Skip to main content

INSAJDERI: “Kryeministri që parashikon “vdekjen e BE” – ka një arsye” plus 19 more

INSAJDERI: “Kryeministri që parashikon “vdekjen e BE” – ka një arsye” plus 19 more


Kryeministri që parashikon “vdekjen e BE” – ka një arsye

Posted: 19 Jul 2017 09:33 AM PDT

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu e ka "sulmuar" sot Bashkimin Evropian në një takim prapa dyerve të mbyllura të liderëve të Evropës lindore në Budapest, duke thënë se BE-ja do të shuhet dhe do të vdes nëse nuk i ndryshon politikat e saj ndaj Izraelit, shkruan The Guardian.

"Mendimi im është se Evropa duhet të vendosë nëse dëshiron të jetojë dhe lulëzojë apo të zhduket. Unë personalisht nuk jam korrekt politikisht, edhe pse e di që kjo gjë do të ju tronditë disa prej juve," ka thënë Netanyahu.

Ai u ankua se BE-ja është organizata e vetme e shteteve në botë që i kushtëzon marrëdhëniet e saj me Izraelin.

"Bashkimi Evropian është shoqata e vetme e shteteve në botë që e kushtëzon marrëdhëniet me Izraelin, e cila prodhon teknologji në çdo fushë, në kushte politike. E vetmja! Askush tjetër s'e bën," ka shtuar ai.

The post Kryeministri që parashikon "vdekjen e BE" – ka një arsye appeared first on INSAJDERI.

Kompanitë turistike kosovare takohen me ambasadorin shqiptar – ai u ka dhënë një premtim

Posted: 19 Jul 2017 09:25 AM PDT

Bllokimi i rrugës "Pavarësia" për autobusët me pushues nga Kosova ka bërë që ambasadori i Shqipërisë në Kosovë të pres sot në takim, disa përfaqësues të këtyre kompanive turistike.

Tri kompani i kanë konfirmuar Insajderit se takimi është mbajtur sot dhe temë e diskutimit ka qenë shqetësimi i tyre për bllokimin e rrugës.

"Kemi pasur takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë dhe ai na ka premtuar se kjo punë do të rregullohet", ka thënë Egzon Sejdiu, menaxher i kompanisë turistike "Endriti".

Një takim të tillë e kanë konfirmuar edhe dy kompani të tjera që nuk kanë dashur të identifikohen.

I vetmi që ka pranuar të flasë ka qenë Sejdiu dhe sipas tij, ambasadori Qemal Minxhozi u ka premtuar atyre se brenda dy-tri ditëve do të takohen me kryebashkiakun e Durrësit, Emiljan Jani.

"Ne jemi optimist që ky problem do të zgjidhet dhe rruga do të lirohet edhe për ne", ka thënë Sejidu për Insajderin.

Në ndërkohë ambasadori Minxhozi në intervistën e tij për Express nuk e përmendi takimin me kompanitë turistike të Kosovës. Megjithatë ai konfirmoi, se takimi mes kryebashkiakut të Durrësit dhe kompanive kosovare do të ndodhë brenda dy ditëve.

Ai ha se do të bisedohet për të gjetur një zgjidhje.

Ambasadori ritheksoi se kjo ndalesë nuk është diskriminim ndaj kosovarëve.

"Nuk është diskriminim vetëm ndaj kosovarëve, është një diskriminim për shkak të kushteve që janë krijuar, megjithatë, ka mundësi për të gjetur një dalje, me bisedime. Në qoftë se do të përdorim këtë term, atëherë është diskriminim edhe ndaj pushuesve të Tiranës që shkojnë me të njëjtin numër autobusësh nga Tirana për në Durrës", tha ai.

Ambasadori shqiptar, tha se vetëm nga Kosova janë gjithsej 35 autobusë  që udhëtojnë brenda ditës për në Plazhin e Durrësit./Insajderi.com

The post Kompanitë turistike kosovare takohen me ambasadorin shqiptar – ai u ka dhënë një premtim appeared first on INSAJDERI.

Zbulohet identiteti i dy emigrantëve shqiptar që vdiqën në aksidentin fatal në Itali

Posted: 19 Jul 2017 08:56 AM PDT

Një aksident me dy shqiptarë të vdekur dhe një tjetër i plagosur rënde kishte ndodhur pasditen e së martës në Itali.

Siç raportojnë mediat lokale, rreth orës 18, në kryqëzimin e rrugëve "Melona" e "Capannaguzzo" në Cezena, janë përplasur dy automjete: një furgon dhe një kamion me rimorkio.

Viktimat janë një 37-vjeçar dhe një 39-vjeçar dhe tek sot janë bërë të ditur emrat e tyre.

Viktima janë Dritan Ulku 37 vjeç, banues në komunën Cesenatico dhe Ilir Seferi 39 vjeç, banues në qytezën Bellaria.

Nga aksidenti mbeti i plagosur dhe një shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Ai po merr trajtim mjekësor në spitalin Bufalini të Cezena-s dhe raportohet se ndodhet në rrezik për jetën. Aksidenti u regjistrua pasditen e djeshme në provincën e Cezena-s në Itali.

Furgoni në të cilin udhëtonin 3 emigrantët shqiptarë, punëtorë në një shoqëri instalimi skelash, u përplas me një kamion me rimorkio ku po udhëtonin babë e bir.

Përplasja ka qenë mjaft e fuqishme, duke u shkaktuar vdekjen në vend dy emigrantëve shqiptarë: Ulkut dhe Seferit. Ndërkohë, babë e bir (italianë) që udhëtonin në kamion kanë marrë vetëm disa plagë të lehta në trup.

Policia italiane po heton mbi zbardhjen e motivit të këtij aksidenti.

The post Zbulohet identiteti i dy emigrantëve shqiptar që vdiqën në aksidentin fatal në Itali appeared first on INSAJDERI.

Zotimi i Zaevit ndaj një diplomati përfshinë Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë

Posted: 19 Jul 2017 08:49 AM PDT

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev sot u takua me ambasadorin e Finlandës, Perti Ikonen.

Siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar, ambasadori finlandez Ikonen ia uroi kryeministrit Zaev marrjen e detyrës kryetar të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë , si dhe për kontributin e tij të madh në epilogun e qetë të krizës politike në Maqedoni dhe ndryshimet demokratike që janë në vijim.

Në takim është shprehur përkrahje për Planin 3-6-9 me të cilin Qeveria u obligua në prioritete urgjente reformuese, që i hapin perspektivat euro-atlantike të vendit.

"Qeveria është e përcaktuar ndaj politikave reformuese që duhet ta intensifikojnë procesin e integrimeve euroatlantike dhe ta përmirësojnë cilësinë e jetesë së qytetarëve përmes rritjes së ekonomisë. Po zhvillojmë politika inkluzive në realizimin e këtij procesi. I kemi përfshirë sektorin qytetar, opinionin ekspert, jemi të hapur edhe për mendimet e opozitës. Po ashtu jemi orientuar drejt bashkëpunimit më të madh me fqinjët, pasi vlerësojmë se bashkëpunimi  mirë fqinjësor mund t'i ndihmojë tërë rajonit që të lëviz përpara", tha Zaev.

Në takimin u konstatua se integrimet e Maqedonisë në NATO dhe BE do të thonë edhe stabilitet më të madh dhe siguri edhe për shtetin tonë, por edhe për tërë Ballkanin, duke përmendur edhe Kosovën.

Kryeministri Zaev dhe ambasadori Ikonen kanë biseduar edhe për mundësinë që Maqedonia të zbatojë përvoja arsimore finlandeze, si një nga më cilësoret në Evropë dhe botë. Po ashtu u arrit marrëveshje për rritje të bashkëpunimit në sferën e ekonomisë.

Ambasadori Ikonen kumtoi se Finlanda e përkrah zhvillimin demokratik të Maqedonisë dhe integrimet e shtetit në organizatat ndërkombëtare.

 

The post Zotimi i Zaevit ndaj një diplomati përfshinë Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë appeared first on INSAJDERI.

Dorëhiqet ministri i Mbrojtjes pas zjarreve në Kroaci

Posted: 19 Jul 2017 08:08 AM PDT

Ministri kroat i Mbrojtjes ofroi dorëheqjen në vazhdën e kritikave se ushtria nuk kishte reaguar me shpejtësinë e duhur pas emergjencës së zjarreve, por kreu i Ekzekutivit refuzoi ta pranonte.

Ministri Damir Krsticevic u shpreh i gatshëm të largohej kur presidentja Kolinda Grabar Kitarovic i drejtoi gishtin e fajit me argumentin se ushtria duhet të kishte ndërhyrë më shpejt për të ndihmuar në frenimin e zjarreve të furishme pyjore që rrezikuan seriozisht qytetin e Splitit mbrëmjen e së hënës.

Gjatë një vizite zyrtare në Austri të martën, kryetarja e shtetit tha se pavarësisht faktit që trupat ushtarake nuk janë të trajnuara për zjarret në mënyrë të veçantë, mund t'i kishin ardhur në ndihmë zjarrfikësve të përfshirë që prej fundjavës në një betejë të ashpër me flakët.

Megjithatë, kryeministri Andrej Plenkovic jo vetëm nuk e pranoi dorëheqjen e Krsticevic , por edhe këmbënguli ta shfajësonte ushtrinë, duke deklaruar se ajo nuk ka bërë asnjë gabim.

Fola me ministrin e Mbrojtjes, tha ai, dhe i kërkoi që të qetësohej. Zjarret pyjore janë lajm interesant për shtypin, shtoi shefi i Ekzekutivit, sidomos në një situatë si kjo kur shtrirja e tyre deri në Split ishte padyshim një rast i rrallë, por vetëm 16 vetë kanë kërkuar deri tani trajtim mjekësor nga problemet në frymëmarrje për shkak të tymit, theksoi Kryeministri duke u përpjekur të minimizonte rëndesën e situatës e kujtoi se personi i vetëm që ndërroi jete, në fakt vdiq nga probleme ekzistuese me zemrën.

Krsticevic këmbëngul se ushtria reagoi atëherë kur iu kërkua dhe se veprimi i saj, ishte në përputhje të plotë me procedurën.

The post Dorëhiqet ministri i Mbrojtjes pas zjarreve në Kroaci appeared first on INSAJDERI.

Vetëvendosje dhe LAA thonë se i kanë numrat për Qeverinë

Posted: 19 Jul 2017 08:05 AM PDT

Krijimi i shumicës parlamentare mbetet synim jo vetëm i koalicionit fitues të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, por edhe i dy subjekteve që u renditën në vendin e dytë dhe të tretë në këto zgjedhje.

Duke besuar se koalicioni PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, do të dështojë të krijojë shumicën parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me partitë partnere, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, thonë se janë duke vazhduar takimet për mundësin e arritjes së një koalicioni paszgjedhor.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt që ka dalë i dyti për kah numri i ulëseve të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, thotë se tashmë ekziston një shumicë parlamentar pa koalicionin fitues.

Dardan Sejdiu, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se me LDK-në dhe partneret e saj, janë duke diskutuar rreth programit qeverisës dhe koalicioni të ri, për një qeverisje ndryshe.

“Në fakt ekziston shumica parlamentare, nëse i shihini si të them numrin e deputetëve që i ka Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LAA. Ne i kemi 32 deputetë, derisa koalicioni LAA i ka 29 deputetë. Që do të thotë kemi 61 vende pa minoritete. Pra një shumicë shqiptare. Ne jemi duke u takuar dhe kemi pasur dy takime deri tani”, tha Sejdiu.

Të gjitha këto takime, thekson Sejdiu, janë në kuadër të diskutimeve, pasi që siç thotë ai, Presidenti nuk po e thërret seancën konstituive, ku do të bëhej zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit, për të vazhduar me procedurat e tjera.

Pas konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit, koalicioni PAN, si fitues i zgjedhjeve, i ka 15 ditë afat për formimin e Qeverisë së re.

Por, Vetëvendosje është e bindur se PAN nuk do të arrijë t'i sigurojë minimumin prej 61 votave për formimin e Qeverisë dhe pret që shansin e dytë ta ketë ky subjekt politik me LDK-në dhe partitë partnere.

“Krejt këto takime e kanë rolin e përafrimit sa më të madh deri në momentin kur të na jepet mundësia e dytë pas mandatarit i cili vjen nga koalicioni PAN. Kështu që ne jemi duke punuar që të kemi një program qeverisës, në mënyrë që kur të na vjen mundësia t'i kemi numrat e duhur për të formuar Qeverinë e ndryshimit”, tha Sejdiu.

Ndërkohë, Mimoza Kurasi- Lila, kryetare e partisë politike, Alternativa që është pjesë e koalicionit me LDK-në, tha për Radion Evropa e Lirë se takime me Lëvizjen Vetëvendosje, janë në vazhdim e sipër.

“Mundësia dhe gatishmëria është që të formohet kjo shumicë parlamentare, vetëm duhet të përcillen procedurat e parapara me ligj dhe Kushtetutë. Do të thotë, që mundësia i jepet koalicionit fitues që ta formojë Qeverinë dhe në dështim të asaj përpjekje për koalicionin fitues, Presidenti duhet ta mandatojë ose ish dashur të mandatojë të dytin fitues nga këto zgjedhje, gjegjësisht partinë e dytë, Lëvizjen Vetëvendosje. Në atë situatë apo skenar vetëm kanë filluar përgatitjet në proces të dakordimit për programin qeverisës dhe pastaj në nivelin politik në një fazë të më vonshme”, tha Kusari -Lila.

Kusari-Lila thekson se koalicioni PDK, AAK, NISMA i njohur si PAN, nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për formimin e Qeverisë. Sipas saj, vonesat për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit janë indikatorët më të mirë që tregojnë se ai koalicion ka mungesë të votave.

“Sikur t’i kishin votat do të kishim deri më tash mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe procesin e mandatimit të zotit Haradinaj, për të prezantuar Qeverinë. Por, ma merr mendja që mungesa e votave dhe situata në të cilën po hyjmë është si rrjedhojë e mungesës së votave, që edhe e tregon se në cilëndo matematikë ata i kanë vetëm 59 vota dhe jo 61 vota sa ju duhet një shumicë minimale për të votuar Qeverinë në Kuvend”, tha Kusari- Lila.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka caktuar ende datën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, por ai pritet që të zhvillojë një takim me partitë parlamentare më 24 korrik, pikërisht për datën e konstituimit të këtij institucioni.

Më herët, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i subjekteve politike, të cilave u prin Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i janë përgjigjur pozitivisht një ftese për të diskutuar për formimin e Qeverisë së re, nga kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën. /REL

The post Vetëvendosje dhe LAA thonë se i kanë numrat për Qeverinë appeared first on INSAJDERI.

Abrashi: Gjendje alarmante, rrezikohet furnizimi me energji

Posted: 19 Jul 2017 08:03 AM PDT

Nënkryetari i AKK-së Gazmend Abrashi, ka reaguar për mosveprimin e institucioneve për vazhdimin e punës në minierën e Sibovcit.

"Për mosveprim institucional në shpronsimin e 8 shtëpive, fillimisht në fshatin Shipitullë, për vazhdimin e minierës se Sibovcit do të harxhohen stoqet e mbetura dhe do të ndalet prodhimi i energjisë elektrike".

"Gjendja është alarmante, rrezikohet siguria e furnizimit me energji e me atë edhe siguria nacionale. Kjo pritet të ndodh ditën e premte, ndërkaq institucionet përgjegjëse çuditërisht heshtin!", shkruan Abrashi në Facebook.

 

The post Abrashi: Gjendje alarmante, rrezikohet furnizimi me energji appeared first on INSAJDERI.

Pas anulimit të kontratës për Kalanë e Vushtrrisë, procesi nis nga fillimi

Posted: 19 Jul 2017 07:57 AM PDT

Pasi është anuluar kontrata për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë, drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve Agim Gërguri, ka thënë se procesi do të nisë nga fillimi.

"Kontrata është anuluar momentalisht, do të rishqyrtohet plani se si do të menaxhohet kalaja dhe opinioni do të njoftohet me kohë" , ka thënë Gërguri.

Ndërkohë, këtë vendim e ka mirëpritur iniciativa “Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë”.

"Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve më në fund i është dorëzuar presionit të qytetarëve dhe ka shkëputur njëanshëm kontratën me Mentor Salihun, dajën e kryetarit Bajram Mulaku nga radhët e PDK-së, të cilit pati vendos t'ia jap Kalanë për ta bërë restaurant. Me këtë rast, ne si grupi i iniciativës qytetare 'Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë', iu themi të gjithë qytetarëve, urime për fitoren tuaj", ka thënë Leonora Aliu, përfaqësuese e kësaj iniciative.

Tutje Aliu në një konferencë është shprehur se kërkojnë që çdo veprim i Institutit, Ministrisë se Kulturës, Komunës së Vushtrrisë, e cila mbetet sipas saj bashkëfajtore për çka do që i ndodh Vushtrrisë, të jetë në harmoni të plotë me kërkesat e tyre.

Kërkesa kryesore e Iniciativës është që kalaja të jetë e hapur për shfrytëzim nga qytetarët e saj.

The post Pas anulimit të kontratës për Kalanë e Vushtrrisë, procesi nis nga fillimi appeared first on INSAJDERI.

Ambasadori Minxhozi flet për ndalesën e autobusëve nga Kosova

Posted: 19 Jul 2017 07:38 AM PDT

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka komentuar bllokimin e autobusëve të Kosovës në Durrës duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak të moskomunikimit ndërmjet kompanive turistike dhe autoriteteve lokale të Durrësit.

Minxhozi tha për Gazetën Express se kjo ndalesë nuk është bërë vetëm për kosovarët, por për të gjithë autobusët që ndalen në rrugë për të zbritur pasagjerët e tyre, përfshirë këtu edhe kompanitë që udhëtojnë nga Tirana për në Plazhin e Durrësit.

E kjo për shkak të tollovisë që po shkaktohet në komunikacion, por edhe për shkak se në rrugën  "Pavarësia" po bëhen ndërtime.

Ka një javë që në Plazhin e Durrësit, u bënë ndalesa për autobusët turistikë që udhëtojnë nga Kosova, e kjo me vendim të Bashkësisë së Durrësit. Bashkia e qytetit bregdetar ka vendosur që të mos i lejojë autobusët të kalojnë e të ndalojnë në rrugën "Pavarësia" me arsyetimin se po krijohet kaos në trafik.

U raportua se kjo ndalesë u bë vetëm për autobusët që udhëtojnë nga Kosova për në Plazhin e Durrësit, gjë që nxiti polemika të shumta e u quajt diskriminim ndaj kosovarëve.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se kjo u shkaktua për shkak se nuk ka pasur një komunikim midis kompanive turistike dhe autoriteteve lokale të Durrësit.

"Nuk ndalen vetëm autobusët që vijnë nga Kosova, por ndalen të gjithë autobusët që vijnë nga Tirana në drejtim të plazhit të Durrësit. Nuk lejohen as autobusët e Kosovës, por as autobusët e firmave/kompanive shqiptare që vijnë kryesisht nga Tirana për në Plazhin e Durrësit, e që janë në të njëjtin numër siç janë ata nga Kosova", ka thënë ambasadori Minxhozi.

Megjithatë, ai bëri të qartë se kjo rrugë është në ndërtim dhe është e pamundur të menaxhohet për autobusët që kalojnë dhe ndalen në atë zonë.

Ambasadori shqiptar, tha se vetëm nga Kosova janë gjithsej 35 autobusë  që udhëtojnë brenda ditës për në Plazhin e Durrësit.

Minxhozi tha se brenda dy ditëve pritet që të ketë një takim ndërmjet Kryetarit të Durrësit Vangjush Dako dhe agjencive turistike ku do të bisedohet për të gjetur një zgjidhje.

Ambasadori ritheksoi se kjo ndalesë nuk është diskriminim ndaj kosovarëve.

"Nuk është diskriminim vetëm ndaj kosovarëve, është një diskriminim për shkak të kushteve që janë krijuar, megjithatë, ka mundësi për të gjetur një dalje, me bisedime. Në qoftë se do të përdorim këtë term, atëherë është diskriminim edhe ndaj pushuesve të Tiranës që shkojnë me të njëjtin numër autobusësh nga Tirana për në Durrës", tha ai.

 

The post Ambasadori Minxhozi flet për ndalesën e autobusëve nga Kosova appeared first on INSAJDERI.

Rrëfimi i Joshuas se si e rrëzoi Wladimir Klitschkon në meçin e fundit

Posted: 19 Jul 2017 07:33 AM PDT

Kampioni absolut në kategorinë e rëndë të boksit botëror, Anthony Joshua, ka rrëfyer për mënyrën se si ka arritur ta nokautoj Wladimir Klitschkon në duelin e madh të zhvilluar në Wembley pasi ky i fundit e rrëzoi atë në ring.

27 vjeçari kishte rekordin e tij të pamposhtshmërisë të rrezikuar kur ai ishte rrëzuar në ring në raundin e gjashtë të luftës për kampion bote që u zhvillua në prill.

Klitschko vazhdoi me luftë të disiplinuar edhe pasi rrëzoi Joshuan i cili u ngrit në këmbë. Përkundër gjendjes së tmerrshme, londinezi beson se ai demonstroi fuqinë e tij ët brendshme kur e ndali "Dr. Grushtin e Hekurt" në raundin e 11-të.

"Ai është shumë inteligjent, ai është doktor shkence, por ai nuk ka pasur shpirtin tim", theksoi Joshua në dokumentarin "AJ – Histori në bërje" e cila u shfaq në Sky Sports.

"Kur lufta mbaroi, unë qesha. Unë i thashë vetes se ai nuk mund ta ketë shpirtin dhe mentalitetin e rrugës që e kam unë", theksoi Joshua.

Joshua u rrëzua për herë të parë në një ring në karrierën e tij dhe pranon se goditja e Klitschkos me të djathtën ishte "e ëmbël" dhe se e befasoi atë.

"Ishte një goditje e madhe, por nuk ishte e mjaftueshme për të më mbajtur në dysheme. Më rrëzoi, por nuk më la në poshtë".

"Goditjet që unë i ndjej janë kur zakonisht ndihem përtac. Me të, unë as që e pashë goditjen. Ishte një goditje 'e ëmbël", potencoi kampioni 27 vjeç.

Joshua dhe Klitschko mund të përballen jo më larg se në nëntor në një duel që besohe se mund të zhvillohet në T-Mobile Arena në Las Vegas.

 

The post Rrëfimi i Joshuas se si e rrëzoi Wladimir Klitschkon në meçin e fundit appeared first on INSAJDERI.

Inspektorati i Arsimit kërkon të ngrihet aktakuzë ndaj rektorit Marjan Dema

Posted: 19 Jul 2017 07:21 AM PDT

Bekim Sele është njëri prej kandidatëve që kishte konkurruar në konkursin e Fakultetit të Arteve në UP për staf akademik. Konkursi ishte shpallë më 30 tetor 2016. Ndër tjera, kërkohej edhe profesor për lëndën Teoria e filmit niveli baçelor dhe mastër.

Kandidati Sele nuk ishte përzgjedhë nga Komisioni vlerësues për ta ligjëruar këtë lëndë. Ai kishte konsideruar se i është bërë e padrejtë dhe kishte vendosur të ankohej në Rektorat. Nuk kishte marrë përgjigje. Pastaj ishte ankuar në Inspektoratin e Arsimit të MAShT.

Shkalla e parë e Inspektoratit i kishte dhënë të drejtë Seles në pretendimet e tij, duke kërkuar nga Rektorati ta zbatojë vendimin.

"Refuzohet si e pabazuar ankesa e sekretarit të përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina"… Mbetet në fuqi vendimi … i nxjerrë nga inspektorja e arsimit", thuhet në vendimin e Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MAShT-it.

Rektorati, përmes sekretarit të përgjithshëm, ishte ankua në shkallën e dytë  të Inspektoratit të Arsimit, e cila po ashtu i jep të drejtë kandidatit Bekim Sele.

Moszbatimi i vendimit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Arsimit e detyroi atë të ushtrojë kallëzim penal ndaj UP-së dhe rektorit të saj, Marjan Dema.

Gazeta Insajderi e ka siguruar kallëzimin penal të cilin Inspektorati i Arsimit e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në të cilin kërkon që të ngrihet aktakuzë ndaj tij.

"Prandaj, duke pasur parasysh faktet e prezantuara më lartë kërkojmë nga organi i lartcekur që të ngrisë aktakuzë ndaj Rektoratit të UP dhe Rektorit Marjan Dema, sepse më moszbatimin e vendimeve të DIA është cenuar e drejta nga marrëdhënia e punës për z. Bekim Sele dhe me zgjedhjen e kandidatit të pakualifikuar sipas kritereve të parapara në konkurs është dëmtuar cilësia e procesit mësimor", thuhet në fund të kallëzimit penal.

Inspektorati i Punës i jep të drejtë kandidatit Bekim Sele

Bekim Sele, njëkohësisht vendos të ankohet edhe në Inspektoratin e Punës. E fiton këtë të drejtë. Rektorati ankohen në shkallën e dytë të këtij institucioni. Por sërish kot, Bekim Sele e fiton rastin.

Por Rektorati deri më tani nuk ka nisur ta zbatojë asnjërin prej vendimeve të këtyre dy institucioneve.

"Organi i shkallës së dytë i IP (Inspektorati i Punës) konstaton se pretendimet ankimore janë të pabazuara, përkundrazi diapozitivi i vendimit të kundërshtuar është i qartë dhe i kuptueshëm dhe përmban arsye për aplikimin e drejtë të dispozitave ligjore dhe mbi faktet vendimtare që vendimin e bëjnë që qartë dhe të kuptueshëm", thuhet në vendimin e shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës.

Gazeta Insajderi ditëve në vijim do të sjellë detaje nga dosja e kësaj lënde të cilën e ka siguruar. Aty do të flitet për pretendimet e Inspektoratit të Arsimit rreth 'falsifikimit' të notës mesatare të kandidatit Bekim Sele.

Gjithashtu, do ta nxjerrim detajin se si Universiteti ende punon me rregullore që janë në kundërshtim me Statutin e UP-së.

Po ashtu, do të ketë detaje rreth shkeljes së Statutit nga Komisioni i vlerësimit.

Si ndodhi që kandidati i pranuar në konkurs, edhe pse kontestohej, ai ka vazhduar të punojë si ligjërues në UP? Çfarë thotë ky kandidatë, kujt ia hedh fajin?

E plot detaje tjera nga dosja do t'i mësoni në shkrimin e radhës./Insajderi.com

The post Inspektorati i Arsimit kërkon të ngrihet aktakuzë ndaj rektorit Marjan Dema appeared first on INSAJDERI.

Arsenali më në fund mposht Bayern Munchen

Posted: 19 Jul 2017 07:10 AM PDT

Arsenal ka arritur me shumë mund që të triumfoj ndaj Bayern Munchen në kuadër të Asia International Champions Cup pavarësisht se kishte qenë në disavantazh që nga minuta e nëntë.

Sulmuesi bavarez, Robert Lewandowski kaloi bavarezët në epërsi duke shënuar nga pika e bardhë.

Kur mendohej që Arsenali kishte regjistruar edhe një humbje nga Bayern, Iwobi arriti që të barazoj rezultatin në minutën e 94, pas një aksioni të bukur.

Ndërkaq, në penalti më të saktë ishin londinezët prej të cilëve penaltinë e realizuan Ramsey, Monreal dhe Iwobi.

Për kampionët gjermanë arritën të shënojnë Hummels dhe Coman por penaltitë e humbur nga Alaba, Sanches dhe Bernat i'u kushtuan me humbje gjermanëve.

The post Arsenali më në fund mposht Bayern Munchen appeared first on INSAJDERI.

Detyrat që e presin Qeverinë e re

Posted: 19 Jul 2017 07:01 AM PDT

Pavarësisht që debatet për atë se kush do të mund ta formojë Qeverinë e re të Kosovës vazhdojnë ende, ekzekutivin e ardhshëm të vendit, kushdo qoftë që e formon atë, e pret një listë e gjatë e detyrave, të cilat konsiderohet se janë me prioritet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Sipas tyre, ratifikimi nga legjislativi i ri i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, i cili i hapë rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën, do të jetë detyra e parë, e cila nuk mund të shmanget në çfarëdo mënyre.

Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se prioritetet e Qeverisë së ardhshme do të përcaktohen varësisht se nga kush do të krijohet Qeveria, nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën i njohur si koalicioni PAN, i cili ka fituar 39 ulëse në Kuvendin e Kosovës, apo nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar 32 ulëse.

Prioritetet e subjekteve politike, sipas tij, janë të ndryshme, por kushdo që do ta krijojë Qeverinë, do të ballafaqohet të paktën me tri çështje që konsiderohen prioritete.

"Pavarësisht orientimeve të tyre ideologjike apo programore, është që të kalohet sa më shpejtë Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit e Zi. Pastaj, do të duhej të bëhej sundimi i ligjit, përmes të cilit luftohet korrupsioni dhe që ndërlidhet me investimet e huaja në Kosovë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Një prioritet i tretë, do të duhej të ishte reforma në shëndetësi, investimet më të mëdha, qoftë në infrastrukturë, në objekte, në ofrimin e më shumë shërbimeve për qytetarët e Kosovës", thotë Krasniqi.

Mendim të përafërt ka edhe njohësi i çështjeve politike, Emrush Ujkani. Ai thotë se prioritetet me të cilat do të ballafaqohet Qeveria e re, janë obligime ndërkombëtare, por edhe të brendshme.

"Ratifikimi i Marrëveshjes për kufirin me malin e Zi, në këtë format apo në ndonjë tjetër, duhet përfundimisht ta ketë një përgjigje. E dyta do të jetë çështja e bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtarë për të mundësuar funksionalizimin e Gjykatës Speciale. Natyrisht, si çështje e brendshme, institucionit të kryeministrit dhe Qeverisë së re do t'i bie që ta shtyjë përpara, aq sa është e mundur, gjendjen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik, që ta kthejë në njëfarë forme besimin e Qeverisë tek qytetarët. Mendoj që kohët e fundit, besimi në Qeveri ka qenë goxha në nivel të ulët", thotë Ujkani.

Megjithatë, Krasniqi shpreh mendimin se Qeveria e re do të përballet edhe me, siç thotë ai, detyra të tjera, të cilat janë të pashmangshme.

"Krijimi i Asociacionit (të komunave me shumicë serbe) dhe një sërë kërkesash tjera, të cilat do të jenë të pashmangshme", vlerëson Krasniqi.

Ujkani, thekson se vazhdimi i dialogut me Serbinë, do të jetë i pashmangshëm për Qeverinë e re.

"Për të dhënë një kontribut të mjaftueshëm, për t'i kontribuuar stabilitetit rajonal, dialogu me Serbinë është detyrë që duhet të vazhdojë edhe më tutje. Natyrisht që Kosova, obligimet e karakterit ndërkombëtar, nuk është se i ka të reja. Do të jetë edhe lufta për ta fuqizuar sundimin e ligjit dhe për ta pavarësuar gjyqësorin në ndërmarrjen e veprimeve të veta".

Për formimin e Qeverisë, janë të domosdoshme të paktën 61 vota të deputetëve. Deri më tash asnjë nga subjektet politike që kanë fituar ulëset në Kuvendin e Kosovës, nuk kanë prezantuar ndonjë koalicion, i cili ua garanton shumicën parlamentare, gjë që do tu mundësonte edhe krijimin e Qeverisë së re.

The post Detyrat që e presin Qeverinë e re appeared first on INSAJDERI.

Presidenti Thaçi u dërgon ftesa partitive politike

Posted: 19 Jul 2017 06:59 AM PDT

Presidenti i Hashim Thaçi, ua ka dërguar sot ftesat partive politike për takimin konsultativ, që pritet të mbahet më datë 24 korrik.

Përmes kësaj ftese bëhet e ditur se takimi ka për qëllim diskutimin rreth mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Takimi pritet të mbahet në orën 10:00 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Hashim Thaci, sot është fotografuar në një takim me kryetarin e PDK-së Kadri Veseli, Sami Lushtakun dhe Shefin e Shtabit Zgjedhor të AKR-së, Rrahim Pacollin.

Pacolli menjëherë pas publikimit të fotografisë ka thënë se ka qenë takim i rastësishëm, ndërsa Lushtaku ka deklaruar se "Sapo është liruar nga burgu dhe se nuk po e din ende se çka po ndodhë". /Insajderi.com

The post Presidenti Thaçi u dërgon ftesa partitive politike appeared first on INSAJDERI.

Avokati i të dyshuarit për vrasje tregon se çka ndodhi sot në “Bon Vivant”

Posted: 19 Jul 2017 06:46 AM PDT

Rruga "Rexhep Luci" në kryeqytet e cila ishte bllokuar që nga orët e hershme të mëngjesit është liruar pak çaste me parë.

Sipas policisë së Kosovës ky aksion është bërë me urdhër të prokurorit të rastit për të rikonstruktuar rastin e vrasjes së një personi tri vite më parë në lokalin "Bon Vivant".

Mexhid Syla, avokat mbrojtës i Masar Gërdovcit i akuzuar për vrasje, ka sqaruar se çka ka ndodhur sot nga autoritete e rendit në vendngjarje.

"Sot është bërë rikonstruktimi i vendit të ngjarjes, verifikimi si ka ndodhur ngjarja, në bazë të deklaratave të akuzuarve, në bazë të deklaratave të dëshmitarëve. Prej orës nëntë kur kemi ardhur deri më tani është incizuar çdo gjë. Gjykata tani e përpilon procesverbalin, i cili iu dërgohet palëve; pastaj shpjegohen nga ekspertë e balistikës, ekspertët ligjorë, eventualisht ndonjë ekspert tjetër lidhur me ato prova dhe fakte që janë gjetur në vend të ngjarjes", ka sqaruar Syla, për gazetarët.

Sipas tij, të akuzuarit vazhdojnë të mohojnë se e kanë kryer vrasjen. Ndërkohë, sipas tij mungesa e kamera të objektit po e vështirëson hetimin.

"Procesin e ka vështirësuar mungesa e kamerave të objekteve përreth… Problemi tjetër është se nuk janë marrë shenjat e gishtërinjve të personave të dyshuar dhe krejt këto e vështirësojnë situatën", shprehet Syla.

Rrahman Uka, punëtor i sigurimit në kafeterinë "Bon Vivant", kishte mbetur i vrarë më 13 tetor të vitit 2014, pas një konflikti që kishte ardhur si pasojë e moslejimit të futjes në lokal të një personi. Për këtë vrasje akuzohen dy persona, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.

The post Avokati i të dyshuarit për vrasje tregon se çka ndodhi sot në "Bon Vivant" appeared first on INSAJDERI.

Aktakuzë kundër dy personave që votuan dy herë në zgjedhjet e 11 qershorit

Posted: 19 Jul 2017 06:46 AM PDT

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave për "Keqpërdorimi i të drejtës së votimit".

Sipas aktakuzës, të pandehurit N.L. dhe N.L. me me 11 qershor në fshatin Dranoc të Deçanit, me dashje, kanë votuar për të dytën herë.

"Edhe pse e kanë ditur  se kanë votuar njëherë, ashtu që të pandehurit fillimisht kanë shkuar me dëshmitarin S.H. në qendrën e votimit në vendin e lartcekur dhe kanë votuar, pasi kthehen në shtëpi prapë shkojnë me dëshmitarin Sh.L. dhe përsëri votojnë në të njëjtën qendër të votimit", thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t'i shpall fajtor dhe t'i dënoj sipas ligjit./Insajderi.com

The post Aktakuzë kundër dy personave që votuan dy herë në zgjedhjet e 11 qershorit appeared first on INSAJDERI.

Lirohet për qarkullim rruga afër “Bon Vivantit”

Posted: 19 Jul 2017 06:36 AM PDT

Rruga "Rexhep Luci" në kryeqytet është liruar për qarkullim pas më shumë se katër orësh bllokimi.

Forca të shumta të Policisë së Kosovës ishin vendosur mëngjesin e sotëm në këtë rrugë, duke mos lejuar lëvizjen e veturave, por as të këmbësorëve.

Sipas policisë së Kosovës ky aksion ëshët bërë me urdhër të prokurorit të rastit për të rinkonstrukturar rastin e vrasjes së një personi tri vite më parë në lokalin "Bon Vivant".

Me këtë rast janë mbyllur dhe disa nga kafeteritë e këtushme, duke shkaktuar pakënaqësinë e pronarëve. Por, pengesa për qarkullim kanë pasur dhe banorët, sikurse dhe të punësuarit që kanë zyrat në këtë rrugë, raporton EO.

Rrahman Uka, punëtor i sigurimit në kafeterinë "Bon Vivant", kishte mbetur i vrarë më 13 tetor të vitit 2014, pas një konflikti që kishte ardhur si pasojë e moslejimit të futjes në lokal të një personi.

Për këtë vrasje akuzohen dy persona, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.

The post Lirohet për qarkullim rruga afër "Bon Vivantit" appeared first on INSAJDERI.

Dy Martin Shkrelat po gjykohen në të njëjtën gjykatë

Posted: 19 Jul 2017 06:35 AM PDT

Një gjykatës federal në Brooklyn është mahnitur nga fakti se një i pandehur i quajtur Marin Shkreli u paraqit sot para tij në gjykatë, teksa "njeriu më i urryer në Amerikë" Martin Shkreli, po përballej me gjykim po në të njëjtën gjykatën për akuzat për mashtrim me letra me vlerë.

"A është edhe emri i tij Marin Shkreli? A është emri i tij i zakonshëm në atë komunitet?" i pyeti gjykatësi Steven Gold sekretarët e gjykatës, transmeton Express.

Shkreli më pak i njohur, 59-vjeçar, u soll në gjykatë për rolin e tij të dyshuar në skemën e spastrimit të parave që trafikuan drogë dhe armë, përfshirë dhe një lëshues raketor anti-tanke "Zolja M80" dhe 15 AK-47-sha nga Kosova.

Shkreli, banor i Bedford, akuzohet për shkrimin e çekeve që ishin përdorur në mashtrimin me spastrimin e parave që i futi në kurth nëntë të tjerë.

Ai është liruar pas pagoi një garanci prej 200.000 dollarëve, pasi që ishte dorëzuar para autoriteteve të enjten.

Ndërkohë, në katin e gjashtë të gjykatës, gjykimi i "Pharma Bro" Martin Shkrelit, kishte nisur.

The post Dy Martin Shkrelat po gjykohen në të njëjtën gjykatë appeared first on INSAJDERI.

Mourinho: Dua të qëndroj 15 vjet te Manchester United

Posted: 19 Jul 2017 06:20 AM PDT

Jose Mourinho ka hapur "dritën jeshile" për të qëndruar për 15 sezone te skuadra e Manchester United, duke imituar ish-trajnerin legjendar të këtij klubi Sir Alex Ferguson.

Por nga ana tjetër, trajneri portugez ka pranuar se në futbollin e sotëm kjo gjë është shumë e vështirë që të ndodhë. Mourinho kërkon që të rikthejë stabiliten te skuadra e United, njësoj si në kohën e Ferguson, pas tri sezonesh të vështira nën drejtimin e David Moyes dhe Louis Van Gaal.

Sezonin e kaluar, trajneri 54-vjeçar fitoi Ligën e Europës, EFL Cup dhe Commynity Shield Cup, në sezonin e parë te "djajtë e kuq", por këtë sezon synon të fitojë trofe më të mëdhenj, shkruan Telesport.

"Unë jam gati për ta bërë këtë hap të madh, për të qëndruar për 15 vitet e ardhshme si trajner i Manchester United. Pse jo, është diçka e bukur. Por duhet të pranoj se kjo është e vështirë, pasi sot puna e trajnerit ka shumë presion dhe ne duhet të fitojmë me çdo kusht".

"Por realisht vetëm njëri mund të fitojë, çka e bën shumë të vështirë këtë qëndrim të gjatë", u shpreh Jose Mourinho. "Njerëzit duhet të kuptojnë se puna ime shkon përtej futbollit. Në vizionin tim, puna e trajnerit nuk shihet vetëm në fushën  e lojës apo në rezultatin që arrin gjatë një ndeshje. Unë dua të krijoj stabilitet te skuadra dhe fitojmë trofe", u shpreh Mourinho.

The post Mourinho: Dua të qëndroj 15 vjet te Manchester United appeared first on INSAJDERI.

Përveç PAN-it, Hoxhaj thotë se Kosova i ka votat edhe për UNESCO dhe INTERPOL

Posted: 19 Jul 2017 06:06 AM PDT

Angazhimi i nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, për të siguruar vota, kalon kufijtë shtetëror. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ai vazhdimisht ka deklaruar se koalicioni fitues PDK-AAK-Nisma, i kanë votat e mjaftueshme për ta formuar 'Qeverinë Haradinaj'.

"Si koalicion, e përsëris, i kemi votat por a mund të ndodhë të mbahet seanca këtë jave apo javën e ardhshme, nuk e di pasi iu takon Veselit, Haradianjt dhe Thaçit", kishte thënë Hoxhaj.

Por, pozita e tij prej ministri të Punëve të Jashtme, tashmë më largim, ka bërë që ai të angazhohet për vota edhe jashtë vendit. Kësaj radhe për anëtarësimin e Kosovës në dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare, siç është UNESCO dhe INTERPOL.

Siç duket, Kosova nuk e ka problem sigurimin e votave as jashtë vendit. Të paktën kështu ka thënë ministri Hoxhaj.

"Si ministër i Jashtëm i cili ende ushtron ketë post mund të them se Kosova i ka votat që të jetë pjesë edhe e UNESKOS edhe INTERPOL-it. Ne këta muajt e fundit në vitin 2017 po edhe në vitin e kaluar unë kam pasur një agjendë intensive të lotimit, kam vizituar vendet e Afrikës, të Azisë Juglindore, të Amerikës Latine dhe kam qëndruar në shumë vende evropiane dhe natyrisht që sigurimi i votave për UNESCO dhe INTERPOL ka qenë prioritet mbi prioritet", ka thënë Hoxhaj.

Mirëpo, Hoxhaj ka theksuar se përtej votës për anëtarësim në këto mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë, Kosova duhet t'i kryejë edhe disa tema dhe çështje të brendshme që do ta lehtësojnë anëtarësimin.

"Po përtej votës Kosova ka nevojë që t’i kryejë edhe disa tema dhe çështje të brendshme për t'u bërë pjesë e këtyre dy organizatave", ka shtuar ai.

The post Përveç PAN-it, Hoxhaj thotë se Kosova i ka votat edhe për UNESCO dhe INTERPOL appeared first on INSAJDERI.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more