Skip to main content

“Interpelanca, Nikolla: Universiteti publik ka probleme të brendshme, nuk është në kaos nga ligji” plus 9 more - Gazeta Dita

“Interpelanca, Nikolla: Universiteti publik ka probleme të brendshme, nuk është në kaos nga ligji” plus 9 more - Gazeta Dita


Interpelanca, Nikolla: Universiteti publik ka probleme të brendshme, nuk është në kaos nga ligji

Posted: 22 Feb 2018 01:48 AM PST

Ministrja Lindita Nikolla në interpelancën e kësaj të enjte iu përgjigj kërkesës së deputetëve të LSI për ligjin e arsimit të lartë. Ajo tha se universiteti publik nuk është në kaos për shkak të ligjit, por për probleme të brendshme.

"Ju them me bindje se asnjë universitet publik sot nuk është në kaos, prej ligjit të ri të arsimit të lartë. Dëshira për t'i veshur sistemit disa problematika të universitetit të Tiranës është krejt e pavend. Problemet që has sot janë të brendshme që do të zgjidhen shumë shpejt me përfshirjen e të gjithë aktorëve në jetën e atij universiteti dhe marrjen e vendimeve të duhura në kohën e duhur", tha Nikolla.

Ajo informoi se kanë mbetur vetëm tre VKM pa miratuar nga aktet nënligjore që do të përmbyllen brenda shkurtit. Ndërsa për strategjinë e arsimit të lartë, ajo tha se është duke përfunduar.

"Zbatimi i ligjit të ri ka sjellë sfida për të gjithë aktorët duke përfshirë dhe vetë ministrinë e Arsimit, askush nuk mund të thotë që zbatimi i një reforme të rëndësishme dhe kaq tërësore nuk do të ishte sfiduese për të gjithë aktorët, sepse kërkon ndryshimin e mentalitetit të të gjithë autoriteteve drejtuese, dhe të vetë ministrit të Arsimit që ka më pak kompetenca kundrejt institucioneve të arsimit të lartë. Kemi hartuar e miratuar strategjinë për kërkimin shkencor dhe po përfundojmë strategjinë e re për arsimin e lartë. Të gjitha institucionet kanë detyrimin ligjor të zhvillojnë strategjitë institucionale në kuadër të akreditimit institucional", tha Nikolla.

Ndërsa për sa i përket procesit të Maturës Shtetërore, Nikolla tha se nuk ka qenë ajo në atë periudhë në krye të institucionit, por ministrja teknike.

Ndërsa deputetja Kejdi Mehmetaj në përgjigje të ministres tha se ka kthyer përgjigje për ato që konsideron vetë ministrja që duhet të thotë por jo çështjet që janë ngritur.

Më herët Mehmetaj tha se ligji për arsimin e lartë është shkelur në 5 nene të tij, dhe përfundimi është që papërgjegjshmëria në zbatimin e ligjit vetëm ka rritur kostot e familjeve shqiptare.

l.h/ dita

FOTOT/ Veliaj: Gati tek Bregu i Lumit me projektin më të madh në Tiranë

Posted: 22 Feb 2018 01:40 AM PST

Tashmë është gati projekti më i madh transformues në Tiranë në zonën e Bregut të Lumit.

Përmes një postimi në Facebook, kryebashkiaku Veliaj shkruan se tashmë Tirana jo vetëm që ka një bulevard të ri me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, por njëkohësisht edhe një lagje të re ku projektohet Tirana e së ardhmes.

"Ka pas qenë bulevard pa qytet, tani kemi edhe qytet, edhe Bulevard të Ri . Jemi thuajse gati tek Bregu i Lumit me projektin më të madh në Tiranë ku projektohet qyteti i së ardhmes me një lagje të re e infrastrukturë moderne", shkruan Veliaj.

Parku Qendror i Tiranës, është parku më i ri urban që do të ndërtohet në aksin e zgjerimit të bulevardit kryesor me drejtim veri, pjesë e një investimi madhor.  Projekti parashikon krijimin e hapësirave të gjelbra në të dy anët e Lumit të Tiranës, i cili do të sistemohet përmes argjinaturave mbrojtëse, që do të shmangë edhe përmbytjet.

Përgjatë lumit do të ndërtohet pedonale për qytetarët, si dhe korsi të veçanta për të gjithë ata që duan të përdorin biçikleta. Gjithashtu, do të ketë hapësira të posaçme ku qytetarë të mund të kalojnë kohën e tyre me aktivitete të ndryshme social-kulturore.  Falë edhe ndriçimit miqësor, Parku Qendror do të mund të shfrytëzohet edhe gjatë mbrëmjes nga të gjithë ata që do të duan të shëtisin e të shijojnë gjelbërimin që është konturuar në formë lulishtesh.

Krijimi i parqeve në të dyja anët e lumit, si edhe i hapësirave të tjera çlodhëse, pritet që ta kthejë këtë zonë në një pikë reference për jetën e përditshme urbane të fëmijëve, të të rriturve dhe të moshuarve.

Aktualisht punimet në segmentin e dytë të Bulevardit të Ri janë drejt fundit dhe shumë shpejt do të hapet për qytetarët. Segmenti do ta bëjë Bulevardin e Ri më të aksesueshëm për banorët dhe makinat, pasi lidh disa rrugë kryesore në kryeqytet. Pas më shumë se 27 vitesh, ky është projekti i parë, ku fillimisht ndërtohet infrastruktura e më pas projektet zhvilluese.

l.h/ dita

Koordinatat imagjinare të varrit të Skënderbeut

Posted: 22 Feb 2018 01:39 AM PST

 

Moikom Zeqo

 

Varri i  Gjergj Kastriot Skenderbeut, ka tërhequr, ka grishur vëmendjen e shekujve dhe të njerëzve, ka fituar gati statusin e një tabuje jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët.

Si një motiv filmik, hollivudian do ta sfiliste (shekujve)  dhe e sfilit edhe sot fantazinë tonë.

Varri lind si njeriu, ka ditëlindjen ditëvdekjen e njeriut. Është e njëjta datë e dyfishtë, kundërshtore me vetveten. 17 janari i vitit 1468 është vdekja e Heroit, por pa këtë vdekje nuk do të krijohej mahnitshëm, nga e panjohura e veshur si e papritura.

Njëlloj Hirushe e Kalendarit, do të shënonte ekzistencën e tij në botë dhe në amshim, Varri i Heroit.

***

Varri është kështu aq kuptimplotë dhe i papërputhshëm për njeriun, sa kali i luftës për kalorësin.

Nëse ajo që quhet vdekja e njeriut shënon një pikë fikse të rrugëtimit të tij, varri shënon startin e një rrugëtimi tjetër, sepse vetëm kështu fundi është njëkohësisht edhe fillimi.

Apologjia e varreve ngandonjëherë tejkalon gjithçka.

Tempulli varr, i quajtur Taxh Mahall, në Igra të Indisë, është një metaforë lirike e piramidave, varreve plot epikë të frikshme me madhështi astronomike të faraonëve të vdekur.

Moikom Zeqo

Moikom Zeqo

Po të mos ishte Piramida e Keopsit, nuk do të kujtohej ndoshta emri perandorak, i vështirë dhe i egër, i kumbueshëm dhe i kotë.

Kjo është plotësisht e vërtetë, nëse nuk harrojmë që Akili nuk ka varr, as Odiseu.

Nëse varri humbet, ahere kemi një mallkim të shumëfishuar, një ankth gërryes, një shi prej acidi, që tret dhe shkatërron Kujtesën.

***

Skënderbeu e ka një varr të përcaktuar në koordinata të dyfishta hapësinore dhe kohore, data kalendarike është bërë substanciale, në një motiv hapësinor, të pashmangshëm në botë.

Kronika thotë, në mënyrë të pamëshirshme, por dhe asnjanëse dhe indiferente, se Skënderbeu u varros në Katedralen e Shën Nikollës, në Lezhë, jo në ndonjë vend tjetër.

Kështu, një pikë e kritikuar kohore bëhet një pikë e kritikuar hapësinore, data është lëvozhga, heroi është bërthama.

Gjithë vështirësia, pabesia, imagjinata e sëmurë, fataliteti, paradoksi kanë të bëjnë ose me njësimin përfundimtar, ose me shpërbërjen; mund të ruhet varri bosh, por eshtrat jo, nëse heroi është mëma e varrit (njëkohësisht dhe ati), varri është fëmija (trashëgimtari), vijuesi, rrugëvazhduesi etj., etj.

Historia e varreve bosh është e frikshme, por e rëndomtë.

Në lashtësi njerëzit ndërtonin varre bosh, të quajtura kenotafe, për njerëzit e tyre të afërt që kishin vdekur diku nëpër botë, nëpër qytete të huaja, mbi lumenj apo dete të pafund, duke mos u kthyer kurrë në vendlindje.

Kenotafet ishin fizikisht bosh, por shpirtërisht plot.

Apologjia na e mëson këtë aventurë, madje na rutinizon me çudirat.

E nëse varri i Skënderbeut nuk humbi, kjo nuk do të thotë aspak se një humbje përfundimtare e këtij varri do ta bënte të humbte në hiç e në pluhur vetë Skënderbeun. Dalim kështu te një kuptim metaforik, konvencional, delikat, i brishtë, ose ndoshta, në fund të fundit, të panevojshëm.

Ne nuk i dimë duart, që skalitën mermerin dhe ndërtuan varrin, sarkofagun e Skënderbeut.

Nuk e përfytyrojmë dot ceremoninë rituale të vdekjes, nuk kishte as kamera, as magnetofona, as aparate fotografike.

Njerëzit janë prej mishi dhe gjaku, kujtesat e tyre autentike janë po kaq të pambrojtura dhe rrezikshmërisht të shkatërrueshme.

Nuk dimë nëse mbi pllakën mbivarrore u shkrua në shqip, apo në latinisht emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, epitafi i tij, titujt, fjalët kushtimore të shekullit, simbolet heraldike, kryqi sa i pagantë aq dhe i krishterë. Kryqi, me pikën, ku bashkohen gjymtyrët, vertikalja dhe horizontalja, e Përjetshmja dhe e Përkohshmja, e Paharrueshmja dhe Monotonia.

Nuk i dimë fytyrat e përlotura, as duart e dridhura, as temjanin gati si tymi i topave dhe bombardave të amshimit.

As ngashërimin e thekshëm, ulëritës, të pafuqishëm, ajkunor të gruas, as belbëzimin gjithë gulç, lotët e të birit.

TE DEUME transparente, të lëvizshme, që pluhurizohen. Flokët e shkulur të Lekë Dukagjinit, mjegullat, këngët, profecitë e zymta. Kambanat e kishave të Shqipërisë, të përvëluara, inkandeshente nga goditjet. Të krejt. Europës.

Ankthi i thurur, shermashek vajtimi që ngjitet që nga Hadi.

Fatalizmi, pamendimi i mediokërve, humbja e shumë shpirtrave për hir të një shpirti, këngë funebre pa tinguj, madhështi e kuarcuar, shekuj të thyeshëm si qelq, libra që digjen vetvetiu, pa zjarr, ikona që zbardhen befas, dete të epërme që shndërrohen në stalagmite, Njëshi i Krishterimit i harruar, enigma të helmëta me këmbë insektesh, fëmijë ,që lindin me gjak të bardhë, jo të kuq, ethe të Kujtesës që rraskapitin gjithçka, djaj të gjelbëruar si mijëra shkurre, që dyndin një qytet antik të braktisur, poçe të thyera të darkave mistike të dikurshme, Klepsidra e Hënës, që rrjedh ujëra të zeza, apokaliptike.

***

Më këmbëngulësi, më i zymti dhe më i hershmi, më zhbiruesi, pra më i pabesueshmi, dijetari sanguin dhe i paepur Cosmo Serembe,autor dhe studiues arberesh, botoi në fillim të shek. XX, në Milano, edhe një libër të pazakontë, hulumtues, heretik, buçitës për kërkimet identifikuese të varrit dhe të salmës së Skënderbeut.

Libri i vogël ishte i furishëm dhe stuhidiskutimndjellës.

Serembe citon Barletin si pikënisje, në të njëjtin kuptim si limani i nisjes së Kristofor Kolombit përpara zbulimit epokal.

Serembe përdor një teknikë çmitolotizuese të faktit të vërtetë historik.

Sipas tij, skenari i varrosjes së trupit të Skënderbeut në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, ka qenë thjesht një strategji, një motiv apokrif, një parathënie e re, për të vërtetën krejt ndryshe.

Serembe është i bindur në mënyrë titanike se shqiptarët, rrethi i afërm i heroit, kanë përdorur të gjitha mënyrat e mundshme për t'i shpëtuar eshtrat e Skënderbeut nga duart e turqve.

Këtu shkëlqen me një dritë verbuese, halucinante sekreti i mbartjes së kufomës së Skënderbeut, duke ndryshuar përcaktimin e vendosjes, duke bërë një mospërputhje të fshehtë të dukjes së jashtme me thelbin e duke falsifikuar informacionin në kohë.

***

Serembe është këmbëngulës, nuk thyhet.

Për të zhdukja e historisë së Tivarasit, të shtypur 13 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, ka ndodhur për arsye madhore, se kinse në këtë libër kishte shënime tepër të qarta mbi vdekjen dhe varrimin e Heroit, se Dogji Mocenigo, për t'i ndaluar turqit, që të orientuar nga shënimet e sakta të Tivarasit për varrin e vërtetë të Skënderbeut, urdhëruan që të zhdukeshin të gjitha kopjet e këtij libri, përveç një kopjeje, që i ra më vonë në dorë Biemm-it kokëkrisur dhe fantazist.

Po a thua i ra në dorë Biemm-it?

Serembe i skajëzon hamendësimet e tij.

Libri i Tivarasit u shqye që të mos e merrte vesh njeri sekretin e fshehjes së trupit të Skënderbeut.

Ndoshta dhe libri i Gjon Buzukut – kopja e vetme që ka mbetu në botë, i ka të shqyera fletët e para, frontespicin, simbolin tipografik, për shkak të ruajtjes së një sekreti, që do të ishte më i kobshëm po të zbulohej.

Kështu, zhdukja e sekretit dhe jo ruajtja e tij, përbënte një motiv mbijetese, ruajtje.

Kështu, paradoksi tingëllon i plotë, si monedha me dy faqe, jo si sfera.

Serembe i përkorë mbështetet në logjikën gati të pakundërshtueshme se shqiptarët, në asnjë mënyrë, absolutisht nuk do të donin që turqit, pas pushtimit të Lezhës, të dhunon varrin e Heroit.

Po a nuk do të pushtohej Lezha një ditë ?

Ç'naivitet absurd do të konstruktonte shpresën kinse utopike se turqit nuk do të shkonin në katedrale, do të trembeshin nga shikimet shigjetuese të afreskeve, nuk do ta preknin varrin tabu ?

Shqiptarët e dinin fare mirë se dhuna do të shumëfishohej si hakmarrje, rituali i zhvarrimit do të ishte një motiv më i epërm sesa ai i fitores.

Ahere ç'duhej të bënin shqiptarët ?

Serembe mendon përvujtërisht një projekt konceptual për shpalljen paraprakisht të varrosjes së trupit të Heroit në Katedralen e Shën Nikollës, duke ia bërë këtë të njohur gjithë botës, njëkohësisht do ta varrosnin diku, në një vend të panjohur, sekret, misterioz, kufomën.

Por Serembe nuk mund ta rrënjëzojë ashtu siç duhet këtë hamendësim.

Ai gjen motive të tërthorta, sfilitet prej tyre, hakërritet, egërsohet, por edhe merr fuqi arsyetimi dhe pushtet këmbënguljeje.

Bindja e Serembes është se shqiptarët duhet të kenë lënë diku një dëshmi, një shenjë, një simbol grafik, një semiologji të kohës, një gremç të artë, por dhe të padukshëm në formën e një kriptografie.

Duke qenë i zotëruar prej filologjisë, ai bëhet një lloj Aladini i filologjisë së emrit të Heroit, emër që ka përjetuar plot përçudnime, qoftë prej padijes, qoftë prej gabimeve të kopistëve, si p.sh., Scanderbego, Scanderebech, Scandaribech, Skandalbech. Përçudnimet e emrit e ruajnë njëfarë probabiliteti, por midis këtyre përçudnimeve ruhet edhe ermi, që sipas Serembes është çelësi i Davidit që i hap gjitha portat e fshehtësive, të sekretit të dhimbshëm të vendvarrosjes së trupit të Skënderbeut.

***

Në vitin 1468, pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut, Ferdinandi i Aragonës i dërgon një letër së vesë së Heroit. Me këtë rast, në letër shkruhet « Scandalibech ».

Serembe mendon se kemi të bëjmë me një kriptogram të jashtëzakonshëm, të habitshëm, sfidues, grishës, marramendës.

Është një fjali konvencionale, e cila duhet ta shpërthejë substancën e saj në secilën germë në vetvete, germë nismëtare, kuptimore, kumtmbartëse.

Gjithë misteri lidhet me lehtësinë e të lexuarit nga e djathta në të majtë, pra në të kundërt, sipas leximit arab dhe jo atij latin.

Kështu kemi të bëjmë me këto germa iniciale të mëdha : H. C. E. B. I. L. A. D. N. A. C. S.

Duke plotësuar germat nistore me fjalë latine, formojmë përfundimisht, ultimisht, konkretisht, fuqimisht, lehtësisht, mrekullisht dhe marrëzisht, këtë fjali : HUMILITER CORNU EPISTOLAE BARBARIS IN LOCO ANGUSTO DOMINI NOSTRAE ALBANIAE CELAT SEPULERUM.

Një përkthim i lirë i kësaj latinishteje hieronimase, na njofton se Zoti i Shqipërisë (pra Gjergj Kastriot Skenderbeu) e ka të vendosur salmën (kufomën) në një vend të ngushtë pranë altarit, në krah, ku lexohet Epistula.

Cila Epistula (Letra) ?

Një Epistula biblike si ato të Shën Palit, apo një Epistula Testamentum, e vetë Skënderbeut?

Serembe nuk e ftillëzon enigmën e Epistula-s.

Këtu nis terri.

E padepërtueshmja.

Mbase Serembe ishte frymëzuar nga Kabala, ku kombinimi i germave përfton krijesa fantazmagorike.

Një shkrimtar entuziast do ta besonte, do të thurte subjektin tronditës, ku përtej të Pabesueshmes gjallon e Besueshmja.

Por një shkrimtar i tillë nuk ka lindur ende.

Për fatin e mirë shkrimtarët mediokër janë indiferente, trillet e dijes për ta janë kotësi shqetësuese, bezdisëse.

***

Serembe shpiku një ide, bëri piedestalin për një monument të mangët, parashtroi, por nuk vërtetoi. Këmbënguli, por nuk gjeti dot asgjë.

Hodhi një fishekzjarr, por terri nuk u tërhoq. Parandjeu, bëri një nisje, por nuk arriti.

Skeptikët nuk guxuan ta mëshironin, as ta përkëdhelnin.

Skënderbeu i gjallë ishte pa varr.

Por edhe pas vdekjes nuk i duhet varri.

Varri?

Një rrobë e gardërobës funerare?

S'ka nevojë heroi për këtë rrobë simbolike.

***

Heroi s'ka varr se është në substancën e Historisë. Varri hapet,prishet, profanohet, shkaterrohet  në tokë, por jo në Histori.

***

Varri është konvencional,- përtej Konkretësisë. Historia është konkrete,- përtej Konvencionalitetit.

Skënderbeu s'ka varr!

KY VARR JEMI TANI VETE NE!

DHET ATA, QE DO TE VIJNE NE AMESHIM!

Një vend imagjinar nuk i duhet askujt!

DITA

Nisin “ethet” për guvernatorin e ri të BSH, këtë vit mbaron mandati i Sejkos

Posted: 22 Feb 2018 01:30 AM PST

Mandati i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Genti Sejko dhe i katër anëtarëve të këshillit të Mbikëqyrjes, Petraq Milo, Dhori Kules, Ela Golemit dhe Elisabeta Gjonit, përfundon në nëntor të këtij viti.

"Ethet" e zgjedhjes së guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë tashmë kanë filluar dhe janë disa pretendentë në garë, përfshirë edhe guvernatorin aktual.

Gent Sejko u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë.

Si pasojë e përfundimit të mandatit 7 vjeçar të guvernatorit, këtë vit rihapet gara për Guvernatorin dhe 4 anëtarë të Këshillit të Mbikëqyrjes, të cilët duhet të rizgjidhen ose te ikin nga pozicionet jo më vonë se nëntori i këtij viti.

Neni 161 i Kushtetutës përcakton se, Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Gjithashtu anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.

Edhe profesor Arben Malaj konfirmoi për Monitor se ai është një prej emrave që u mbaron mandati, pasi ka zëvendësuar mandatin e znj.Ermelinda Meksi.

Po çfarë parashikon komentari i nenit 44, lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Këshilli Mbikëqyrës dhe guvernatorit:

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë:

-Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi;

-Tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave;

-Një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.

Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë  persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe kanë:

Arsimin e lartë ekonomik ose juridik; përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare; kualifikime profesionale të profilit; përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare; të mos kenë pengesa të parashikuara në nenin 47.

Afati i qëndrimit në detyrë për çdo anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, për guvernatorin dhe zëvendës guvernatorët është shtatë vjet, duke synuar që datat e mbarimit të këtij afati të çdo anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të jenë të shpërndara gjatë periudhës shtatëvjeçare. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori dhe zëvendës guvernatorët mund të rizgjidhen, përveçse kur shkarkohen sipas rasteve të parashikuara në nenin 47 të këtij ligji.

Drejtuesit e BSH që u përfundon mandati

-GENTI SEJKO u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ai mori mandatin e lënë përgjysmë të nisur nga guvernatori Fullani në vitin 2011.

-DHORI KULE është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.

-ELA GOLEMI është zgjedhur anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor 2011 dhe nga muaji gusht 2015 është anëtare edhe e Komitetit të Auditimit të Bankës së Shqipërisë.

-ELISABETA GJONI është Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012. Ajo është edhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit nëntor 2011.

-PETRAQ MILO është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011

-ARBEN MALAJ-zëvendësoi mandatin e Ermelinda Meksit./Monitor

l.h/ dita

Si ju leverdis të merrni kredinë për shtëpinë në euro apo lekë?

Posted: 22 Feb 2018 01:18 AM PST

Nëse ke vendosur të blesh një shtëpi që kushton 75 mijë euro dhe banka të financon deri në 70% të shumës, pra 52,500 euro, dilema e shumëkujt është se në çfarë monedhe duhet ta marrë kredinë, nëse të ardhurat i ka në lekë.

Por, sa janë këstet mujore nëse e merr huan në 20 vjet? "Monitor", bazuar në kalkulatorin e kredisë, ka bërë llogaritjet për huan në euro në shumën 52,500 euro dhe të njëjtën shumë konvertuar në lekë me kursin aktual, rreth 7 milionë lekë, për një afat prej 20 vitesh, bazuar në normën aktuale të interesave të kredive për pasuri të paluajtshme.

Në euro

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në dhjetor, interesi i kredisë së re për blerje banesash për individë në euro ishte 2.99%. Më këtë interes, shuma mujore që duhet të paguajë individi për 20 vjet është 291 euro (interesi llogaritet mbi principalin e mbetur dhe bankat e ndajnë pagesën mujore në këste të barabarta). Në fund të 20 viteve, individi do të ketë paguar gjithsej 69,818 euro, pra interesat e paguara arrijnë në 17,313 euro.

Në lekë

Nëse disa vite më parë diferenca e lartë mes interesave të kredive në lekë dhe në euro ishte një joshje e madhe, pasi arrinte ne 5-6 pikë përqindje, vitet e fundit ajo është reduktuar dukshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, në dhjetor, norma e interesit për kreditë e reja në lekë për blerje të pasurive të paluajtshme ishte 3.82%, pra vetëm një pikë përqindje më shumë se ajo në euro. Për një shumë prej 7 milionë lekë, për 20 vjet, kësti mujor është 41,758 lekë. Në fund, individi do të paguajë 10 milionë lekë, nga të cilat interesa janë 3 milionë lekë.

Rreziku i euros

Nëse kushtet mbeten siç janë sot, nëse e merr kredinë në monedhën e përbashkët fiton 5,500 euro nga interesat. Por, rreziku më i madh lidhet me ecurinë e kursit të këmbimit, në momentin që të ardhurat i ke në lekë. Psh, nëse leku zhvlerësohet në 147 lekë, shuma totale që do të duhet të paguhet në lekë për kredinë në euro arrin në 10.3 milionë lekë, pra më shumë sesa po ta kishte marrë huan që në fillim në lekë. Sa më shumë të zhvlerësohet euro, aq më shumë rriten humbjet, të cilat janë veçanërisht të larta për bizneset, që kanë dhe shumat e kredisë dhe këstet mujore shumë më të larta sesa individët.

Me një situatë të tillë janë përballur të gjithë ata që e morën kredinë në vitin 2005, kur euro këmbehej me rreth 124 lekë. Teksa pas 2009-s, monedha e përbashkët filloi të zhvlerësohej me shpejtësi, për të qëndruar në nivelet e 140 lekëve për gati 7 vjet radhazi, kjo shkaktoi humbje të mëdha për personat që i kishin të ardhurat në lekë. Psh, në vitin 2005, një individ që kishte këste mujore prej 300 eurosh i duheshin në vit 446 mijë lekë, ndërsa në periudhën 2011-2015 i duheshin mesatarisht 504 mijë lekë në vit, pra 57,600 lekë më shumë në vit.

Në fund të vitit 2017, huaja në valutë përbënte 50% të totalit, sipas statistikave të BSH. Pesha e kredisë në monedhë të huaj ka rënë ndjeshëm në krahasim me një dekadë më parë, kur ajo i kalonte 70% të totalit.

Banka e Shqipërisë ka filluar së fundmi një fushatë për deeuroizimin e ekonomisë. Në një ndryshim të fundit të rregullores "Për disa ndryshime në rregulloren "Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare" ka shtuar përmbajtjen e mëposhtme: "Në rastin kur klienti aplikon për një kredi në monedhë të ndryshme nga ajo në të cilën gjeneron të ardhurat, dhe kur banka vlerëson se kapacitetet e tij për t'u mbrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit janë të pamjaftueshme, banka i ofron klientit, si alternativë, një kredi të krahasueshme në monedhën në të cilën gjenerohen të ardhurat e tij"./ Monitor

l.h/ dita

Jam i lodhur nga betejat, po ky s’është kushtrimi i fundit…

Posted: 22 Feb 2018 01:03 AM PST

Dhe të ligem dhe të tretem,
dhe të bie-të rrëzohem,
dhe Një i vetëm të mbetem,
unë kurrë s'dorëzohem!

Le të më braktisin miqtë,
në një stinë varfërie,
më mirë vdes dhe për të liqtë,
nuk thur himne dashurie!

Dhe kur bosh ta kem kuletën,
meraku nuk do më hajë,
dhe të mbetem Një i vetëm,
derrit kurrë s'do t'i them dajë!

Ju të liq e hipokritë,
që gjithmonë duartrokisni,
shpata do t'ju bjerë një ditë,
nga ai që nuk e prisni!

Pak ësht' dhe kazan i Ferrit,
për ju që s'doni Lirinë,
jini gijotinë e nderit,
jini një me shtazërinë!

Për batakun ku ju rrini,
jam vërtet i zëmëruar,
se për hallet që ju kini,
jetën time kam shkurtuar!

Tërë jetën kokëulur,
në kënetën ku jetoni,
me gurë më jini sulur,
ndaj llumin e meritoni!

Jini turp' i njerëzisë,
që qëlloni veç me gurë,
po unë këngën e lirisë,
nga buza nuk e heq kurrë!

Këndoj këngën e Kreshnikëve,
që kur feks e gjersa muket,
gjersa rracë e zvarranikëve,
nga historia të zhduket!

Ata duan veç një jetë,
llumin ku veten ushqejnë,
ndaj kanë miliona vjet,
që shqiponjat i urrejnë!

Të dalin nga llumi i tyre,
zvarranikët nuk guxojnë,
ndaj së fundmi këtë Botë,
shqiponjat do ta gëzojnë!

Nesër Diell' i Lirisë,
do të thajë çdo kënetë,
e ardhmja e Njerëzisë,
guximtarëve u përket!.

Për vete nuk kam shumë shpresa,
të shoh me sy mrekullinë,
ndaj bekim për njëmijë breza,
do lë himnet për lirinë!

Do vijnë kohë të reja,
si shpërblim i gjithë mundit,
jam i lodhur nga beteja,
po ky s'është Kushtrim i fundit!

Arben Duka

Shpërthen mina, plagosen 5 minatorë

Posted: 22 Feb 2018 01:01 AM PST

Pesë minatorë kanë mbetur të plagosur këtë të enjte në minierën e Shëngjunit në Klos.

Tre prej minatorëve mësohet se kanë marrë plagë më të rënda dhe janë nisur drejt Tiranës.

Ngjarja ndodhi pas mesnate rreth orës 01:00, në galerinë e minierës me hyrje në fshatin Shëngjun, Klos dhe me drejtim nga qyteti i Bulqizës.

Policia deklaron se gjatë punës dy prej tyre kanë rënë në kontakt me një minë të pa plasur, e cila ka shpërthyer  dhe  për pasojë janë dëmtuar edhe tre punëtorët e tjerë që ndodheshin në këtë front.

"Grupi i punëtorëve i ndërtimit të minierës, në tranverbangun e minierës, gjatë punës dy prej tyre kanë rënë në kontakt me një minë të pa plasur, e cila ka shpërthyer dhe për pasojë janë dëmtuar edhe tre punëtorët e tjerë që ndodheshin në këtë front", sqaron policia.

Të plagosur nga kjo ngjarje kanë mbetur Q.L, 49 vjeç, SH.L, 32 vjeç, R.S, 57 vjeç, të cilët janë dërguar për ndihmë më të specializuar drejt Tiranës, si dhe K.M, 31 vjeç, B.H, 28 vjeç. Këta të fundit po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Burrelit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në ndihmë të grupit hetimor kanë shkuar ekspertët e RISHMIT, për të vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

l.h/ dita

Kronikë e një refuzimi të paralajmëruar

Posted: 22 Feb 2018 12:57 AM PST

 

Bedri Islami

 

Nuk besoj se ka njerëz në Shqipëri, të cilët duke i ditur marrëdhëniet mes presidencës dhe qeverisë, pra, mes institucionit të Presidencës dhe të Kryeministrisë, që do të thotë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, të mos e kenë ditur se do të ketë një refuzim, sado të mirësjellshëm nga Presidenti për plotfuqishmërinë e dialogut Shqipëri – Greqi, në njërin nga problemet më të mprehta: ndarja e detit.

Pse ka qenë e paralajmëruar:

Së pari, Meta, në kohën kur mbante postin e zëvendës/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe në Gjykatën Kushtetuese po gjykohej nënshkrimi i marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2008 nga Basha dhe Bakojanis, ishte njëri ndër mbrojtësit më të zellshëm të saj.

Mbrojtjen e tij e kishte publike, me tërë autoritetin që i jepte posti i tij i dyfishtë dhe fuqia e tij si pjesë e domosdoshme e koalicionit.

Pranimi i një marrëveshje të re, kaq lehtësisht, pa kaluar në pragun e tij, do të thoshte pranim i drejtpërdrejtë, e jo pak i turpshëm, i fajit të madh politik me mbrojtjen e saj.

Duke pranuar faktin se një marrëveshje e re do të ishte diçka ndryshe, dhe, si duket, e bashkëshoqëruar edhe me disa marrëveshje të tjera, si heqja e Ligjit të Luftës, rikthimi i pronave për shqiptarët e dëbuar me forcë dhe dhunë, rishikimi i pronave etj, do të ishte një humbje e pamasë e kredibilitetit të qeverisë së mëhershme, që edhe kështu ka pasur goditje të mëdha.

Së dyti, ishte një kronikë e paralajmëruar, pasi, ende pa e ditur përmasën reale të asaj që ishte bërë apo mendohej të bëhej, u fillua show politik i konsultimeve me ish presidentët.

Prej tyre, njëri kishte qenë hartuesi, frymëzuesi dhe i akuzuari për shitjen e detit në marrëveshjen e parë, të hedhur poshtë në Gjykatën Kushtetuese. Tjetri, Topi, në kohën e presidencës së tij nuk ishte pyetur në asnjë çast nga ish shefi i qeverisë, që dikush u kujtua se paska qenë edhe president dikur, duke harruar se pas tij ndodhi qameti i vitit 1997. Bamir Topi, njeriu që duhej të ishte pyetur para 10 viteve, do të konsultohej tani. Pastaj Mejdani dhe Moisiu.

Të gjithë ishin perdja e konsultimit publik me Berishën. Konsultimi mund të bëhej edhe fshehtas, por u bë publik, pasi duhej dhënë mesazhi se "unë jam edhe një herë me Berishën, kundër qeverisë Rama".

Së treti, para se të fliste presidenti Meta, në një dalje publike që nuk ishte e nevojshme dhe që e nxori shtetin shqiptar edhe një herë lakuriq në politikën e tij të jashtme, foli "zëdhënësi" i tij i pashpallur, Manjani.

Kushdo e di se daljet e ish ministrit të drejtësisë nuk janë spontane. Do të ishin rastësi të tepërta, nëse do të kishte ndodhur kështu.

Por, ndërsa Manjani ishte i shkurtër në deklarimet e tij, zgjatja e "sqarimit" të presidentit tha shumë më tepër se do të kishte dashur të thoshte: Unë e kthej, sepse dua ta kthej. Nuk e jap miratimin tim, pasi, edhe nëse mendoni se gjithçka do të kalojë lehtë, unë jam i njëjti në ditët e stuhishme të zgjedhjeve të 25 qershorit të vitit të shkuar.

Edhe gjërat e drejta, të domosdoshme, që kërkonte Presidenti i vendit humbën në çikërrimat burokratike, të cilat mund të zgjidheshin mes këshilltarëve dhe nuk do të ishin në atë monolog e dialog të gjatë dhe të panevojshëm.

Duke thënë shumë, ai bëri publike atë që ishte ditur: nuk jam një kafshatë që kapërdihem lehtë.

Duke qenë i ashpër me qeverinë shqiptare, ai u shfaq, jo çuditërisht, i butë dhe i sjellshëm me qeverinë greke.

Duke pritur reagim të ashpër nga qeveria shqiptare, si kthim i të njëjtës monedhë, ndodhi e kundërta; ashpërsia i erdhi nga pala ku donte të ishte i butë.

Së fundi: pse e bëri të gjithë këtë?

Ka shumë arsye, disa nga të cilat janë të paarsyeshme, dhe të tjera që mund të ishin zgjidhur brenda institucioneve.

Njëra prej tyre, ndoshta më e rëndësishmja ishte një kthim borxhi i vonë ndaj dobësisë së tij politike, Berisha.

Borxhi i vonë, gëzon të zonë, thoshin dikur. Berisha duhet të jetë i gëzuar, por ky kthim nuk është i mjaftueshëm për të.

Ai do të kërkojë edhe më shumë, hedhjen në erë të të gjitha marrëveshjeve që janë duke u përgatitur, sipas motos të tij të njohur: pas meje, u bëftë qameti.

Si duket Edi Rama e ka pritur këtë refuzim. Ndoshta edhe e ka nxitur atë.

Duke mos dashur të ndajë me askënd suksesin, ai ka hedhur drejt presidencës ato shkopinj, të cilët, duke u kthyer, nuk do e godisnin atë, por kundërshtarin e tij të tashëm.

E vetmja gjë që qëndron mbi to, Shqipëria, nuk llogaritet në këtë rast.

Kuptimi i trëndafilit të bardhë në “Brit Awards 2018”!

Posted: 22 Feb 2018 12:56 AM PST

Në eventin e përvitshëm që u mbajt mbrëmë, "Brit Awards",u vu re një aksesor që shoqëronte të ftuarit teksa parakalonin në tapetin e kuq.

Gjithsecili nga ata,mbante në dorë një trëndafil të bardhë dhe kuptimi është emocionues.

Ky aksesor është bërë pjesë e mbrëmjes në kuadër të fushatës "Time’s Up",fushatë kjo në sensibilizimin e abuzimeve seksuale në industri.

Hidhini një sy fotove sesi dukeshin të ftuarit teksa pozonin me trëndafilin e bardhë:

a.k/dita

Ku do dallojë nga 2009!

Posted: 22 Feb 2018 12:45 AM PST

 

Artan Xh. Duka

 

Reagimi presidencial ndaj kërkesës për plotfuqishmëri në negociata me Greqinë me sa duket do të interpretohet gjatë por në fund të fundit, theksimi i transparencës së mëtejshme të procesit dhe gjithëpërfshirja në parim nuk është asnjëherë e tepër kur vjen puna për negociata nga përfundimi i të cilave fitojmë apo humbasim të gjithë si shoqëri.

Shumë e madhe për rreth të vogël

Suksesi i një marrëveshje të re do të ekspozonte përfundimisht 2009 që e lakuar për mungesën e transparencës e gjithëpërfshirjes, nuk ofroi ç'ka pritej. Përkundrazi, në 2009 gjërat u bënë "mullar" para kamerave pa u morën vesh më pas dhe, në mos për kolonelin lavdimadh e analistët kurajoz, iniciativën ligjore opozitare dhe vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese, sot si zor se do të ndjeheshim mirë si komb më 28 nëntor.

Shpëtuam për një fije i thonë një fjale më 2009 e tani, edhe kosit t'i fryjmë dhe e kemi pak! Rama e qeveria e tij, ndryshe nga 2009, duhen përshëndetur e përgëzuar për iniciativën ditën me diell, kurajon dhe dinjitetin në ballafaqimin me palën greke për kauzat tabu historike por ndërkohë është e rëndësishme që proçesi të ndiqet edhe nga "sy" të tjerë, Presidenti si simbol i kombit, Kuvendi etj. Kjo, edhe në interesin e qeverisë sepse e lehtëson këtë mision dhe e "imunizon" nga degradimi si në 2009.

Nuk bëhet fjalë që, nëse "djalë" meritën ta mbajë për vete dhe nëse jo, asnjë palë të mos ketë gojë e bëjë patriotin duke qenë vetë në "rreth" por për të rritur gjasat për suksesin e negociatave dhe ndarë suksesin me mbarë kombin që është privuar gjatë nga e drejta historike e tij.

Edhe prift, edhe mjekrën!

Në negociata për interesin e përbashkët askush nuk është i tepërt, vetëm nëse vet-përjashtohet se mbeten peng të 2009. Trimi i mirë me shokë shumë vlen më tepër se i vetëm trim në luftë sa kohë çdonjëri mban vendin e tij protagonizmi qeveritar mbetet real.

Këto negociata duhet të reflektojnë prej 2009 dhe mirëkuptimi dhe gatishmëria për transparencë e gjithëpërfshirje institucionale do garantonin më tej si suksesin e tyre ashtu dhe unifikimin e kohezionin mbarëshqiptar për një kauzë që na përket të gjithëve. Nuk është çështje erzi, zilie, karshillëku etj., por çështje e të gjithëve dhe gjithkush në një pozicion të caktuar, ka të drejtën e detyrimin historik e kombëtar të kontribuojë në të.

Me këtë çështje nuk ka pse bëhet politikë, karshillëk apo retorikë patriotike e pa vend. Hiletë e blofet e ditës së politikës nuk kanë vend në kauza si kjo. Nëse spekulohet, koha e ekspozon shpejt dhe turpi vjen pas. Ndaj, është momenti që secili t'i japë shoqi-shoqit avantazhin e dyshimit apo ndryshe mirëbesimin paraprak. Pavarësisht asaj çfarë ndodhi më 2009 dhe epiteteve që shkëmbyen palët në atë debat të tensionuar publik gjithkush ka të drejtën e reformimit e reflektimit boll të mos ketë "veto" mes nesh kur vjen puna për interesin kombëtar.

Dyshja gjithëpërfshirje-transparencë në respekt të protagonizmit real të qeverisë është garanci më tej si për suksesin e të zezës mbi të bardhë me palën greke ashtu dhe imunizimin e procesit nga dështimi i 2009 që i privuar nga këto premisa, mbolli mollën e sherrit e provokoi paragjykim e antagonizëm mes nesh dhe tensionoi artificialisht marrëdhëniet me fqinjin jugor që gjeti shesh, bëri përshesh por mbeti me lugë në dorë!

Është momenti të respektohen ca parime pa kompleksin se kush i propozon ato. Jo garë mes vetes për gurin e arrën që bëhen të pavlera politikisht e moralisht prej transparencës por garë me tjetrin matanë. Më së pari gjërat duhet të sheshohen mes nesh. Nuk është koha për të nxjerrë kunja me njëri-tjetrin por arritur një marrëveshje që është e drejtë për kombin. Thjesht më e mirë se ajo e 2009 nuk mjafton!

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more