Skip to main content

“Sinoptika e termit “gënjeshtër”” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Sinoptika e termit “gënjeshtër”” plus 1 more Telegrafi Opinione


Sinoptika e termit “gënjeshtër”

Posted: 22 Jan 2018 05:57 AM PST

Hyskë Borobojka

Thonë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por në vendin tonë i ka aq të gjata sa s'maten as me centimetra e metra, por as me orë, ditë, javë, muaj e vite, por me kilometra e dekada. Kur mileti, pa dallim feje, krahine dhe ideje u ngrit në luftë për liri, kundër zaptuesve fashistë e nazistë, u pretua me bujë të madhe se pas çlirimit të vendit do të vendosej demokracia, do ngjallej e do forcohej ekonomia dhe mileti do të "hante me lugë floriri".

Por (ah, kjo qerrata lidhëz kundërshtuese) premtimet u shndërruan në gënjeshtra. "Lugën e floririt" e zëvendësoi triska ordinere 400 gramë bukë në ditë, herë prej gruri e më shumë prej misri hibrid. Pasuria e vendit u bë rrush e kumbulla. Blegtoria rreth tetë milionë krerë filloi të firapsej aq sa la si kujtim të tufave të mëdha me dhen e dhi vetëm lëkurët. Thonë se partia shtet u përpoq me mish e me shpirt ta shtonte e ta shumonte, madje një rreth blegtoral, siç ishte Gjirokastra, vendosi që për pesë vjet të mos therej asnjë bagëti, që të arrinte numrin, që gëzonte ky rreth para luftës. Por, edhe kjo "iniciativë" nuk pati sukses e përfundoi në gënjeshtrën e radhës. Disa ekonomi blegtorale dhanë alarmin: "Lajmëroni qeverinë, të na heqë babëzinë, na farosi bagëtinë"

Filluan "Lart e më lart fjamurët e kongreseve të Partisë shtet, me këngë e valle e me premtime të mëdha"." T'u qepemi kodrave dhe maleve, që t'i bëjmë pjellore si dhe fushat" për të siguruar më "forcat tona" bukën në vend". U prishën kullotat, u punuan livadhet alpine, u shkatërrua natyra e bukur në male e lugina, u hapën toka të reja e u mboll, por në vend të korrnin grurë, të prisnin misër e te shkulnin patate, selitën gjemba, ushqim të preferuar për gomarët. Vazhdonin premtimet me "hapa vigane" të shoqëruara nga dështimet e gënjeshtrat me bisht.

Por, diktatori i partisë shtet deklaronte: "Atë që ka bërë sistemi ynë socialist brenda një kohe kaq të shkurtër, një regjimi kapitalist do t'i duheshin qindra vjet. Le të marrim për krahasim një fqinjin tonë, Greqinë kapitaliste. Në çdo pikëpamje ta shohësh s'mund të ketë asnjë krahasim me transformimet e mëdha që ka bërë vendi ynë gjatë këtyre viteve pas çlirimit në pushtetin popullor, nën udhëheqjen e Partisë tonë të lavdishme të Punës. Për të pasur një tablo më të qartë, Greqia nuk duhet të matet me neonet e Athinës, por me gjendjen e mjerueshme ekonomike".

Pas gjithë këtyre "fitorjeve" (më falni, gënjeshtra) vendi arriti "lumtërinë" duke ecur "përpara" (si gaforrja) nga triska te talloni dhe radhët e gjata për qumësht e vajguri.

Ra diktatura e partisë shtet, siç bien gjethet e pemëve kur afrohet dimri. U shthur shtrunga e izolimit shumëvjeçar. Mileti mori arratinë, nga sytë këmbët, për në Evropën kapitaliste. "që do t'i duheshin qindra vjet të bënte atë që kishte bërë sistemi ynë socialist brenda një kohë kaq të shkurtër". Shumë prej tyre gjetën jatak e punë në "Greqinë kapitaliste", "që s'mund të krahasohej me transformimet e mëdha, që kishte bërë vendi ynë gjatë një kohe kaq të shkurtër". U krijuan partitë, të mëdha e të vogla, me premtime të shumta për liri, demokraci e mirëqenie ekonomike.

Fjala me tri rrokje "gënjeshtër" u zëvendësua me sinonimin e saj me katër germa, "rrenë". Partitë e reja s'e harruan traditën e vjetër të premtimeve gënjeshtare. U shpall fitimtar "Çeku i bardhë", që vazhdoi rrenën e radhës. U krijua "Qeveria e Stabilitetit" që do stabilizonte vendin e të ngjallte ekonominë, por vazhdoi avazin e vjetër me rrena të reja. Pastaj trokitën e zunë vend "Firmat Piramidale" me gënjeshtrën e madhe, se mileti fukara do bëhej i kamur, sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Por, edhe këto viranë s'e patën të gjatë, u dolli shpejt kallaji i gënjeshtrave. Për të gjetur paratë e humbura në to me metodën e vjedhjes "ligjore", u krijuan "Komitetet e Shpëtimit", që thirrën miletin të rrëmbente armët e të këndonte: "O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje ja liri"?!

Duke grabitur e vrarë miletin e pafajshëm, në horizont u dukën e zunë vend qeveritë me ngjyra të ndryshme, me zotime e premtimi të mëdha. Por, nuk e harruan pa lakuar emrin "gënjeshtër" në të gjitha gjinitë e rasat dhe foljen "gënjej" në të gjitha vetat, kohët e mënyrat. Në pushtet erdhi Qeveria e "Duarve të Pastra" më zotime e premtime të mëdha. Por, ç'e do, ato të uruara duar u ndotën e u lerosën shpejt, aq sa kryetarit të saj i mbetën në dorë gërshërët për të prerë shiritat e ndërtimeve gjysmake, si gjysmagjeli i përrallës.

Kaluan disa vite me slogane "fitorjesh" dhe vendin e saj e zuri qeveria e "Rilindjes së Re" që e kishte hapur grykën e thesit të madh të premtimeve. U betua 'për qiell e për dhe' se do të hapte 300 mijë vende pune. Shërbimin shëndetësor do ta bënte falas për gjithë kallaballëkun, do të ulte taksat e do rriste rrogat e pensionet, do t'i shpallte luftë për vdekje krimit të organizuar. Do ta ngjallte e ta çonte përpara ekonominë. Do të ulte çmimin e energjisë elektrike dhe të ujit, do të sillte investitorë të huaj, do ta zhdukte nga faqja e dheut firaunin kanabis, që kishte për "atdhe" Lazaratin. Ajo do ishte vazhdimi i "Rilindjes së Madhe" (vetëm me një ndryshim të "vogël": rilindësit e mëdhenj dhuruan pasurinë për Shqipërinë, kurse këta të rinjtë, rropën Shqipërinë, për të shtuar pasurinë e tyre).

Por (oh, kjo viran lidhës kundërshtuese), ku ishe?! Hiç gjëkundi! Ç'bërë?. Hiç asgjë. Ekonomia mori rrokullimën aq sa zuri fundin, jo vetëm të Evropës, por edhe të Ballkanit. U rriten taksat për taksapaguesit e bizneset e vegjël për gjatë katër viteve. Çmimi i energjisë elektrike u rrit. Bashkë me të edhe i ujit. Ranë investimet e huaja. Përvojën e kanabisit fitimprurës të Lazaratit, "Rilindja e Re" e përhapi në të gjithë vendin, aq sa prodhimi i tij ishte aq i madh sa s'matej me gram, kilogram e kuintal, por me tonelata. Transporti i tij drejt Evropës e botës, nuk bëhej me trasta e çanta, por me kamionë nga toka, me gomone nga deti e me avionë nga qielli. Qeveria e "Rilindjes së Re" e mbylli me "sukses" e "fitorje" mandatin e parë të qeverisjes. Për këto arritje të "të papara" rapsodët kurdisën çiftelitë e tamburatë e kënduan: "Premtimet lumë/ Gënjeshtrat pa fre/ Rroftë e mbretëroftë/ "Rilindja e re"!

Filloi mandatin e dytë. E festoi me brohoritje njëqind ditët e para të tij me premtime (gënjeshtra) e suksese (dështime) të reja. Por, ekonomia e vendit s'po merrte për mbarë. Krimet e organizuara vazhdojnë rregullisht çdo dite. Në një qytet vendoset në mes të pazarit 'zoti tritol' që shpërthen me komandë duke i dërguar në spital tetë qytetarë kalimtarë. Në kryeqytet kërcet koburja e kallashnikovi, duke dërguar një qytetar në botën tjetër e tjetrin në spitalin e traumës, po kështu nuk ndalen të tjera vrasje, krime e vjedhje e grabitje bankash. Policia i gjurmon autorët e krimit, por ata çajnë ferrën në drejtimit të paditur. Në studiot televizive analistët e thekur, kompetentë për gjithçka, analizojnë e mundohen të përcaktojnë, cili nga ministrat e qeverisë te "Rilindjes së Re" është më i dalluari, në njëqind ditët e para të mandatit të dytë, që t'i varin në qafë zilen e arritjeve, sukseseve e "fitorjeve" apo këmborën e shpuar të dështimeve e vjedhjeve. Një profesoreshë e thekur, "sukseseve" të saj s'u ve dot notën "dhjetë", por i kalon me "gjashtë"!

Emri "gënjeshtër" dhe folja "gënjej" vazhdojnë të lakohen e të zgjedhohen në të gjitha rasat e mënyrat. Tranzicioni është ulur këmbëkryq e vazhdon, hiq e mos këput një çerek shekulli e ca. Rritet papunësia, dobësohet ekonomi, njerëzit përpiqen të largohen, se i lodhi e i këputi ky tranzicion që s'ka të sosur. Se kur do të përfundoje ky viran, që të jemi edhe ne si evropianët, ku duam të shkojmë?! Siç tregojnë bathët e priftit janë larg pashkët e përfundimit të tij. Prandaj, autori i këtij shkrimi, s'beson t'ia arrijë përfundimit të tij, prandaj ka lënë amanet, me gojë e me shkrim, që mbi pllakën e banesës së tij të përjetshme, të vendoset ky epitaf: "Hyske Borobojka: E kaloi fëmininë dhe rininë në kohën e trishtimit. U burrërua në epokën e tallonit dhe ndërroi jetë gjatë tranzicionit të pasosur"!

The post Sinoptika e termit "gënjeshtër" appeared first on Telegrafi.

Grackat dhe rreziqet e një ideje

Posted: 22 Jan 2018 05:35 AM PST

Duke parë indiferencën time të plotë ndaj festimeve në rrugë, jo vetëm kur fiton skuadra e zemrës, por edhe për festa të shënuara kombëtare, shoku im pati ardhur në përfundim se është e pamundshme që unë të dilja dhe të festoja për një ditë të veçuar në kalendar. Shokut tim i pata thënë se, megjithatë, kjo është e mundshme. I tregova se ekzistonte një rrethanë, e cila mund të më 'detyrojë" të dal e të festoj në rrugë, të festoj me gëzim, në delir e si i hallakatur dhe të mbështillem me flamur e të lyej fytyrën si në karnaval. Të festoj në një mënyrë, sikur kjo të ishte dita e fundit e jetës sime, sikur kjo të ishte dita e fundit e ekzistencës së këtij planeti – të mos më mbetej merak për asgjë, të mos më dhimbsej më asgjë. Dhe, kjo do të ndodhte vetëm nëse festa do të mund të bëhej në rrugët e Preshevës, në rast se do të ndodhte mrekullia dhe shqiptarët e Luginës do të mund ta fitonin – në ndonjë mënyrë – lirinë dhe të mos vazhdonin të lëngonin nën çizmen serbe. Dhe, kjo është ëndrra ime.

Megjithatë, jashtë ëndrrës, romantizmit, iluzioneve e emocioneve… na thërret realiteti i zymtë, vrazhdësia e një bote të udhëhequr nga shumë interesa, nga tepër pak drejtësi dhe nga asnjë pikë mëshire. Kthehemi pra e flasim për këtë botë. Me një fjalë, të zgjohemi e të mundohemi ta pranojmë dhe t'i përshtatemi kësaj bote. Dhe dëgjojmë e lexojmë idenë e akademik Rexhep Qosjes për shkëmbimin e veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës.

Idetë për shkëmbime territoresh nuk janë të reja në fushën e gazetarisë e publicistikës shqiptaro e serbe, kurrë pa ia arritur të hyjnë në tryezat politike, diplomatike e ushtarake. Arsyeja për këtë është se shqiptarët e Kosovës kanë pasur vetëm pretendimet dhe të drejtën e popullatës shumicë, ndërsa serbët i kanë pasur krejt ato territore të 'shkelura me çizme ushtarësh'. Diçka që do të mund të ndihmonte në këtë rast, e ka vështirësuar tej mase çështjen: indiferenca makabre (shpesh rreshtimi i plotë kah serbët) e Shqipërisë Londineze ndaj territoreve të kontestuara.

Prandaj, retorika – s'mund të them as ideja – e Qosjes, pavarësisht sa e ëmbël dhe romantike tingëllon në shpirtin e një kombi, që po dështon të zgjohet dhe ta njoh realpolitikën dhe vrazhdësinë e një bote të dominuar nga forca, jo nga fjala, nuk është origjinale, por prapëseprapë mbetet e rrezikshme. E, ka një varg grackash e rreziqesh në këtë pazar të përfolur.

Rreziku i parë, më i lehti, është që tërë procesi i shtetndërtimit, i njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata dhe struktura jetike për ekzistencën e saj juridike, së paku të pushojë, së paku të pezullohet (dhe duhet ta dimë se në nyje botërore si Kosova, ngrirja mund të zgjasë me 60-70 vjet).

I dyti rrezik shfaqet në fillimin e pazarit. Fillimi i një pazari për dhe rreth Kosovës do të thotë – dhe, këtu nuk jemi aspak origjinalë – hapja e Kutisë së Pandorës. Sikur që ndodh rëndom, pas startit, fillon faza tjetër, shpërndarja e pazarit (ose retorika së paku) në rajon. Do të thotë, për shkaqe komplekse, që nuk ka nevojë të elaborohen më tej, një luftë tjetër, apo së paku, një zinxhir incidentesh e konfliktesh- sigurisht të armatosura – dhe një proces tjetër i paqes për gadishullin. Do të lëvizë Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi, me gjasë tërë Ballkani dhe me këtë, detyrimisht, tërë bota. Por, kur jemi duke folur për botën dhe qendrat e vendosjes, duhet të dimë shumë gjëra, para se të lëshohemi në aventura, të cilave nuk kemi forcë e as unitet t'iu arrijmë në fund. Përveç tjerash, duhet ta dimë se bota nuk është ajo që ka qenë më 1999. Me një shikim sipërfaqësor, duhet të shohim hamendjen e amerikanëve për politikën e jashtme (detyrimisht, duhet ta shohim se kush e sundon – sepse nuk qeveriset në këtë mënyrë – Shtëpinë e Bardhë), hutimin e evropianëve dhe ekspansionin në rritje të hegjemonisë së ariut rus. Këto shenja të qarta dhe shumë të tjera më të fshehura, u tregojnë atyre që duan të dëgjojnë se bota nuk është më ajo e vitit 1999. As afër saj!

Rreziku tjetër paraqitet nëse arrihet një marrëveshje për shkëmbime territoresh. Duke i njohur serbët, ne e dimë se pas një marrëveshjeje – e cila do të jetë, si gjithmonë, ambivalente, e vagullt dhe e paqartë – serbët nuk do ta respektojnë atë ashtu si pritet në botën normale, por brenda një nate dhe duke pasur arsyetimin e pranuar botërisht se po vinë për Veriun, do të bëjnë disa xhepa në Kosovë dhe nuk do ta japin tërë Luginën (arsyetimet: përkohësisht për sigurinë e enklavave në Kosovë dhe përqindja e papërillfshme në Medvegjë…). Kështu që, e lidhur ngushtë me rrezikun e fundit, por jo vetëm, në mëngjesin pas pazarit, ne do të kemi një Veri të pushtuar me hekur (prandaj, serbët do të diktojnë ujin e pijes për kosovarët dhe funksionimin e elektranave për rrymë), dhe – pas inskenimeve, për të cilat serbët janë të njohur dhe në stilin alla-Panda – do të kemi barrikadime të panumërta 'të përkohshme" të enklavave serbe brenda Kosovës. Krejt këto, duke pasur një Kosovë nën tytat e tankeve serbe të rreshtuara në Ibër dhe me shikim të qartë, kontroll të plotë dhe rreze vepruese në krejt territorin e Kosovës. E, ne e dimë shumë mirë se çfarë pavarësie mund të ketë nën rrezen e veprimit të tankeve serbe.

Edhe nëse krejt këto rreziqe që i përmenda do të ishin të zbehta e pa shumë gjasa që të ndodhin, ekziston një rrezik tjetër që do t'i trimërojë serbët për sa u tha më lart. Nëse do të hynim në transaksione me serbët tani ose në të ardhmen e afërt, detyrimisht ne do të përfaqësoheshim nga një elitë politike injorante, inferiore dhe e pamoralshme. Dhe si e tillë, e paaftë për të arritur rezultate edhe në biseda normale – e jo më në marrëveshje për shkëmbime territoresh – dhe, një konjukturë politike krejt e gatshme për koncesione që do ta bënin Kosovën një lëkurë leopardi.

Qosja bashkë me pasuesit e tij, para se të flisnin, do të duhej të mendonin bile për disa nga këto rreziqe. Rreziqe e kurthe të serbëve që, kësaj radhe, pas dështimit të tyre më 1999 – në të cilin dështim të tyre, ne kontribuuam vetëm me vullnet të mirë, fjalë e me gjak viktimash të pafajshme – mund ta zhbëjnë Kosovën. Sepse, që nga ajo kohë, kur rusët kërkonin copa buke në kontejnerë dhe ekonomia e tyre nuk kishte mundësi as t'i ndizte tanket, bota ka ndryshuar shumë, tepër shumë. Vetëm një gjë nuk ka ndryshuar. Shqiptarët ende merren vetëm me fjalë boshe, ende nuk kanë asnjë unitet, ende nuk kanë asnjë konsensus për shtetndërtim, ende nuk kanë asnjë ide.

Vetëm fjalë!

The post Grackat dhe rreziqet e një ideje appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more