Skip to main content

Tirana Observer: “Këta yje të “Hollywood-it” nuk i keni parë kurrë kaq të thjeshtë” plus 9 more

Tirana Observer: “Këta yje të “Hollywood-it” nuk i keni parë kurrë kaq të thjeshtë” plus 9 more


Këta yje të “Hollywood-it” nuk i keni parë kurrë kaq të thjeshtë

Posted: 14 Aug 2017 09:25 AM PDT

Gjithmonë i përfytyrojmë yjet e Hollivudit duke ngrënë në restorante luksoze apo duke ngarë makinat më të fundit.

Por shumë prej tyre, ndonëse mund të fitojnë miliona prej profesionit, vazhdojnë të ndjekin një jetë të thjeshtë.

Këta yje të Hollivudit nuk i keni imagjinuar kurrë kështu…

Deputetët, ç’ka bajnë…?

Posted: 14 Aug 2017 09:00 AM PDT

Moikom Zeqo

Në vapën apokaliptike të Tiranës duket sikur gjithçka plogështohet, njeriu mezi merr frymë dhe mirëfilli shtjellohet një mërziti e jetës. Mund ta mbiquajmë Sezonin e Vapës, gati si një titull klishe të disa fazave të caktuara kohore, që janë të përsëritshme përherë. Ajo që të shtang dhe të trazon shpirtin është, se Sezona e Vapës, në Shqipëri konceptohet edhe si Sezona e Politikës.

Dhe politika përmbyt dhe zotëron gjithçka. Politika është gati një mitologji ekzistenciale e shqiptarëve. Zgjedhjet e përgjithshme politike përfunduan në 25 qershor të këtij viti. Qeveria që çoi në këto zgjedhje qe një Qeveri Trinitare, domethënë e PS, PD dhe LSI. Vetëkuptohet që zgjedhjet i fitoi PS. Kjo nuk çuditi askënd.

Jemi në mesin e gushtit dhe Qeveria Trinitare jo vetëm nuk është zhbërë por mbijeton dhe është jo vetëm konvencionalisht. Dekorativiteti i saj është ende funksional.

Vetëm në shtator do të arrihet tek qeveria e postzgjedhjeve, tashmë një qeveri e një partie të vetme. Por gati në harkun kohor të 100 ditëve të kësaj Qeverie Trinitare, përveç vapës ka ndodhur dhe një dukuri e tmerrshme: djegia masive e pyjeve. Janë qindra hektarë me dru pyjorë të djegur dhe të shkrumbuar, janë shkatërruar habitate jetike të kafshëve, shpendëve, duke krijuar kështu një mjedis të shkatërruar.

U pa në TV disa avionë që fluturonin, duke hedhur kimikate për shuarjen e zjarrit. Por çuditërisht këto avionë të kujtonin mizat e vetmuara të një sezoni të përshkruar ironikisht dhe me nota kafkiane të Migjenit para gati 80 vjetësh. Vërtet ka ikur gati një shekull, ndërsa moduli kohor i përshkrimit është gati tautologjik.

A mundet vallë të mendojë njeriu i qetë se në trysninë psikike të një ngulçi të ditës por dhe të natës, të mendohet vetëm për mizat, të cilat janë bërë stolia e vetme e qyteteve? Të luftojmë mizat! Ja një devizë grishëse. T'i vrasim mizat, të bëjmë një disifektim tërësor.

Dhe pikërisht një personazh me një emër të çuditshëm Hylli, ndoshta nuk ka asnjë ndryshim nga emri i rëndomtë Ylli, bën një meditim melankolik, por dhe monoton. Hyllit i kujtohet se mësuesi në shkollën e fillores u deklaroi nxënësve se kush mbyt një mizë në pranverë ka mbytur me mijëra miza që do të ishin pjellë nga ajo deri në verë.

Por mizat janë miza.

Hylli shikon si fluturon në tavan një mizë, ëndërron për origjinën e saj, për faktin se ka ardhur nga një zanafillë e kuptueshme, nga një tok plehu, aty afër dhe ndoshta nga plehu në oborrin e një vajze të bukur, që e ka shtëpinë pranë shtëpisë së Hyllit. Atëherë Hylli e shikon me simpati mizën.

Por miza është ambikuide. Një ndjesi kurioziteti nuk të çon asnjëherë në gëzim. Natyra pesimiste e djaloshit të ri revoltohet. Sepse arsyeton është me të vërtetë e tepërme kjo mizë në planin hyjnor, pra të krejt gjenezës biblike. Së paku për hatër të njeriut nervoz mos të krijohej miza. Por kush e dëgjon këtë arsyetim naiv?

Dhe Hylli e demozion arsyetimin e tij. Miza si miza, përzihet në punët e huaja. Nuk tutet. Nuk pyet. Si aeroplan vëzhgues fluturon mbi kafe. Dhe personazhi befas merr trajtat dhe artikulon zërin e një profeti shoqëror: "Po ku janë, xhanëm, kompetentët? Njerëzit, që marrin rroga për mizat ku janë? Deputetët çka bajnë?"

Kjo skicë mund të konsiderohet një element i kronologjisë, apo dhe i biografisë jetësore të Migjenit. Por i shpërthen kufijtë e ngushtë të personales, kapërcen në kohë dhe hapësirë.

Pse dreqin, shkrimtarit në një detyrë modeste, tejet modeste në Mbretërinë Shqiptare të Ahmet Zogut, domethënë me detyrën e mësuesit i kujtohet diçka politike, madje esencialisht dhe substancialisht politike, domethënë, po e përsëris, për të dalë tek deputetët. Dhe pse deputetët duhet të përgjigjen për mizat? Apo vërtetë deputetët përgjigjen për mizat? A kemi këtu një kapërcim logjik? Apo një trill të metaforës migjeniane?

E ç'ishin deputetët e kohës së Migjenit? Kush i kujton emrat e tyre? Shpresoj që as mbreti Zog nuk i dinte të gjithë emrat e deputetëve, madje nuk kishte asnjë interes të vërtetë dhe mbushamendës, të rëndësishëm dhe kuptimor për t'i ditur emrat e deputetëve.

Për shkak të zgjedhjeve politike në rrafshin kushtetues dhe juridik, deputetët janë përfaqësues të popullit, apo sipas shprehjes entuziaste të Zhak Zhak Rusoit janë përfaqësuesit e sovranitetit popullor, të konvertuar përkohësisht me mandate politikë.

Gjatë vapës frymëmbytëse dhe të tmerrshme të kësaj vere, asnjë nga deputetët e porsazgjedhur më 25 qershor nuk foli asnjë fjalë, jo thjesht për mizat, por nuk folën fare për zjarret  dëmsjellëse dhe tragjikë që shkrumbuan vise të tëra shqiptare.

Cili nga deputetët dha diçka, kontribuoi, me një pjesë të pasurisë (dhe dihet që deputetët janë të gjithë të pasur, aq sa mund të thuhet se nëse je i varfër nuk mund të jesh deputet) për shuarjen e zjarreve, pra për ta bërë emergjencë kombëtare një apoteozë të solidaritetit njerëzor, një përndritje të vetëdijes kombëtare, një mrekulli të ëndërruar të qytetarisë, kaq kohë të plogësht dhe të rënë në një heshtje të frikshme.

Por ja që nuk ndodhi kështu.

Po pse nuk ndodhi xhanëm? Ku janë kompetentët? Ah, më duket se po përsëris fjalë të njohura. Por kjo nuk shpjegon asgjë. Kjo  na komplikon më tepër. Kjo gjë na përvëlon nga brenda.

Pa vetëdije nuk mund të jemi dot shqiptarë. Nëse s'jemi tani, mundet të mos jemi dhe më vonë. Ndaj ajo që duket si një përsëritje e rëndomtë e një elementi kriticist të dramës shqiptare, nëse nuk kuptohet plotësisht, nuk mund të shndërrohet në një etikë të së ardhmes. Dhe nëse etika e së ardhmes nuk na bën për vete, normalisht në vend që të qytetërohemi, bëjmë të kundërtën.

Meqenëse mizat janë simbole të përjetshme, meqenëse vapa është ende larg që të zhduket, pra ende do të kemi vapë, do të jetë shumë mirë për të gjithë që të rilexojmë se çka shkruar Migjeni në skicën e tij ku një personazh ndoshta me një emër të shpikur nuk është gjë tjetër veçse edhe moduli i emrave tanë, ku e përgjithshmja është gjithmonë edhe e përveçme.

Dhe ja skica e Migjenit si më poshtë:

NË SEZONËN E MIZAVE

Tashmë është rritë, dhe nuk mundet, si dikur, me nga pas mizave nëpër shtëpi, që t'i mbysi, se kishin me thanë ka dalë mendsh. E kojshitë, kojshitë gojëkëqij mezi që presin me ia qitë bishtin ndokujt. Por kujtohet Hylli, si t'ishte sot, kur mësuesi, në tretën të fillores, u tha nxanësve s kush mbyt një mizë në pranverë, ka mbytë me mijëra miza ,që do t'ishin pjellë nga ajo deri në verë.

E kur nji nga nxansit ma i madhi pyeti a duhet me mbytë miza femen apo mashkull, mësuesi nuk di se si iu ngatërrue gjuha dhe mezi tha cilado qoftë duhej mbytë.

Asaj pranvere, mbas fjalve të mësuesit, gërsitshin tryezat, muret, arkat, kkarigat nga shuplakat e nxansve, të cilët me shtytjen e mësuesit u kishin shpallë luftën mizave. Ne nesrë në shkollë secili tregonte sa armiq ka mbytë, ne ç'mënyrë, me ç'armë.

E Hylli s'kish qenë as ma i miri, as ma i keqi ushtar nd'at luftë të mbytë mizën, por kish thye edhe gotën dhe për at arsye kishte qenë rrahun nga e ama.

Tash Hylli, shtri në një karrige të gjanë me një libër, po shikon kah tavani një mizë që fluturon, dhe mezi përmbahet nga dëshira me kërcye si dikur dhe me e mbytë.

Por shpejt, i çuditun nga vetja me kët mendim vëllavrasje, ngadalë qetsohet.

Ma  miqësisht fillon të mendojë mbi mizën. I ep emin lajmtari i verës, edhe pse lajmtarin e pranverës ende s'e ka pamun. Pse tash ma s'e interesojnë ato gjana. Dallëndysha, punë andrrash!

Prej kah ka ardhë kjo mizë? Do të ketë ndoj pleh këtej afër. Dhe kujtohet si n'oborr të kojshies së bukur rastësisht ka pa plehin.

Domethanë, se miza qenka nga shtëpia e kojshies së bukur.

Filloi Hylli me simpati ta shikojë mizën. Nisi të admirojë në fluturimin e saj tërthuer nën tavan. Miza, plehi, kojshia e bukur në një mbasdreke pranverore tinglluen në një rapsodi – në rapsodin e jetës donë qytetare në një mbasdreke maji.

Por miza nuk mbeti në naltësinë e vet të zakonshme, por filloi të zbresi dalngadal ndër sferat ma t'ulta të dhomës. Hylli u frigsue mos t'i mbytet në kafe, që tash ia sollën.

I shkoi një rrënqethme neverie nëpër gurmaz, kur mendoi se me kafe mund të kapërdijë dhe mizën e mbytun. Natyra e tij pesimiste revoltohet.

Me të vërtetë, asht e tepërme kjo mizë në planin hyjnuer, – mendonte.

Shegertat pa punë dhe nxansit nëpër shtëpia kishin gjetë ndoj punë tjetër, po mos t'ishin këto miza.

Por si tha Shopenhaueri gëzimi asht vetë pushimi i shuar i dhimbjes, e cila shpejt do të vazhdojë.

S'paku, për hatër të njeriut nervoz mos t'u krijonte miza.

Se sa e sa miza tjera ka jeta e njeriut! edhe çfarë mizash! Si ato të kalit, të cilat, kur të ngjiten, s'të hiqen pa paravesh (ma mirë me thanë mbrapavesh).

Miza si miza, përzihet në punët e huaja dhe don ta bajt të vetën. Si aeroplan vëzhgues, fluturonte mbi kafe.

Po ku janë, xhanëm, kompetentët? Njerëzit që marrin rroga për miza ku janë? Deputetët çka bajnë?

Miza u banë stolia e vetme e qyteteve tona! I Hueji me të vërtet ka çka të shofi… dhe kështu, në mendim e sipër, Hylli bahej nervoz pa dashje, ban një lëvizje të shpejtë dore kah miza, e çel grushtin, por s'e kish xanë; edhe një herë fap…

 Kur qe në derë të dhomës, ia bef dikur shok lufte me miza e sot kolegu universitar.

– Çka po ban, Hyll? Po xen miza-a?

– Asgja… Veç po mendoj se sa kot po jetojmë,- u përgjegj Hylli si gjithmonë.

 

*****

Migjeni citon një shprehje të Shopenhauerit. Nuk është hera e parë dhe e fundit që e bën një gjë të tillë. Në një tjetër shkrim të Migjenit, konkretisht një letër dërguar mikut të tij Teufik Gjylit, Migjeni përsëri përplaset por dhe artikulon emrin e Shopenhauerit.

Konkretisht Migjeni shprehet se ka mendime të idhëta që e therin ndër ndjenja dhe e pezmatojnë, por ai shënon:

"Do t'u thuesh, T, se jam pesimist i pashërueshëm, se më ka tërheq Shopenhaueri me stilin e vet të bukur… Jo! – Admiroj stilin e Shopenhauerit, por ndjenjat dhe mendimet e tij, për veten teme janë vetëm fusha ku lexuesi mundet me shijue gjithë atë bukuri stili, pra, nuk jam Shopenhauerist – pesimist nuk jam, se besoj në një fuqi të njeriut, besoj në Mbinjeriun! (tue mendue kështu, në vesh më tingëllojnë fjalët e dikujt: "Besimi yt të shpëtoi!"). po pate dhe ti këso mendimesh, po të rekomandoj kët besim, ma modern dhe ma të përshtatshëm të kohës së soçme – besimin në Mbinjeriun!… Pse nuk jam një Pontefiks Maximus, një Papë, ose një Patrik, të hudhi mallkimin e plotë, t' anatemizoj sëmundjen epidemike bashkë me shkaktarin e saj?… Përqark, natyra me gjelbërim, më ngjan si një konketë e bordellit, e veshun në një dekolte pikante. Liqeni me përralla të marrë të "Njëmijë e një natës", malet me një heshtje qesharake, e mbi këto dielli i vjetër, dielli i njëmijë, pesëmijë, dhjetëmijë, e kush di sa vjet mot?… Përqrk, natyra me gjelbërim, më ngjan si një koketë e bordellit, e veshun në një dekolte pikante. Liqeni me përralla të marrë të "Njëmijë e një natës", malet me një heshtje qesharake, e mbi këto dielli i vjetër, dielli i njëmijë, pesëmijë, dhjetëmijë, e kush di sa vjet motçëm. Jo, jo, diell, nuk pajtohem me ty, nuk pajtohem me të qeshurin tand ironik që ta ka ndy fytyrën! T, e vetmja dëshirë që ushqej tashti, asht dëshira me ju ngërdhesh, me iu dëftue gjuhën këtij dielli, që aq indiferent perëndon prapa maleve."

Po pse Migjeni e përcjell emrin e Shopenhauerit? Ai padyshim që e ka lexuar Shopenhauerin. Siç ka lexuar dhe Niçen. Midis pesimizmit të Shopenhauerit Migjeni parapëlqen besimin për të ndryshuar, atë që Niçja e quante ripërtëritjen e kohërave. Migjeni mbase poetikisht e kupton idenë e Mbinjeriut.

Ai ka bërë dhe një poezi, që e mbiquan si Dithirambë Niçeane, pikërisht për Mbinjeriun. Por duke qenë i ndërgjegjshëm se tekstet e tij një ditë do të gjykohen nga lexuesit e së ardhmes, Migjeni nuk ngurron të thotë se nuk është ithtar i Shopenhauerit.

Të admirosh stilin e një filozofi nuk do të thotë se identifikohesh me filozofinë e tij. Kjo është mjaft e qartë.

Shopenhaueri (1788-1860) është një filozof i shquar, midis Kantit dhe Hegelit, jo jashtë traditës akademike, ka kulturë të gjerë dhe është shumë i interesuar në art dhe në epikë. Ai është i çliruar në mënyrë jo të zakontë prej nacionalizmit gjerman, dhe është shumë familjar me shkrimtarët anglezë dhe francezë, por dhe të vendit të tij.

Apeli i tij ka qenë gjithmonë më pak për filozofët profesionistë, sesa për artistët dhe letrarët në kërkim të një filozofie që ata do të mund të besonin. Sipas Bertrand Rasellit, Shopenhaueri thekson Vullnetin që është karakteristik për shumicën e filozofisë të shekullit XIX dhe XX, për Shopenhauerin Vullneti ndonëse metafizikisht thelbësor, është i keq në pikëpamje etike, pra një opozitë e mundshme vetëm për një njeri pesimist dhe skeptik.

Shopenhaueri njeh vetëm tre burime të filozofisë, Kantin (që u përpoq më kot ta imitonte), Platonin dhe Upanishadat, ndërsa e ironizon krishterimin. Ishte stilist i madh por gjykimi i tij qe më shumë kulturor dhe letrar sidomos në vitet 30 të shekullit XX.

Migjeni është në sferën e këtij ndikimi, por vetëkuptohet e klasifikon vetveten më tepër si niçean. I pakënaqur nga historia e njerëzimit Migjeni mendon se zgjidhja krijimin e Mbinjeriut në kohërat e sotme të postmodernizmit krijimi i Mbinjeriut është si krijimi i Mutantëve, ose Robotëve Kibernetikë, të një Universi Cyberian, që na paraqitet shpesh në filmat e Hollivudit.

Kjo përfaqëson në të vërtetë krizën e zgjidhjes historike, më tepër flet për një utopi, se sa një mundësi të brendshme dhe të shëndetshme të vetë historisë. Por më saktë Migjeni duhet klasifikuar jo aq nga vetvetja e tij.

Teksti i tij i jashtëzakonshëm "Novelë mbi krizë", Migjeni përfytyron Shtetin X, ku njerëzit e kanë zgjidhur  çështjen e papunësisë dhe zhdukjen e krizave vetëm sipas një utopie ,që njerëzit duke mos bërë asnjë punë, vetëm duke shijuar bukurinë e skulpturave që pasqyrojnë dashurinë  gjithë botës dhe universit, pra të një varianti tjetër optimistik në raport me raportin e llahtarshëm të Oruellit që sot është më efikas me simbolin e zymtë të Big Brother.

Ideja e Niçes se vetëm bukuria e artit do të jetë shpëtimi i botës në fakt ironizohet dhe hidhet poshtë nga Migjeni nëpërmjet skicës së tij gjeniale. Nëse kalojmë natyrshëm, të futur brenda kallëpit të kohës sonë, tek problemet morale dhe politike të ditës, të gjithë ne kush në thelb dhe kush në sipërfaqe, mund të kuptojmë se tharmi tragjik i ekzistencës sonë nuk i takon vetëm politikës, politika është një aktrim.

Prandaj të tëra meditimet për një Disiplinë të Re, atë të Mizalogjisë, do të kishin një rrethanë të dobishme, do të ishin ftesa të çuditshme dhe të befta të emancipimit tonë historik dhe të së ardhmes.

Receta e Henry Kissinger: Si duhet të zgjidhet kriza e Koresë së Veriut

Posted: 14 Aug 2017 08:45 AM PDT

Nga Henry A. Kissinger

Për më shumë se 30 vjet, përgjigja e botës ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut, ka kombinuar dënimin me zvarritjen. Sjellja kokëkrisur e Phenianit është qortuar. Janë lëshuar paralajmërime se evolucioni i tij drejt armatimit, do të jetë i papranueshëm. Megjithatë, programi i tij bërthamor vetëm sa është përshpejtuar.

Rezoluta e sanksioneve e 5 gushtit, miratuar njëzëri nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shënoi një hap të madh përpara. Megjithatë, një objektiv i miratuar nga të gjithë mbetet të vendoset. Por suksesi i Koresë së Veriut në testimin e një prototipi rakete balistike interkontinentale, eliminon hapësirën për ekuivok të mëtejshëm. Nëse Kim Jong Un e vazhdon programin bërthamor, edhe përkundër kundërshtimit të Kinës dhe SHBA, si dhe një rezolute unanime të Këshillit të Sigurimit, ai do të ndryshojë marrëdhënien gjeostrategjike midis aktorëve kryesorë. Nëse Pheniani zhvillon një kapacitet të plotë bërthamor, ndërkohë që bota dridhet, ai do të zvogëlojë seriozisht kredibilitetin e ombrellës bërthamore amerikane në Azi, veçanërisht për aleatët tanë në Tokio dhe Seul.

Henry A. Kissinger

Sfida afatgjatë shkon përtej kërcënimit ndaj territorit amerikan, deri në perspektivën e kaosit bërthamor. Një arsenal operacional raketash interkontinentale i Koresë së Veriut është ende larg në kohë, po të kemi parasysh nevojën për të miniaturizuar kokat me mbushje, montimin e tyre tek raketat dhe prodhimin e tyre në numra të mëdhenj. Por vendet e Azisë janë tashmë të kërcënuara nga raketat ekzistuese të Koresë së Veriut, me rreze të të shkurtër dhe të mesme. Ndërsa këto kërcënime akumulohen, nxitja për vende si Vietnami, Koreja e Jugut dhe Japonia për t'u mbrojtur me armët e tyre bërthamore do të rritet në mënyrë dramatike – një kthesë ogurzezë për rajonin dhe botën. Zhbërja e progresit që Pheniani ka bërë tashmë, është po aq e rëndësishme sa parandalimi i avancimit të mëtejshëm të tij.

Diplomacia amerikane, ashtu si edhe ajo multilaterale në Korenë e Veriut ka qenë e pasuksesshme, për shkak të pamundësisë për të bashkuar objektivat kryesore të aktorëve kyçë – veçanërisht ato të Kinës dhe SHBA – në një konsensus operacional. Kërkesat amerikane për t'i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut kanë rezultuar të pavlefshme. Udhëheqësit e SHBA, duke përfshirë edhe ushtrinë, kanë ngurruar të përdorin forcën; Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis e ka përshkruar perspektivën e një lufte me Korenë si "katastrofike". Mijëra tuba të artilerisë të vendosura brenda zonës së kryeqytetit të Koresë së Jugut, tregojnë strategjinë e Phenianit për të mbajtur peng popullsinë 30-milionëshe të Seulit.

Veprimi ushtarak parandalues i njëanshëm nga SHBA, do të përfshinte një rrezik konflikti me Kinën. Pekini, edhe pse përkohësisht pranoi, nuk do t'i qëndronte gjatë një strategjie amerikane për të përcaktuar vetë atë që do të ndodhë, në skajin e tokës kineze, siç e tregoi ndërhyrja amerikane Luftën Koreane të viteve 1950. Përdorimi i forcës ushtarake duhet të analizohet me kujdes, dhe fjalori duhet të përmbahet. Por ajo nuk mund të përjashtohet.

Konsiderata si këto kanë sjellë përpjekjet e administratës për të futur edhe Kinën, në një përpjekje diplomatike për të shtyrë Korenë drejt denuklearizimit. Këto përpjekje deri më tani kanë pasur vetëm sukses të pjesshëm. Kina ndan shqetësimin amerikan lidhur me përhapjen bërthamore. Në fakt është vendi më i prekur menjëherë prej saj. Por, ndërsa Amerika ka qenë e qartë për qëllimin, ajo ka qenë më pak e gatshme të përballet me pasojat politike. Duke pasur parasysh shpërndarjen e madhe dhe joproporcionale të burimeve kombëtare të Koresë së Veriut në programin e saj të armëve bërthamore, braktisja ose zvogëlimi thelbësor i saj do të prodhonte një përmbysje politike, ndoshta edhe ndryshim të regjimit.

Kina me siguri e kupton këtë. Prandaj, një nga ngjarjet më të spikatura të diplomacisë aktuale është mbështetja e Pekinit në parim, për denuklearizimin e Koresë së Veriut. Në të njëjtën kohë, perspektiva e shpërbërjes ose kaosit në Korenë e Veriut ngjall të paktën dy shqetësime të mëdha në Kinë. I pari ka të bëjë me efektet politike dhe sociale të një krize të brendshme të Koresë së Veriut brenda vetë Kinës, duke risjelë në skenë ngjarje të njohura nga mijëvjeçarë të tërë të historisë kineze. I dyti përfshin sigurinë në Azinë Verilindore. Nxitja e Kinës për të ndihmuar zbatimin e denuklearizimit, do të jetë që të imponojë kufizime të krahasueshme në të gjithë Korenë. Sigurisht, Koreja e Jugut nuk ka ndonjë program bërthamor të dukshëm ose plane të shpallura për të, por një përplasje ndërkombëtare është çështje tjetër.

Kina do të ketë gjithashtu një rol në evolucionin politik të Koresë së Veriut pas denuklearizimit, qoftë një zgjidhje me dy shtete apo një ribashkim, si dhe në kufizimet për vendosjen e trupave ushtarake në Korenë e Veriut. Deri më tani, administrata i ka kërkuar Kinës që të bëjë presion mbi Korenë e Veriut, si një lloj nënkontraktori, për të arritur objektivat amerikane. Qasja më e mirë – ndoshta e vetjam e mundshme – është të bashkojë të dy përpjekjet dhe të zhvillojë një qëndrim të përbashkët, të ndjekur bashkërisht me vendet e tjera të përfshira.

Deklaratat që e përcaktojnë objektivin e SHBA, si atë të afrimit të Koresë së Veriut në tryezën e negociatave reflektojnë supozimin se negociatat janë objektivi i tyre, duke vepruar pra sipas vrullit të tyre, të ndara nga presionet që i bënë të mundura ato dhe që nevojiten për t'i vazhduar. Por diplomacia amerikane, në fund do të gjykohet nga rezultati dhe jo nga procesi. Garancitë e përsëritura se SHBA nuk kërkon avantazh të njëanshëm nuk janë të mjaftueshme për vendet që mendojnë se struktura e sigurisë aziatike është në rrezik.

Atëherë cilat palë duhet të negociojnë, dhe për çfarë? Një kuptim mes Uashingtonit dhe Pekinit është parakusht thelbësor për denuklearizimin e Koresë. Për shkak të një evoluimi ironik, në këtë fazë Kina mund të ketë një interes më të madh se sa SHBA, në pengimin e nuklearizimit të Azisë. Pekini ka riskun e përkeqësimit të marrëdhënieve me Amerikën, nëse fajësohet se nuk ka ushtryar presion të mjaftueshëm ndaj Phenianit. Duke qenë se denuklearizimi kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm, ai nuk mund të arrihet me presion ekonomik. Ai kërkon një mirëkuptim themelor Kinë-SHBA për atë që do të ndodhë më pas, sidomos për evolucionin politik të Koresë së Veriut dhe kufizimet për dërgime trupash në territorin e saj. Një mirëkuptim i tillë nuk duhet të ndryshojë marrëdhëniet aktuale të aleancave.

Sado paradoksale mund të duket në dritën e një historie gjysmëshekullore, një mirëkuptim i till është ndoshta mënyra më e mirë për të dalë nga qorrsokaku korean. Një deklaratë e përbashkët e objektivave dhe veprimeve dhe veprimeve që do të kryhen, do të sjellë izolimin e Phenianit dhe ofrojë një bazë për garancinë ndërkombëtare, që është thelbësore për të ruajtur rezultatin.

Seuli dhe Tokio duhet të luajnë një rol kyç në këtë proces. Asnjë vend nuk është më i përfshirë në mënyrë organike, sesa Koreja e Jugut. Duhet të ketë, prej gjeografisë dhe marrëdhënies së aleancave, një zë vendimtar në rezultatin politik. Do të ishte më drejtpërdrejtë e prekur nga një zgjidhje diplomatike dhe më e rrezikuar nga kontigjencat ushtarake. Është një gjë që udhëheqësit amerikanë dhe të tjerë të shpallin se nuk do të përfitonin nga denuklearizimi i Koresë së Veriut. Seuli duhet të këmbëngulë në një koncept më gjithëpërfshirës dhe formal.

Ngjashëm, historia e Japonisë ka qenë e lidhur me Korenë për mijëvjeçarë të tërë. Koncepti i sigurisë së Tokios nuk do të tolerojë për një kohë të pacaktuar, një Kore bërthamore, pa ngritur një aftësi bërthamore të vetën. Vlerësimi prej Japonisë i aleancës me amerikanët, do të ndikohet më së shumti nga shkalla në të cilën administrata e SHBA merr në konsideratë shqetësimet japoneze për krizën.

Rruga alternative e një negociimi të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara me Phenianin, i tundon disa. Por kjo do të na linte një partner, që mund të ketë vetëm një interes minimal për zbatimin dhe një interes maksimal për të vënë Kinën dhe SHBA kundër njëra-tjetrës. Një mirëkuptim me Kinën është i nevojshëm për presion maksimal dhe garanci të realizueshme. Në vend të kësaj, Pheniani mund të përfaqësohet më së miri, në një konferencë ndërkombëtare kulmore.

Ka pasur sugjerime se një ngrirje e testimeve, mund të sigurojë një zgjidhje të përkohshme që çon me kalimin e kohës drejt një denuklearizimi. Kjo do të përsëriste gabimin e marrëveshjes iraniane: kërkimin e zgjidhjes së një problemi gjeostrategjik, duke u kufizuar vetëm në anën teknike. Do të ofronte pretekste të pafundme për zvarritje, ndërsa do të përcaktohej ç'do me thënë "ngrirje" dhe zhvilloheshin mekanizmat e inspektimit.

Pheniani nuk duhet të lihet me përshtypjen se mund të shkëmbejë kohë me procedura dhe të fshehë qëllimin mes taktikave, si një mënyrë për të ngecur, e si pasojë, përmbushur aspiratat e veta të kahershme. Një proces negociatash mund t'ia vlejë të konsiderohet, por vetëm nëse redukton në mënyrë thelbësore kapacitetet bërthamore të Koresë së Veriut si dhe programin e saj kërkimor, në një të ardhme të afërt.

Një Kore e Veriut që ruan një kapacitet të përkohshëm armësh, do të institucionalizonte rreziqe të përhershme:

* që Pheniani i varfër të shesë teknologji bërthamore;

* që përpjekjet amerikane mund të perceptohen si të përqëndruara në mbrojtjen e territorit të vet, ndërkohë që lë pjesën tjetër të Azisë të ekspozuar ndaj shantazhit bërthamor;

* që vende të tjera mund të ndjekin programe bërthamore kundër Phenianit, njëri-tjetrit apo me kalimin e kohës, SHBA;

* që irritimi me rezultatin të marrë formën e konfliktit me Kinën;

* që përhapja bërthamore të përshpejtohet në rajone të tjera;

* që debati i brendshëm në SHBA të bëhet më përçarës.

Progresi thelbësor drejt denuklearizimit – dhe arritja e tij në një periudhë të shkurtër – është kursi më i matur. / The Wall Street Journal – Bota.al

Kina synon Fiat, BE merr masa për të frenuar blerjet kineze

Posted: 14 Aug 2017 08:30 AM PDT

Aksionet e kompanisë italo-amerikane të makinave, Fiat Chrysler Automobiles u rritën sot në bursa me 4%, duke i kaluar 10 euro për aksion, pas lajmeve se kompani kineze kanë interes ta blejnë atë.

Sipas lajmit të publikuar në «Automotive News», «të paktën një ofertë është prezantuar këtë muaj nga një sipërmarrje kineze, që gjithsesi është refuzuar nga Fca, pasi nuk është vlerësuar e mjaftueshme. Ndërkohë, shkruan ilsole24, grupe të tjera të rëndësishme kineze në sektorin e automjeteve po shqyrtojnë raportet e kompanisë, me objektiv blerjen e mundshme të Fca. Automotive News nuk identifikon grupet e interesuara por lë të nënkuptohet se disa nga kandidatët janë Dong Feng Motor, Zhejiang Geely e Guangzhou, partneri aktual i Fca në një sipërmarrje të përbashkët në Kinë.

Një shitje e mundshme do të përfshinte Jeep e Ram, Dodge, Chrysler e Fiat, duke lënë jashtë Maserati dhe Alfa Romeo.

Ndërkohë, në lajme të tjera referohet se Brukseli do të shtrëngojë kushtet për blerjen e kompanive të europiane nga të huaj, pasi kërkon të adresojë shqetësimet e shtuara rreth vërshimit të investimeve kineze në sektorët e infrastrukturës, energjisë dhe përpunimit me teknologji të lartë.

Financial Times shkruan se Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian do të njoftojë këto masa gjatë një fjale që do të adresojë në shtator, duke vijuar me të njëjtën linjë si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas burimeve nga njerëz që janë të afërt me këtë çështje.

Kjo çështje është ngritur në axhendën politike të BE-së, për shkak të frikës gjithnjë e në rritje se Kina mund të përfitojë një avantazh teknologjik, duke blerë njohuri europiane, duke kufizuar nga ana tjetër rolin e BE-në në tregun e brendshëm.

SHBA-të kanë filluar ndërkohë një hetim për të drejtat e pronësisë intelektuale, veprimi i parë kundër Kinës nën administratën e Trump, pikërisht për shkak të shqetësimeve të ngjashme.

Aktualisht, vetëm 13 e 28 vendeve të BE-së kanë sisteme formale për të skanuar blerjet dhe investimet e tjera, në mënyrë që të vlerësojë nëse ato përbëjnë një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare ose politikave publike.

Sipas një raporti nga Mercator Institute for China Studies dhe Rhodium Group, investimet e huaja kineze drejt BE-së arritën në rreth 35 miliardë euro në 2016, një rritje me më shumë se dy të tretat në krahasim me vitin e mëparshëm.

INSTAT: Ulet TVSH-ja, por fitojnë hotelet

Posted: 14 Aug 2017 08:20 AM PDT

Ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për sektorin e turizmit nuk solli çmime më të lira për qytetarët.

Përfundimi konfirmohet nga Instituti i Statistikave.

Ulja e TVSH-së për fjetjen ka hyrë në fuqi që nga 1 qershori i këtij viti.

Në dy muajt e fundit, pra qershor dhe korrik, Tatimet kanë zbatuar taksën e reduktuar, ndaj dhe hotelet në vend të taksës 20 për qind që paguanin më parë, kanë paguar vetëm 6 për qind.

Por sipas Institutit të Statistikave, pavarësisht uljes me 3 herë të taksave, çmimet e fjetjes në hotele mbetën të pandryshuara, si në qershor, ashtu dhe në korrik.

Ulja me 14 pikë përqindjeje e TVSH-së duhej të kishte sjellë rënien në të njëjtën masë të çmimeve, që qytetarët dhe turistët paguajnë për të fjetur në hotel.

Për një hotel, i cili kushton 50 euro në natë, çmimi duhej të ishte ulur me 7 euro. Por kjo nuk ka ndodhur, pasi ulja e taksës është mbajtur e gjitha si fitim nga pronarët e hoteleve dhe njësive të tjera akomoduese.

Shoqata shqiptare e Turizmit dhe ajo e Hotelierëve lobuan fort për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Sipas tyre, TVSH-ja 20% mbante të larta kostot e hoteleve në Shqipëri, duke e vënë industrinë e turizmit në disavantazh me vendet e tjera të rajonit, që kanë TVSH më të ulët.

Por siç tregojnë shifrat e INSTAT-it, ulja e taksës nuk është përdorur për të ulur kostot e fjetjes në hotel, që turizmi shqiptar të jetë më konkurrues, por është mbajtur si fitim shtesë nga pronarët e hoteleve.

Madje, një kontroll i Tatimeve gjatë muajit të fundit ka gjetur se, gati gjysma e bizneseve të turizmit, veçanërisht hotelet dhe restorantet janë në informalitet dhe, ndonëse i mbledhin taksat nga qytetarët, nuk i derdhin ato në buxhet./tch

Dybala: Dua të qëndroj përgjithmonë te Juventusi

Posted: 14 Aug 2017 08:14 AM PDT

Ai ishte i vetmi "vend" i ndritshëm i mbrëmjes për Juventusin, që humbi finalen e Superkupës së Italisë ndaj Lazios.

Paulo Dybala ishte sadopak gëzim për një mbrëmje të hidhur për tifozët bardhezinj.

Një e shtënë e përsosur, një penallti e ekzekutuar qetësisht prej tij mund të ndryshonin fatin e Superkupës, por bardhekaltrit kryeqytetas u shfaqën më kërkues dhe grintozë.

"La Joya" pas ndeshjes foli si një lider i vërtetë, duke hedhur poshtë çdo sugjerim lamtumire: "Unë nuk mendoj se ekipet e tjera janë si Juventusi. Kam folur me klubin dhe tifozët, kam shprehur idetë e mia. Unë jam shumë i lumtur këtu. Kam rinovuar tre muaj më parë, klubi më pyeti për të marrë numrin 10, jam menduar për dy ditë dhe pse të mos e pranoja. Unë dua të rritem këtu. Nëse presidenti dëshiron të qëndroj, më ka këtu përgjithmonë."

7 drejtorë të PS kallzojnë penalisht ministren e PD-së: Ka dhunuar punonjësit

Posted: 14 Aug 2017 07:48 AM PDT

Ministrja Mirela Karabina është kallëzuar sot nga shtatë drejtorë të Ministrisë së Arsimit.

Kallëzimi penal është bërë për shpërdorim detyre, me pretendimin se ka intimiduar stafin e MAS.

Në një deklaratë për mediat, Vladimir Gjoni, drejtor i Sporteve në MAS tha se ka pasur dhunë fizike ndaj punonjësve të këtij institucioni.

Mes të tjera ai tha se Karabina ka ushtruar stres në të gjithë institucionin.

"Mirela Karabina ka intimiduar stafin e MAS.

Ka pasur dhunë fizike ndaj punonjësve të MAS si dhe ministrja ka ushtruar stres në të gjithë institucionin.

Po ashtu është penguar puna pasi ka pasur stres në gjithë ministrinë.

Janë shumë çështje që janë shpërdoruar. Janë përmendur në kallëzimin penal.

Do i merrni vesh të gjitha. Edhe për dhunë ka kallëzim", tha Gjoni.

Doracak rregullash bashkëjetese publike

Posted: 14 Aug 2017 07:32 AM PDT

Nga Ledi Shamku

1- Karriget e klubit nuk shtyhen e as tërhiqen zvarrë për (si fillim) më shumë se gjysëm metri

2- Mqs nuk ia ulni dot piskamën të qeshurës në grup, provoni së paku ta bëni në arpezh e jo në akord, se na hyn në rezonancë me kapakun e kresë.

3- Kur qeshni, provoni të përplasni njehere duart e pastaj kembët, jo njëkohësisht të dyja.

4- Gromësimat (e të tjera veprime të gazta), njelloj si duhani, lejohen vetëm në mjedis të hapur.

5- Prodhimi i saçmeve për gjueti derrash është e mira të kryhet në mjediset tuaja private, jo në hapësirat dëfryese publike.

6- Prindërit janë të lutur që, në hapësirat publike, të mjaftohen (të paktën!) me një shkulje të lehtë veshi a floku si prelud, dhe pjesën tjetër të dramës me zeka dhe dacka mbi kalamajtë ta ushtrojë sekushi në kasollen e vet.

7- Bisedat në celularë nuk janë kolektive, apo ndryshe: mua nuk më rref fare a ju gadit makina Visit apo ku ja la dikush çelsin Marvit.

8- Shijet muzikore të kamarierit nuk janë në përpjestim të drejtë me volumin e muzikës së barit. Kamarieri është i lutur të mos jetë edhe DeeJay.

Kaq si fillim, sa për t'u larguar pak nga Zoo-kopshti.

Ronaldo dënohet me 5 ndeshje pezullim

Posted: 14 Aug 2017 07:13 AM PDT

Cristiano Ronaldo është dënuar me 5 ndeshje pas kartonit të marrë të kuq në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Barcelonës në "Camp Nou" ku madrilenët fituan 1-3.

Ylli portugez është dënuar e një ndeshje për kartonin e dytë të verdhë të marrë dhe katër për shtyrjen ndaj gjyqtarit Burgos Bengoechea.

Ramos dhe Zidane deklaruan sot se do të apelonin dënimin e sulmuesit luzitan.

Cristiano Ronaldo rrezikonte që të dënohej edhe me 12 ndeshje, sepse shtyu arbitrin pasi u ndëshkua me karton të kuq.

Vetëm 2 minuta pasi shënoi gol, ylli portugez u nxorr nga loja, e kjo e acaroi së tepërmi atë.

Neni 96 i rregullores në federatën spanjolle thotë se shtyrja e një zyrtari dënohet nga 4 deri në 12 sfida.

 

Koha për të blerë online, dollari në Shqipëri arrin nivelin më të ulët të tre viteve

Posted: 14 Aug 2017 07:03 AM PDT

Dollari ka shënuar sot nivelin më të ulët të këmbimit ndaj monedhës vendase, që nga nëntori i vitit 2014. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye sot me 112.2 lekë, duke rënë me 0.47 lekë në raport me një ditë më parë. Në fillim të vitit dollari këmbehej në tregun vendas me 129.7 lekë, rreth 17.5 lekë më shumë.

Rënia e dollarit lidhet kryesisht me zhvlerësimin e tij në tregjet ndërkombëtare, por edhe me faktin që euro në tregun vendas vijon të mbetet e dobët, pavarësisht se ajo po vlerësohet në bursat ndërkombëtare, duke tërhequr poshtë edhe dollarin.

Gjatë ditës së sotme, një euro u këmbye në bursat ndërkombëtare me gati 1.18 dollarë, nga gati 1.06 dollarë, që ishte në fillim të këtij viti.

Por, ndonëse Euro në tregjet ndërkombëtare ka arritur nivelet më të larta që nga tetori 2014-ës, në tregun shqiptar është afër niveleve më të ulëta në gati 9 vjet. Sot, një euro blihej me 132.51 lekë, me një rritje prej 0.06 lekë në raport me një ditë më parë. Euro në tregun vendas është në nivele më të ulëta edhe se dhjetori 2016, kur monedha e përbashkët në bursa zbriti në 1.045 USd (në dhjetor euro këmbehej me rreth 135 lekë).

Pikërisht kjo dobësi e euros në tregun vendas ka bërë që edhe dollari të zhvlerësohet, në mënyrë që të ruhen raportet e kryqëzuara në bursa (p.sh. aktualisht 132.52/112.23=1.18, ndërsa në 20 dhjetor 134.98/ 129.21=1.045).

Zhvlerësimi i monedhës së gjelbër favorizon të gjithë ata që blerjet e tyre i bëjnë kryesisht online. Faqet kryesore të tregtimit online përdorin dollarin si monedhë kryesore të këmbimit. Për 100 dollarë blerje online, sot do t'ju kushtojnë 1,750 lekë më pak se në fillim të këtij viti.

Blerjet online në dollarë kanë qenë veçanërisht të preferuara nga shqiptarët në periudhën 2008-2009, kur dollari zbriti në rreth 80-90 lekë, por më pas ai u forcua, për të arritur në rreth 130 lekë në 2015-2016, duke mos qenë më aq i leverdisshëm.

Victoria's Secret dhe të tjera ku mund të blihet me dollarë, si Alibaba Express dhe Ebay, janë në më të preferuarat e rinjve shqiptarë për blerjet online. Vajzat bëhen në grupe dhe pasi "gjuajnë" kur janë uljet më të mëdha porositin online veshjet apo aksesorë të tjerë, duke i paguar me kartë krediti, që më pas u vinë tek dera me postë.

Edhe në euro blerjet janë gjithashtu më të lira, teksa në nivelin e 133 lekëve, euro është më e lirë se disa vite më parë, kur këmbehej me 140 lekë. Por kursimi më i lartë mbetet me dollarin, teksa për 100 euro blerje, kursimi sot është vetëm 700 lekë.

Rënia e dollarit dhe euros kanë amortizuar disi rritjen e kostos së blerjeve online nga taksimi, teksa nga gushti 2016, të gjitha blerjet mbi 22 euro paguajnë taksë doganore dhe TVSH. (20% TVSH 2.4% taksë doganore).

Ky veprim, sipas financave, u bë për të shmangur në konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import./Monitor

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more