Skip to main content

“Mbyllja e qeverisë në SHBA, mijëra punonjës në shtëpi” plus 9 more - Gazeta Dita

“Mbyllja e qeverisë në SHBA, mijëra punonjës në shtëpi” plus 9 more - Gazeta Dita


Mbyllja e qeverisë në SHBA, mijëra punonjës në shtëpi

Posted: 22 Jan 2018 02:40 AM PST

Qindra e mijëra punonjës federalë nuk kanë mundur të paraqiten në punë të hënën ndërkohë që senati amerikan po përpiqet t'i japë fund mbylljes së qeverisë.

Mbyllja nisi mesnatën e të premtes kur ligjvënësit dështuan të arrinin një shtyrje të financimeve federale. Përpjekjet për të arritur një kompromis para fillimit të javës së punës dështuan të dielën vonë.

Një votim për t'i dhënë fund mbylljes së qeverisë është shtyrë deri në orët më të vona të së hënës, çka do të thotë se shumë zyra të qeverisë federale do të qëndrojnë të mbyllura.

Senati mbajti një sesion të rrallë gjatë fundjavës në një përpjekje për të arritur një marrëveshje para fillimit të javës së punës. Por, pati pak shenja kompromisi ndërsa senatorët demokratë dhe republikanë fajësonin njëri tjetrin.

Demokratët duan që Trump të negociojë mbi emigracionin si pjesë e një marrëveshjeje për buxhetin, por republikanët thonë se nuk është e mundur asnjë marrëveshje ndërkohë që shërbimet federale qeveritare janë të mbyllura.

Republikanët kërkojnë financime për sigurinë në kufi, përfshirë murin e propozuar në kufirin me Meksikën, reforma në emigracion si edhe një rritje të shpenzimeve ushtarake. Dështimi për të rënë dakord për një marrëveshje, do të thotë që shumë punonjës federalë do të jenë të pezulluar, pa pagesë, deri sa ngërçi të zgjidhet.

Të shtunën Trump tha se votimi me shumicë të thjeshtë i nevojshëm për t'i dhënë fund situatës. Sipas rregullave të Senatit, buxheti kërkon 60 vota në dhomën me 100 anëtarë e kjo edhe për të kapërcyer taktikat bllokuese të kundërshtarëve.

Republikanët aktualisht kanë 51 senatorë, çka do të thotë që kanë nevojë për ndihmën e disa demokratëve për të miratuar buxhetin. Hera e fundit që qeveria u mbyll ishte në 2013 dhe mbyllja zgjati për 16 ditë. Ajo i kushtoi qeverisë 2 miliardë dollarë humbje në produktivitet dhe çoi në pasoja domethënëse negative në ekonomi.

Shakira akuzohet për evazion fiskal prej miliona eurosh, rrezikon 2 vite burg

Posted: 22 Jan 2018 02:32 AM PST

Këngëtarja e njohur kolumbiane  Shakira akuzohet se nuk ka paguar detyrimet ndaj shtetit, duke arritur shumën e 10 milionë euro evazion fiskal.

Partnerja e futbollistit spanjoll akuzohet nga Tatimet për mashtrim mes viteve 2011-2014.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta "La Vanguardia" dhe ka të bëjë me vitet ku këngëtarja jetonte në Spanjë, ku nuk kishte akoma një shtëpi zyrtare.

Sipas inspektorëve të Fisco-s në atë periudhë Shakira kishte qëndruar në Barcelonë më shumë se 183 ditë në vit, ku sipas ligjit ishte detyruar të paguante taksat në vend.

Fitimet e këngëtares, vijnë praktikisht nga koncerte jashtë, por tatimet spanjolle theksojnë se taksat për atë periudhë, Shakira duhet t'i paguajë në Madrid.

Të dhënat e revistës "Forbes", thonë se mes 2010 dhe 2015, Shakira ka fituar rreth 25 milionë euro në vit nga turet e saj muzikorë jashtë.

Tani fjala i kalon Prokurorisë.

Akuza mund t'i kushtojë shumë shtrenjtë yllit muzikor kolumbian, e cila rrezikon, përveç se një gjobë të kripur, edhe dy vjet burg.

Me 40-vjeçaren amerikano-latine, zgjerohet lista e "Vip"-ave që kanë përfunduar në shënjestër të Tatimeve spanjolle: në të shkuarën kanë qenë Leo Mesi, Kristiano Ronaldo, Hoze Mourinjo.

Çështja “Tahiri”, zgjatet me tre muaj afati i hetimeve

Posted: 22 Jan 2018 02:27 AM PST

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur afatin për veprime të mëtejshme hetimore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Bëhet e ditur se Krimet e Rënda i kanë zgjatur edhe me 3 muaj hetimet ndaj Tahirit.

Ish-ministri Tahiri hetohet si i dyshuar për lidhjet me të akuzuarit Habilaj për trafik droge.

Rama mbledh grupin e PS: Duhet të zgjedhim njerëz të punës

Posted: 22 Jan 2018 02:21 AM PST

Kryeministri Rama ka mbledhur paraditen e sotme grupin parlamentar të PS, në Kryesinë e Kuvendit ku kanë diskutuar për hapat e mëtejshëm të qeverisë dhe ku është theksuar punësimi i shqiptarëve.

Rama është shprehur se “punësimi është problemi kryesor i shqiptarëve. Ne nuk duhet ta anashkalojmë. Por duhet të jemi të kujdesshëm. Njerëzit që ne do të përzgjedhim duhet të jenë të punës. Përzgjedhjet tona duhet të jenë cilësore. Deputetët duhet të përfshihen në aksionet e qeverisë për titujt e pronësisë dhe aksionin e ujit".

Rama u ka kërkuar deputetëve që të kenë një rol më aktiv për përmirësimin e shërbimeve publike nga zyrat shtetërore.

 

Shqipëria e “sëmurë”: Konsumi i ilaçeve arrin rekord, kalon 230 milionë euro

Posted: 22 Jan 2018 02:06 AM PST

Edhe pse popullsia e vendit po vjen ne trend rënës për shkak të tkurrjes së numrit të lindjeve dhe emigracionit të lartë, konsumi i ilaçeve po rritet me ritme dyshifrore vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, importi i produkteve farmaceutike shënoi rritje si në peshë dhe në vlerë në vitin 2017, teksa trendi rritës ka nisur qysh në 2013-n.

Të dhënat zyrtare tregojnë se më 2017 u importuan 5,492 ton barna, me një rritje vjetore prej 9.4%. Ky është niveli më i lartë rekord i arritur pas viteve '90, si në sasi, ashtu dhe në vlerë.

Keshtu, rezulton se shqiptarët kanë shpenzuar për t'u kuruar me barna rreth 32 miliardë lekë në vitin 2017, apo mbi 230 milionë euro. Rreth 40% e kësaj shume rimbursohet nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, i cili e ka zgjeruar vazhdimisht listën e barnave të rimbursueshme.

Farmacistët dhe mjekët pohojnë se rritja e konsumit të ilaçeve po vjen për disa shkaqe që lidhen me ndryshimin e strukturës së popullsisë si, rritja e numrit të moshuarve përkundrejt popullsisë më të re në moshë, rezistenca e shtuar ndaj medikamenteve dhe zgjerimi i sëmundshmërive.

Plakja e popullsisë është faktori kryesor. Shtimi i numrit të te moshuarve, shpjegojnë farmacistët, rrit sasisë e konsumit të ilaçeve për tensionin, zemrën, parkinsonin, etj. Moshat e thyera vuajnë më shumë se nga një sëmundje kronike në shumë raste, ndaj dhe ata janë kontingjenti më i madh i blerjes të medikamenteve.

Farmacistët pohojnë gjithashtu se, numri i personave që po bëhen rezistentë ndaj ilaçeve po rritet. Përdorimi i shpeshtë i ilaçeve rrit rezistencën ndaj tyre, për pasojë ky grup gjithnjë e në rritje konsumon me shumë medikamente. Edhe ushqimet e pakontrolluara, apo dhe jeta sedentare kanë ndikuar në uljen e reagimit të trupit ndaj virozave.

Një faktor tjetër lidhet me rritjen e sëmundshmërisë për mijë banorë. Në vitet 1990, Shqipëria kishte numrin më të ulët të prevalencës së vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare se në të gjitha vendet e rajonit. Në fillim të tranzicionit, vdekjet nga kjo diagnozë ishin 125 persona për 100 mijë banorë, teksa në të gjitha vendet ballkanike, përveç Greqisë, ky numër ishte shumë i lartë.

Farmacistët pohojnë se ka një shtim të sëmundjeve të tilla si kanceri, personat që kryejnë dializë dhe të prekursit me diabet, barnat e të cilëve janë të kushtueshme. Edhe në ditët e para të janarit 2018 është konstatuar një fluks i lartë i pacientëve që blejnë ilaçe nëpër farmaci./ Marrë me shkurtime nga Monitor

Vrau studenten, 23-vjeçari rëndë për jetën, plumbi i ka prekur trurin

Posted: 22 Jan 2018 01:52 AM PST

23-vjeçari Aldison Belulaj i cili një ditë më parë vrau studenten 21-vjeçare, Ariela Murati, për një lidhje të mohuar, dhe më pas qëlloi veten me armën e krimit, ndodhet në gjendje kritike për jetën në reanimacionin e Spitalit të Traumës.

Studenti i Fakultetit të Infermierisë ka dëmtime të rënda në kokë, pasi plumbi i ka prekur një pjesë të trurit.

Mjekët e Traumës bëjnë të ditur se i riu e ka ende plumbin në kokë dhe është e pamundur ndërhyrja për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore mes jetës dhe vdekjes.

Aldison Belulaj qëlloi për vdekje Ariela Muratin në sy të motrës dhe kushërirës së saj.

Dy të rinjtë ishin nga fshati Zharrës e Fierit dhe njiheshin që nga shkolla e mesme pasi kishin mbaruar në të njëjtin gjimnaz “Sotir Capo”.

Aksident me vdekje te tuneli i Elbasanit, humbet jetën kamionisti

Posted: 22 Jan 2018 01:45 AM PST

Një 50-vjeçar ka humbur jetën aksidentalisht mesnatën e te dielës, pasi ka rënë nga një lartësi 30-40 metra.

Policia e Elbasanit bën të ditur se në aksin rrugor Elbasan-Tunel, në vendin e quajtur Ura në hyrje të tunelit E. R, shofer kamioni, ka zbritur nga mjeti i tij me targë AA 886 MP, dhe ka tentuar të kalojë në anën tjetër të rrugë.

Nga pakujdesia ka rënë poshtë nga një lartësi 30-40 metra dhe si pasojë ka gjetur vdekjen.

Telebingo Shqiptare / Shorteu 21 Janar 2018!

Posted: 22 Jan 2018 01:41 AM PST

 

Çmimi i madh shkon në Kukës, fituesi merr 1,571,850 lekë

 

Sikundër është bërë traditë tashmë, Telebingo Shqiptare ka mbërritur edhe përgjatë ditës së djeshme në shtëpitë e mijëra familjeve shqiptare, për të ndarë dhuratat dhe çmimet e preferuara të lojës më popullore të fatit në vend.

Loja telefonike ka befasuar dhjetëra ndjekës, të cilët me përgjigjen e duhur në telefonatën surprizë që Telebingo Shqiptare ka bërë në shtëpitë e tyre, janë shpallur fitues të dhuratave dhe çmimeve të fshehura në zarfe, si dhe çmimit tradicional të javës në 10 telefonatat e bëra rresht njëra pas tjetrës. Loja telefonike është ndalur fillimisht në qytetin e Lushnjes, duke përzgjedhur Halimin si fitues të parë të betejës me çmimet dhe dhuratat e fshehura në zarfe.

Me mbajtjen e dy zarfeve më të preferuara, Halimi siguruar nga Telebingo Shqiptare shumën prej 60,000 lekësh. Më pas, loja telefonike është ndalur në qytetin e Durrësit, duke shpallur si fituese të radhës Admirin, i cili me mbajtjen e dy zarfeve të preferuar, si dhe shansin e dhënë nëpërmjet lojës "2 herë fat", ka siguruar nga Telebingo shumën prej 100,000 lekësh.

Përzgjedhja rastësore e kontrabiletave e ka ndalur më tej lojën telefonike në kryeqytet, ku Xiko i është gëzuar shumës prej 50,000 lekësh. Një tjetër fitues i përzgjedhur në Laprakë ka tentuar të gjurmojë zarfin ku fshihej makina "Volkswagen Up". Ndonëse nuk ka qëlluar në shenjë këtë çmim, me zarfet e mbajtura në fund të lojës, ky fitues ka siguruar shumën prej 40,000 lekësh.

Fatjona në Durrës ishte e përzgjedhura e fundit në lojën telefonike që ka kërkuar të gjurmojë zarfet ku mund të fshiheshin çmimet e mëdha. Por, me përzgjedhjen e bërë ka siguruar shumën prej 60,000 lekësh. Pas fituesve të lojës telefonike, është hedhur edhe shorti i goglave për çmimin e madh të javës që ka kapur vlerën e 1,571,850 lekëve.

Seria e numrave të përzgjedhur ka treguar se çmimi i madh i javës shkon në qytetin e Kukësit, ku dhe rezulton të jetë blerë bileta fituese. Shorti i goglave ka përzgjedhur edhe mijëra fitues të tjerë nëpërmjet serisë së fituesve me një linjë dhe dy linja. Konkretisht, janë shpallur si fitues të 50 lekëve 13,749 lojtarë. Fitues të serisë me dy linja janë shpallur 192 lojtarë të tjerë, ku secili prej tyre siguron nga kompania e Telebingos plot 2725 lekë.

Fitues të një bilete janë shpallur edhe të gjitha ata persona që kanë numrin 3, të përcaktuar si numër fati në biletën e tyre. Argëtimi nëpërmjet tingujve të muzikës, e çmimeve të Telebingos, ka vijuar edhe në 10 telefonatat e bëra rresht njëra pas tjetrës, nga ku janë shpallur fituesit e çmimit tradicional të javës. Të gjithë lojtarët që i janë përgjigjur në mënyrë korrekte telefonatës surprizë të bërë nga Telebingo, janë bërë fitues të 10,000 lekëve.

Fituesit e shorteut të djeshëm mund të paraqiten mesditën e së mërkurës në zyrat e Telebingos për të tërhequr dhuratat dhe çmimet e fituara. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara informacionet e plota mbi fituesit e shpallur në shorteun e djeshëm të Telebingos.

 

“Oda shqiptare”, një nismë për promovimin e turizmit

Posted: 22 Jan 2018 01:31 AM PST

Personalitete nga arti, kultura, biznesi dhe politika u bënë bashkë në një mbrë- mje të veçantë, për të udhëhequr një mision të ri, atë të promovimit të turizmit në Shqipëri.

Nisma, e cila synon të krijojë një fushatë të gjerë promovuese në rrjetet sociale përmes figurave të spikatura të vendit tonë në botë, u lançua nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në eventin "Oda Shqiptare", me mbështetjen edhe te Hotel Prestige, Birra Korça dhe uji Fab.

"Jemi këtu për një qëllim shumë të thjeshtë; të bëhemi bashkë. Vendet me tradita turistike kanë një nga armët më të forta të promovimit të vlerave kombëtare, përmes emrave të njohur të vendeve të tyre. Kjo është ajo që duam të bëjmë të gjithë bashkë, themelimin e rrjetit shqiptar të turizmit, nga Oda e traditave shqip",- tha ministri Klosi.

Duke bërë një panoramë historike të imazhit të Shqipërisë në shekuj, Klosi kërkoi nga 200 personalitetet e pranishëm që të shpërndajnë përmes teknologjisë jehonën e vlerave natyrore historike e kulturore të vendit tonë në mbarë botën.

"Një klikim i juaji, në profilet tuaja, i një fotoje, videoje apo share nga bregdeti, Alpet, Tirana, Berati, Gjirokastra, natyra, gatimi apo histori Shqipërie, ka efektin e më shumë se dhjetëra panaireve, takimeve zyrtare apo parave të shpenzuara për promovim. Kjo është një e mirë që ju mund t'ia bëni Shqipërisë, turizmit shqiptar".

Për të bindur të pranishmit e mbledhur në Pallatin e Brigadave, se as qeveria nuk po rri duarkryq në këtë drejtim, ministri KLosi vuri në dukje se janë ndërmarrë iniciativa për ta bërë Shqipërinë konkurruese, duke ecur në drejtim të lehtësirave për investime strategjike, për ngritje të hoteleve dhe resorteve me 4 dhe 5 yje, si dhe miratimin e 100 fshatrave të parë turistikë për të investuar dhe shndërruar në destinacione të mirëfillta turistike në kuadër të "Rilindjes rurale".

Ndërkohë, përgjatë gjithë mbrëmjes u transmetuan materiale promovuese për Shqipërinë, ndërsa eventi u mbyll me dhënien e çmimeve të mirënjohjes për kontributin e tyre ndaj vendit, sopranos së mirënjohur Inva Mula, instrumentistit virtuoz Olen Cezari si dhe Mario Dedivanovic, artistit të makeup-it, mjaft të njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rusia flet për “linjat e kuqe”, mesazh të fortë SHBA dhe BE-së

Posted: 22 Jan 2018 01:28 AM PST

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se "rusofobia" në vendet perëndimore është më e lartë se sa ishte në kulmin e Luftës së Ftohtë.

"Rusofobia është e paprecedente dhe ne këtë nuk e kemi parë asnjëherë gjatë Luftës së Ftohtë", i tha Lavrov gazetës së përditshme ruse, Kommersnat, në intervistën e publikuar dje.

Ai, më tej ka tërhequr vërejtjen se Rusia i ka "linjat e kuqe", të cilat duhet të respektohen, ashtu siç ishin respektuar gjatë Luftës së Ftohë".

Lavrov e ka kritikuar atë që ai e cilësoi si "përpjekje për ta ndëshkuar Rusinë me çfarëdo mjete të mundshme", e veçanërisht i ka theksuar sanksionet e imponuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të cilat i ka quajtur "absurde dhe të pabaza"./REL

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more