Skip to main content

“Fituesit dhe humbësit nga rihapja e Qeverisë amerikane” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Fituesit dhe humbësit nga rihapja e Qeverisë amerikane” plus 1 more Telegrafi Opinione


Fituesit dhe humbësit nga rihapja e Qeverisë amerikane

Posted: 23 Jan 2018 06:58 AM PST

Chris Cillizza

Qeveria federale është drejt rihapjes pasi demokratët e Senatit iu bashkuan kolegëve të tyre republikanë për votimin e një propozimi që do financojë qeverinë deri më 8 shkurt, në shkëmbim të një premtimi nga lideri i maxhorancës në Senat, Mitch McConnell, që t'i kthehet programit të emigrantëve të rinj DACA shumë shpejt.

Fituesit më të mëdhenj janë punonjësit federalë të cilët tani mund të kthehen në punë dhe publiku amerikan që sheh zyrtarët e tij të zgjedhur aktualisht duke punuar për të. Më pak fatlumë janë emigrantët e programit DACA që mbeten në pritje deri më 8 shkurt, derisa Kongresi të marrë një vendim për çështjen e tyre. Lejet e qëndrimit për emigrantët e programit DACA, që ju jep një status mbrojtës fëmijëve që kanë ardhur në SHBA nga emigrantët pa dokumente por kanë jetuar shumicën e jetës së tyre në Amerikë, do të fillojnë të skadojnë në fillim të marsit pasi presidenti Donald Trump anuloi programin vjeshtën e vitit të shkuar.

Por, si gjithmonë në çështjet e profilit të lartë, ka edhe një numër pasojash politike me fitues dhe humbës.

Fituesit:

– Mitch McConnell: Lideri i mazhorancës së Senatit refuzoi t'u bënte demokratëve një premtim të vështirë dhe të shpejtë se ata do të merrnin një votim për programin DACA. Të dielën në darkë ai tha se ishte 'qëllimi' i tij të përmendte programin DACA në Senat. Demokratët e kritikuan duke thënë se ai nuk kishte bërë aq sa duhet për t'u siguruar atyre një votim. Të hënën, disa orë para votimit për rihapjen e qeverisë, McConnell doli para Senatit përsëri dhe përsëriti 'qëllimin' e tij. Pavarësisht mungesës së ndryshimit në pozicionin e McConnellit, demokratët e mbështetën duke besuar se lideri i mazhorancës do mbante fjalën e tij. Gjë që mund ta bëjë! Por, të synosh të bësh diçka nuk është e njëjta gjë si ta bësh atë. McConnell, si gjithmonë negociatori mendjemprehtë, refuzoi të bënte premtimin për votimin dhe fitoi.

– Lindsey Graham: Senatori i Karolinës së Jugut ishte lideri i përpjekjeve për të arritur një marrëveshje. Propozimi i tij trejavor për rihapjen e qeverisë përfundoi në legjislacion. Ai gjithashtu doli si një negociator i ndershëm – i gatshëm t'u bënte thirrje republikanëve dhe demokratëve – dikush që mund të ndërtojë një unë mes dy palëve brenda Senatit. Gjithashtu, Graham u rizgjodh në 2014, që do të thotë se nuk ka arsye të shqetësohet rreth mundësisë për t'u rizgjedhur sërish deri në 2020.

– Demokratët e 2018-shit: Janë 10 demokratë për t'u rizgjedhur më 2018 në shtetet që Trumpi fitoi më 2016. Ky grup – senatori Joe Manchin i Virgjinias Perëndimore, senatori Heidi Heitkamp i Dakotës Veriore, senatori Joe Donnelly i Indianës dhe të tjerë – nxitën të tjerët të bëjnë një marrëveshje me McConnellin dhe fituan.

– Të moderuarit: Pas votimit, Manchin dhe senatorja Susan Collins mbajtën një konferencë triumfuese duke përmendur një epokë të re të bashkëpunimit mes partive brenda Senatit, ndërsa senatori Demokrat Dick Durbin para votimit u shpreh se një epokë e re bashkëpunimi duhej të vazhdonte në Senat. Të moderuarit fituan.

– Davos: Nëse Qeveria do vazhdonte të mbetej e mbyllur, Trumpit do t'i duhej të anulonte udhëtimin e tij për në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër në fund të javës. Tani sigurisht që Trumpi do të shkojë dhe do mbajë fjalimin i tij të shumëpritur në Davos.

Humbësit:

– Chuck Schumer: Demokrati i New Yorkut mbajti një qëndrim të vështirë gjatë fundjavës së kaluar në atë që partia e tij donte të dëgjonte nga Republikanët në mënyrë që të nënshkruante rezolutën e vazhdimësisë që do rihapte qeverinë. Të shtunën në darkë Schumer tha: "Na duhet një marrëveshje e mirë mes dy partive politike që na lejon të kemi një numër të mirë mbrojtje dhe të marrim një votim për projektligjin për Ëndërrimtarët. Ka akoma shumë për t'u bërë". Ai gjithashtu deklaroi se nuk do mbështeste rezolutën tre javore të vazhdimësisë. Por megjithatë ai e nënshkroi atë.

– Demokratët e 2020-shit: Senatorja Kamala Harris e Kalifornisë, Cory Booker nga New Jersey, Kirsten Gillibrand nga New York, Bernie Sanders i Vermontit dhe Elizabeth Warren nga Massachusetts u përfshinë nga lidershipi i partisë së tyre dhe një grup demokratësh të 2018-shit për rizgjedhje në shtetet që Trumpi i fitoi më 2016. Senatorët Harris dhe Warren ishin mes dy votave të para 'jo' për rezolutën e vazhdimësisë. Kjo nuk është lufta e fundit në betejën për kontroll të drejtimit të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 2020. /CNN/Përktheu për BalkanWeb: Aleksandra Kola)

The post Fituesit dhe humbësit nga rihapja e Qeverisë amerikane appeared first on Telegrafi.

Priten tensione ballkanike para hyrjes së Shkupit në NATO!?

Posted: 23 Jan 2018 06:14 AM PST

Një valë tensionesh lokale me jehonë rajonale po ndihen në Ballkan, të cilat në seizmografin gjeopolitik shënojnë mundësinë e një intensiteti më të madh dhe të një shtrirjeje në vazhdim. Këto sinjale janë pjesë e një harte:

– Në datën 16 janar vritet në Mitrovicë politikani serb, Oliver Ivanoviq dhe menjëherë edhe kryeministrja serbe, edhe i ashtuquajturi ministër për Kosovën në qeverinë serbe nxituan të deklarojnë se vrasësit nuk janë serbë. Një siguri e tillë publike duket vjen nga fakti që shërbimet sekrete serbe, të cilat kontrollojnë Veriun e Kosovës, e dinin qysh më parë se kush ishte ngarkuar për ta kryer vrasjen.

– Në datën 18 janar, Presidenti Maqedonisë, Gjorgje Ivanov zgjodhi pritjen e vitit të ri për trupin diplomatik në Shkup që të njoftonte solemnisht në fjalimin e tij se një ditë më parë, në 17 janar, kishte vendosur e mos e firmoste dekretin e ligjit të parlamentit për përdorimin e gjuhëve, sepse është "represiv dhe antikushtetues".

– Në datën 16 janar, Ministria e Jashtme e Rusisë boton një komunikatë lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në të cilën u bën thirrje "të gjitha pranive ndërkombëtare në Kosovë që të ndërmarrin masat e nevojshme për parandalimin e incidenteve të mundshme". Pra, MPJ e Rusisë e di se do të ketë incidente të tjera si ai i Mitrovicës.

– Në datën 17 janar, MPJ e Rusisë publikon një komunikatë, duke mbështetur refuzimin e presidentit maqedonas kundër ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe sulmon platformën e përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni se ajo është kundër bazave kushtetuese të shtetësisë maqedonase, kundër Marrëveshjes së Ohrit, (të cilën diplomatët rusë duket nuk e kanë lexuar) dhe se paralajmëron për tronditje të reja ndëretnike në Ballkan. MPJ ruse e di se do të ketë tronditje të reja ndëretnike në Ballkan.

– Në 19 janar, politikani shumë i njohur serb dhe lider i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, deklaroi se vrasja e Oliver Ovanoviqit dhe destabilizimi i Ballkanit i vjen për shtat Rusisë dhe se në bazën ushtarake ruse të Nishit në Serbi janë trajnuar paramilitarët e reparteve sulmuese "serpska çast" për t'u përdorur në Bosnjë. Për këtë trajnim të paramilitarëve serbë nga specialistët rusë bënte të ditur në datën 12 janar edhe portali i Sarajevës "Zhurnal news site".

Këto sinjale janë të mjaftueshme për të qartësuar diagramën e tensioneve të reja, që pritet të kenë seriale të reja më të forta, por edhe një strategji koordinimi dhe interesi për ta rikthyer Ballkanin Perëndimor tek krizat e vështira të viteve 2016-2017.

Çelësi i shpjegimit dhe i origjinës së stinës së re të tensioneve, ku sapo kemi hyrë, është sindroma malazeze, që do të thotë se ka një interes dhe planifikim të qartë për të krijuar trazira, siç ndodhi në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2016 në Mal të Zi, dhe për të njëjtat qëllime, që patën atje, ku shërbimi sekret serb në bashkëpunim me shërbimin sekret rus organizuan një fushatë trazirash të brendshme, që kulmuan me përpjekjen për grusht shteti dhe për vrasjen e kryeministrit malazez gjatë zgjedhjeve të muajit tetor, me synimin për të ndaluar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Po përsëritet sindroma malazeze, e cila tani merr emrin sindroma maqedonase, që shkakton tensione. Shkaku është afrimi i fazave të hyrjes së Maqedonisë në NATO. Qeveria e re e Maqedonisë me kryeministër Zoran Zaevin, në këto shtatë muaj në pushtet ka nisur një zhvendosje nga kursi prorus dhe antiperëndimor i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ka ndërmarrë disa hapa për shpejtimin e kohës së anëtarësimit të vendit në NATO, të bllokuar nga Greqia për shkak të konfliktit për emrin. Tani shenjat janë se qeveria e re e Shkupit po demonstron një fleksibilitet më të madh dhe po i jep më shumë rëndësi anëtarësimit në NATO dhe në BE, se sa intransigjencës lidhur me emrin.

Është qëndrim zyrtar i Rusisë, kundërshtimi dhe synimi për të penguar Maqedoninë të hyjë në NATO dhe ministri i Jashtëm rus e ka përkufizuar se ky anëtarësim është për Moskën një vijë e kuqe. Për këtë qëllim, Moska përkrahu me të gjitha forcat dhe mjetet ish-kryeministrin prorus, Nikolla Gruevski gjatë gjithë krizës politike maqedonase 2015-2017 dhe u përpoq ta mbante me zor në pushtet. Pas dështimit të Gruevskit për të ruajtur kolltukun e kryeministrit, Moska shfrytëzoi presidentin prorus Gjorgje Ivanov, i cili vazhdoi trazimin e konfliktit politik dhe etnik në Maqedoni dhe përpjekjet dhe për të sabotuar koalicionin e opozitës maqedonase me partitë politike shqiptare. Karta "Gjorgje Ivanov" po hidhet përsëri në lojën anti-NATO nga Moska dhe akti më i rëndë i tij është jo thjesht mos dekretimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, por nxitja e një konflikti të ri ndëretnik në Maqedoni. Ai dhe partia e tij VMRO-DPMNE po i fryjnë me çdo mënyrë ndezjes së konfliktit ndëretnik dhe pikërisht këtë kërkonte fryma e komunikatës së MPJ të Rusisë.

Element i ri është se MPJ e Rusisë po kërkon që t'i paraqesë Shqipërinë dhe shqiptarët si shkaktarë të kësaj vale të tensioneve në Ballkanin Perëndimor me idetë e të ashtuquajturës "Shqipëri e Madhe". Ajo, ku ngatërrohet MPJ e Rusisë, është se nuk kupton që populli shqiptar në Maqedoni ka po aq të drejtë të përdorë gjuhën shqipe sa çka edhe popullsia ruse në Krime për gjuhën ruse. Shqipëria nuk ka asnjë punë me gjuhën ruse në Krime dhe as Rusia nuk ka asnjë punë me përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Kjo është e qartë dhe nuk kuptohet pse hyjnë në vallen ruse disa profanë shqiptarë, të cilët bëjnë autogol dhe venë shenjën e barazimit midis interesit të Rusisë dhe atij të Shqipërisë për gjuhën shqipe në Maqedoni.

Është e kuptueshme se ndezja e një zjarri ndëretnik në Maqedoni do të ngrinte një pengesë të madhe dhe do të shtynte për një kohë të pacaktuar anëtarësimin e vendit në NATO, gjë që përbën strategjinë ruse të tensioneve në Maqedoni.

Shteti i dytë, i cili ka interes që Maqedonia të mos hyjë në NATO, por që ka edhe një interes të veçantë të vetin strategjik për tensione në Ballkanin Perëndimor është Serbia. Serbia është me shpatulla pas murit prej kushtit të vënë nga BE për njohjen e Kosovës para se të anëtarësohet në BE. Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, e përsëriti në 18 janar se në BE nuk mund të pranohen shtete, që kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët. Në këtë pozicion në trekëndësh, ku ndodhet lidhur me Kosovën, Serbia po përpiqet të shpëtojë duke provokuar tensione dhe konflikte në Kosovë dhe ajo e ka të lehtë këtë objektiv, sepse ajo mban detonatorët e konflikteve të ngrira edhe në Veriun e Kosovës, edhe në të ashtuquajturën "Serpska Republika". Vrasja e politikanit Ivanoviq, pavarësisht se kush do të dalë kokë turku si ekzekutor, i ka në Beograd përfituesit kryesorë. Nëpërmjet këtij tensioni të ri në Mitrovicë, Serbia dhe presidenti i saj kërkojnë të përfitojnë në dy drejtime: së pari, duke rivendikuar sovranitetin e Serbisë mbi Veriun nën pretekstin e mbrojtjes së serbëve atje. Së dyti, përfitojnë t'i bëjnë presion Prishtinës të heqë dorë nga kushti i njohjes dhe të xhirojnë në vend me "bisedimet teknike", të cilat janë një vrimë në ujë në raportet strategjike midis dy shteteve. Nuk është e rastit që Rusia po nxit fort qarqet ultranacionaliste dhe shoviniste të kishës ortodokse serbe, që të ringjallin histerinë antishqiptare. Drejtoresha e Qendrës së Studimeve të Krizave të Ballkanit modern në Akademinë e Shkencave të Rusisë, Elena Guskova, në 18 janar në portalin rus "eadaily.com" përkrahte peshkopin e njohur antishqiptar Amfilohije se "ka plotësisht të drejtë që është e pamundur të njihet pavarësia e Kosovës".

Veçori e serisë aktuale të tensioneve është gjithashtu bashkëngjitja e një vale të re të hapur antiamerikanizmi edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, e cila ka qëllimin që të godasë faktorin shqiptar në thembrën e Akilit, që janë marrëdhëniet e kombit shqiptar me SHBA. Fenomeni është tepër shqetësues, sepse, siç më tregonte këto ditë në një bisedë ambasadori i një shteti të rëndësishëm i akredituar në Tiranë, disa politikanë shqiptarë kanë filluar të ankohen nëpër disa ambasada joperëndimore në Tiranë për "ndërhyrje amerikane në punët e brendshme të Shqipërisë".

Një impostim idiot i disa segmenteve të politikës shqiptare kundër SHBA është e qartë se i shërben strategjisë së Rusisë për të krijuar vakume gjeopolitike dhe për të mënjanuar orientimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Nuk është rastësi që Serbia kohët e fundit ia ka ulur fanfarat proeuropiane dhe ka harruar edhe "Procesin e Berlinit", sepse është angazhuar shumë në "Procesin e Moskës".

Në këto rrethana ka rëndësi të madhe që faktori shqiptar në Ballkan të ruajë kohezionin e tij kombëtar dhe euroatlantik, për të qenë vazhdimisht syçelët për të parandaluar çdo përpjekje të sponsorizuar për rrëshqitje proruse dhe proserbe. Roli rajonal dhe interesi kombëtar i faktorit shqiptar është që të ruajë fort ekuilibrat gjeopolitikë dhe strategjikë në favor të atlantizmit dhe të integrimit euroatlantik.

The post Priten tensione ballkanike para hyrjes së Shkupit në NATO!? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more