Skip to main content

“Hallgrimsson: Islanda nuk e nënçmon Kosovën” plus 14 more Radio Evropa e Lirë

“Hallgrimsson: Islanda nuk e nënçmon Kosovën” plus 14 more Radio Evropa e Lirë


Hallgrimsson: Islanda nuk e nënçmon Kosovën

Posted: 08 Oct 2017 09:08 AM PDT

Ne "nuk do ta nënçmojmë" Kosovën, ka thënë trajneri i kombëtares së Islandës në futboll, Heimir Hallgrimsson, para ndeshjes vendimtare në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të futbollit në vitin 2018 në Rusi, që zhvillohet nesër. Pas fitores bindëse kundër Turqisë si mysafire me rezultat 3:0, në ndeshjen e zhvilluar pardje, Islanda pothuajse e ka siguruar pjesëmarrjen në garat përfundimtare të botërorit, raporton DPA nga Rejkjaviku. "Ne kemi thënë në konferencën e parë për shtyp se ndeshja e fundit do të vendos se kush do të shkoj në Kampionatin Botëror", tha Hallgrimsson. Megjithqë kombëtarja e Kosovës është e fundit në Grupin I të kualifikimeve me vetëm një pikë të fituar, trajneri Hallgrimsson thotë se mysafirët nga Kosova kanë cilësi. "Tri ndeshjet e fundit të tyre kanë treguar se sa larg ata kanë shkuar. Ata ishin në garë në të gjitha ndeshjet, i kishin gjasët e tyre dhe ky është një ekip që ne nuk do ta nënçmojmë", tha Hallgrimsson për gazetën Morgunladid.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kremlini: Janë liruar të gjithë protestuesit e arrestuar

Posted: 08 Oct 2017 08:38 AM PDT

Ministria e brendshme e Rusisë thotë se autoritetet i kanë liruar të gjithë demonstruesit, të cilët ishin arrestuar për pjesëmarrje në tubimet e djeshme të pautorizuara në gjithë Rusinë, që koinciduan me ditëlindjen e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, më 7 tetor. Kjo ministri ka njoftuar sot se gjithsej 131 vetë ishin arrestuar për pjesëmarrje në 26 tubime ilegale në gjithë Rusinë. Ministria tha se janë ngritur 71 akuza për kundërvajtje administrative, ndërsa 60 të arrestuar të tjerë duhet të paraqiten në gjykata. Megjithatë, grupi që i monitoron arrestimet e motivuara politikisht tha se i ka domumentuar së paku 271 raste të njerëzve të arrestuar gjatë protestave të djeshme. Kjo organizatë e njohur me emrin OVD-Info, me seli në Moskë, tha se 62 vetë janë arrestuar mbrëmë në Shën Petersburg. Organizata Amnesty International dje ka kërkuar nga autoritetet e Rusisë që menjëherë t'i lirojnë protestuesit e arrestuar dhe t'i hetojnë dyshimet se policia ka përdorë "forcë brutale" kundër demonstruesve në qytetet Shën Petersburg dhe Jakutsk.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Afganistani e mori dërgesën e parë të helikopterëve amerikanë

Posted: 08 Oct 2017 07:54 AM PDT

Afganistani dje e ka pranuar dërgesën e parë të helikoterëve të prodhimit amerikan të tipit, UH-60 Black Hawk. Në ceremoninë e organizuar në aeroportin e Kandaharit, në pjesën jugore të Afganistanit, presidenti i këtij vendi, Ashraf Ghani, formalisht i ka pranuar dy helikopterët e parë dhe ka vlerësuar se kjo ishte "ditë historike". Shtetet e Bashkuara planifikojnë që Afganistanin ta furnizojnë me 159 helikopterë Balck Hawk, gjatë viteve të ardhshme, në kuadër të përpjekjeve për transformimin e rëndësishëm të forcës ajrore afgane. "Ky është modernizim i programit të tyre, që do t'i lejojë ata të projektojnë forcë në gjithë Afganistanin", tha koloneli, Trent Alexander, këshilltar ushtarak i Shteteve të Bashkuara për forcën ajrore të Afganistanit. "Derisa tranzicioni në helikopterët Black Hawk nuk do të jetë detyrë e shpejtë, ajo nuk do të jetë detyrë e vështirë", tha Alexander. Forcat e sigurisë së Afganistanit në masë të madhe janë duke u përpjekur për të rezistuar në luftën kundër talibanëve, prej se shumica e vendeve anëtare të NATO-s janë tërhequr në vitin 2014, përfshirë edhe forcat kritike ajrore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kush e kontrollon tregun e naftës në Kosovë?

Posted: 08 Oct 2017 06:05 AM PDT

Sektori i derivateve të naftës në Kosovë konsiderohet ndër tregjet më fitimprurëse, ndonëse vazhdimisht ka pasur edhe debate të ndryshme rreth mënyrës së importit dhe efikasitetit të kontrollimit dhe cilësisë së këtij produkti në doganat e vendit. Cilësia e dobët e derivateve të naftës, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, janë vetëm disa nga parregullsitë e përmendura në sektorin e derivateve të naftës. Janë udhëheqësit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës ata që flasin për mungesën e kontrollit, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vërë rregull në këtë sektor. Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate, thotë për Radion Evropa e Lirë se parregullsitë në këtë sektor, janë të pranishme. Por, sipas tij, me shtimin e kontrollit dhe garantimit të cilësisë do të mund të rregullohej edhe sasia e importit që hyn në Kosovë. "Unë nuk mund të them se si dhe nga hyn nafta në Kosovë, por kontrabanda me këtë produkt në pjesën veriore, është më e vogël se vitet e kaluara". "Konsideroj se me një shtrëngim më të madh gjatë importit dhe verifikimit të sasisë dhe cilësisë, do të ndikohet në shmangien e evazionit fiskal. Evazioni fiskal mund të zbritet edhe më tepër nëse vendoset që në të gjitha kompanitë e derivateve të naftës të instalohen arkat speciale fiskale", thotë Berjani.  Debatet rreth kontrollit të tregut të naftës janë hapur edhe në Kuvendin e Kosovës. Duke qenë si një prej sektorëve më fitimprurës, janë vetë partitë politike ato që akuzojnë njëra-tjetrën për kontrollin e këtij tregu dhe parregullsitë e vëna. Një diskutim i ashpër rreth kësaj teme është zhvilluar ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka pyetur ish- ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, se kush e kontrollon hyrjen e naftës në Kosovë. "Rreth naftës që hyn në Kosovë, asnjë ministër nuk ka mundur të tregojë sa evazion fiskal ka Kosova përmes kontrabandës në Kosovë", është shprehur Haliti. Ai ka thënë se ministrat e deritashëm, përfshirë edhe Hykmete Bajramin, do të duhej të jepnin përgjegjësi për këto paqartësi. Në vend të përgjigjes, Hykmete Bajrami kishte konstatuar se kontrollimin e naftës në Kosovë e ka Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e të cilës është Haliti. "Njerëzit tuaj i kanë udhëhequr doganat me vite dhe ju e dini se kush ka bërë kontrabandë dhe në xhepat e kujt kanë rrjedhë paratë nga kontrabanda", ka deklaruar Bajrami. Ndryshe, që nga viti i kaluar, me një vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kompetencat për inspektimin e cilësisë së derivateve të naftës janë bartur te Doganat e Kosovës. Për të rregulluar sektorin e naftës, Fadil Berjani kërkon nga Qeveria e Kosovës që të miratojë Ligjin e ri për karburantin e naftës. "Jemi shteti i vetëm në botë që paguajmë licencë për çdo dy vjet. Ka shumë kritere të rëndësishme që mund të rregullohen me ligj. Jemi shteti më i vogël për kokë banori, por shteti më i madh me pika karburanti", thotë Berjani. Aktualisht, Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në vend, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 650 milionë litra është sasia e karburanteve të naftës që brenda një viti hyjnë në Kosovë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Barcelonë: Mijëra vetë kanë protestuar kundër pavarësisë së Katalonjës

Posted: 08 Oct 2017 05:49 AM PDT

Dhjetëra mijëra njerëz kanë marrë pjesë sot në protestën në Barcelonë kundër planeve të qeverisë rajonale për ndarjen e Katalonjës nga pjesa tjetër e Spanjës. Grupi që e ka organizuar këtë protstë, Shoqëria Civile e Katalonjës, ka pretenduar se në marshin protestues nëpër rrugët e Barcelonës, kanë marrë pjesë 950 mijë vetë. Para demonstratës ishte raportuar se shumë protestues kishin ardhur në Barcelonë nga kryeqyteti Madrid për të marrrë pjesë në protestë. Kjo demonstratë u bë një javë pasi qeveria e rajonit të Katalonjës, që është propavarësisë, e ka mbajtur referendumin për ndarje, përkundër pezullimit të tij nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Spanjës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Përfshirja e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, e domosdoshme

Posted: 08 Oct 2017 05:40 AM PDT

Analistët politikë në Prishtinë, mundësinë e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e shohin si të rëndësishëm dhe një mundësi të mirë që procesi të japë rezultate pozitive. Naim Rashiti, drejtor i Grupi Ballkanik për Politika në Kosovë, konsideron se pjesëmarrja eventuale e SHBA-së në dialog, është tejet e rëndësishme, pasi që, sipas tij, do të ndihmojë që procesi të shkojë më shpejt drejt përfundimit. "Tash, faza tjetër e dialogut që duket të jetë një fazë shumë më e komplikuar dhe më e rëndë sepse dëshirohet një marrëveshje më gjithëpërfshirëse.Me çdo kusht Kosova insiston në rolin e SHBA-së dhe angazhimin në dialog, por me gjasë edhe zonja Mogerini e ka kuptuar këtë çështje dhe ajo ka pasur një takimi me zëvendëspresidentin Pence për të gjetur modalitetet e angazhimit të SHBA-së në procesin e dialogut. Unë besoj që krahas tyre edhe Gjermania do të ketë një rol më të intensifikuar në procesin e dialogut", thotë Rashiti. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij të fundit në New York, ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në procesin e dialogut Prishtinë- Beograd. Thaçi në takimi me zëvendëspresidentin e Mike Pence ka thënë se "përfshirja direkte e SHBA-së në këtë fazë përfundimtare, është përcaktuese për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të zbatueshme për të dy palët".  Rashiti thotë se kërkesa e presidentit Thaçi është e drejtë. "Është e drejtë kërkesa dhe besoj se do të rezultojë me një angazhim më të theksuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", vlerëson Rashiti. Kurse, analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj, thotë se në fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë, përveç SHBA-së mund të pritet të përfshihet edhe Gjermania, por siç thotë ai, edhe Rusia mund të kërkojë të njëjtën gjë. "Shtetet e Bashkuar të Amerikës besoj se do të përfshihen gjithsesi, natyrisht se mbetet të shihen modalitetet se në çfarë forme do të përfshihen. Por, nëse përfshihen Shtete e Bashkuara në të njëjtin nivel apo të njëjtin modalitet unë pres të përfshihet edhe Rusia. Përndryshe nuk pres që vetëm SHBA-ja të jetë pjesë e dialogut", vlerëson Mushkolaj. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, thotë Mushkolaj, do t'i jepte një ritëm më të shpejtë zbatimit të marrëveshjeve dhe vetë procesit. "Përfshirja e ndonjë përfaqësuesi të administratës amerikane, besoj se do të mund t'i jepte një impuls të ri dialogut dhe të mos zvarritet edhe më tej siç ka ndodhur që nga viti 2011 me dialog teknik e më pastaj edhe politik. Por, është krejt çështje tjetër se si do të përgjigjet SHBA-ja dhe nëse në të vërtetë e shohin të nevojshme që në këtë fazë, me gjithë ato probleme që i kanë në vendet e tjera të botës, të përfshihen edhe në përfundimin e dialogut të Kosovës me Serbinë", thekson Mushkolaj. Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë kanë thënë se pas gjashtë vjetësh që nga fillimi i dialogut në Bruksel, përveç ngecjes në planin e zbatimit të marrëveshjeve, raportet në mes Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një interviste për Radion Evropa e Lirë ka thënë se vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë shërbim për popujt, pra të mos mbetet dialog vetëm i liderëve. Kurse, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë thënë se ky institucion duhet të ketë një rol shumë më aktiv në proces. Deri më tani Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një varg marrëveshjesh në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, përfshirë edhe marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit evropian.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Iran: Sugjerohet sulme raketore ndaj SHBA-ve, nëse imponon sanksione

Posted: 08 Oct 2017 05:14 AM PDT

Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit, Mohammad Ali Jafari, ka sugjeeruar se forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, mund të jenë në rrezik nga sulmet raketore iraniane, nëse imponohen sanksione të reja kundër Iranit. Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA, sot ka raportuar se gjenerali Jafari tha se "nëse sanksionet bëhen fuqiplota", atëherë Shtetet e Bashkuara duhet t'i "lëvizin bazat e veta rajonale në rrezen prej 2 mijë kilometrave" nga Irani dhe ka shtuar se kjo largësi paraqet "rreze të veprimit të raketave iraniane". Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë baza që janë më pak se 500 mila nga kufiri i Iranit në vendet fqinje me Iranin. Gjenerali Jafari, po ashtu, ka thënë se nëse Shtetet e Bashkuara e cilësojnë Gardën Revolucionare të Iranit si grup terrorist, atëherë kjo gardë do ta konsideronte ushtrinë amerikane si grup terrorist.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Huntsman: Ukraina - çështja më e rëndësishme për raportet me Rusinë

Posted: 08 Oct 2017 05:05 AM PDT

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Rusi, Jon Huntsman, tha se ripërtëritja e sovranitetit të Ukrainës në gjithë territorin e saj, do të jetë çështja kryesore në veprimet e tij me Moskën, derisa filloi shërbimin e tij në një periudhë të tensioneve të larta ndërmjet dy fuqive botërore. Duke folur në Salt Lake City, ish-guvernatori i Utahut, Jon Huntsman, tha të shtunën mbrëma se dëshiron përmirësim të raporteve me Rusinë, porinsistoi se hapi i parë do të jetë që Moska ta kthejë kontrollin tek Ukraina, të territorit brenda kufirit të saj të njohur ndërkombëtarisht. "Kjo është një çështje, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara, por me Evropën, Kanadanë, dhe me gati secilin shtet tjetër të zhvilluar", theksoi Huntsman, i cili ishte për vizitë në shtetin e tij për një rast ceremonial. Moska e ka okupuar Krimenë e Ukrainës dhe i mbështet separatistët në pjesën lindore të Ukrainës, në luftën në të cilën prej vitit 2014, janë vrarë më se 10 mijë njerëz. Shtetet e Bashkuara, shtetet e tjera perëndimore, dhe Bashkimi Evropian, kanë imponuar sanksione kundër Rusisë për aksionet e saj në Ukrainë, që është vetëm njëra prej disa çështjeve globale që i përçan Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë. Ambasadori Huntsman, i cili në fillim të këtij muaji në Kremlin i dorëzoi letrat kredenciale te presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i tha turmës së njerëzve në Salt Lake City, po ashtu, se ai dëshiron të punojë me Moskën për zgjidhjen e krizës me Koresë Veriore, lidhur me programet e saj atomike dhe të raketave balistike, që janë të ndaluara me rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Ai vlerësoi se Pheniani është kërcënim për Rusinë dhe pjesën tjetër të botës, e jo vetëm për Shtetet e Bashkuara. "Duke vepruar së bashku, ne mendojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund ta detyrojmë regjimin e Koresë Veriore për të zhvilluar negociata për gjetjen e zgjidhjes diplomatike", tha Jon Huntsman. Këto komente të tij u bënë pak kohë para se presidenti amerikan, Donald Trump, tha se "vetëm një gjë do të funksionojë" në çështjen me Korenë Veriore, por nuk ishte i qartë se cila do të ishte kjo gjë. "Presidentët dhe administratat e tyre kanë biseduar me Korenë Veriore për 25 vjet, janë bërë marrëveshje dhe është paguar sasi e madhe e të hollave", ka shkruar mbrëmjen e së shtunës në rrjetin Twitter, presidenti Trump dhe ka shtuar se asgjë "nuk ka funksionuar, marrëveshjet janë shkelur para se ngjyra të terej, duke i mashtruar negociatorët amerikanë". Në këtë kuadër, Trump ka shkruar se "më falni, por vetëm një gjë do të funksionojë!" Më herët, Trump kishte thënë se Shtetet e Bashkuara do ta "shkatërrojnë totalisht" Korenë Veriore, nëse është e domosdoshme për ta mbrojtur vetveten dhe aleatët amerikanë nga kërcënimet e këtij shteti të papërgjegjshëm. Ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, foli edhe për bashkëpunimin e mundshëm me Rusinë në përpjekje për t'i shkaktuar disfatë grupit ekstremist, Shteti Islamik dhe në përpjekjet për ta ndalur luftën civile gjashtëvjeçare në Siri, ku Uashingtoni dhe Moska i mbështesin palët kundërshtare. Raportet tejet të tensionuara ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë përshkallëzuar edhe më tepër pas raportit të muajit janar të këtij viti të komunitetit të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte urdhëruar "një fushatë ndikuese" në shënjestër të së cilës ishin zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shpëtimi i buxhetit nga autostradat

Posted: 08 Oct 2017 04:15 AM PDT

Për vite me radhë ishte vlerësuar se buxhetit të Kosovës nuk i ishte dhënë orientim i duhur nga autoritetet e vendit. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, siç ishte ndërtimi i autostradave, ndonëse ishte cilësuar si i nevojshëm, nuk kishte ndihmuar siç thonë ekspertët, në zbutjen e problemeve ekonomike dhe sociale të vendit. Investime të shumta në infrastrukturë rrugore janë bërë për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë, si dhe në zgjerimin e rrugëve nacionale dhe shumë projekte tjera. Tani në kohën kur autoritetet e vendit do të jenë në përpilim të projekt -buxhetit për vitin 2018, përfaqësues të bizneseve japin vlerësimet e tyre për orientimin e këtyre mjeteve. Janë mbi 2 miliardë euro para që janë parashikuar t'i ketë buxheti i Kosovës për vitin 2018. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se investimet më të nevojshme janë në ngritjen e ekonomisë së vendit përmes projekteve që zhvillojnë sektorin privat. "Kosova i ka disa objektiva, në të cilat duhet të orientohet siç janë rruga integruese, edukimi, ekonomia, ambientalizmi. Në këtë drejtim duhet të evitojnë investimet në infrastrukturë, duhet të mbështet sektori privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe në veçanti të jemi të orientuar në sektorin prodhues. Por, një objektiv i tillë nuk mund të arrihet nëse nuk kemi edukim dhe fuqi punëtore të kualifikuar", thotë Gërxhaliu. Autoritetet e Kosovës patën deklaruar se me buxhetin e vitit 2017, do t'i japin impulsin thuajse përfundimtar nisjes dhe përmbylljes së infrastrukturës rrugore dhe të krijojnë kushte që buxheti në të ardhmen të destinohet përveç fushave tjera, edhe për fuqizimin e arsimit në Kosovë. Investimet në sistemin arsimor nga drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksohet si një nga orientimet më të domosdoshme që duhet t'i bëhet buxhetit. "Ajo që është e rëndësishme, që mjetet e buxhetit të Kosovës të orientohen në cilësinë e arsimit, kjo kërkesë është jo vetëm e institucioneve ndërkombëtare, por edhe vetë bizneseve, të cilat vuajnë nga mospërshtatja e ofertës me kërkesën në tregun e punës. Pra, të investohet jo vetëm në infrastrukturën fizike shkollore, por në edhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit nga nivelet më të ulëta të arsimit deri tek institucionet shkollore të nivelit të lartë", thotë Zeka. Megjithatë, Zeka shton se gjithsesi se është e nevojshme që të vazhdohen projekte e nisura infrastrukturore nga qeveritë e kaluara, pasi që, siç thotë ai, "infrastruktura e përshtatshme rrugore për transport është edhe një kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian". Në buxhetin e këtij viti, top-prioriteti i Qeverisë së Kosovës në përcaktimin e politikave buxhetore ka qenë ndërtimi i autostradave dhe asfaltimi i rrugëve. Nga 2 miliardë euro të planifikuara, 700 milionë euro ishin ndarë për investime kapitale, që ishte rreth 50 për qind më shumë se që ka pasur në vitin 2016. Derisa, sa i përket buxhetit të Kosovës për vitin 2018, ende është në diskutim e sipër në kabinetin qeveritar, pastaj pritet të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Por, nga deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës deri më tani është theksuar se në buxhetin e Kosovës për vitin 2018 vendin kryesor do ta zënë shpenzimet kapitale, si dhe do të reflektohen edhe prioritetet e Qeverisë siç është sundimi i rendit dhe ligjit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hokejisti Ovechkin arriti rekord që nuk është shënuar në 100 vite

Posted: 08 Oct 2017 03:47 AM PDT

Ylli rus i hokejit në akull, Alex Ovechkin, anëtar i klubit, Washington Capitals, është bërë lojtari i parë i Ligës Kombëtare të Hokejit (NHL), që i ka shënuar nga tre gola në dy ndeshjet e para të sezonit, në 100 vjetët e fundit. Mbrëmë Ovechkin i ka shënuar katër gola për ekipin e tij, i cili fitoi me rezultat 6:1, kundër skuadrës, Montreal Canadiens, pasi në ndeshjen e parë të sezonit, kundër klubit Ottawa, i shënoi poashtu tre gola (hat trick), duke i kontribuar fitores së ekipit të tij. Kështu, hokejisti rus u bë lojtari i katërt në NHL që i ka shënuar nga tre gola për ekipin e tij, në dy ndeshjet e para të sezonit. Por, ky është i pari që këtë rekord e arriti në 100 vitet e fundit. Në vitin 1917, tre lojtarët e tjerë kishin arritur që në dy ndeshjet e para të shënonin nga tre gola.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rasti “Monstra”, kthesë pozitive për Gjyqësorin

Posted: 08 Oct 2017 02:30 AM PDT

Kërkesa e Prokurorisë Publike për rishikimin e rastit "Monstra", njoftimet për një vendim të ngjashëm, apo për shpalljen e pafajshme të të dënuarve edhe për rastin "Sopoti", ndërhyrjet e Prokurorisë Speciale në Gjykatën Penale për shkak të dyshimeve për parregullsi dhe shumë procese tjera të nisura, sipas ekspertëve juridikë, japin një fije shpresë për ndonjë një kthesë pozitive në Gjyqësor, në aspekt të vendosjen së tij në binarë normalë, e që ka të bëjë me sundimin e së drejtës. Sipas profesorit të së Drejtës Kushtetuese, Mersim Maksuti, rasti "Monstra" që ta bëjë me kërkesën për rigjykimin apo anulimin e vendimeve me burgim të përjetshëm për gjashtë shqiptarë të dënuar për vrasjen e pesë maqedonaseve, në prill të vitit 2012, pa prova relevante, flet për drejtësinë e kapur nga ish-pushteti, por edhe për sinjalet se Gjyqësori mund të funksionojë mbi parimet e së drejtës, nëse lihet të punojë në bazë të ligjeve, dhe jo ndikimeve politike. "Rasti i fundit, me kërkesën e Prokurorisë për rishikimin apo rigjykimin e rastit 'Monstra', është një sinjal apo kthesë se gjyqësia në Maqedoni po fillon një etapë të re në funksionimin e binarëve të shtetit juridik. Kjo pa dyshim se paraqet shpresë se tashmë gjyqësia dhe Prokuroria po hyjnë në fazën e funksionimit normal për një gjyqësi të pavarur", thotë për Radion Evropa e Lirë profesori Maksuti. Profesori i së Drejtës Penale, Gordan Kalljaxhiev, thotë se Gjykata Supreme e cila duhet ta thotë fjalën përfundimtare lidhur me kërkesën e Prokurorisë nuk duhet të ketë fare dilema, por sa më parë të vërtetojë vendimin e palës së akuzës, për kthimin e lëndës për rigjykim në shkallën e parë. Ai vlerëson se ky proces gjyqësor ishte përplot me lëshime dhe prova që linin dyshime nëse këta persona ishin autorët e vërtetë të krimit. "Ne kishim rastin kur edhe Prokuroria Publike nuk qëndron më pas akuzës, andaj konsideroj se Gjykata Supreme duhet të veprojë me moral. Nëse unë do të isha gjykatës dhe organ i akuzës, nuk do të mundja askënd ta dënoja me burg të përjetshëm përderisa ai që më argumenton akuzën e fajtorëve, nuk është vetë i sigurt, këtu e kam fjalën për Prokurorinë. Nuk kam asnjë dyshim se duhet të ketë rigjykim", thotë profesori Kallajxhiev. Ai thotë se veprimet e tilla, apo ndërhyrjet politike e kanë sjell Gjyqësorin në gjendje të rëndë, ndoshta më të keqen që nga pavarësia e vendit. Rasti "Monstra" së bashku me "Sopotin", vrasjen e Martin Neshkovskit, një protestuesi në një miting të partisë së Gruevskit, VMRO DPMNE, pastaj aksidenti me pasojë vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov dhe rasti i "Lagjes së Trimave", në Kumanovë, vlerësohen si skandalet më të mëdha që e kanë përcjellë qeverinë e kaluar mes VMRO-së dhe BDI-së. Një vendim lirues nga akuza pritet të ketë edhe për rastin "Sopoti" ku dhjetëra banorë ishin dënuar me mbi 150 vjet burg për një bombë të shpërthyer në vitin 2002 në fshatin Sopot të Kumanovës, nga e cila kishin humbur jetën dy ushtarë të NATO-s. Por, nga provat e paraqitura më vonë, madje edhe nga vetë zyrtarë të NATO-s, këta banorë rezultojnë të jenë të pafajshëm. Profesori Mersim Maksuti beson se raste të tilla në të ardhmen nuk do të ndodhin dhe se pushteti aktual, sipas tij, edhe pse me një shumicë të paqëndrueshme, nuk do të tentojë të vërë dorën mbi Gjyqësor. "Ky pushtet nuk ka bazë të fuqishme politike, të stabilitetit politik, në jetëgjatësinë e tij në kuptimin e numrave që përbëjnë qeverinë. Por, pavarësisht kësaj, mendoj se fryma që është krijuar, është ajo që do të sjellë reforma në të gjitha fushat, po pa dyshim se ato në radhë të parë do të vijnë në Gjyqësor", vlerëson Maksuti. Nga qeveria që tani drejtohet nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, kanë thënë se hetime do të ketë edhe për rastet tjera, në veçanti për rastin e Kumanovës të para dy viteve, ku pati 19 viktima dhe dhjetëra të tjetër të plagosur. Qeveria ka miratuar edhe një strategji për reforma në Gjyqësor që për bazë kanë rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Policia: Incidenti në Londër nuk është i ndërlidhur me terror

Posted: 08 Oct 2017 01:51 AM PDT

Policia e Londrës tha se incidenti në të cilin një automobil i ka goditur këmbësorët afër Muzeut Natyror Historik në këtë qytet, nuk ishte i ndërlidhur me terror dhe se aktualisht po trajtohet si aksident i trafikut. Policia tha se 11 vetë janë lënduar nga sulmi i djeshëm, kur vetura kaloi në anën e këmbësorëve afër këtij muzeu, që është njëri nga atraksionet më të njohura turistike. Zyrtarët thanë se një person është arrestuar në vendin e ngjarjes. Shërbimi i ndihmës mjekësore i Londrës tha se shumica e atyre që ishin lënduar janë trajtuar për shkak të lëndimeve në kokë dhe në këmbë. Nëntë prej të lënduarve janë dërguar në spital, megjithqë asnjëri prej tyre nuk konsiderohet se është në rrezik për jetë, kanë thënë zyrtarët. Këtë vit, në qytetet britanike, Londër dhe Mançester, kanë ndodhur disa sulme terroriste, përfshirë edhe ato me makina kundër këmbësorëve në Westminster Bridge dhe London Bridge.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rajoy: Mund të pezullohet autonomia e Katalonjës

Posted: 08 Oct 2017 01:33 AM PDT

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, thotë se qeveria e tij mund t'i shfrytëzojë të drejtat kushtetuese për ta pezulluar autonominë e Katalonjës dhe ta parandaloj këtë rajon nga ndarja prej Spanjës. "Absolutisht nuk përjashtoj asgjë që është brenda ligjit", tha Rajoy në intevistën për gazetën El Pais, të publikuar dje dhe ka shtuar se "do të ishte ideale që të mos ketë nevojë për implementim të zgjidhjeve ekstreme, por që kjo të mos ndodhë, gjërat duhet të ndryshojnë". Mëtutje, ai theksoi se "dëshiroj që kërcënimi për referendum të pavarësisë të tërhiqet sa më shpejtë që është e mundshme". Ai ka shprehur përkushtim se qeveria qendrore do të siguroj se kurrfarë deklarate e pavarësisë së Katalonjës nuk do të jetë fuqiplotë dhe se "nuk do të çonte askund". Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, tha se në rajon do të mbeten 4 mijë policë shtesë, që qeveria i ka dërguar për të siguruar paqe. Autoritetet në Katalonjë thonë se afro 90% e 2.26 milionë njerëzve, që kanë marrë pjesë në referendumin për pavarësi, kanë votuar në favor të ndarjes nga Spanja. Zyrtarët thanë se dalja në referendum ishte 42%, prej 5.34 milionë votuesve të regjistruar në këtë rajon.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Uragani Nate ka arritur në Luizianë

Posted: 08 Oct 2017 01:15 AM PDT

Uragani i kategorisë 1, Nate, ka arrritur në lumin Misisipi, në skajin juglindor të shtetit amerikan, Luiziana. Qendra Kombëtare e Uraganeve ka njoftuar mbrëmë se uragani ishte nisur për një pjesën veriore me shpejtësi prej 140 kilometrash në orë. Përgjatë Bregut të Gjirit të Shteteve të Bashkuara është urdhëruar evakuim. Konsiderohet se uragani nuk pritet ta godasë direkt qytetin, Nju-Orleans. Raportohet se dhjetëra njerëz kanë humbur jetën nga vërshimet e gjëra në Amerikën Qendrore, pasi disa stuhi natyrore vdekjeprurëse i kanë goditur Karaibet, Meksikën dhe pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump thotë se nuk do ta lëvizë ambasadën në Jerusalem

Posted: 08 Oct 2017 12:59 AM PDT

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një interviste televizive tha se tash për tash nuk do ta vazhdoj procesin e përkushtimit të tij për lëvizjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jerusalem. Duke folur mbrëmë në programin televiziv të ish-guvernatorit republikan, Mike Huckabee, presidenti Trump tha se ai nuk do të punojë në planet për lëvizjen e ambasadës, që ishin konsideruar kundërthënëse, derisa të ketë përpjekje të reja për marrëveshjen paqësore ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. "Dëshiroj që kjo të ndodhë para se të mendoj për lëvizjen e ambasadës në Jerusalem", tha Trump gjatë intervistës në rrjetin televiziv, TNB. "Ne do të marrim vendim në një të ardhme jo të largët", tha Trump. Statusi i Jerusalemit është njëra prej çështjeve më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez. Palestinezët e konsiderojnë Jerusalemin si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm. Izraeli e ka aneksuar Jerusalem Lindor dhe e ka shpallur për kryeqytet, por kjo shpallje asnjëherë nuk është pranuar nga komuniteti ndërkombëtar. Shumica e shteteve i kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv. Gjatë fushatës zgjedhore presidenciale të vitit të kaluar, zoti Trump pat shprehur përkushtim për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe për ta lëvizur ambasadën amerikane në këtë qytet. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more