Skip to main content

“Negociatat me Greqinë, Meta letër Ramës: Pse nuk e kam dhënë ende plotfuqishmërinë” plus 9 more - Gazeta Dita

“Negociatat me Greqinë, Meta letër Ramës: Pse nuk e kam dhënë ende plotfuqishmërinë” plus 9 more - Gazeta Dita


Negociatat me Greqinë, Meta letër Ramës: Pse nuk e kam dhënë ende plotfuqishmërinë

Posted: 20 Feb 2018 02:12 AM PST

 

Presidenti Ilir Meta ka publikuar sot letrën që i ka dërguar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, pas kërkesës që ky i fundit i bëri për të autorizuar plotfuqishmërinë për negociatat me Greqinë.

Meta i kërkon detaje më konkrete Bushatit për negociatat, ndërsa vë në dukje se kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi.

Ndërkohë në orën 13:00, kreu i shtetit do të ketë edhe një konferencë për shtyp për këtë çështje.

 

Letra e plotë e Presidentit Meta:

 Lënda:                       Mbi kërkesën nr. 2428 prot, datë 13.02.2018 "Kërkesë për autorizim negociatash me palën greke".

Drejtuar:                  Zotit Ditmir BUSHATI

                 MINISTËR I EVROPËS DHE PUNËVE TË JASHTME

Për Dijeni:               Zotit Edi RAMA

                   KRYEMINISTËR

 

I nderuar Zoti Ministër,

Nëpërmjet shkresës suaj nr. 2428, datë 12.02.2018, u njoha me kërkesën për "Autorizim negociatash me palën greke".

Presidenti i Republikës, vlerëson angazhimin e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme për të nisur negociatat për një marrëveshje të re ndërshtetërore për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë. Bashkëpunimi i hapur dhe i ndërsjelltë është në themel të parimit të fqinjësisë së mirë.

Presidenti i Republikës, është i bindur se delimitimi i hapësirave detare me Greqinë, është në interesin më të mirë të vendit tonë në të gjitha aspektet, si në drejtim të ushtrimit të sovranitetit dhe juridiksionit kombëtar, ashtu edhe në drejtim të sigurisë, dobisë ekonomike, politike, sociale, etj.

Në këtë kontekst, zgjidhja për ndarjen, përdorimin dhe shfrytëzimin racional, efektiv dhe në mënyrë sa më të drejtë e të barabartë të hapësirave detare dhe burimeve të tyre me Republikën e Greqisë, duhet të vijë përmes një emëruesi të përbashkët midis dy vendeve.

Theksoj, se është e detyrueshme që çdo zgjidhje të respektojë parimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, detyrimet e vendosura për zbatim nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 15.04.2010, kuadri ligjor i brendshëm, aktet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, si dhe duke patur parësor interesin shtetëror.

Nga shqyrtimi i kërkesës së paraqitur, për Autorizim negociatash me palën Greke, konstatohet se;

  1. 1.      Kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi.

Shkresa nr. 2428 prot, datë 13.02.2018, që në "Lëndë", është e paqartë, pasi sipas saj objekti është "Përcillet kërkesë për autorizim negociatash me palën Greke" dhe ky përkufizim nuk parashikon, se cili është objekti konkret për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi dhe nuk reflekton detyrimet që rrjedhin nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 10.04.2010.

Së pari, duhet evidentuar se kjo kërkesë është e përbërë gjithsej nga një kërkesë e vetme (gjithsej 4 – fletë) dhe nuk përmban asnjë dokument shoqërues apo shpjegues bashkëlidhur.

Nga shqyrtimi tërësor i kërkesës rezulton se ajo nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek.

Përcaktimi i saktë dhe pa asnjë ekuivok i titullit të marrëveshjes dhe objektit të negociatave, në proceset e diskutimeve negociuese ndërkombëtare me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje të kësaj natyre është kushti themelor që duhet të plotësohet, dhe mbi të cilin lëshohet Autorizimi për Plotfuqi nga Presidenti i Republikës.

Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negocimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij.

Në pjesën hyrëse të shkresës citohet se :

"Delitimimi i hapësirave detare me fqinjët nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe mbetet një çështje e rëndësisë prioritare për vendin tonë".

Ndërkohë në faqen 3 të kërkesës suaj, parashtrohet se:

"Delitimimi i hapësirave detare është përfshirë dhe në paketën e çështjeve të hapura mes dy vendeve të diskutuara në kuadrin e mekanizmit dypalësh"….  "Nisur nga sa më sipër me palën greke është rënë në parim dakord për të negociuar një marrëveshje të re për të delitimuar hapësirat detare sipas një ndarjeje të drejtë për palët. Diskutimet e deritanishme për çështjen e delitimimi të hapësirave detare nevojitet të konkretizohen me negociata mes palëve".

Në paragrafin e fundit të faqes 3 të kësaj kërkese parashtrohet se :

"Synimi i negociatave teknike me palën greke do të jetë:

  • Negocimi dhe finalizimi i një marrëveshje të re për delitimimin e të gjitha hapësirave detare të përcaktuara për të Drejtën e Detit me koordinata gjeografike; Detin Territorial, Zonën Ekskluzive Ekonomike dhe Shelfin Kontinental".

Në lidhje me këtë që ju citoni, gjithçka që është vlerësuar nga qeveria se duhet të negociohet nuk mundet që t'i kërkohet autoritetit më të lartë, duke përdorur terma të tillë si "synim", por qartësisht sipas Kushtetutës dhe ligjeve, kërkesa për Autorizim duhet të jetë e shprehur ekzaktësisht mbi titullin e marrëveshjes dhe objektin e saj.

Për më tej në kërkesën për Autorizim për Negocim, do të duhej të përfshiheshin edhe hartat analoge dixhitale, si instrumente negociuese teknike parësore që pasqyrojnë realitetin gjeografik të hapësirës që delimitohet.

Në paragrafin e parafundit të faqes 4 të kërkesës suaj, citohet edhe një fakt tjetër, ku ju parashtroni se :

"Arritja e marrëveshjes do të shërbente paralelisht dhe për plotësimin e kuadrit ligjor ndërkufitar tokësor me lidhjen e Marrëveshjes për Piramidat Kufitare dhe Marrëveshjes për Zgjidhjen e Incidenteve Kufitare të cilat janë kërkuar për dekada me radhë nga pala jonë, por që nuk kanë patur reagim pozitiv të palës Greke. Kjo paketë marrëveshjesh do të zgjidhte njëherë e mirë problematikat ndërkufitare mes dy vendeve dhe do të rrëzonte çdo lloj pretendimi territorial që mund të ekzistojnë në të dy vendet".

Lidhur me këtë paragraf të letrës suaj, të sqarohet qartë se për çfarë pretendimesh konkrete territoriale bëhet fjalë?, cila palë i ka shfaqur ato, në ç'mënyrë, në çfarë kohe, dhe a ka qenë kjo çështje objekti i diskutimit eksploratore diplomatike që janë realizuar përpara paraqitjes së kërkesës për negocim dhe kërkohet që nga ju me prioritet të vihet në dispozion të Presidentit të Republikës, i gjithë informacioni që dispononi në lidhje me këtë çështje?

Për më tepër, nga shqyrtimi tërësor dhe analitik i objektit të kërkesës, konstatohet se janë të paqartë elementët konkret të objektit të negocimit.

Gjykata Kushtetuese në pikën 82.3, ka përcaktuar një detaj të rëndësishëm që ndikon në përcaktimin e objektit konkret të negocimit.

Gjithashtu është i paqartë objekti i negocimit, edhe sa i takon pjesës ku puqen hapësirat detare ndërmjet tre shteteve (Itali-Greqi-Shqipëri), pasi kjo mund të kapërcente kufijtë e këtij autorizimi negocimi dypalësh.

Si konkluzion, përcaktimi i qartë i objektit të negocimit dhe vënia në jetë e detyrës së marrë nga grupi negociator që formalizohet në aktin e Autorizimit për Plotfuqi që Presidenti i Republikës lëshon nëpërmjet delegimit është një kërkesë e qartë e neneve 3, 4, 7 dhe 92/ë, të cilat shpjegohen gjerësisht në mënyrë shteruese në Vendimin nr. 15/2010, të Gjykatës Kushtetuese ku ndër të tjera në pikën, 37, përcaktohet se :

"37.Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë.Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent. Në këtë mënyrë, për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve, përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e objektit të plotfuqisë së dhënë, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës".

Në përfundim, duke iu referuar standardit Kushtetues, të hierarkisë së zbatimit të normës, parashikuar në nenin 4, dhe 116 pika 1 të Kushtetutës, dhe mbështetur në parashikimet e pjesës arsyetuese të Vendimit nr. 15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, në krahasim me çfarë parashtrohen në kërkesën Tuaj, rezulton se nuk është përcaktuar qartë objekti i kërkimit për negocim për të cilin i kërkohet Presidentit i Republikës Autorizim për Plotfuqi.

Objekti i saktë i tagrit të përfaqësimit që do të delegohet duhet të  jetë i specifikuar në këtë akt që Presidenti i Republikës duhet të lëshojë, dhe mbi të cilin grupi negociator i mandatuar duhet të veprojë gjatë negociatave.

Paqartësia e objektit konkret të negocimit për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi nga Presidenti, evidentohet edhe më tepër, pasi kërkesa e paraqitur nuk është e shoqëruar as me tekstin e projekt-marrëveshjes dhe as relacionin shoqërues, kërkesë kjo e nenit 6, pika 3, germa "c", të ligjit nr.43/2016 "Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë", ku citohet se:

 "c) në rastet e përmendura në shkronjat "a" dhe "b", të kësaj pike, kërkesa për lëshimin e plotfuqisë i drejtohet autoritetit kompetent për lëshimin e autorizimit nga institucioni që ka iniciativën për lidhjen e marrëveshjes, të shoqëruar nga teksti i projektmarrëveshjes dhe një relacion shpjegues."

Për më tepër, në kërkesën e paraqitur për autorizim negociatash me palën Greke, në faqen 3, citohet se :

"Prej vitit 2014 e deri më sot janë zhvilluar disa diskutime eksploratore, në nivel diplomatik me palën greke për zgjidhjen e kësaj çështjeje…".

Në përgatitjen e qëndrimeve të palës sonë për këtë çështje janë mbajtur parasysh parimet e Konventës për të Drejtën e Detit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, legjislacioni ynë i brendshëm për kufijtë detar dhe analiza e brendshme".

Nga sa më sipër, konstatohet aktivizimi edhe i instrumenteve të karakterit teknik përveçse politik në fazën përgatitore që i paraprijnë hyrjes në negociata, e për rrjedhojë dhe kërkesës për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi.

Ndaj, është e nevojshme që dokumentet që shoqërojnë kërkesën tuaj, të përcillen pranë institucionit të Presidentit dhe të përmbajnë edhe një informacion shterues mbi materialet apo minutat e diskutimeve eksploratore me palën greke si dhe në mënyrë të veçantë analiza e brendshme e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje, si dhe personat dhe funksionet e tyre, që e kanë kryer këtë analizë.

Si përfundim, nga sa konstatohet më sipër në lidhje me objektin e saktë të negocimit, Presidenti i Republikës, konkludon se:

–      Të qartësohet në mënyrë të mirëpërcaktuar objekti i kërkesës për negocim, duke përmbushur të gjitha mangësitë e konstatuara, si dhe të paraqiten informacionet shtesë të kërkuara.

  1. 2.            Në kërkesën e paraqitur lidhur me përbërjen e grupit negociator referohet se:

 "Pas autorizimit Tuaj, do të ngrihet me Urdhër të Kryeministrit Grupi Negociator", i cili do të negociojë marrëveshjen e re me palën Greke. Në këtë grup negociator të përfshihen përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Forca Detare, Institucioni i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Brendshme". 

Në lidhje me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr. 15/2010, në pikën 36, ka përcaktuar qartë se:

"36. Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim."

Mbështetur në parashikimet e nenit 92/ë, të Kushtetutës, dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, në të cilin është qartësuar mënyra se si Presidenti e ushtron të drejtën për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare konstatohet se :

–      Përbërja e grupit negociator sa i takon institucioneve të përfshira nuk është e plotë, dhe

–      Mungesa e përcaktimit nominal të delegacionit krijon hapësirë që të mos përmbushë standardet për nivelin e njohurive të kërkuara apo, nuk jep garancitë e nevojshme për integritetin moral dhe profesional për të marrë pjesë në negociata kaq të rëndësishme për shtetin shqiptar.

Nga sa më sipër, rezulton se;

Së pari, grupi negociator që do të realizojë negociatat, duhet të përfaqësojë ekspertizën më të thelluar dhe më të mirë profesionale në të gjitha fushat në interes të negocimit, me qëllim që niveli i përfaqësimit të Shtetit Shqiptar dhe mbrojtja e interesave të tij të realizohet në lartësinë e kërkuar nga interesat e vendit.

Në funksion të realizimit të objektivave të negocimit dhe të ekspertizës, do të duhet të merret në konsideratë dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve të tjerë veç atyre të cituar në kërkesë të tilla si Akademisë së Shkencave, Agjencisë së Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), Universitetit të Tiranës, Akademisë së Albanologjisë, Institutit të Arkeologjisë, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës, etj.

Së dyti, kërkesa për dhënien e Autorizimit për Plotfuqi, siç rezulton nga kërkesat e Kushtetutës, Vendimit nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, ligjit nr. 43/2016, por edhe nga praktika tashmë e konsoliduar në këtë drejtim, duhet të përcaktojë qartë se cila do të jetë përbërja nominale e grupit negociator, pra jo vetëm me emërtesat e institucioneve, por dhe emrat konkret të personave dhe funksionet dhe profesionet që ata përfaqësojnë.

Në kërkesë nuk përcaktohet se kush do të jetë personi që do të udhëheqë Grupin Negociator, gjë që është tepër e rëndësishme nisur nga përvoja jo pozitive në të kaluarën.

Kërkesa për pajisjen me autorizim, duhet të shoqërohet detyrimisht me listën nominale të emrave konkret përbërjes të grupit negociator, shoqëruar me CV përkatëse, që do të krijonte mundësinë e vlerësimit të përmbushjes së kritereve të integritetit moral dhe profesional që krijojnë besimin tek Presidenti i Republikës, për t'i dhënë besimin që ta përfaqësojnë atë në këto negociata.

Për nga rëndësia e kësaj marrëveshjeje dhe njohuritë e veçanta që kërkohen në këtë fushë, Presidenti i Republikës nuk është informuar nëse, deri në këto momente, është këshilluar ekspertizë e jashtme dhe nëse synohet të merret një e tillë gjatë procesit të negocimit për këtë marrëveshje.

Për sa më sipër, në formën e paraqitur, kërkesa lidhur me grupin negociator dhe përbërjen e tij është jo e plotë dhe e pabazuar në Kushtetutë, Vendimin nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, praktikës së mëparshme.

Plotësimi i mangësive të konstatuara  në lidhje me grupin negociator dhe përbërjen e tij është kusht i domosdoshëm në vlerësimin e kërkesës për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi.

  1. 3.      Çështja e standardeve dhe metodologjisë të përdorshme për negocim.

Në kërkesë fq 2-3, parashtrohet se:

  • Delimitimi i vitit 2009 ishte rezultati më minimal që mund të arrinte vendi ynë me Greqinë;
  • Nevojitet lidhja e një marrëveshjeje të bazuar në një parim të ri delimitimi.Parimi i barazlargësisë shërben si pikënisje për korrektimin e vijës delimituese në favor të palës sonë. Për këtë qëllim nevojitet aplikimi i parimit barazlargësi me korrektim;
  • Delimitimi i ri duhet të sjellë përfitim në hapësirat detare të Shqipërisë. Përfitimi në hapësirën e Detit Territorial, do të ishte më i favorshëm sepse në këtë hapësirë detare ushtrohet sovranitet i plotë në det, tabanin e detit dhe hapësirën ajrore mbi të, ndërsa në Shelfin Kontinental dhe ZEE vendi ynë do të përfitonte zgjerimin e të drejtave sovrane (shfrytëzim burimesh që ekzistojnë në këto hapësira, por jo sovranitet të plotë).

Lidhur me sa më sipër, bazuar dhe në pikat 82.1, 82.2, 82.3, 82.4, 86, 90, 92, 95, 96  dhe 98 të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, kërkesa e paraqitur do të duhej të shoqërohej me përcaktimin e qartë se në cilën pjesë të hapësirës detare të vijës së delitimit do të përdoret parimi i barazlargësisë strikte dhe ku parimi i barazlargësisë me korrektim, duke saktësuar gjithashtu se cilat janë momentet konkrete që kërkojnë negocim dhe janë objekt i mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve.

Përmbushja e kësaj detyre do të qartësonte objektivat, metodologjinë dhe parimet që do të përdorte grupi negociator, për përcaktimi e një kufiri detar në përputhje me Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit, praktikën Ndërkombëtare, Kushtetutën, vendimin nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe mbi të gjitha në interesin më të mirë të Shqipërisë.

Saktësimi i hapësirës konkrete detare të përdorimit të parimit të "Ekitesë", është thelbësor për arritjen e një marrëveshje të drejtë siç ka arsyetuar Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr.15/2010.

Presidenti i Republikës vlerëson se;

Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, detyrimeve të vendosura për zbatim nga Vendimi nr.15, datë 15.04.2010, të Gjykatës Kushtetuese, kuadrit të brendshëm ligjor, akteve ndërkombëtare ku Shqipëria është palë dhe në interes parësor shtetëror, përmbushja e kritereve, kërkesave, të parashtruara e të konstatuara më sipër, përbën domosdoshmëri kushtetuese për marrjen e vendimit për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi, të kërkuar me shkresën nr. 2428 prot, datë 13.02.2018.

 

a.s/dita

Marrëveshja me SHELL për naftën, Rama: Mund të transformojë të ardhmen e vendit

Posted: 20 Feb 2018 02:12 AM PST

Pas kërkimeve të deri më tanishme në blloqet Shpirag 2 dhe 3, qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë e mirënjohur SHELL për të nisur kërkimin e zbulimit të naftës edhe në Bllokun 4.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama e quajti këtë "një kontratë të re për një tjetër investim të madh të huaj në Shqipëri", çka sipas tij ka potencialin të transformojë jo vetëm të ardhmen e zonës, por të të gjithë vendit.

Rama tha se nën rrënjët e malit të Shpiragut pretendohet se ndodhet një rezervë e jashtëzakonshme nafte, "një rezervë që mund të transformojë një herë e përgjithmonë të ardhmen jo vetëm të kësaj zone, por të krejt Shqipërisë. Prandaj edhe dita e sotme është një ditë e shënuar në rrugën drejt të ardhmes. Marrëveshja me kompaninë SHELL konkretizon një interes më shumë se 20-vjeçar që kur SHELL u shfaq për herë të parë në vendin tonë në vitin 1994 dhe për tu larguar pas trazirave të tre viteve me vonë."

Rama tha se rikthimi i SHELL-it, "një kompani me 30 herë më shumë të ardhura vjetore se Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Republikës së Shqipërisë tregon se sot ne me të drejtë jemi të gëzuar dhe shpresëplotë për të ardhmen e sektorit të naftës dhe të gazit në vendin tonë."


l.h/ dita

Komisioni për Edukimin, debat mes Nikollës dhe Vokshit

Posted: 20 Feb 2018 02:01 AM PST

Ditën e sotme është duke u  zhvilluar seanca dëgjimore e komisionit të medias mbi edukimin. Milva Konomi, që në krye të herës, ka kërkuar që në komision të vendoset një kod etike.

Deputetja demokrate, Albana Vokshi u është drejtuar deputetëve të Partisë Socialiste duke u thënë të mos bojkotojnë.

E pranishme në komision ishte e Ministrja e Arsimit Nikolla, e cila i është drejtuar Voshkit duke i thënë që "Sa herë hapni gojën, bëni diferencën e qytetarisë"

Vokshi ka reaguar duke i shtruar një pyetje në lidhje me shkeljen e ligjit për aktet nënligjore të arsimit, ndërsa Ministrja i është përgjigjur se Vokshi po e drejton komisionin në mënyrën më të shëmtuar.

Është ndezur një debat midis Vokshit dhe Nikollës, duke përfunduar në dialogun:

Vokshi: S'do të më tregosh ti se si drejtohet komisioni.

Nikolla: Mos ju shmangni përgjegjësive që ju takojnë!

l.h/ dita

Investimi italian në Shqipëri, Meta takon zv/ministrin Scalfaroto

Posted: 20 Feb 2018 01:53 AM PST

Presidenti i Republikës Ilir Meta, priti sot Zëvendësministrin italian për Zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë Ndërkombëtare, Ivan Scalfaroto, i cili po kryeson në Tiranë një delegacion të madh të sipërmarrjeve italiane.

Kreu i shtetit, përshëndeti organizimin e Misionit të Biznesit Italian në Shqipëri dhe vlerësoi interesin në rritje të Qeverisë dhe sipërmarrjeve italiane, për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik e tregtar me Shqipërinë.

Duke vlerësuar partneritetin strategjik, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera historike e tradicionale midis dy vendeve, Meta, i nxiti përfaqësuesit e sipërmarrjeve italiane të vlerësojnë potencialet e ekonomisë shqiptare, në fushat e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, agro-industrisë.

Presidenti Meta theksoi se Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse për investimet italiane në të gjithë rajonin. Duke iu referuar në mënyrë të veçantë projektit TAP, Meta nënvizoi se ai ka një rëndësi madhore, jo vetëm për Shqipërinë dhe Italinë, por edhe për të gjithë rajonin, si dhe për sigurinë energjetike të vetë BE-së.

Në këtë kuadër, Meta vlerësoi si projekte strategjike me impakt të gjerë rajonal edhe nevojën e bashkëpunimit për modernizimin e infrastrukturës së rrjetit hekurudhor në Shqipëri, si dhe të realizimit të lidhjes së interkonjeksionit energjetik me Italinë. Kreu i shtetit Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e çmuar që Italia i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE.

l.h/ dita

Veliu me Guardia di Finanza: Këtë vit fillojnë më herët kontrollet nga ajri

Posted: 20 Feb 2018 01:38 AM PST

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, zhvilloi një takim me delegacionin e lartë të Guardia di Finanza-s të kryesuar nga gjenerali Vito Augelli, komandant i Guardia di Finanza-s i Rajonit të Pulias.

Gjenerali i shprehu fillimisht urimet Drejtorit të Përgjithshëm për detyrën dhe përcolli urimet më të sinqerta të Gjeneral Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza-s.

Ai siguroi gjithashtu edhe vijimësinë e këtij bashkëpunimi të shkëlqyer.

"Italia është e angazhuar maksimalisht në frontin e luftës kundër trafiqeve dhe këtë e dëshmon prezenca e madhe e dispozitivit të Guardia di Finanza-s në Shqipëri. Niveli i bashkëpunimit është më i larti ndër kohëra, kjo falë një pune paraprake të bërë nga dy përfaqësitë policore." – u shpreh z. Vito Augelli

Gjenerali veçoi ndër të tjera edhe punën e mirë të Zyrës ndërlidhëse të Policisë së Shtetit në Bari

"Rezultatet e shkëlqyera kanë ardhur vetëm në sajë të një bashkëpunimi të ngushtë dhe një shkëmbimi në kohë reale të informacionit. Nga të gjitha kapjet e kanabisit në Itali, 80% i ka bërë Guardia di Finanza e Pulias dhe këto falë një bashkëpunimi të ngushtë me Policinë shqiptare. Kemi arritur të ndërtojmë një rrjet shkëmbimi informacioni që bazohet në besim reciprok dhe profesionalizëm të lartë. Sa i takon luftës kundër trafiqeve në det dua të kujtoj se në të gjitha rastet është theksuar bashkëpunimi me Policinë shqiptare dhe kush nuk e kupton këtë nuk pranon realitetin", – përfundoi fjalën e tij komandanti i Guardia di Finanza i Rajoinit të Pulias, gjenerali Vito Augelli.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, siguroi partnerët italianë për një bashkëpunim efikas duke shkatërruar çdo pengesë që pengon punën e përbashkët të dy policive.

"Policia dhe qeveria italiane ka qenë dhe mbetet një partner strategjik për Policinë e Shtetit dhe Qeverinë shqiptare", u shpreh Veliu.

Ai vlerësoi kontributin e Guardia di Finanza-s dhe Policisë italiane duke siguruar se të gjitha projektet e drejtuara nga Italia do të kenë mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit dhe angazhimin maksimal për arritjen e objektivave.

"Synimi ynë është ai i kryerjes së analizave të përbashkëta të riskut, ndarja në kohë reale e informacionit, ngritja e një qendre të përbashkët trepalëshe për shkëmbimin e informacioneve dhe kryerja e patrullimeve të përbashkëta në det", – theksoi Drejtori i Përgjithshëm.

Veliu vlerësoi gjithashtu përpjekjet dhe rezultatet e arritura në luftën kundër kultivimit të kanabisit, trafikimit të saj, sidomos në kapjen e gomoneve falë bashkëpunimit.

"Këtë vit do të fillojmë më herët fushatën e fluturimeve ajrore në mbështetje të një pune të madhe që Policia e Shtetit është duke bërë për të parandaluar këtë fenomen. Italia mbetet një partner strategjik për ne. Krahas goditjes së trafikut, synimi është ai i kapjes së aseteve kriminale për ta çrrënjosur përfundimisht fenomenin e kultivimit të kanabisit. Lufta kundër narkotikëve mbetet sfidë për t'u përmirësuar dhe konsoliduar. Synimi ynë është kryerja e hetimeve të përbashkëta dhe lufta kundër pastrimit të parave dhe produkteve të krimit. Ky synim është një nga prioritetet më të larta të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar. Krijimi i një rrjeti të shkëmbimit të informacionit që mundëson në kohë reale identifikimin, gjurmimin dhe kapjen e autorëve të trafiqeve të ndryshme, është një faktor kryesor në arritjen e rezultateve të dëshiruara", nënvizoi kreu i Policisë Shqiptare.

l.h/ dita

Bëhet hero në moshën 88-vjeçare, shpëton gruan nga 5 grabitës me thika

Posted: 20 Feb 2018 01:27 AM PST

Një grua ka rënë pre e disa grabitësve të rinj me thika, por kjo nuk e ka stepur aspak një 88-vjeçar që ka parë ngjarjen.

Ish-veterani i SAS, John Nixon ndërhyri menjëherë duke i dhënë një "mësim të mirë" grabitësve, teksa i pa të sulmonin një grua në rrugën "Raglan" në Londër .

Nixon mori disa plagë të lehta, por e arriti synimin e tij duke u kthyer në një hero. Ai u trajnua si një komando në vitet 1940 dhe luftoi në luftën e Koresë si pjesëtarë i një njësie elite.

88-vjeçari, gjithashtu tha, se ai kishte marrë pjesë në misionet e inteligjencës në të gjithë botën, në vende të tilla si Egjipti, Lindja e Mesme dhe Gjermania.

l.h/ dita

Shtyhet seanca për ekzekutorin e Kasmit, kërkoi lirinë në këmbim të garancisë pasurore

Posted: 20 Feb 2018 01:13 AM PST

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka vendosur që të shtyjë për në datë 22 shkurt vendimin për të arrestuarit si të dyshuar për vrasjen e Devi Kasmit.

Efthymios Efthimiou, i akuzuar si i dyshuar për ekzekutimin e Kasmit kërkon nga gjykata lirimin nga burgu në këmbim të garancisë pasurore.

"Shpresojmë që procesi ndaj Efthymios Efthimiou të bëhet mbi prova dhe jo mbi spekulime" u shpreh avokati i tij.

Ndërsa avokati shqiptar Visha tha se seanca shtyhet për të enjten, pasi nuk kishte bërë njoftimet gjykata.

l.h/ dita

Pasi vret bashkëshortin,i djeg fytyrën me acid të dashurit…komploti i frikshëm i një gruaje në Indi!

Posted: 20 Feb 2018 01:09 AM PST

Një grua në Indi ka bërë një komplot të jashtëzakonshëm duke vrarë kështu të shoqin dhe hedhur acid në fytyrë të dashurit më të cilin kishte një lidhje jashtëmartesore.

Burrin e kuptuam,por të dashurin përse?

Në fakt është më e thellë se kaq,sepse burrin e kanë vrarë së bashkë e ndërsa shpërfytyrimi me acid ka qenë ide e saja,sepse vetëm kështu ajo mund t'ua hidhte të gjithëve duke ristrukturuar fytyrën e tij si fytyrën e ish-bashkëshortit tashmë të groposur për së gjalli.

E frikshme mendja e femrës…

Por i gjithë plani ka dështuar kur familjarët e ish-bashkëshortit të cilët u paraqitën me urgjencë në spital të bindur se ishte biri i tyre,kanë kuptuar në bisedë e sipër se pacienti nuk njihte familjarët dhe kanë kërkuar të bëhen analizat.Pasi analizat kanë zbërthyer ngjarjen është arrestuar gruaja,dhe pritet pasi të dalë nga spitali,të arrestohet dhe i dashuri i saj.

Swathi Redy dhe i shoqi

I dashuri i djegur me acid

 

a.k/dita

President i përbashkët? Mediat greke: Po zgjohet fantazma e Shqipërisë së Madhe

Posted: 20 Feb 2018 01:01 AM PST

Temë kryesore në medien të shkruar dhe vizive greke është bërë deklarata e Ramës në Kosovë. Mediet greke e kanë komentuar deklaratën e Ramës për nevojën e një presidenti të përbashkët Shqipëri-Kosovë si një dëshirë të shqiptarëve për Shqipërinë e madhe.

"Fantazma e Shqipërisë së Madhe zgjohet përsëri, për t'u bërë realitet", apo "Edi Rama ëndërron si Erdogan; kufijtë e zemrës të bëhen një ditë realitet", këto janë frazat e përdorura në "Alpha Tv" nga gazetari i njohur Dhimos Verikios.

"Deklarata bombë e Ramës që mori përgjigje të menjëhershme nga zëdhënësja e Komisionit të BE-së për Politiken e Jashtme, për rrezikshmërinë e lartë të ndryshimit të kufijve, mbetet ëndrra shqiptare", kështu tha gazetari Nikolas Vafiadhis në "ANT1 TV".

Deklarata e kryeministrit shqiptar është publikuar në çdo media greke, shkruan ballkanweb, në shumicën e rasteve me habi, me pikëpyetje dhe duke u komentuar se bie ndesh me deklaratat Kotzias për marrëveshje miqësore, negociata drejt konsensusit për kufirin detar, si dhe për dhënien fund të retorikës shumëvjeçare mes dy vendeve.

l.h/ dita

Shkatërrohet rrjeti i prostitucionit online te “Don Bosko”, në pranga 2 persona

Posted: 20 Feb 2018 12:47 AM PST

Policia e Tiranës finalizuar me sukses operacionin e koduar "Chat Line 4" duke shkatërruar një rrjet prostitucioni, aktivitet i cili kryhej virtualisht. Në pranga u vu një vajzë 24-vjeçare, e cila administronte këtë "biznes", një studio e quajtur "Chat Line Adult Work".

"Anushe Ll., dyshohet se prej një kohe të gjatë punësonte vajza dhe i shfrytëzonte ato për prostitucion virtual, i cili zhvillohej nëpërmjet logimit në faqen "Adult Work", aktivitet i cili kryhej në një apartament në rrugën "Don Bosko" , sqaroi policia në një njoftim të martën.

Në këtë aktivitet Anushe Ll. dyshohet se është futur nëpërmjet 29-vjeçares D. G., të cilën më herët e ka pasur në administrim, në bashkëpunim me 33-vjeçaren S. B.

Këto të dyja, policia i ka shpallur në kërkim për veprën "mbajtjen e lokaleve për prostitucion".

Gjatë kontrollit të njërit prej apartamenteve ku ushtrohej ky aktivitet, apartament i cili ishte marrë me qira nga 25-vjeçari Met Tali, u gjet dhe sekuestrua 17,4 gr kanabis. Edhe 25 vjeçari u arrestua.

Autoritetet proceduan gjithashtu penalisht 7 vajza, të cilat akuzohen për shfrytëzim prostitucioni. Ato janë: A. H., 25 vjeçe, A. L., 31 vjeçe, A. Xh., 22 vjeçe, S. M., 30 vjeçe, A. Sh., 21 vjeçe, A. T., 23 vjeçe dhe E. R., 23 vjeçe.

Gjatë operacionit u sekuestruan 7 kompjutera dhe pajisje të ndryshme që përdoreshin për kryerjen e aktivitetit.

Apartamenti në të cilin kryhej aktiviteti

l.h/ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more