionalistë dhe do ta ndihmonin Shqipërinë që të shëronte plagët e luftës dhe për zhvillimin ekonomik, arsimor e kulturor. Në të vërtetë, ata ndoqën ndaj Shqipërisë një politikë shoviniste. Herë i demaskuar si tradhtar, herë i lartësuar si hero, pesë herë ia kanë ndërruar vendin e varrit. Nako Spiru doli hapur kundër bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë, i bindur se ky do të qe gllabërim prej saj. Ndërsa jugosllavët e kuptuan se Nako Spiru ishte pengesë për të realizuar planet e tyre dhe në qershor të vitit 1947 u dërgua në Tiranë emisari jugosllav, Savo Zllatiç, për të akuzuar palën shqiptare se ishte duke vepruar në dëm të miqësisë dhe bashkëpunimit me Jugosllavinë. Enver Hoxha në fillim mbajti qëndrim të drejtë. Ai ia rrëzoi akuzat Savo Zllatiçit. Por në fillim të nëntorit të 1947, emisari jugosllav u rikthye dhe kësaj here goditi personalisht Nako Spirun si frymëzues i një fronti anti-jugosllav në Shqipëri dhe si agjent i borgjezisë e imperializmit. Enver Hoxha kapitulloi para këtyre akuzave, ndërsa Koçi Xoxe ishte nën rrogoz ishte pro jugosllav. Kështu, në mbledhjen e Byrosë Politike të 18 nëntorit 1947 e akuzuan Nakon. Me këtë rast nuk ishim ftuar as unë, as Mehmet Shehu, Fadil Paçrami e Bedri Spahiu. Nako kërkoi të shtyhej mbledhja disa ditë, por ata i lanë vetëm 24 orë në dispozicion për t'u përgatitur. Byroja u mblodh edhe një herë dhe akuzat u përsëritën. Ndërkohë, Nako shkoi tek Enveri për të folur me të, ai nuk pranoi, u drejtua për te Gagarinovi përfaqësuesi sovjetik në Tiranë, por dhe as ky nuk pranoi të fliste me të. Atëherë, Nako e pa veten pa shpresë, të humbur", është shprehur Liri Belishova.

Këmisha me plumb (para)

Reliket e përjetshme

…Teshat e tij janë kujtimi më i çmuar që ajo vazhdon të ruajë në një valixhe të vjetër, në një kënd të veçantë të dhomës së gjumit. Xhaketa gri, bluza, këmisha e kravata, të gjitha autentike si në atë ditë të zymtë nëntori të vitit 1947, të palosura me kujdes dhe të vendosura në një valixhe meshini. Me një egoizëm fanatik, ajo nuk ka pranuar t'ua dorëzojë ato as njerëzve të tij më të afërt, e jo më Arkivës apo Muzeumeve për të cilat as që bëhej fjalë. E megjithëse kanë kaluar 64 vjet, gjurmët e gjakut shquhen ende mbi to, aq sa mund të merret një kampion për analiza ADN-je. Dhe po aq të qarta janë dhe vrimat që ka lënë plumbi…

Ajo e ndjen ende në vesh pasthirrmën e tij të fundit, një "Oh…" e fortë, e cila depërtoi muret e dhomës së reanimacionit për të mbërritur tek ajo si një klithmë dëshpëruese. Është sulur të shkojë tek ai, por ca krahë të fortë e kanë penguar të bënte më tej. Askush s'e di ç'po ndodhte me Nako Spiron në ato çaste. Po kujdeseshin që ai të arrinte të vdiste përfundimisht, apo mundoheshin ta shpëtonin me thonj e me dhëmbë? Ishte i plagosur për vdekje, por ende jepte shenja jete. Ekipi i mjekëve më të mirë të spitalit Ushtarak ishte mbledhur me shpejtësi. Por shumë më shpejt se ata, Shërbimi Sekret, sipas një urdhri verbal, kishte rrethuar vendin për të mos lënë të futej në sallën e kirurgjisë askush, madje, as njeriu i tij më i afërt, bashkëshortja. Nga dera e reanimacionit, ku mjekët ishin tërhequr të lodhur e stresuar, Gjeneral Mehmet Shehu me uniformën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, doli për të thënë vetëm një fjalë "Vdiq". Ishte data 20 nëntor i vitit 1947. Dhe ora e murit shënonte 21:55 minuta.

Këmisha me plumb (pas)

Debati i fundit

Emri i Nako Spirut, dhe vetë enigma ende e pazgjidhur e vdekjes së tij, është lakuar jo pak në media kohët e fundit. Madje, në një intervistë të gjatë të ushtarakut dhe historianit Gjergj Titani, është shprehur se: "Nako Spiru, ky kuadër emblematik dhe shumë i çmuar i Partisë Komuniste, u vetëvra me një plumb pistolete, i cili pasi ka kapur në një kockë të vertebrës, ka rikoshetuar dhe ka mbetur brenda". Të themi se ky është një version zyrtar, për të cilën historiani i njohur thotë se, është bazuar në dokumente dhe procesverbal të autopsisë. Asgjë e keqe nga kjo dëshmi, deri në çastin që ajo nuk do të kontestohej në disa pika të saj.

Dëshmia pa fjalë

Është vetëvrarë apo e kanë vrarë?

Nën dritën e fakteve të reja, për 20 vitet e fundit kjo pikëpyetje ka qëndruar mbi kokën e kujtdo që ka qenë i interesuar për këtë çështje dhe ka rrëmuar disi në labirintin e panjohur të historisë. Liri Belishova për shumë vite ka besuar se Nako Spiru ka vrarë veten. Por nuk ishte e thënë që gjithçka të mbaronte këtu. Duke parë rrobat e Nako Spirut, të cilat ajo i ka ruajtur që nga dita e vdekjes së tij e për 64 vitet në vazhdim, mund të fillosh të numërosh mbrapsht. Dy apo një, sa plumba vrasës kanë qenë atë natë të fundnëntorit? Ç'është e vërteta, vrima e plumbit hyrës me atë të daljes nuk korrespondon. Ka hyrë sipër gjoksit, afër zemrës, por ka dalë poshtë kafazit të kraharorit, pranë veshkave. Po t'i shtojmë kësaj edhe faktin e bërë më së shumti publik, se "Plumbi me të cilin Nako Spiru vrau veten mbeti në trupin e tij?", mund të dalim në një deduksion logjik, por aspak të vërtetuar mbi baza shkencore, se Nako Spiru është "vetëvrarë" me dy plumba, ose thënë më shkoqur; është vrarë. Në dorë kemi vetëm teshat e tij. Fotografi të trupit, si dhe përshkrimi i autopsisë mungon.

Fadil Pacrami, Liri Belishova, Nako Spiru dhe Ramiz Alia

Mungesa e dokumenteve

Nuk është e lehtë t'i shkosh këtij "hetimi" deri në fund. Përderisa për 64 vjet askush nuk ka arritur t'i shkojë kësaj ngjarjeje deri në fund. Ndërkohë, nuk kemi shumë dokumente në dorë, përderisa dhe Liri Belishova thotë se, nga kërkimet e saj, në Arkivën e Shtetit dhe në Arkivën e Ministrisë së Brendshme, nuk ka gjetur asnjë material, ku të përpilohen autopsia e pasvdekjes së Nako Spirut. Të gjitha këto janë renditur sipas materialeve që gazeta "Telegraf" disponon, pa futur këtu dëshminë e bërë publike në një media tjetër se: "Në kolltukun e punës ku qëndronte Nako Spiru është gjetur një plumb", gjë e cila thellon idenë se përveç një plumbi që ka mbetur në trup, është edhe një tjetër, i cili ka depërtuar për të dalë jashtë tij. Pra, mund të mendohet lehtësisht se qitja është bërë nga afër, me dy plumba.

Dëshmitarët e ngjarjes

Vetë ngjarja ka të paktën 12 dëshmitarë, të cilët mund të vërtetonin vrasjen apo vetëvrasjen e Nako Spirut. Liri Belishova thotë se, ajo nuk është lejuar të jetë pranë bashkëshortit në grahmat e fundit të jetës. Por edhe më pas është ndaluar të shohë plagën, apo plagët, në trupin e tij. Dëshmitarët, pjesëtarë të ekipit mjekësor, por dhe Mehmet Shehu e Nesti Kerenxhi, në cilësinë e dy prej njerëzve më të pushtetshëm të kohës, të cilët janë futur në sallën e reanimacionit, nuk mund të flasin dot më. Të gjithë kanë vdekur. Kiço Ngjela, si një nga dëshmitarët kyç në ngjarje, dhe Muhamer Spahiu, të cilëve Liri Belishova ka mundur t'u marrë me shkrim një pohim mbi atë çka ndodhi mbrëmjen e 20 nëntorit 1947, kanë mbrojtur linjën e vetëvrasjes së Nako Spirut. Të themi se deri në këtë pikë "dosja është e mbyllur".

***

Nako Spiru ishte vetëm 29 vjeç kur u nda nga jeta. Ishte në kulmin e rinisë dhe të potencialit intelektual. Por dukej se më shumë duhej pa zë, të mos kundërshtonte dhe as firmën të mos e hidhte kund. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, ishin acaruar. Ndërsa ai ndodhej në mes të konfliktit. E pra ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të Partisë Komuniste, ekonomist i talentuar dhe idealist i pandreqshëm. Kanë kaluar 64 vjet nga nata e vdekjes së tij, por Liri Belishova, është e ndjeshme po aq sa dhe ditën e parë, kur bëhet fjalë për Nako Spirun. Lexon gjithçka që shtypi shkruan për të dhe koleksionon faqet e gazetave. Shprehet se, megjithëse me Nakon bashkëjetoi afro dy vjet si e martuar, qenësia e tij ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në shpirtin e saj. Ai ka qenë i pranishëm në ato pak gëzime që erdhën në vitet e mëpasme, por më shumë ka qenë gjatë viteve të errëta kur jeta e ish-gruas së tij po shkonte gjithnjë e më poshtë. Në të gjitha rastet, e për çdo veprim, Liri Belishova thotë se, në mënyrë iluzive e ka pyetur atë, nëse "a duhet bërë kjo gjë kështu?". Përgjigja ka munguar, por gjithsesi fryma e tij e mbështjellë gjatë gjithë kohës, si atëherë kur ishte e re dhe e bukur 20- vjeçare, ka mbetur edhe tani që ajo i ka mbushur të 85-at.

"Dua të jem e qetë dhe e saktë kur të flas rreth kësaj ngjarjeje. Nuk dua të fyej e as të prek ndjenjat e ndokujt. Dhe po një gjë të tillë dua edhe nga media. Gjithçka, duhet bazuar në fakte. Sepse ka njerëz që mendojnë se po japin një dëshmi të vlefshme, por bëjnë të kundërtën, shtojnë pikëpyetjet në kokën time. Dhe asnjëherë nuk marr përgjigje të saktë". Këto janë fjalët e fundit të saj, pasi na mirëpriti në apartamentin e saj, dhe na ka vënë në dispozicion për t'i fotografuar rrobat e Nako Spirut, të cilat ai i mbante ditën e vdekjes së tij më 20 nëntor të vitit 1947.

Vath Jeshili: Si e gjeta plumbin që vrau Nakon

Vath Jeshili, me origjinë nga Krutja e Lushnjës ka qenë një nga specialistët më të zotë në Komisionin e Planit të Shtetit. Është pikërisht Vathi që ka gjetur plumbin që i mori jetën Nako Spirut. Lidhur me ngjarjen në fjalë, ai tregon:

"Unë shkova si specialist në Drejtorinë e Planifikimit të Përgjithshëm në Komisionin e Planit të Shtetit në nëntor të vitit 1976. Ishte pa asnjë dyshim një nga periudhat më të vështira për të punuar në atë dikaster. Iknin koka në atë kohë… Nënkryetar kishim Bujar Kolanecin. Ai kishte marrë zyrën që kishte pasur dikur Nako Spiru. Kryetar ishte Harilla Papajorgji.

Xhevdet Shehu dhe Liri Belishova

Një ditë Bujari bëri rimobilimin e zyrës dhe atë kolltukun (që, siç e mora vesh më vonë, kishte vrarë veten Nakoja) e kaloi në zyrën time. Ai kolltuk prej meshini thuajse të zi, përveç asaj gjurmës së shëmtuar të plumbit që kishte marrë jetën e Nakos, më dukej edhe i shëmtuar, tejet demode. Ishte me susta dhe aspak i rehatshëm, ishte e pamundur të qetësoheshe në të në orët e pushimit. Të vriteshin brinjët po të mbështeteshe dhe kërciste. Kishte rreth 40 vjet që përdorej dhe nuk i ishte bërë asnjë riparim. Prandaj unë ia kalova Ahmet Trenit, kryetar i zyrës së bujqësisë në Komisionin e Planit të Shtetit.  Edhe ai filloi të ankohej se pse ia çova atë kolltuk.

E ja kështu, Ahmeti thërret një ditë marangozin Spiro që ta modifikonte kolltukun.  Duke punuar, Spiroja gjen plubin në dërrasën e kolltukut. Ahmeti më thërret menjëherë: "Hajde se ç'kemi gjetur!". Po, ai ishte plumbi që kishte vrarë Nakon. Unë nuk jam specialist kriminalistike, por ajo që më bëri përshtypje ishte pozicioni i plumbit. Nakoja ka qenë ulur në kolltuk kur ka vrarë veten. Në atë pozicion plumbi duhej të ishte horizontal. Jo ai ishte në pozicion të pjerrët, rreth 45 gradë në një dërrasë në shpinë të kolltukut.  Më shkoi mendja se mund të kishim të bënim me një vrasje. Por këtë nuk ia thashë njeriut. Mora plumbin dhe e futa në një qese plastmasi që e mbaja në tavolinë për aq kohë sa punova në Komisionin e Planit të Shtetit. Pastaj kalova specialist i ekonomisë për plan-bilancin në Ministrinë e Shëndetësisë në vitet 1989-91. Atyre që më vinin në zyrë shpesh u thoja se ja "ky është plumbi që i mori jetën Nako Spirut".

Pastaj unë u transferova me punë në Sanatorium, prapë si ekonomist. Edhe aty plumbin e Nakos me vete. Më 2003 dola në pension. Thashë, pse të mos e dorëzoj këtë plumb që të ruhet diku. Më thanë ta dorëzoja në Muzeun Historik Kombëtar. Në atë kohë drejtor i Muzeut ishte Moikom Zeqo. Ai ngarkoi një punonjës i cili më mori në telefon dhe filloi të më bënte pazare parash… Nuk e dorëzova. Në 2004 vajta dhe ia dorëzova Liri Belishovës, ish-gruas së Nakos. Ja kjo është e gjithë historia e plumbit që vrau Nako Spirun", e mbyll rrëfimin e tij Vath Jeshili.

Vdekja e Liri Belishovës, Presidenti Meta mesazh ngushëllimi

Posted: 24 Apr 2018 01:22 AM PDT

Dje pasdite ndërroi jetë në një spital privat në Tiranë, në moshën 92-vjeçare, Liri Belishova, ish-anëtare e Byrosë Politike dhe Sekretare e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste

Presidenti Ilir Meta ka reaguar me një mesazh për vdekjen e saj, ku ndër të tjera thuhet: Nderim për atë dhe të gjithë të rejat që u frymëzuan me idealet e lirisë duke iu bashkuar me guxim e idealizëm Luftës antifashiste për çlirimin e vendit.

Mesazhi i Presidentit Meta pas ndarjes nga jeta e Liri Belishova

Nderim për atë dhe të gjithë të rejat që u frymëzuan me idealet e lirisë duke iu bashkuar me guxim e idealizëm Luftës antifashiste për çlirimin e vendit.

Ato lanë bankat e shkollave për të realizuar idealet e tyre të cilat për fat të keq u prenë në mes dhe shumë prej tyre u bënë viktima të një persekutimi çnjerëzor të pabesueshëm duke përjetuar tragjedi personale dhe familjar.

o.j/dita

Operacioni “Shëtitësi” vë në pranga 3 hajdutë në Vlorë

Posted: 24 Apr 2018 01:10 AM PDT

Policia e Vlorës ka arrestuar 3 shtetas Nustret Alizoti, 27 vjeç, Kristo (Rafael) Janko(Mano), 23 vjeç, , dhe Klejvis Mana, 21 vjeç, të tre banues në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vjedhje në qytete të ndryshme.

Më datë 30.03.2018, në lagjen "28 Nëntori" në Elbasan kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit A.Z. Më datë 12.03.2018, në fshatin Qarë të Fierit kanë vjedhur farmacinë e shtetasit N.P..

Vijon puna për zbardhjen e të tjera vjedhjeve të kryera prej tyre. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa bizhuteri dhe një kompjuter Laptop.

Shtetasit u kanë kaluar Drejtorive të Policive Vendore Elbasan dhe Fier me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore për veprën penale "Vjedhja, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 134 dhe 25 të Kodit Penal.

l.h/ dita

Pas vdekjes së bashkëshortes, George H.W. Bush në gjendje të rëndë

Posted: 24 Apr 2018 01:10 AM PDT

Një ditë pasi përcolli për në banesën e fundit bashkëshorten e tij, Barbara, George H.W. Bush shtrohet vetë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara është shtruar në spitalin e Huston, pas një infeksioni që i është përhapur në gjak. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i familjes Jim McGrath, përmes një postimi zyrtar në Twitter.

"Presidenti Bush u shtrua mëngjesin e së hënës në Spitalin e Hustonit pas një infeksioni. Mjekët po kujdesen për të. Po u përgjigjet mirë kurave dhe gjendja është duke u përmirësuar. Të tjera informacione do të publikohen në vazhdim", shkruan zëdhënësi i Bush.

Megjithatë, mediat amerikane thonë se gjendja e ish-Presidentit mbetet kritike edhe për shkak të moshës së thyer.

Bush zbuloi disa vjet më parë se vuan nga një formë Parkinsoni, e cila e ka lënë atë të paaftë për të ecur. Gjendja e tij u përkeqësua edhe pas vdekjes së gruas së tij, Barbara Bush pak ditë më parë në moshën 92-vjeçare.

Në fjalimin e lamtumirës për bashkëshorten e tij Barbara, Bush deklaroi: "Kemi besim se ajo tani është në parajsë dhe jeta duhet të vazhdojë, ashtu siç ajo e ka dëshiruar".

o.j/dita

Sheshi “Shqiponja” me mbikalim, do ribëhet segmenti Kombinat-Plepa

Posted: 24 Apr 2018 12:54 AM PDT

Vera që vjen do ta gjejë Tiranën në një kantier të vërtetë të punëve infrastrukturore. Bashkia e Tiranës do të nisë një sërë investimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë kryesisht me transportin dhe sistemimin e disa prej hyrjeve dhe akseve kryesore në qytet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës duke folur gjatë emisionit "5 pyetje nga Babaramo" bëri të ditur se së shpejti do të nisë investimi në pjesën e Unazës nga "Pallati me Shigjeta" deri te "Shqiponja", çka pritet të sjellë një lehtësim të ndjeshëm të lëvizjes se mjeteve në këtë aks.

Ai deklaroi gjithashtu se kanë nisur bisedimet me disa nga bankat ndërkombëtare për mundësinë e financimit dhe të ribërjes së aksit Kombinat – Plepa.

"Kemi folur me disa banka zhvillimi ndërkombëtare për mundësinë e financimit të ribërjes të rrugës nga Kombinati në Plepa. Ajo është një zonë që ka shumë potencial, tani edhe industrial. Shumë prej mini-punishteve, fabrikave me 200-300 punonjës kanë filluar transferimin në atë zonë. Kështu është planifikuar edhe në planin urbanistik. Rruga Kombinat –Plepa është një rrugë nacionale, ka ardhur nevoja që edhe shtresat të rishihen dhe ndoshta te kemi më shumë zgjerim. Jemi duke folur me FSHZH dhe ARRSH që të fillojmë edhe aty një investim", u shpreh Veliaj.

Në zonën e Kombinatit është parashikuar edhe ndërtimi i një terminali të panaireve që do të rivitalizojë gjithë këtë zonë duke e kthyer në një nga poliqendrat e Tiranës moderne, ndërkohë që e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në Kinostudio.

Kreu i Bashkisë dha një tjetër lajm të mirë edhe sa i takon akseve të tjera hyrëse në Tiranë, të cilat jo vetëm do të lehtësojnë dhe do të rrisin qarkullimin e automjeteve që hyjnë e dalin nga Tirana, por njëkohësisht pritet që të japin një impuls tepër pozitiv edhe në ekonomi.

"Një tjetër hyrje është ajo e IKV në Kinostudio që sjell gjithë Malësinë e Tiranës, ku malësia e Dajtit, e Priskës ka atë akses. Kemi marrë sot një draft të parë të një hyrje që duam të organizojmë në Tufinë, që përfundon rruga e Arbrit. Aty po projektojmë që tani për terminal autobusësh dhe për verilindjen të paktën do jetë ajo hyrje e Tiranë", tha ai.

Si do zgjidhet çështja e trafikut?

Në një qytet të madh ka gjithnjë trafik, është gënjeshtar ai kryetar bashkie që thotë s'do ketë më trafik. Kompania gjermanë që mat trafikun në Tiranë, ka 20% më pak. Kemi pasur 25 hotspote  Sot kemi 1-2 hotspote, "Shqiponja" dhe segmenti "Teodor Keko" ndërkohë është zgjidhur pjesa nga pallati me shigjeta-Farkë. Tek Shqiponja do ketë mbikalim e nënkalim që besoj se do ta zgjidhë këtë. Kur unë kam takime në qeveri e kam më të lehtë të shkoj me biçikletë në korsitë e dedikuara. Ta heqim iluzionin që Tirana s'do ketë trafik.

Shqiponja dhe Teodor Keko, Unaza e Astirit do fillojmë për punë javësh investimin. Do ketë zgjidhje sepse ka qenë ish- komuna Kashar e bërë  komplet pa plan. Bashkia e Tiranës do bëjë rrugët pingule,  ARRSH do bëjë rrugët tangenciale. Pra ky është plani, ne do fillojmë me bulevardet kryesor të Kasharit në të gjithë zonën e "Astririt", qeveria do bëjë të gjithë aksin që quhet "Teodor Keko", ose Unaza e Re.

Ka në projekt për një hyrje që trafiku nga veriu..

Ne sot kemi diskutuar, kemi marrë sot një draft të parë të një hyrje që duam të organizojmë në Tufinë, që përfundon rruga e Arbrit, aty po projektojmë që tani për terminal autobusësh dhe përfundimit të trafikut interurban ndaj për verilindjen të paktën do jetë ajo hyrje e Tiranë . Kemi folur me disa bankat e zhvillimit ndërkombëtare për mundësinë e ribërjes të rrugës nga Kombinati në Plepa. Ne duam të bëjmë një terminal të panaireve në zonën e Kombinatit, të njëjtën gjë me Kinostudion dhe mëto dy hyrje të reja, rruga Kombinat –Plepa.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more