““Çatia e Japonisë”, pamje mahnitëse nga korridori i borës” plus 9 more - Gazeta Dita |
- “Çatia e Japonisë”, pamje mahnitëse nga korridori i borës
- Presidenti Thaçi niset drejt Hagës
- Nesër në Tiranë Donald Tusk, Rama të enjten takohet me Merkelin
- Belgjika dënon terroristin e sulmeve të Parisit
- “Pranverë” me Veriun komunist, Koreja e Jugut fik megafonët e propagandës në kufi
- 40 vite burg për genocid e krime lufte, Karaxhiç merr vendimin e papritur
- Këmbanat e kishës bien nën tingujt e muzikës së DJ Avicii
- ‘Gjeniu i mashtrimit’ që arriti të shiste kullën Eiffel
- 109-vjeçarja rrëfen sekretin e jetëgjatësisë: Mbajini burrat larg jetës suaj!
- Armiqt’ e Shqipërisë (pak Konicë)
“Çatia e Japonisë”, pamje mahnitëse nga korridori i borës Posted: 23 Apr 2018 02:28 AM PDT Tateyama Kurobe, një nga rrugët malore më të çmendura në botë, është rihapur për turistët për një tjetër sezon. Rruga prej 90 kilometrash në veri të Tokios, zonë që njihet edhe me nofkën "Çatia e Japonisë", ofron panorama të pabesueshme mes maleve Tateyama dhe Akazawa-dake, si edhe ndalesa në burimet termale dhe ujëvarën më të lartë të vendit. Por, nuk ka dyshim që atraksioni më i madh i kësaj rruge është ecja përgjatë murit të borës. Korridori mahnitës ka mure bore me lartësi deri në 17 metra mbi rrugë që janë vepër e punës së palodhur të autoriteteve lokale. Shëtitja mes këtyre mureve gjigande në një panoramë thuajse surreale zgjat 50 minuta. Korridori i borës do të qëndrojë hapur deri më 22 qeshor, kur rritja e temperaturave nis të shkrijë borën. Gjatë prillit, majit dhe qershorit, pritet që korridori i borës të ketë mbi 5 000 vizitorë në ditë. Këta të fundit thonë se gjithçka në këtë zonë malore të Japonisë vlen të shihet, por ecja përgjatë mureve të borës ishte shtysa kryesore që i nxiti në këtë udhëtim të mahnitshëm. l.h/ dita |
Presidenti Thaçi niset drejt Hagës Posted: 23 Apr 2018 02:07 AM PDT
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot drejt Hagës. Presidenti ka treguar se me ftesë të një instituti, do të mbajë një ligjëratë si dhe do të takojë zyrtarë të lartë në Holandë. "Me ftesë të Institutit prestigjioz holandez Clingendael Institute, sot kam udhëtuar për në Hagë, ku nesër do të mbaj një ligjëratë me temën "Vizioni, sfidat dhe mundësitë për Kosovën", tha Thaçi. "Më pas do të kem një bashkëbisedim me shumë përfaqësues shtetërorë, ambasadorë, diplomatë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Holandë", ka shkruar ai në Facebook. "Pas ligjëratës dhe debatit, do të marrë pjesë në promovimin e librit "New State, Modern Statesman", i shkruar nga gazetarët britanikë, Roger Boyes dhe Suzy Jagger", përfundoi Presidenti i Kosovës. l.h/ dita |
Nesër në Tiranë Donald Tusk, Rama të enjten takohet me Merkelin Posted: 23 Apr 2018 02:00 AM PDT Pas Mogherinit Shqipërinë do ta vizitojë nesër Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Ai do të ketë një tur në Ballkanin Perëndimor duke nisur nesër nga Shqipëria, ndërsa më pas do të vizitojë Podgoricën, Beogradin, Sarajevën dhe Shkupin. Para vizitës Donald Tusk në një mesazh për vendet e Ballkanit u shpreh se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë partneri më i besueshëm për të gjithë rajonin. Pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, kryeministri Edi Rama të mërkurën do të niset për në Gjermani, pasi të enjten do të zhvillojë një takim me kancelaren Angela Merkel. Deri në qershor Shqipëria do të lobojë në vendet skeptike të BE, Gjermania, Franca dhe Holanda për t'i bindur që t'i japin një shans për hapjen e negociatave pas rekomandimit të KE në datë 17 prill. o.j/dita |
Belgjika dënon terroristin e sulmeve të Parisit Posted: 23 Apr 2018 01:53 AM PDT I dyshuari si i mbijetuari i vetëm i sulmeve terroriste të Parisit në vitin 2015, është dënuar nga drejtësia belge. Salah Abdeslam u shpall fajtor për shkëmbimin e zjarrit me oficerët e antiterrorit belg, 4 muaj pas sulmeve gjakatare në kryeqytetin francez. Shkëmbimi i zjarrit ndodhi në momentin kur policia u paraqit për të kontrolluar në apartamentin e tij, në lagjen Molenbek të Brukselit. Vetë Abdeslam mbahet i burgosur në Francë, ku do të gjykohet për sulmet e nëntorit të 2015 në Paris, ku u vranë 130 qytetarë dhe 7 nga tetë autorët e dyshuar. o.j/dita |
“Pranverë” me Veriun komunist, Koreja e Jugut fik megafonët e propagandës në kufi Posted: 23 Apr 2018 01:52 AM PDT
Koreja e Jugut ka fikur rrjetin e megafonëve të vendosur përgjatë kufirit me Veriun komunist dhe të përdorur si mjet informacioni për t'u treguar koreano-veriorëve se në ç'regjim jetojnë. Vendimi i marrë nga Seuli është argumentuar me zbutjen ndjeshëm të tensioneve mes dy vendeve dhe mbërrin para takimit të nivelit të lartë, që pritet të mbahet përgjatë kësaj jave. Megafonët përdoren për të transmetuar me zë të lartë nga muzika koreano-jugore e deri tek lajmet kritike për Korenë e Veriut. Edhe vetë Peniani ka përgjatë kufirit të tij një rrjet të tillë propagandistik me mijëra megafonë, ku gjithashtu luan muzikën vendase dhe transmetohen edicione informative qortuese për "kapitalistët" jugorë. Deri më tani, vetëm Seuli ka njoftuar heqjen e spinës së propagandës, ndërsa nga Peniani nuk ka asnjë informacion nëse do të ndërmerret e njëjta masë apo jo. Tensionet mes dy Koreve janë zbutur ndjeshëm në muajt e fundit. Kombi i ndarë në dy shtete u shfaq i bashkuar në lojërat olimpike dimërore të zhvilluara në Korenë e Jugut, ndërkohë që të premten do të zhvillohet një takim historik mes Kim Jong-un dhe Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in. Gjatë fundjavës, Kim Jong-un deklaroi tërheqjen nga testet bërthamore. Ai tha se nuk ka më nevojë për testime të tilla, pasi "bota e ka marrë vesh që Koreja e Veriut i zotron ato". Tensionet janë zbutur edhe me Uashingtonin, që e ka mirëpritur vendmin e ndalimit të testimeve bërthamore, ndërsa të dyja palët kanë rënë dakort për një takim mes Presidentit Trump dhe Kim Jong-un në qershor. l.h/ dita |
40 vite burg për genocid e krime lufte, Karaxhiç merr vendimin e papritur Posted: 23 Apr 2018 01:44 AM PDT Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, do të apelojë vendimin e gjykatësve të Kombeve të Bashkuara për dënimin e tij me 40 vjet burg. 72-vjçari Karaxhiç ishte dënuar më 2016 për gjenocid dhe krime lufte. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, do të nisë më 23 prill një apel drejt gjykatësve të Kombeve të Bashkuara për dënimin e tij me 40 vjet burgim. 72-vjçari Karaxhiç ishte dënuar më 2016 për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në masakrën e Srebrenicës më 1995. Më shumë se 100,000 njerëz janë vrarë dhe rreth 2.2 milionë të tjerë janë detyruar të largohen me dhunë gjatë luftës në Bosnjë më 1992-1995. Atij i ishte shqiptuar dënimi nga gjyqtarët e Tribunalit të Hagës, që është mbyllur edhe zyrtarisht në dhjetor të vitit të kaluar. Presidenti i këtij tribunali, Theodor Meron, ka deklaruar në muajin shkurt se apelet do të shqyrtohen nga Mekanizmi për Tribunale Ndërkombëtare për Krime (MICT). Prokurorët po ashtu janë duke apeluar dënimin e tij 40 vjeçar, duke kërkuar që të shtohet dënimi me burg. Vendimi pritet të bëhet i ditur vitin e ardhshëm. o.j/dita |
Këmbanat e kishës bien nën tingujt e muzikës së DJ Avicii Posted: 23 Apr 2018 01:30 AM PDT
Këmbanat e kishës në Utrecht të Holandës kanë rënë nën tingujt e muzikës së producentit të njohur DJ Avicii, për nder të tij. 28-vjeçari u nda nga jeta ditën e premte më 20 Prill, ndërsa trupi i tij u gjet i pajetë në Oman të Lindjes së Mesme. Këmbanat e kishës holandeze kanë luajtur 3 prej këngëve më të njohura të DJ-it me famë ndërkombëtare, "Wake Me Up", "Without You" dhe "Hey Brother". Vëllai dhe dy motrat e 28-vjeçarit po organizojnë kthimin e trupit të pajetë në Suedi, në vendlindjen e tij. Dj Avicii, emri real i të cilit është Tim Bergling, vuante prej vitesh nga pankreasi akut. Megjithatë nuk ka ende informacion zyrtar për shkakun e vdekjes. Autoritetet në Oman kanë mohuar që vdekja e producentit 28-vjeçar, të ketë lidhje me ndonjë vepër penale. Avicii do të mbahet mend për disa këngë që u bënë të njohura ndërkombëtarisht, si Wake Me Up, Levels, Hey Brother. Producenti i muzikës elektronike ishte nominuar për çmimin "Grammy".
|
‘Gjeniu i mashtrimit’ që arriti të shiste kullën Eiffel Posted: 23 Apr 2018 01:21 AM PDT Një gjeni i mashtrimit. Ky person, i njohur me emrin e artit Victor Lustig (emri i vërtetë nuk dihet) lindi në 1890 në një qytezë të Bohemisë. Në vitin 1925 realizoi mashtrimin që e bëri të famshëm. Kulla Eiffel ishte në kushte të këqija. Lustig shtiu në dorë letra të bardha me kokën e Ministrisë së Postë Telegrafit, enti përgjegjës për Kullën, u shtir si një funksionar i lartë dhe u dërgoi shkresa tregtarëve kryesorë të hekurit, ku u shpjegonte se Kulla do të prishej dhe mbetjet e saj do të hidheshin në ankand. Një prej tregtarëve e hëngri karremin dhe i dorëzoi Lustigut një valixhe me 250 mijë franga, në përpjekje për ta korruptuar para ankandit. Disa muaj më vonë Lustig e përsëriti mashtrimin, por u zbulua dhe u detyrua të largohet për në SHBA, ku vazhdoi të mashtrojë, por edhe u arrestua, u dënua dhe u mbyll në burgun federal të Alkatrazit, deri kur vdiq në vitin 1947. o.j/dita |
109-vjeçarja rrëfen sekretin e jetëgjatësisë: Mbajini burrat larg jetës suaj! Posted: 23 Apr 2018 01:19 AM PDT
Jessie Gallan, 109 vjeç, është femra më e vjetër në Skoci. Së fundmi, ajo ka treguar sekretin e jetëgjatësisë, i cili është shumë i thjeshtë e qesharak. Jessie thotë se nëse doni të bëni një ketë të gjatë e të shëndetshme duhet të hani qull çdo mëngjes dhe të mbani larg meshkujt nga jeta juaj. Ka dalë në pah se sekreti për të pasur një jetë më të gjatë ka qenë i fshehur tek meshkujt. "Ata janë shkaktarët e problemeve në jetën tonë".- është shprehur ajo. 109 vjeçarja ka qenë femër e pavarur, ajo ka punuar që në adoleshencë dhe nuk është martuar kurrë. Më tej ka rrëfyer se edhe pse ka kaluar të 100-at bën një jetë të mrekullueshme. l.h/ dita |
Armiqt’ e Shqipërisë (pak Konicë) Posted: 23 Apr 2018 01:10 AM PDT Nga Konica citohet shpesh fraza: "armiqtë e Shqipërisë janë vetë shqiptarët", por shumë nga ata që e citojnë ndoshta nuk e dinë kur dhe ku e ka shprehur Konica këtë mendim. Bëhet fjalë për tekstin "Armiqt' e Shqipërisë" publikuar për herë të parë në "Albania", një gazetë që botohej nga vetë Konica. Viti i publikimit të këtij artikulli është 1897. DITA e sjell sot këtë pjesë të shkëputur në origjinal nga “Vepra 3 – Publicistika e Konicës” (Botimet Dudaj nën kujdesin e N.Jorgaqit). n.s. / dita
****** Armiqt' e Shqipërisë Nga Faik Konica Të gjith' ata që kanë njohur vendin t'onë, shkrojnë që dheu i Shqipërisë munt të japë bukë një-zet milionë shpirtëve. E dini që jemi tre milionë dhe që dy milionë prej nesh ngordhin urije… Shkrojnë që Shqipëtarët janë mjaft të mënçurë me punuem, nukë vetëm për zbukurimin e tyre, por edhe për mirësin', edhe për dritën e gjithë njerëzisë. E dini mirë që shqipëtarë të mësuarë janë më të rrallë se fjalët e vërteta në gojë prifti. Cilët prejtin bukën e barkut, cilët prejtin bukën e mëndes? Kemi armiq. Për atë të gjithë bashkohen në një zë. Vetëm për këtë ndahen që të gjithë, nuk tregojnë një armik. Ca zgjatin gjishtin drejt dhelpëris e grekut, ca dëftojnë gjarpërimin e shqevet, ca të tjerë emërojnë me zë të unjtë trashërin' e Halldupëve. Kur dëgjojmë të tilla neve na vjen një i pambajtur gaz. Armiqt' e Shqipërisë janë Shqipëtarë, jo të tjerë. Shqipëtarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat të trazuarat, gjer në luftat më të gjaktat, shqipëtari ka hequr hark, vërtitur kordhë e zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të unjtë, se historia e këtij kombi që – për pakë të qelbur ergjënt – shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s'i erdhi dëshërim, nga aqë qind vjet që e shkelin edhe e kurvërojnë të huajtë, s'i erdhi dëshërim të japë dy pika gjak për lirin' e vetëhesë? Të dojin shqipëtarët lirin' e Shqipërisë, lehtazi e bëjin; po rinë të patundurë, edhe andej dëftojnë që s'e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqt' e saj. Dëgjoni mirë, në mos e dini! S'janë armiq vetëm duke ndenjur duartë në gji, po ditë për ditë edhe ndryshe punojnë kundrë mëmëdheut. Shkaku i këtyre të ligave është se shqipëtarët s'kanë shpirtin mjaft të lartë për të dashur lirinë; Shqipëtarët psherëtitën natë e ditë pas orës tek do të mundin të jenë fare-fare robër nënë Turkun a nënë Grekun… Tjetër shkak është që ca prej shqipëtarëvet janë të sunetisurë, ca të pagëzuarë. Këto të dy punërat miaft për të qeshur janë, edhe – në qoftë që ndonjë këndonjës nuk i njeh – ja, shkurt, qysh bëhen. Kur aritet një djalë shtat a tet' vjeçar, i at' i tij fton miqt, han' e pinë dhe këndojnë, pastaj, duke rënë vjolitë, një maskara i qaset të gjorës foshnjes – e cila ulërin dhe përpiqet – edhe më një gërshërë në dorë i pret një thelë mish te nji vënt që është turp ta emëronj. Janë shqipëtarë që s'e bëjnë këtë punën; por ata, kur lindet një djalë, ja shpien një prifti mjekërqelburë, i cili e mer dhe e kllet lëkurca brënda në një magje plot me ujë. Mos e mirni shtrëmbër mendimin t'im, u lutem; unë s'kuvëndonj kundrë këtyre punërave: të mira a të liga, çdo njeri ësht' i lir t'i besojë dhe t'i mbajë. Vetëm një pyetje ju kam për të kërkuar, duke falur nderjes: A kuptoni si munt t'i ndrohet reza nji njeriu sepse – kur qe djalë – i këputnë një cop mish a e vunë brënda në një magje? Mua s'ma pret mëndja. |
You are subscribed to email updates from Gazeta Dita. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google, 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |
Lexo edhe: