Skip to main content

“Maduro synon rritjen e pushtetit, pas paralajmërimeve të Trumpit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Maduro synon rritjen e pushtetit, pas paralajmërimeve të Trumpit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Maduro synon rritjen e pushtetit, pas paralajmërimeve të Trumpit

Posted: 14 Aug 2017 09:27 AM PDT

Derisa nënpresidenti amerikan, Mike Pence, është duke vizituar Amerikën Latine, me synimin e uljes së tensioneve, pas kërcënimeve të shefit të tij, presidentit Donald Trump, për mundësi të aksionit ushtarak në Venezuelë, lideri i këtij vendi, Nicolas Maduro, ka tentuar të rrisë pushtetin e tij, duke mbajtur një protestë "anti-imperialiste". Marshi ka nisur gjatë ditës së sotme, dhe ishte pritur të përfundonte në pallatin presidencial, ku Maduro do ta mbante një fjalim para protestuesve, derisa nënpresidenti Pence, është duke vazhduar vizitën në këtë rajon, i cili ka nisur në Komumbi, gjatë ditës së diel. Në Kartagjenë, Pence ka thënë se administrata e SHBA-së, është e bindur se mund të gjendet një zgjidhje paqësore në Venezuelë. Në këtë vend kanë vdekur më shumë se 120 persona, në protestat kundër Maduros, që nga muaji prill. Maduro në anën tjetër ka thënë se vendi duhet të jetë i bashkuar në frymën socialiste, në mënyrë që të mbrohet nga ndërhyrja e SHBA-së, e cila sipas tij ka qëllim pushtimin e burimeve të naftës në këtë vend. Marshi ka nisur në sheshin kryesor, derisa mijëra protestues, kanë thirrur, "Venezuela dhe Amerika Latine kundër perandorisë!". Muajin e kaluar, Venezuela, e zgjedhur një asamble, e cilaka mandat të rishkrimit të kushtetutës, ashtu që t'i jap më shumë fuqi presidentit Maduro. Maduro dhe mbështetësit e tij, mendojnë se kjo amsamble është shpresa e vetme e Venezuelës, për sigurimin e paqes dhe prosperitetit. Opozita e ka bojkotuar amamblenë, duke e cilësuar si hap drejt diktaturës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ukraina mohon të ketë furnizuar Korenë V. me pajisje raketore

Posted: 14 Aug 2017 08:45 AM PDT

Ukraina ka thënë se nuk e ka furnizuar kurrë Korenë Veriore me motorë të raketave, duke reaguar pas një raporti të publikuar nga gazeta New York Times, e cila duke cituar ekspertë ka thënë se Penjani mund të jetë duke blerë pajisje raketore nga një fabrikë në Ukrainë. "Ukraina nuk e ka furnizuar kurrë Korenë Veruore me motorë të raketave apo ndonjë pajisje tjeter raketore", ka thënë përmes një deklarate, sekretari i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje në Ukrainë, Oleksandr Turchynov. Në artikullin e 14 gushtit, New York Times, ka raportuar se ekspertët besojnë që një fabrikë e pajisjeve raketore në Ukrainë, " ka më së shumti mundësi të jetë burimi i motorëve", e cila mundësoi, testimin e dy raketave balistike interkontinentale në korrik të këtij viti. Sipas po këtij raporti, thuhet se fabrika e kontrolluar nga shteti, e njohur si Yuzhmash, nuk është shumë larg prej territorit të pushtuar nga separatisët pro-rusë në lindje të Ukrainës. Në këtë raport është cituar edhe një projekt kërkimor nga Michael Elleman, ekspert për raketa, në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me bazë në Londër. "Ka mundësi që këto pajisje të kenë ardhur nga Ukraina, në mënyrë ilegale", i ka thënë Elleman gazetës. "Pyetja më e madhe është nëse ukrainasit janë duke iu ndihmuar verikoreanëve edhe tani. Jam shumë i shqetësuar", ka shtuar tutje ai.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Presioni politik largon të rinjtë nga Maqedonia

Posted: 14 Aug 2017 08:01 AM PDT

Të rinjtë në Maqedoni thonë se largohen nga vendi jo vetëm për shkak të kushteve materiale por më shumë se nuk arrijnë t`i bëjnë ballë presionit të politikës, e cila është vendimtare për ngritje në karrierë. Teana Kardulla, ish-drejtuese e unionit të nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoni, e cila për momentin studion në Greqi, për Radion Evropa e Lirë thotë se më e rëndësishme është që të përmirësohet procesi edukativo-arsimor, të mos nënvlerësohen kapacitet me të cilat disponojnë të rinjtë në shoqërinë e Maqedonisë, sepse sipas saj, të rinjtë largohen nga vendi jo vetëm pse nuk gjejnë punë por për shkak se ata nënvlerësohen, nuk ju dëgjohet zëri, madje edhe injorohen. "Të rinjtë shihen si pjesë e parëndësishme e shoqërisë, askush si vëren problemet e tyre". "Në momentin që Qeveria e Maqedonisë, nga kushdo që udhëhiqet,  kur ajo të rinjtë do t'i përfshijë në formë aktive në krijimin e politikave, vetëm atëherë mund të shpresohet se të rinjtë do të mund ta ndërtojnë të ardhmen në Maqedoni. Me shumë rëndësi është të gjendet një mënyrë që të ofrohen perspektiva të qarta për të rinjtë në të gjitha aspektet, duke pasur një strategji të qartë për shfrytëzimin e potencialit me të cilin disponojnë të rinjtë edhe në rast kur ata nuk dëshirojnë të jenë pjesë e politikës", thotë Kardulla. Ndërkaq, Majlinda Çilafi, kryetare e unionit të nxënësve të shkollave të mesme në gjuhën shqipe në Maqedoni, për Radion Evropa e Lirë thotë se sistemi arsimor duhet të pësojë ndryshime rrënjësore, në mënyrë që të rinjtë të bëhen të aftë të jenë konkurrues në tregun e punës. Sipas saj, shumica e të rinjve, pasi të kryejnë studimet, pothuajse e kanë të pamundur për tu kyçur në tregun e punës, nëse nuk arrijnë që përmes lidhjeve partiake të punësohen në administratë. "Një pjesë e madhe e problemit qëndron edhe tek sistemi arsimor, kur flasim për perspektivën për të rinjtë. Them kështu sepse nxënësit që nga shkolla e mesme duhet të orientohen nga ana e kuadrove profesional për tu orientuar në drejtime të caktuara, në bazë të aftësive me të cilat disponojnë. Kështu që, mendoj se nevojitet të instalohen mekanizma profesional nga vet sistemi arsimor për t'i orientuar të rinjtë në drejtime të caktuara, që pasi të kryejnë shkollën e mesme ose studimet, të kenë më shumë mundësi për të siguruar një vend pune", thotë Çilafi. Qeveria e kaluar e drejtuar nga VMRO-DPMNE, për një dekadë të tërë, në masë të madhe është kritikuar për shkak të numrit të madh të të rinjve, të cilët në vazhdimësi gjatë viteve të fundit, janë larguar nga Maqedonia, edhe përkundër ndërmarrjes së një varg masash, përmes ndarjes së mjeteve nga buxheti për stimulimin e kompanive për të hapur vende pune për të rinjtë. Qeveria e re e Maqedonisë e cila drejtohet nga social demokratët, disa herë është zotuar se e ardhmja e të rinjve do të jetë me prioritet. Por, Bllazhen Maleski nga Këshilli Kombëtarë i të Rinjve në Maqedoni thotë se projekti i promovuar gjatë këtij muaji "garancia e të rinjve", që parasheh në varg masash për krijimin e mundësive për vetëpunësim përmes grandeve të ndryshme financiare, do të arrijë të jetë funksional nëse projektet qeveritare marrin shtrirje barabartë në të gjitha komunat, veçanërisht në ato rurale. "Nevojitet një zgjidhje sistemore për të ndërtuar perspektiva të qëndrueshme për të rinjtë. Pushteti qendror duhet të shtrijë veprimin përmes aktiviteteve të drejtpërdrejta të pushtetit vendor, që informacioni të arrijë tek të gjithë. Sepse politikat e Qeverisë, sado që të jenë të mira, nëse ato nuk arrijnë tek çdo i ri edhe në viset më rurale është e kot, sepse pikërisht ata të rinjtë e kanë më të vështirë sigurimin e një vendi të punës", thotë Maleski. Institucionet shtetërore në Maqedoni nuk disponojnë informacione për numrin e të rinjve që janë larguar nga vendi gjatë dy dekadave të fundit, madje nuk dihet as numri, e as profilet e njerëzve të cilët janë larguar nga Maqedonia për të gjetur punë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Austria identifikon kontaminimin e disa produkteve të vezëve

Posted: 14 Aug 2017 08:00 AM PDT

Testimet e fundit të ushqimit në Austri kanë treguar se në këtë vend kanë arritur disa vezë të kontaminuara me insekticidin fipronil, ka thënë Agjencia për Siguri Ushqimore. Miliona vezë të pulave janë larguar nga tregjet evropiane, për shkak të frikës së kontaminimit me këtë insekticid, derisa mijëra pula mund të largohen nga Holanda. "Kemi identifikuar insekticidin fipronil në disa mostra", ka thënë përmes një deklarate, Agjencia për Siguri Ushqimore në Austri, duke shtuar se 80 mostra janë marrë nga disa lloje të produkteve ushqimore. Kontaminimi është vërejtur në produktet e përdorura në industrinë e restoranteve, që kanë ardhur nga Gjermania, Holanda, Belgjika, dhe Polonia. Sipas kësaj agjencie, produktet e kontaminuara duhet të largohen menjëherë nga tregu, ndonëse nuk ka rrezik të shëndetit publik. Insekticidi fipronil përdoret për largimin e insekteve nga kafshët shtëpiake, dhe është i ndaluar në Bashkimin Evropian. Autoritetet holandeze kanë arrestuar të enjtën dy udhëheqës të kompanive, pas frikës për sigurinë e ushqimeve, derisa prokurorët kanë thënë se ata janë të dyshuar për kërcënim të shëndetit publik dhe posedim të insekticidit të ndaluar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kontroll i rreptë i produkteve të importuara

Posted: 14 Aug 2017 07:29 AM PDT

Autoritetet kompetente në Kosovë, përgjegjëse për kontrollin e ushqimit, sigurojnë qytetarët se produktet të cilat importohen i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe si të tilla janë të sigurta. Në Kosovë në vazhdimësi janë identifikuara produkte me cilësi të dyshimtë të cilat kanë hyrë në tregun e Kosovës, por, që sipas përfaqësuesve të Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit (AVUK), produkte të tilla ndalohen dhe nuk arrijnë në duart e konsumatorëve. Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv në AVUK, thotë për Radion Evropa e Lirë, thotë se për raste e produkteve të dyshimta të cilat mund të hidhen në treg, njoftohen përmes sistemit të paralajmërimit të Komisionit Evropian. Ky sistem, sipas tij, ndihmon që në asnjë rast produkte me cilësi të dyshimtë të hynë në tregun e brendshëm të vendit. "Them me përgjegjësi të plotë se të gjitha produktet ushqimore, në këtë rast ato të cilat importohen, i nënshtrohen një kontrolli të detajuar nga ana e zyrtarëve të AVUK-ut, nga inspektorët, dhe në këtë drejtim jemi të sigurt për produktet të cilat ne i konsumojmë në tryezat tona familjare", thekson Gjinovci. Së fundi, në Evropë miliona vezë të pulave janë larguar nga tregjet evropiane, për shkak të prezencës së insekticidit fipronil, i cila është zbuluar nga shumë vende në Evropë. Por që, sipas Gjinovcit, Kosova nuk është importuese e vezëve dhe se ky rast nuk e ka prekur vendin. "Kosova importon një sasi të vogël të vezëve nga vendet e rajonit si nga Shqipëria, por jo nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Kosova nuk është e prekur dhe nuk ka ndonjë shqetësim për qytetarët apo konsumatorët sa i përket rastit të vezëve që përmendet ne vendet e Bashkimit Evropian", thekson Gjinovci. Përderisa autoritetet kompetente theksojnë se të gjitha produktet janë të sigurta, organizatat joqeveritare disa herë kanë paraqitur shqetësimet e tyre për cilësinë e dyshimtë të produkteve. Selatin Kaçaniku, udhëheqës i Organizatës Joqeveritare "Konsumatori", hedh dyshime në cilësinë e produkteve të cilat hyjnë në tregun e Kosovës. "Nëse kemi parasysh që importet kontrollohen sipas modelit të ekzemplarit të rastësishëm, ku çdo i 17 ekzemplarë kontrollohet nëse i referohemi nivelit të kënaqshmërisë së qytetarit, atëherë del se rezultati nuk është në nivelin e duhur. Atë çka thonë zyrtarët, ato janë në libra, por ajo që realizohet mund ta konfirmojnë vetëm qytetarët", thekson Kaçaniku. Ndërkohë, qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se nuk janë shumë të sigurt në atë që konsumojnë. Bajram Bucolli qytetar thotë se nga produktet jo të mira që po i konsumojnë edhe shëndeti i qytetarëve nuk është i mirë. "Ushqimet e përgjithshme nuk janë origjinale, në të kaluarën ushqimet kanë qenë më të shëndetshme, as sëmundje nuk kemi pasur, e tash po paraqiten sëmundje të ndryshme", thotë ai. Ngjashëm, shprehet edhe Avdiu. "Shumë gjëra nuk po na pa pëlqejnë, nuk janë të sigurta, të dëmshme për shëndetin. Pse duhet të importojmë produkte nga vendeve tjera kur ne i kemi produktet tona", thotë ai. Kosova vazhdon të jetë importuese e gati të gjitha produkteve. Vlera totale në vit e mallrave të importuara në Kosovë arrin shifrën në mbi 2.5 miliardë euro. Kosova, që nga viti 2004 ka Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave. Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Reformat zvarrë të sistemit shëndetësor

Posted: 14 Aug 2017 06:40 AM PDT

Reformat në sistemin shëndetësor, me gjithë lëvizjet e bëra ndër vite, nuk arritën që të zbatohen në masë të kënaqshme. Zyrtarë të kësaj fushe thonë se po punohet në vazhdimësi në reformimin e sistemit shëndetësor, i cili përfshin disa sfera, por në anën tjetër, zyrtarë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës deklarojnë se reformat kanë ngecur. Lista e barnave esenciale, cilësia e dobët e shërbimeve shëndetësore në mungesë të kushteve brenda sistemit publik shëndetësor, kanë bërë që shëndetësia të jetë në nivel jo të kënaqshëm. Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani tha për Radion Evropa e Lirë se viti 2017 mund të konsiderohet si viti më i rëndë i shërbimeve shëndetësore, për shkak të buxhetit të limituar. "Klinika Emergjente ballafaqohet me mungesë të barnave, materialit shpenzues dhe pajisjeve mjekësore. Unë kam reaguar që viti 2017 do të konsiderohet si viti më i rëndë i shërbimeve shëndetësore". "Sa i përket reformimit të sistemit shëndetësor, asnjë gjë nuk është prekur në avancim apo ngritje të cilësisë së shërbimeve emergjente. Ligji për shërbime emergjente mjekësore ka kaluar, por asnjëherë nuk ka qenë i implementuar". "Klinika Emergjente është ballafaquar me mungesë kapacitetesh, mungesë të barnave, stafit e profileve të ndryshme", tha Lenjani. Ndryshe, zoti Lenjani ka shtuar se ndonëse politikat shëndetësore në letër janë shumë të avancuara, ai kërkon nga vendimmarrësit që kjo të zbatohet në praktikë. "Në vitin 2018 planifikojmë të dalim në ndërtesë të re të Klinikës Emergjente, dhe ndonëse në Ministri të Shëndetësisë bëhen politika, ne kërkojmë që ato të implementohen në praktikë, pasi këtu më së shumti preken qytetarët, qoftë nga mungesa e barnave, po ashtu edhe nga mungesa e kapaciteteve mjekësore". "Ne asnjëherë nuk kemi mbetur pa barna të linjës së parë që varet jeta e pacientit nga to, por ka shumë barna të linjës së dytë e të tretë, që janë të domosdoshme për pacientët që kërkojnë ndihmë mjekësore, e ato mungojnë", tha Lenjani. Në anën tjetër, Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit në detyrë të Shëndetësisë, tha se sa i përket reformimit të sistemit shëndetësor, po punohet me të gjitha kapacitetet, duke potencuar faktin se janë përqendruar në katër shtylla të reformimit. "Kabineti i Ministrisë së Shëndetësisë, detyrë kryesore ka pasur katër shtylla të reformimit të shëndetësisë, në themelimin dhe funksionalizimin e fondit të sigurimeve shëndetësore, në ri-organizmin e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe krijimin e raporteve të reja më Shërbimin Spitalor Klinik Universitar si dhe funksionalizimin e Odave të profesionistëve shëndetësore dhe në marrjen e rolit rregullativ të Ministrisë së Shëndetësisë". "Nga këto shtylla, me Odat e profesionistëve kemi ecur shumë mirë dhe katër odat i kanë marrë të gjitha kompetencat që ju takojnë me ligj". "Është ecur para gjithashtu edhe me fondin e sigurimeve shëndetësore edhe pse nuk është arritur të mblidhen të hollat, janë bërë të gjitha përgatitjet për funksionalizimin e fondit", tha Krasniqi. Zoti Krasniqi tutje shton se Ministria e Shëndetësisë po merret me rolin rregullativ dhe bërjen e politikave shëndetësore, dhe jo me punët operative, siç është marrë në të kaluarën. "Efektet e reformave besoj do të vërehen më vonë, pasi kemi ngecje sa i përket buxhetit, por që është duke u riformuluar lista e barnave esenciale, e që furnizimi do të jetë më i mirë", tha Krasniqi. Sidoqoftë, profesionistë të fushës thonë se objektivat janë që reformat në disa sektorë, do të zbatohen dhe realizohen në një periudhë të ardhshme pesë vjeçare, sipas strategjisë sektoriale të shëndetësisë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Daçiq: Zgjidhja e konfliktit serbo-shqiptar të bëhet me kompromis historik

Posted: 14 Aug 2017 06:36 AM PDT

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, njëherësh aleat kryesor i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka sugjeruar kompromis për ta përfunduar konfliktin për Kosovën. Duket se Kosova do të jetë njëra nga çështjet kryesore në negociatat e Serbisë për pranim në Bashkimin Evropian. "Të gjithëve u duhet zgjidhja e përhershme e konfliktit serbo-shqiptar, e te ai mund të arrihet vetëm me marrëveshjen e serbëve dhe shqiptarëve, ku secili do të fitonte dhe humbte diçka", shkruan Daçiq në një artikull autorial të botuar sot në të përditshmen beogradase, Veçernje Novosti.  "Kjo është ideja e kompromisit historik dhe e të drejtës etnike", shkruan Daçiq dhe shpjegon kjo është "ideja e caktimit të kufijve në atë që është serbe dhe shqiptare dhe normalizimi i raporteve tona, sigurimi i trashëgimisë ortodokse serbe me formimin e bashkësive të pavarura të manastireve sipas një modeli grek, pastaj Bashkësia e komunave serbe për serbët në jug, kompensimi financiar për pasurinë e uzurpuar shtetërore dhe private". Zoti Daçiq, këtë artikull e ka shkruar në periudhën kur para një kohe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është angazhuar për një dialog të brendshëm lidhur me Kosovën. "Ky është propozim imi, i bazuar në dëshirën që serbët të fitojnë diçka ndërsa kohë ka shumë pak", shkruan pos tjerash, Ivica Daçiq, dhe thekson se për "betejat utopike paraprakisht të humbura ose për tezën se Kosova është e humbur për Serbinë, ka kohë sa të doni". Daçiq thekson se "propozimi im është i vetmi real dhe i vetmi në interes të serbëve dhe shqiptarëve dhe i vetmi që shpejtë mund të realizohet".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Qyteti sirian, i shkatërruar nga militantët e IS-it

Posted: 14 Aug 2017 06:30 AM PDT

Forcat qeveritare siriane kanë ngritur flamurin e tyre në qytetin Sukhna, pak kohë pasi e morën nën kontroll këtë qytet nga militantët e Shtetit Islamik. Qyteti, i cili tashmë është i shkatërruar, konsiderohej si bastioni i fundit i madh i militantëve të IS-it në provincën Homs.(Video: Reuters).

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nis procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit për vrasje në protestat në Virxhinia

Posted: 14 Aug 2017 05:40 AM PDT

Sot pritet të dalë para gjykatës, personi i akuzuar për ngasjen e makinës në mes të protestuesve, të cilët ishin duke marshuar kundër aktivistëve të ekstremit të djathtë, në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara. James Alex Fields, 20 vjeçar, është i akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, pasi një person ka vdekur dhe një 19 vjeçar është lënduar. H.R. McMaster, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se sulmi plotëson "definicionin e terrorizmit". Hetuesit federalë amerikanë, kanë thënë se kanë hapur një hetim për të drejtat civile, në mënyrë që të vihen në pah rrethanat që e kanë shtyrë 20 vjeçarin Fields, ta drejtojë makinën drejt turmës së njerëzve në rrugën e Sharlotsville, të Virxhinias, më 12 gusht. Gjatë këtij sulmi ka vdekur, Heather Heyer, një 32 vjeçare, e cila është përshkruar si një avokate për drejtësi shoqërore. Fields do të përballet edhe me tri akuza për lëndime të qëllimshme dhe një tjetër për largim nga vendi ku ka ndodhur incidenti. "Në çdo kohë që ju kryeni një sulm kundër njerëzve, për të nxitur frikë, është terrorizëm", i ka thënë H.R. McMaster, televizionit ABC, derisa ka përshkruar ngjarjen që ka ndodhur në një qytet në Virxhnia, rreth 160 kilometra nga Uashingtoni. Pamje të incidentit tregojnë se si një makinë, e cila ishte në një shpejtësi tejet të madhe, ka lënduar shumë persona, përpara se të përplasej drejt dy makinave të tjera. Makina më pas është kthyer sërish mbrapa duke lënduar njerëz të tjerë. Zyrtarë policorë, kanë thënë se vdekja e dy trupave shtetërorë të Virxhninas gjatë rrëzimit të një helikopteri, ka qenë po ashtu e lidhur me protestat. Zëdhënësja e policisë shtetërore në Virxhnia, Corinne Geller ka thënë se piloti dhe një pasagjer, kanë vdekur gjatë rrëzimit të helikopterit. Zyrtarë nga Universiteti i Qendrës Mjekësore në Virxhinia, kanë thënë se nga 19 personat që janë trajtuar aty pas incidentit, 10 prej tyre tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nëntë të tjerë janë liruar. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Jeff Sessions, ka thënë se, "dhuna dhe vdekjet në Sharlotsville, godasin në zemër të ligjit dhe drejtësisë amerikane". Guvernatori i Virxhnias, Terry McAuliffe, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë vend dhe ka shtuar numrin e trupave të Gardës Kombëtare, për ta ruajtur sigurinë, pas konfliktit që ka nisur në mes të nacionalistëve të racës së bardhë dhe kundërshtarëve të tyre. Shumë kundërshtarë të nacionalistëve të racës së bardhë janë mbledhur për të protestuar, një ditë pas shpërthimit të dhunës, për t'i kundërshtuar nacionalistët, që ndryshe njihen edhe si supremacistë. "As në Sharlotsville e as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka vend për nacionalistët e racës së bardhë dhe neo-nazistët, që kanë ardhur dje në vendin tonë të bukur", ka thënë, McAuliffe, në mesin e duartrokitjeve, derisa u ishte drejtuar një grumbulli besimtarësh afrikano-amerikanë, në Malin Zion, ku gjendet kisha e parë afrikane baptiste. Zyrtarë në Sharlotsville, kanë miratuar marshin e ekstremit të djathtë më 12 gusht, në të cilin protestohej vendimi i qytetit për largimin e statujës së Gjeneralit Robert E. Lee, udhëheqës i ushtrisë, gjatë Luftës Civile amerikane. Mirëpo leja e marshit është tërhequr, pas përleshjeve të mëngjesit të 12 gushtit. Njeriu që kishte organizuar marshin e ekstremit të djathtë, Jasson Kessler, ka tentuar të mbajë një konferencë për media më 14 gusht, mirëpo qindra njerëz kanë bërtitur me daulle dhe instrumente kundër tij, duke e detyruar të largohet nga foltorja. Trump përmes një mesazhi në Twitter, u ka bërë thirrje njerëzve për bashkim dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të dhunës. Mirëpo shumë demokratë, që njihen si aktivistë të të drejtave civile, dhe disa republikanë, e kanë kritikuar presidentin Trump, për mosdënim të disa grupeve nacionaliste të racës së bardhë, që ishin pjesë e protestës, duke përfshirë neo-nazistët dhe anëtarët e grupit, Ku Klux Klan (KKK). Në mesin e këtyre kritikave, Shtëpia e Bardhë, ka nisur një email drejt gazetarëve, duke sqaruar se çfarë ka nënkuptuar presidenti Trump me postimin e tij në Twitter. "Presidenti e ka thënë shumë fuqishëm në deklaratën e tij më 12 gusht, se ai dënon çdo formë të dhunës, fanatizmit dhe urrejtjes. Natyrisht, që në të përfshihen nacionalistët e racës së bardhë, KKK, neo-nazistët dhe të gjitha grupet tjera ekstremiste. Ai ka bërë thirrje për bashkim kombëtar, duke kërkuar bashkimin e të gjithë amerikanëve", është thënë në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë. Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kazakistan: Gazetari që e kritikoi qeverinë akuzohet për pastrim të parave

Posted: 14 Aug 2017 05:25 AM PDT

Një gazetar në Kazakistan i njohur për kritikat drejtuar qeverisë së këtij vendi, është paraqitur sot në një gjykatë për akuza lidhur me pastrim të parave, akuzë kjo për të cilën mbështetësit e tij thonë se është e rrejshme. Procesi gjyqësor kundër Zhanbolat Mamai, kryeredaktor i gazetës së pavarur, Sayasi Qalam - Tribuna, është hapur në kryeqytetin Alma-Atë. Hetuesit thonë se Mamai ishte i përfshirë në pastrim të parave "të vjedhura" nga pasaniku kazak në arrati, Mukhtar Ablyazov. Mamai i ka hedhur poshtë lidhjet me Ablyazovin dhe tha se rasti kundër tij është i motivuar politikisht. Ablyazov, ish-shef i bankës BTA në Kazakistan, i cili aktualisht jeton jashtë vendit, është rivali kryesor i presidentit të Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev. Ai kërkohet nga Kazakistani, Rusia dhe Ukraina, i dyshuar për përvetësim të afro 5 miliardë dollarëve. Ablyazov i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ato janë politikisht të motivuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

B. Faso: Qeveria thotë se nga sulmi terrorist janë vrarë 18 vetë

Posted: 14 Aug 2017 04:53 AM PDT

Qeveria në Burkina Faso thotë se 18 persona janë vrarë dhe afro 20 të tjerë janë plagosur, në atë që qeveria e ka cilësuar si "sulm terrorist" në kryeqytetin Ouagadougou. Në kumtesën e sotme të qeverisë theksohet se forcat e sigurisë i kanë vrarë së paku dy sulmues në një restorant turk në qendër të kryeqytetit. Dëshmitarët kanë thënë se tre persona të armatosur kishin arritur me një makinë në restorantin, Aziz Istanbul, dhe kanë hapur zjarr. Askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, që ka filluar mbrëmë vonë dhe ka përfunduar sot. Ministri për komunikime në Burkina Faso, Remi Dandjinou, u tha gazetarëve se viktimat ishin me kombësi të ndryshme. Sipas tij, së paku një person i vrarë është francez, ndërsa një tjetër është turk. Zyra e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, tha se zoti Macron do të bisedoj për situatën në Burkina Faso me presidentin, Roch Marc Kabore, më vonë gjatë ditës. Mëtutje, në kumtesën e zyrës theksohet se Franca mbetet e përkushtuar për të punuar me vendet e tjera në rajon, për të luftuar kundër grupeve terroriste. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Beqaj: PAN nuk është bllokues, kemi nevojë për konsulta shtesë

Posted: 14 Aug 2017 03:46 AM PDT

Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media ku ka kritikuar kryesuesin e seancës, Adem Mikullovci, për siç është thënë keqpërdorim të foltores. Besim Beqaj, anëtar i kryesisë se PDK-së tha se në seancën konstituive nuk mund të procedohet pa prezencën e koalicionit fitues të zgjedhjeve dhe pa prezencën e numrit të duhur të deputetëve. Ai tha se " PDK-ja konsideronse është një abuzim i pa precedentë i foltores dhe shkelje e normave kushtetuese , sepse dihen rregullat e qarta se si mbahen seancat e Kuvendit".  "Koalicioni PAN nuk është bllokues, mandatari ka nevojë për konsulta shtesë, ne do t'i themelojmë institucionet shumë shpejtë. Dhe të gjithë ata që po performojnë një jo-kushtetueshmëri, po përformojnë një abuzim dhe po krijojnë veprime pa precedent", tha Beqaj. Në asnjë normë kushtetuese, shtoi Beqaj, nuk do të lejohen veprime të tilla. Ai ka konfirmuar se në takim konsultativ të thirrur për të mërkurën nga kryesuesi Mikullovci, përfaqësuesit e PAN-it do të jenë të pranishëm.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pakistan: Shënohet 70 vjetori i pavarësisë

Posted: 14 Aug 2017 03:43 AM PDT

Në Pakistan sot kanë filluar manifestimet me rastin e shënimit të 70 vjetorit të shtetësisë dhe pavarësisë së këtij vendi. Presidenti i Pakistanit, Mamnoon Hussain, e ka ngritur flamurin kombëtar në ceremoninë e mbajtur në kryeqytetin Islamabad, në të cilën ishte i pranishëm edhe kryeministri, Shahid Khaqan Abbasi, dhe mysfiri i lartë nga Kina, zëvendëskryeministri, Wang Yang. Manifestimet kanë filluar me të shtëna të nderit nga armët në Islamabad dhe në secilin prej katër kryeqytetve provinciale në Pakistan. Pakistani e ka fituar pavarësinë kur britanikët u larguan nga India dhe e ndanë nënkontinentin në vitin 1947, me ç'rast ishte shkaktuar njëra nga kryengritjet më të dhunshme në shekullin e 20-të. Për pakistanezët, ky përvjetor po ndodhë në kohën e trazirës politike, pasi Gjykata Supreme e ka shkarkuar kryeministrin e mëparshëm, Nawaz Sharif. Në pjesën më të madhe të historisë së Pakistanit, ky vend është udhëhequr nga sundimi ushtarak. India, që është rival historik i Pakistanit, pavarësinë e vet e shënon nesër. Këto dy shtete, që kanë armatim atomik, kanë raporte tejet të tensionuara, kryesisht për shkak të territorit të kontestuar në Kashmir, për shkak të të cilit Pakistani dhe India i kanë zhvilluar dy luftëra.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Lufta me K. Veriore nuk është afër, por rreziku ekziston

Posted: 14 Aug 2017 02:36 AM PDT

Dy zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara thonë se konfrontimi me Korenë Veriore nuk është afër, por kanë sinjalizuar se mundësia e luftës ende ekziston. "Ne nuk jemi më afër luftës se sa që ishim para një jave, por ne jemi më afër luftës se sa që ne ishim para një dekade", tha gjenerali, H.R. McMaster, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit, Donald Trump, gjatë një interviste të djeshme në rrjetin televiziv, ABC. Mëtutje, ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara po vaazhdojnë të udhëheqin "përpjekje shumë të përkushtuar diplomatike", që kryesohet nga sekretari i shtetit, Rex Tillerson. Po ashtu, konsiderohet se sanksionet e reja financiare kundër Koresë Veriore, do ta dekurajojnë liderin verikorean, Kim Jong Un, nga lëvizjet e mëtejshme provokuese. Aktualisht, Trump dhe Kim kanë këmbyer kërcënime, pasi Pheniani e kishte vazhduar testimin e raketave balistike ndërkontinentale, duke i injoruar sanksionet e Kombeve të Bashkuara. Presidenti Trump ka deklaruar se ushtria e Shteteve të Bashkuara është e gatshme dhe i ka tërhequr vërejtjen liderit, Kim Jong Un, se ai "do të dëshpërohej shpejt" nëse ndërmerr ndonjë aksion kundër territoreve të Shteteve të Bashkuara ose aleatëve amerikanë. Duke folur dje në rrjetin televiziv, Fox News Sunday, drejtori i agjencisë CIA, Mike Pompeo, tha se është e rëndësishme që Koresë Vriore t'i bëhet e qartë se durimit amerikan po i vie fundi. Mëtutje ai theksoi: "Ne nuk jemi në një rrezik të afërt i cili mund të ndodhë sot. Një sulm nga Koreja Veriore nuk është diçka që është afër. Populli amerikan duhet ta dijë se kjo administratë po bën çdo gjë të mundshme. Presidenti e ka autorizuar komunitetin e inteligjencës dhe Departamentin e Mbrojtjes për të qenë të sigurt se ne e mbrojmë Amerikën nga ky kërcënim", tha Mike Pompeo. Gjenerali Joseph Dunford, shef i Shtatmadhorisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, udhëton për në Azi dhe pritet të takohet me liderët e Koresë Jugore, Japonisë dhe Kinës. Ai u tha reporterëve se synon "të kuptoj se çfarë temeprature është në rajon" dhe do të diskutojë për opsionet ushtarake në rast se dështon "fushata për presion diplomatik dhe ekonomik". "Ne po shikojmë që nga kjo situatë të dalim pa luftë", tha Joseph Dunford. Turneu i tij në Azi po bëhet derisa gazeta e Koresë Veriore, Minju Joson, në një editorial ka shkruar se ushtria verikoreane është "e aftë për të zhvilluar çfarëdo lufte të cilën e dëshirojnë Shtetet e Bashkuara". Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ndërpritet seanca, Mikullovci thërret takim konsultativ

Posted: 14 Aug 2017 01:35 AM PDT

Kuvendi i Kosovës sërish nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët. Në seancën e sotme, sërish nuk morën pjesë deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismas, i njohur si koalicioni PAN. Po ashtu të pranishëm nuk ishin as deputetët e komuniteteve pakicë. Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti Adem Mikullovci, që në fillim ka thënë se në mungesë të deputetëve do të shkohet në një pushim prej 15 minutash. Pas pauzës, sërish Kuvendi nuk kishte kuorum për të vazhduar punimet. Megjithatë, në Kuvend kanë vazhduar disa fjalime të deputetëve, ku kanë kritikuar koalicionin PAN për mosprezencën e tyre në seancë. Po ashtu, debati është zhvilluar edhe për atë se a duhet të ketë takime konsultative. Kryesuesi Mikullovci ka thirrur përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ, të mërkurën në orën 10:00. "Takimi i të mërkurës do të jetë vetëm një pikë të rendit të ditës, kur janë të gatshëm të vinë në seancat e Kuvendit dhe të dalin me emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Vazhdimisht zhagitje e punës. Kjo është hera e fundit", tha Mikullovci. Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se koalicioni PAN me çdo kusht po dëshiron të qëndrojë në pushtet. Ai ka ftuar përfaqësuesit e PAN-it që të gjejnë forcë dhe të dalin me propozimin e tyre për të kandidatin për kryetar të Kuvendit. "PAN-i deri tash është udhëhequr nga një logjikë totalitare dhe monopolizuese. Ata thanë kështu 'ose duhet të jemi ne në pushtet ose nuk themelohen fare institucionet e Republikës'. Kjo i bije që ata veten e vendosin në rend të parë, ose ne ose hiq, ose ne ose do të kolapsojë shteti i Kosovës", tha Konjufca. Konjufca, tha para deputetëve, se populli është kureshtar të shoh një qeverisje ndryshe në Kosovë. "Mendoj se një qeverisje e ardhshme e cila nuk do ta kishte PDK-në si faktor vendimtar edhe si faktor i vendimmarrjes në Kosovë, është shumë pozitive për Kosovën. Sepse ne të tjerët mendoj se do t'i qitshim në shesh të gjitha keqpërdorimet që kanë ndodhur deri tash", tha Konjufca.  Kurse, Avdullah Hoti nga koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, ka propozuar që çështja e bllokadës së votimit të kryeparlamentarit të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Ai ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike që të marrin pjesë në debate dhe takime konsultative që do të organizohen në ditët në vazhdim. "Ne si koalicion jemi duke shqyrtuar modalitete [veprimet] kushtetuese për të themeluar institucionet e vendit. Unë në emër të grupit tonë parlamentar, do të ftoj në një tryezë dhe do të ketë ftesa zyrtare për të gjitha subjektet politike për t'u ulur dhe draftuar pyetjet për Gjykatën Kushtetuese", ka thënë Hoti duke shtuar se po shqyrtojnë hapat kushtetues për sqarimin e bazës juridike. Pas ndërprerjes se seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, ka mbajtur një konferencë për media ku ka kritikuar kryesuesin e seancës, për siç është thënë keqpërdorim të foltores. Besim Beqaj, anëtar i kryesisë se PDK-së tha se në seancën konstituive nuk mund të procedohet pa prezencën e koalicionit fitues të zgjedhjeve dhe pa prezencën e numrit të duhur të deputetëve. Ai tha se "PDK-ja konsideron se është një abuzim i paprecedentë i foltores dhe shkelje e normave kushtetuese, sepse dihen rregullat e qarta se si mbahen seancat e Kuvendit". "Koalicioni PAN nuk është bllokues, mandatari ka nevojë për konsulta shtesë, ne do t'i themelojmë institucionet shumë shpejtë. Dhe të gjithë ata që po performojnë një jo-kushtetueshmëri, po performojnë një abuzim dhe po krijojnë veprime pa precedent", tha Beqaj. Në asnjë normë kushtetuese, shtoi Beqaj,nuk do të lejohen veprime të tilla. Ai ka konfirmuar se në takim konsultativ të thirrur për të mërkurën, përfaqësuesit e PAN-it do të jenë të pranishëm.  Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve. Përfaqësuesit e Ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë thënë se janë të shqetësuara me gjendjen e krijuar në Kosovë, si pasojë e moszgjidhjes së institucioneve të reja. Ata kanë thënë se janë të shqetësuar për situatën politike që po vazhdon në Kosovë. Në deklaratën e pesë Ambasadave të vendeve Perëndimore në Prishtinë, theksohet se "është përgjegjësi e liderëve të Kosovës formimi i këtyre institucioneve, por edhe për të bërë reforma të domosdoshme për parandalimin e bllokadës së këtillë në të ardhmen". "Kosova ballafaqohet me shumë sfida, në periudhë të mesme dhe afatgjatë, përfshirë programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, situatën energjetike, por, po ashtu, edhe nevojën për zhvillim ekonomik, forcim të sundimit të ligjit, perspektivën evropiane të Kosovës dhe raportet e Kosovës me Serbinë", thuhet në deklaratë, duke shtuar se "është përgjegjësi e deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës që të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë që ai ta fillojë punën e vet". Qytetarët në Prishtinë kanë mendimin se zhvillimet politike në vend janë për keqardhje. Ata thonë se nuk duhet humbur kohë dhe sa më parë duhet të formohen institucionet e reja. Bashkim Isufi, student në Universitetin e Prishtinës tha se ajo që po ndodh në Kuvend është e pajustifikueshme. "Klasa politike duhet të bashkohet dhe të shikojë interesat qytetarë e kombëtarë dhe të shtyjë përpara tema të rëndësishme që po e presin Kosovën, dhe të lënë prapa interesin personal", tha Isufi.  Gani Bici, pensionist tha për Radion Evropa e Lirë se politikanët dhe partitë politike nuk duhet të mendojnë vetëm për interesa të ngushta. Ai thotë se qytetarët janë lodhur nga politika dhe veprimet e atyre që bëjnë politikë. "Kjo që po ndodh është një tollovi. Kurrë nuk ishim për vete, të huajt po na mbajnë, ne nuk po dimë të mbajmë shtet. Këta po shohin për vete, po shikojnë se si t'i blejnë edhe dy veta të tjerë, dhe t'i bëjnë numrat me para, me joshje. Për mua kjo nuk është rregull fare. Për mua si një qytetar që ja kam dhënë votën dikujt, mos me dalë në Kuvendi nuk e di, nuk e di. Ne kishim qenë popull për të vuajt", tha Bici. Në rast të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë. Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Makina godet turmën e protestuesve në Virxhinia

Posted: 14 Aug 2017 12:45 AM PDT

Një veturë ka goditur turmën e protestuesve kundër një tubimi të nacionalistëve të bardhë në Virgjinia të Shteteve të Bashkuara më 12 gusht. Nga kjo ngjarje ka mbetur e vdekur një person. Shoferi që përplasi makinën e tij më turmë, më vonë është arrestuar dhe po përballet me akuza për vrasje. Videoja përmban pamje shqetësuese. (Video: Evan Hen/Facebook &AP)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: I akuzuari për vrasjen në Virgjinia paraqitet në gjykatë

Posted: 14 Aug 2017 12:36 AM PDT

Personi i akuzuar për sulm me makinën e tij në turmën e protestuesve, që demonstronin kundër aktivistëve të së djathtës ekstreme në shtetin Virgjinia në Shtetet e Bashkuara, sot pritet të paraqitet në gjykatë. Personi, James Alex Fields, 20 vjeçar, është i akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, pasi një femër është vrarë dhe 19 persona të tjerë janë plagosur, gjatë sulmit me automobil para dy ditësh. Një këshilltar i presidenti amerikan, Donald Trump, ka vlerësuar se ky sulm "e plotëson definicionin e terrorizmit". Autoritetet federale amerikanë thonë se kanë hapur hetime për të drejtat civile lidhur me rrethanat që ndikuan që i akuzuari Fields t'i qëlloj me makinë njerëzit në qytetin Sharllotsvill në Virgjinia. Femra e vrarë ishte Heather Heyer, 32 vjeçare, punëtore në fushë të drejtësisë, e cila nga të njohurit e saj ishte përshkruar si aktiviste për të drejtën sociale. "Në çfarëdo kohe, që ju kryeni sulm kundër njerëzve për të shkaktuar frikë, është terrorizëm", tha H.R. McMaster, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Trump, lidhur me sulmin në Sharllotsvill, gjatë një interviste në rrjetin ABC. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Burkina Faso: Nga sulmi i dyshuar terrorist janë vrarë 17 vetë

Posted: 13 Aug 2017 11:28 PM PDT

Së paku 17 vetë janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur nga sulmi i dyshuar terrorist në një restorant në kryeqytetin Ouagadougou, në Burkina Faso, ka njoftuar sot qeveria e këtij vendi. Në kumtesë, po ashtu, theksohet se sulmi ka ndodhur mbrëmë vonë dhe se kombësia e të vrarëve ende nuk është konfirmuar. Zyrtarë të lartë thanë se pjestarët e sigurisë i kanë vrarë tre sulmues, por disa njerëz janë ende të bllokuar në ndërtesë. Dëshmitarët thanë se së paku tre persona të armatosur kishin arritur në një restorant turk me një makinë dhe kishin hapur zjarr kundër mysafirëve. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Mike Pence e filloi turneun në Amerikën Latine

Posted: 13 Aug 2017 11:20 PM PDT

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka arritur në Kolumbi, në kuadër të turneut njëjavësh në Amerikën Latine, derisa po rriten tensionet në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës. Zotin Pence në qytetin Kartagjena mbrëmë vonë e ka pritur lideri i Kolumbisë, Juan Manuel Santos. Turneu i zyrtarit të lartë amerikan në Amerikën Qendrore dhe Jugore, po bëhet në periudhën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, para dy ditësh tha se nuk e përjashton "opsionin ushtarak" në përgjigje të krizës politike në Venezuelë. Ministria e jashtme e Kolumbisë e ka dënuar deklaratën e Trumpit, duke theksuar se i kundërshton çfarëdo masash ushtarake. Gjatë një konference për gazetarë, zoti Santos tha se i ka thënë zëvendëspresidentit Pence, se Shtetet e Bashkuara as që duhet të mendojnë për ndonjë aksion ushtarak në Venezuelë. "Derisa miqtë duhet t'ia thonë njëri-tjetrit të vërtetën, unë i kam thënë zëvendëspresidentit Pence se mundësia e intervenimit ushtarak, as që duhet të merret në shqyrtim, as në Kolumbi e as në Amerikën Latine", tha Santos.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Dy ushtarë janë vrarë dhe pesë janë plagosur në Irak

Posted: 13 Aug 2017 11:04 PM PDT

Ushtria e Shteteve të Bashkuara thotë se dy pjesëtarë të saj janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, gjatë aktiviteteve të tyre në pjesën veriore të Irakut. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që luton kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, ka njoftuar mbrëmë vonë se raportet e para sinjalizojnë se vrasjet dhe palgosjet nuk kishin ndodhur për shkak të kontaktit me armikun, megjithqë nuk elaborohet më tepër. Agjencia e lajmeve Amaq, e cila është e lidhur me Shtetin Islamik, ka pretenduar se raketat e hedhura nga ky grup kanë shkaktuar disa viktima në mesin e trupave amerikane në pjesën veriore të Irakut. Luftëtarët e grupit ekstremsit, Shteti Islamik, janë dëbuar nga pjesa më e madhe e territorit, që ata e kishin okupuar nga forcat qeveritare, përfshirë qytetin kryesor verior, Mosul. Por, ata ende i kanë nën kontroll disa hapësira, përfshirë lokalitetin Tel Afar, në perëndim të Mosulit. Faqja në Internet, iCasualties.org, që i shënon viktimat e koalicionit në Irak dhe Afganistan, ka raportuar se 11 ushtarë amerikanë janë vrarë në Irak gjatë këtij viti.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more