Skip to main content

Tirana Observer: “Edhe Alberto Malesani për “Kuqezinjtë”” plus 9 more

Tirana Observer: “Edhe Alberto Malesani për “Kuqezinjtë”” plus 9 more


Edhe Alberto Malesani për “Kuqezinjtë”

Posted: 17 Jul 2017 09:42 AM PDT

FSHF njoftoi se ende nuk është vendosur për trajnerin e Kombëtares, por emrave më të përfolur deri më tani, pikërisht dyshesh Panucci-De Canio i shtohet edhe një tjetër.

Bëhet fjalë për Alberto Malesanin, ish-trajner i Parmës dhe Fiorentinës. 63-vjeçari, ndonëse në dukje është emër i ri, të paktën që qarkullon në media, është futur fort në garë.

Madje, SuperSport thotë se kandidatura e tij vlerësohet shumë nga ana e grupit përzgjedhës të pasuesit të Gianni De Biasit, grup që drejtohet nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

E sigurt është se negociatat janë në sprintin final ku do të vendoset çdo gjë, ndërkohë që dilema e madhe se cili do të jetë timonieri i ri i Kombëtares që do të udhëheqë kuqezinjtë në ndeshjet e mbetura të eleminatoreve të Botërorit, por mbi të gjitha me misionin për të përsëritur mrekullinë e kualifikimit në një event madhor, Europianin e vitit 2020 pritet të marrë një përgjigje së shpejti, mund të jete madje edhe çështje orësh.

Një miqësi e pazakontë mes peshkatarit dhe lejlekut (FOTO)

Posted: 17 Jul 2017 09:09 AM PDT

Shumë njerëz në botë besojnë se lejlekët sjellin lumturi, ndërsa me këtë pajtohet edhe peshkatari i moshuar turk Adem Yilmaz, i cili ka një miqësi të pazakontë me këtë shpend.

Anadolu Agency tha se peshkatari Yilmaz është një nga peshkatarët më të vjetër në liqenin Uluabat në Bursa, kurse prej gjashtë vitesh ruan një miqësi të ngushtë me lejlekun e bardhë.

"Ky vend është i njohur si fshati i lejlekëve të bardhë, kurse me një nga këta shpendë kemi miqësi tash gjashtë vite. Çdo mëngjes vjen tek varka ime për ta ushqyer dhe më ndjek gjatë ditës në liqen. Isha i befasuar kur lejleku u ul për herë të parë në anijen time. Mendova se është i uritur dhe i dhashë të hajë dhe as që më shkonte mendja që ishim bërë miq", tha Yilmaz.

Duke theksuar se lejlekët kalonin aty vetëm gjashtë muaj, ndërsa pjesën tjetër të vitit e kalojnë në jug, Yilmaz tha se lejleku i tij është ndër të parët që kthehet pas përfundimit të sezonit të shtegtimit.

"Pasi kthehet më gjen, kudo që të jetë varka ime në liqen ulet aty. Në tufë gjithmonë janë rreth 50 lejlekë, por vetëm lejleku im zbret në varkën time, askund tjetër. E dua dhe shoh se edhe ai më do mua", tha Yilmaz.

Yilmaz kujton se në një rast një lejlek tjetër kishte zbarkuar në varkë, por 'mikesha' e tij e kishte reaguar me xhelozi dhe e kishte larguar.

Duke theksuar se lejlekët janë shpendë të bukur, të dashur dhe emocionalë, Yilmaz tha se lejlekut i ka dhënë emrin Yaren, që në gjuhën turke do të thotë mik i ngushtë.

Kina do të “hyjë” në BE. Investime në vendet e Ballkanit

Posted: 17 Jul 2017 08:45 AM PDT

Pekini, thotë "Politico", po investon fort në vendet që mund të bëhen një ditë pjesë e Bashkimit Europian.

Analizën e saj, revista prestigjioze e Brukselit e fokuson tek Serbia, një vend i gjendur në mesin e transformimit fizik që presidenti Aleksandër Vuçiç premton se do t'i japë fund izolimit e do t'i hapë derën e BE-së.

“Pasioni im, deklaronte kreu i shtetit serb, janë rrugët dhe ekonomia”.

Për ta kthyer atë në realitet, arsyeton "Politico", Vuçiç nuk mbështetet vetëm tek Europa, por edhe tek një aleat i vjetër shumë më në lindje, Kina.

Me një popullsi prej pak më shumë se 7 milionë banorë, njëri prej vendeve më të varfra të kontinentit të vjetër zor se do të tërhiqte vëmendjen e Pekinit për një rol më të madh në Europë.

Ama lidhjet e vjetra mes dy shteteve, të kombinuara edhe me gjeografinë, e kanë ndihmuar Beogradin të jetë në qendrën e shtysës europiane të Kinës.

Për Serbinë dhe fqinjët e saj, avantazhi është i qartë: investime dëshpërimisht të nevojshme në infrastrukturë. Motivet e Pekinit janë më pak të dukshme, por një gjë kuptohet fare mirë, vazhdon artikulli:

Kina po krijon një pikë mbështetjeje të rëndësishme në portën jug-lindore të Europës, duke rritur influencën e saj në shtete që me gjasë një ditë do të jenë anëtarë të bllokut europian me të drejta të plota.

Kinezët e kanë paranë, vazhdon artikulli, vetëm vitet e fundit ata kanë hedhur 170 milionë euro për një urë mbi Danub në Beograd dhe 700 milionë të tjera në një central prodhues të energjisë nga burime të rinovueshme.

Një kompani kineze ishte ajo që bleu dhe impiantin e vetëm të çelikut në vend, me premtimin të rivitalizojë funksionimin e tij problematik pa shkurtuar vendet e punës.

Por pikën kulmore të angazhimit të saj në Serbi e përbën linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë gati 3 miliardë euro, që lidh Beogradin me Budapestin.

E një rëndësie kyçe në strategjinë e Pekinit është edhe linja e transportit që lidh portin grek të Pireut me Europën qendrore. Ajo që e bën veçanërisht joshës financimin kinez, janë kushtet e tij.

Në kontrast të thellë me huadhënës të mëdhenj ndërkombëtarë si Banka Botërore, Kina shfaqet shpeshherë e gatshme të hedhë para edhe në projekte ku mundësia e përfitimit vihet në pikëpyetje, dhe ndërsa fondet strukturore të BE-së janë të  paarritshme, për shtetet jo anëtare Kina mbetet një alternativë e mirë.

“Bum” gjyqesh kundër Tatimeve

Posted: 17 Jul 2017 08:32 AM PDT

Gjysma e parë e vitit 2017 ka shënuar një bum padish nga bizneset kundër administratës tatimore.

Televizioni SCAN ka zbardhur një raport zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sipas të cilit aktualisht ka arritur në 426 numri i bizneseve që kanë paditur administratën tatimore për vlerësime, gjoba apo kamatvonesa të padrejta.

Është dega rajonale e Tiranës Drejtoria tatimore e cila numëron edhe numrin më të madh të padive kundër saj, të cilat arrijnë mbi 140.

Shfuqizimi i vlerësimeve tatimore të kryera nga Drejtoritë Rajonale është edhe motivi kryesor për të cilën bizneset i drejtohen gjykatës. Sipas bizneseve, këto vlerësime janë joreale, duke u shoqëruar edhe me gjoba e kamatvonesa të kripura.

Nga zbardhja e padive, bie në sy se gjobat më të ulëta të kontestuara arrijnë vlerën e 1 milionë lekëve, por ka edhe kompani të cilat penalitetet bashkë me kamatvonesat u arrijnë deri 9 milionë lekë, afërisht 80 mijë dollarë.

Disa prej bizneseve i padisin tatimet për gjoba të pabazuara në ligj dhe pa prova.

Nuk mungojnë as rastet ku bizneset i drejtohen gjykatës për korrigjimin e gabimeve të kryera nga tatimorët.

Disa prej bizneseve kërkojnë rimbursim të shumës së detyrimit të paguar.

Ndërkohë, TVSH dhe tatimfitimi janë taksat për shkak të të cilave bizneset kanë marrë pjesën më të madhe të penaliteteve.

E ëma e Skënderbeut serbe? Artan Shkreli nxjerr bllof Mustafa Nanon

Posted: 17 Jul 2017 08:15 AM PDT

Perpiqen te argumentojne, e s’ja gjej dot arsyen e aresyes, por nuk mberrijne te nxjerrin askund se Vojsava Kastrioti ishte sllave (madje shkojne deri aty sa ne emer te neo-internacionalizmit ballkanik te deklarojne se ishte serbe).

Jepen si argument emrat ortodokse (jo etnike: qe mund ti kete kushdo serb, arber, grek a bullgar) kundrejt atyre arberore (etnike: si Ghin, Ghon, Deda, etj. qe normal jane shume te pakte) dhe luajne pa kokeçarje me nje marifet te tille feminor.

Barleti nuk thote askund e ne asnje rresht se Vojsava eshte sllave; thjesht eshte i pari qe e ze n’goje si te bijen e princit te Tribaleve… kaq.

Artan Shkreli

Me pas eshte Gjon Muzaka i cili e permend i pari me emer e mbiemer si Vojsava Tribalda e cila vinte nga nje dere e fisme, por pa ndaluar ne perkatesine etnike te saj, sikurse dhe Barleti, pasi edhe per te nuk paraqiste ndonje veçanti.

E nderkaq, eshte po Muzaka qe ne “Kroniken” e tij, kur flet per Vrana Kontin, i cili kishte gjak Muzakajsh nga e ema, e quan ate markez te Tribaldeve; te nje gjindjeje pra minimalisht me perzjerje te forte arberoresh.

E sikur kaq te mos mjaftonte, G. Von Hahn ne “Studimet” e tij, ne dijeni te shteses gjenealogjike te Kostandin Muzakes, i meshon faktit se Vojsava, bije e fisnikut Monçini e zot i Pollogut, eshte me gjak nga te Muzakajve – gje qe mbeshtetet edhe nga Babingeri.

Historite dhe historianet e mepasshem, nen frymen e ndihmes qe u jepeshin popujve sllave per shkeputje nga Perandoria Osmane, ushqyen idete pansllaviste por pa filtrin e nevojshem kritik, e ndofta pa dashje, ne kurriz te nje populli qe ende nuk e konsideronte kush, kur dihet se zoterinjte sllave u zhduken si kripa ne uje nga territoret arberore pas vdekjes se S. Dushanit. Ne rremujen qe pasoi, dinamika e Gropajve, Muzakajve, Araniteve etj ne ate zone, eshte sot veshtiresisht e ndjekeshme, sikunder edhe ajo e vijimesise aty te pushteteve te Brankoviçeve apo bujareve bullgare (fundi i shek XIV).

Sa i takon tribaleve, fisit te lashte ilir, pa u futur ne hollesirat e periudhes greko-romake, ata vijojne ne Mesjete te permenden nga Stefan Bizantini ende si “ilire” (shek VI e.s.); dmth pak para vendosjes se sllaveve ne territoret e Ballkanit jug-perendimor.

Si ne shek VI te Stefanit, ne ate te XIV te Monçinit, dhe sot ne shek XXI tonin, çka mbetet, eshte fakti se Pollogu, banuar vijimisht nga arberoret, e here nga perzjerje arbano-sllave, u ka lene trashegim shqiptareve kujtimin e nje gruaje te hireshme si dibranen Vojsava Tribalda-Kastriotin. Nese kete e metojne edhe sllavet (bullgare, serbe e boshnjake), per shkak te mungeses se burimeve absolute mbi etnicitetin e saj, jane te lire ta bejne e ta ribejne, por nuk besoj se u duhet ndihma jone per kete.

P.S. – sa i takon O. Schmidtit, dihet se ai nuk sjell asgje origjinale, perveçse perserit tezat e serbit B. Petrovski.

P.P.S. – ne gravure, Vojsava shtatzane me Gjergjin – nga J. Breu II, 1533, Gjermani.

*Marrë nga profili në Facebook i Artan Shkrelit

Angela Merkel, kancelare edhe për katër vitet e ardhshme

Posted: 17 Jul 2017 08:00 AM PDT

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha dje se synonte të vazhdonte detyrën e kancelares së Gjermanisë edhe për 4 vitet e ardhshme.

Merkel tha se shumë shpejt do të nisë fushata për zgjedhjet parlamentare të shtatorit.

Në një intervistë për televizionin ARD, kancelarja, Merkel foli për çështjet e brendshme të refugjatëve dhe investimeve, si dhe marrëdhëniet me Turqinë dhe Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Si një lidere me pikëpamje të moderuara politike, gjatë intervistës, Merkel nuk pati frikë të mbështeste parimet në të cilat besonte.

Pavarësisht nga fërkimet me Partinë e saj Konservatore Bavareze, Unioni Kristiansocial (CSU), Merkel, e cila drejton Unionin Kristiandemokrat (CDU), hodhi poshtë kufizimin e numrit të refugjatëve që do të lejoheshin të hynin në vend.

Kjo masë bie ndesh me CSU, lideri i së cilës, Horst Seehofer ka kërcënuar se nuk do të hyjë në koalicion nëse nuk vendos një kufizim vjetor të numrit të refugjatëve.

Kancelarja Merkel tha se ka ranë dakord me kundërshtarin e saj të qendrës së majtë, Martin Schulz, mbi nevojën për investime në fushën e dixhitalizimit, duke shtuar se problemi kryesor nuk ishte mungesa e fondeve por procesi i gjatë i planifikimit.

Merkel e vlerësoi NATO-n  si një partner në zgjidhjen e problemeve të Gjermanisë me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan pasi të dy vendet janë anëtarë të aleancës së mbrojtjes.

Merkel tha se qeveria e saj do të refuzonte "tërësisht" të negocionte me Turqinë mbi të drejtën e parlamentarëve gjermanë për të vizituar ushtarët gjermanë të vendosur në bazat e NATO-s në Turqi.

Por, ajo vuri në dukje interesin e tyre të përbashkët në luftën kundër milicisë terroriste të Shtetit Islamik nën drejtimin e NATO-s,  si një motiv për të vazhduar bisedimet midis Turqisë dhe Gjermanisë.

“Kam vjedhur celularë e portofola sa nuk i mbaj mend”, rrëfehet 60-vjeçari që i bëri zbor policisë për 5 muaj

Posted: 17 Jul 2017 07:26 AM PDT

Vidhte aq shpesh celulare dhe portofola saqë nuk mbante mend kujt i vidhte dhe kujt ja shiste më pas.

E tillë është historia e 60-vjecarit Luan Satka nga Tirana, i cili për më shumë se pesë muaj angazhoi policinë dhe prokurorinë për identifikimin e tij.

Rasti më i fundit i 60-vjeçarit ishte vjedhja e një celulari në recepsionin e një kompanie Call Center.

Taktika qe i ndiqte ishte duke u afruar në sportelet e kompanive private apo zyrave ku bëhen pagesa të ndryshme dhe merrte prej andej celularë apo portofola që liheshin shkujdesur nga persona të ndryshëm mbi sportele.

Por fakti që mbante të veshur gjithnjë të njëjtën bluzë dhe kapele e ka zbuluar më në fund.

I pyetur gjatë gjykimit 60-vjecari Satka ka deklaruar: “Kam vjedhur shumë celularë dhe nuk mbaj mend për rastin që pashë pamjet filmike. I vjedh dhe më pasi i shes tek Banka e Shqipërisë, nuk kam lekë për të ngrënë buke dhe ndaj vjedh. Shumicën e kohës e kalojë afër Pazarit të Ri dhe në Laprake. Kam vjedhur shumë telefona celularë dhe portofola dhe nuk mbaj mend se kujt ia kam shitur".

Pavarësisht sinqeritetit të treguar Gjykata e Tiranës në fund e dënoi me 9 muaj burgim vetëm për një episod vjedhje, ndërsa për të tjerat vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tyre./tch/

“Mos ma shkatërroni jetën”/ Gjykata lë në burg transportuesit e drogës së Kavajës dhe pronarët e makinave

Posted: 17 Jul 2017 06:50 AM PDT

Më shumë se kushdo, shprehjen "në prokurori nuk dëgjohen fjalët, por dokumentat" e kupton Arvis Muçaj.

24-vjeçari u arrestua në shtëpinë e tij në Vlorë disa orë pasi rezultoi se njëri nga 2 nga automjetet e braktisura në Kavajë ishte në pronësi të tij.

Por ndërsa në makinë u gjetën 300 kg hashash dhe në tjetrën 1 ton, Arvis Muçaj këmbëngul se prej 5 muajsh makinën ia kishte shitur shtetasit Erges Sina, një person i shpallur në kërkim policor.

"E bleva makinën nga Aristotel Kasaj dhe më pas ia shita Ergesit, i lutesha të vinte të bënte letrat, por ai nuk pranonte", deklaroi i riu, i cili u përlot para gjykatës.

Nuk jam marrë kurrë me drogë, tha ai, të tre ata që janë arrestuar në Kavajë nuk i njoh.

"Mos ma shkatërroni jetën, më 27 gusht martohem. Nëse del që unë jam i përfshirë në këtë histori më dënoni maksimalisht, por keni përpara një të pafajshëm", tha vlonjati.

Por për të njëjtin fakt, me kërkesë të prokurorisë gjykata dha arrest me burg edhe për një tjetër shtetas që ka qenë më herët përdorues i këtij mjeti.

Ai quhet Aristotel Kasaj, të cilit rezulton t'ia ketë shitur më herët makinën 24-vjeçari Muçaj.

Edhe Aristotel Kasaj i tha gjykatës se ishte në dijeni të shitjes së makinës tek Erges Kasaj, një veprim ky që pavarësisht shumës së paguar nuk është shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Sasia e drogës u zbulua nga policia e Kavajës, e cila u bëri shenjë të ndalonin dy mjeteve, një furgon dhe një fuoristradë.

Pas ndjekjes, policia gjeti të braktisur jo vetëm mjetet me drogë, por afër bregut edhe një skaf me dy motorë që do të përdoreshin për transportin e mëtejshëm të hashashit.

Si transportues u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit Kejvi Jadari, Roland Hysenbelliu dhe Joni Sadikaj.

Por tre të rinjtë pretenduan para gjykatës se pasi kishin drekuar në një fshat të Kavajës në mbrëmje kishin humbur rrugën dhe kishin ndaluar të pyesnin në një postbllok policor se si mund të ktheheshin në shtëpi.

Megjithatë pretendimi i tre të rinjve konsiderohet një alibi e paqëndrueshme përderisa në mjetet e braktisura ata kishin harruar aparatet e telefonave dhe dokumentat e identifikimit.

Prokuroria shpreson të tërheqë në bashkëpunim ndonjërin prej të arrestuarve për të zbuluar se cilët janë pronarët e vërtetë të drogës.

Basha përsërit: Më vodhën, vetëm PD e shpëton vendin

Posted: 17 Jul 2017 06:44 AM PDT

Lulzim Basha në një bashkëbisedim me demokratët e Beratit, Kuçovës, Poliçanit u ndal sërish në analizën e asaj çfarë ndodhi me 25 qershor.

Ai përsëriti se PD më 25 qershor garoi me program, ndërsa sipas tij, përballë kishte krimin, drogën, makinerinë shtetërore dhe shitblerjen e votës.

Basha, ashtu si në takimet e tjera përsëriti tezën se PD është e vetmja që mund ta bëjë e ta shpëtojë vendin.

"Bashkë luftuam betejën për dekriminalizimin, luftën kundër drogës, luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Tre akuza që 25 qershori i vërtetoi katërcipërisht se nuk janë vetëm kauza të drejta por kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët sot. Edi Rama, e dinë fare mirë shqiptarët dhe me 18 maj e dinte edhe bota, ai jo vetëm nuk mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, por siç vërtetoi 25 qershori është strumbullari i varrmihjes së demokracisë në Shqipëri.

Sepse ka ndërtuar një sistem politik klientelist, korruptiv dhe kriminal me një qëllim asgjësimin e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Në njërën anë të peshores shteti, institucionet, administrata, policia, milionat e tenderave të koncesioneve të korruptuar, bandat, paratë e drogës, në anën tjetër të peshores Partia Demokratike e cila nuk përdori asnjëherë presionin dhe shantazhin ndaj votuesit. Ne, nuk lidhëm dhe as nuk do të lidhim pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Ne, nuk u përfshimë në lojën e ndyrë të shit-blerjes së identitetit të qytetarëve, të dinjitetit të tyre me shukun e pisët të korrupsionit dhe drogës", tha Basha.

Lulzim Basha tha se projekti i tij synon fuqizimin e qytetarit, të anëtarit të thjeshtë të PD, që të ketë në dorë vendimet e rëndësishme, ndërsa iu rikythye sërish tezës së Republikës së Re.

"Sot ndodhem për herë të dytë para jush në një garë statutore me një anëtar-një vote, për kryetarin e Partisë Demokratike.

Në çadrën  e lirisë iu folëm qytetarëve për Republikën e Re, si një realitet i ri, një raport i ri midis pushtetit dhe qytetarit; i përkthyer në disa forma, në sistem të ri elektoral me deputetë të ardhur drejtpërdrejtë dhe pa filtra partiakë nga populli, si një balancë e re kushtetuese midis degëve të ndryshme të pushtetit; Parlamentit, Kryeministrit, Presidentit, gjykatave.

Por po kështu, iu thamë shqiptarëve se ky është një raport që duhet të fillojë brenda familjes tonë. Ashtu siç e thashë kur dorëzova listën për deputetë, se kjo duhet të jetë hera e fundit që kryetari i PD, në bindjen time do të dorëzojë një listë të tillë. Se tashmë, për të gjithë vendimmarrjet e rëndësishme ne duhet të aplikojmë parimin më demokratik për të kaluar në një sistem një anëtar-një vote, për përzgjedhjen e çdokujt që do të mbajë peshën e përfaqësimit të demokratëve dhe Partisë Demokratike", theksoi Basha.

Vajzat e njohura të Shqipërisë që kanë shkuar nuse në Kosovë

Posted: 17 Jul 2017 06:37 AM PDT

Shumica e njerëzve kur dashurohen nuk duan t'ia dinë, për moshën, origjinën, apo detaje të tilla për partnerin apo partneren e tyre. Ne thjesht dashurojmë personin me të cilin shoqërohemi. Në fakt, edhe personazhet e njohur shqiptarë, pavarësisht se të pasurit partnerin nga i njejti vend ka më shumë lehtësira, ata kanë zgjedhur ta çojnë zemrën e tyre në Kosovë.

Prej vitesh të martuar, ose në prag martese këta vipa shqiptarë nga Tirana, kanë ndjekur zemrën deri në Kosovë apo anasjelltas. Pavarësisht se Kosova është shumë pranë nesh jo thjesht në kilometra, por edhe ne zemër, gjithsesi një sakrificë ata e kanë bërë për të qenë pranë njëri-tjetrit.

1

Marina Vjollca dhe Getoar Selimi
Prej 3 vitesh në një lidhje me njëri-tjetrin, ka lënë Prishtinën për të jetuar me Marinën në Tiranë. Ata do të martohen së shpejti, dhe mendojmë se në Tiranë do vazhdojnë të jetojnë për shkak të angazhimeve të Marinës në television. Gjithsesi Marina është nuse në Kosovë.

2

Luana Vjollca dhe Krenar Çoçaj
Njësoj si e motra, edhe Luana e ka zgjedhur partnerin e saj nga Kosova. Ata janë prej kohësh në një lidhje, pavarësisht se ata nuk e kanë pranuar asnjëherë.

3

Vesa Luma dhe Big Basta
Të martuar dhe me një djalë. Çika nga Prishtina u dashurua m djalin nga Tirana. Ata u martuan dhe vendosën të jetonin në Tiranë. Pra Vesën e kemi nuse Tirane.

4

Alma Bektashi dhe Sokoli
Këngëtarja e njohur nga Prishtina në fakt e mori bashkëshortin e saj në Kosovë, pasi ai është nga Tirana. Prej vitesh ata janë të martuar, dhe një djalë dhe një vajzë.

5

Ilirjana dhe Altin Basha
Regjisori i "Portokallisë", Altin Basha nusen e ka marrë nga Kosova. Ilirjana Basha është kostumografe, dhe ka lënë Kosovën për Altinin, për të jetuar në Tiranë. Ata janë të martuar prej vitesh dhe kanë tre fëmijë.

6

Rudina Magjistari dhe Xhavit Bajrami
Prej vitesh në një lidhje, moderatorja e njohur Rudina Magjistari zgjodhi partnerin e saj Xhavit Bajramit, nga Podujeva. Çifti jeton në Tiranë, dhe kanë një vazjë të vogël që quhet Mia.

7

Ledina Çelo dhe Naim Kabashi
Ai një kampion bote në Kik Boks ndërsa Ledina një këngëtare mjaft e njohur. Kabashi është me origjinë nga Kosova, ndërsa Ledina është nga Tirana. Çifti jeton prej vitesh në Gjermani, dhe kanë dy fëmijë një djalë dhe një vajzë.

8

Alban Nimani dhe Klejda
Në 2007 lideri i grupit "Asgjë sikur dielli", do të binte në dashuri me një vajzë nga Tirana dhe do të qëndronte në Shqipëri për shkak të vajzës. Ai gjithsesi edhe sot shkon shpesh në Prishtinë, pasi ka dhe detyrën e profesorit të asociuar në Fakuletetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

9

Liberta Spahiu dhe Flori Mumajesi-
Ata nuk e kanë pranuar asnjëherë se janë në një romancë së bashku, por që përflitet prej kohësh që janë në një lidhje. Madje mediat rozë shkruajnë se Liberta u bë arsyeja pse Flori u zhvendos për të jetuar në Prishtinë.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more