Skip to main content

“Amnesty International dënon kufizimet e reja të Rusisë për internet” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Amnesty International dënon kufizimet e reja të Rusisë për internet” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Amnesty International dënon kufizimet e reja të Rusisë për internet

Posted: 31 Jul 2017 09:52 AM PDT

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, e ka dënuar ligjin e ri në Rusi, i cili ndalon përdorimin e shërbimeve proxy, duke përfshirë edhe rrjetet private viruale (VPN). Sipas kësaj organizate një vendim i tillë është " goditje e madhe për lirine në internet", në këtë vend. Këto kritika për ligjin e ri erdhën një ditë pasi ligji u publikua edhe zyrtarisht nga qeveria dhe u nënshkrua nga presidenti rus, Vladimir Putin. Ligji është kritikuar edhe nga azilanti më i famshëm në Rusi, Edward Snowden, i cili publikoi të dhëna të klasifikuara të SHBA-së, para se ikte në Rusi. Rusët i frekuentojnë shpesh faqet e tilla për të fituar qasje në përmbajtjet e bllokuara. Ligjëvënësit kanë thënë se ky ligj ka qenë i nevojshëm për parandalimin e shpërndarjes së ideve dhe materialeve ekstremiste. Gjatë viteve të fundit, autoritetet ruse kanë përshkallëzuar përpjekjet për të ndjekur penalisht përdoruesit e internetit rreth përmbajtjeve që janë konsideruar ekstremiste. Ky ligj pritet të fuqizohet më 1 nëntor, disa muaj para zgjedhjeve presidenciale në Rusi, të cilat mbahen në mars të 2018-tës. Vladimir Putin pritet të fitojë një tjetër mandat gjashtëvjeçar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Novaya Gazeta: Çeçenët e zhdukur, mund të jenë të ekzekutuar

Posted: 31 Jul 2017 08:50 AM PDT

Gazeta ruse, Novaya Gazeta, ka publikuar disa informacione shtesë për 24 persona që supozohet të jenë ekzekutuar pa ndonjë gjykim, pasi ishin arrestuar pas përleshjeve me policinë në rajonin e Çeçenisë, gjatë vitit të kaluar. Në këtë raport ka detaje, duke përfshirë edhe fotografi të 24 personave, duke u bazuar në materiale të siguruara nga strukturat policore në rajonin e Kaukazit Verior, i cili udhëheqet për një dekadë nga Ramzan Kadyrov, që ka mbështetjen e Kremlinit. Në raport përfshihen të dhëna për një 18 vjeçare e cila ishte arrestuar në dhjetor dhe është raportuar të ketë vdekur në rrethana të paqarta. Në këtë listë përfshihen 67 persona për të cilët gazeta raporton se janë zhdukur. Novaya Gazeta raporton se telefonat mobilë të disa prej personave që supozohet të jenë ekzekutuar, janë dërguar në Siri nga zyrtarët çeçenë, në mënyrë që të ketë të dhëna se ata janë gjallë dhe u janë bashkuar militantëve të Shtetit Islamik. Në këtë raport supuzohet se të afërmit e çeçenëve të zhdukur janë detyruar të nënshkruajnë me forcë dokumente, sipas të cilave individët janë larguar nga Çeçenia, duke hequr mundësinë për të paraqitur kërkesa tek autoritetet e këtij vendi. Kjo gazetë më parë ka raportuar edhe për një kampanjë të dhunshme e cila kishte cak homoseksualët në këtë rajon. Kadyrov dhe zyrtarë tjerë të lartë në Çeçeni i kanë konsideruar këto raportime si "gënjeshtra".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Çollaku: Idetë e Daçiqit të rrezikshme për stabilitetin në rajon 

Posted: 31 Jul 2017 08:30 AM PDT

Zyrtarët në Serbi duhet të përmbahen nga deklaratat e rrezikshme politike për ndarjen e Kosovës, ka deklaruar Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Deklarata e tij dhënë Radios Evropa e Lirë ka pasuar një intervistë të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq i cili ka thënë për mediat serbe se mund të vendoset një lloj "Demarkacioni për serbët dhe shqiptarët". "Demarkacion ose sido që të quhet. Çka është serbe, çka është shqiptare", ka thënë Daçiq. "Sigurisht, ne përshëndesim çdo diskutim të brendshëm publik në Serbi, që synon të ndihmojë vendimmarrësit dhe njerëzit e Serbisë të kuptojnë dhe pranojnë realitetin e një Kosove të pavarur", ka thënë Çollaku. "Duke pasur parasysh faktin se shumica e qytetarëve të Serbisë e kanë kuptuar realitetin e një Kosove të pavarur shumë vite më parë, megjithatë, ne mbetemi optimistë në mënyrë të kujdesshme në lidhje me rezultatet konkrete nga udhëheqësia e Serbisë", ka thënë ai. Sidoqoftë, Çollaku ka tërhequr vërejtjen se "ky debat i brendshëm në Serbi nuk duhet të shërbejë si një platformë për të promovuar të gjitha llojet e ideve apo propozimeve". "Të paktën, presim nga zyrtarët e Serbisë që të përmbahen dhe të mos dalin me deklarata publike të cilat përfshijnë propozime të rrezikshme siç janë ndarja, shkëmbimi i territoreve apo ndryshimi i kufijve", ka theksuar ai. "Këto ide, pa marrë parasysh se nga vijnë, ato thjesht janë të vjetruara dhe nuk kontribuojnë në stabilitetin në rajon, duke ditur se çfarë pasojash do të kishin këto propozime si rezultat i të ashtuquajturit 'efekt domino' për të gjithë rajonin", thekson Çollaku. Megjithatë, ka vijuar ai, Prishtina zyrtare konsideron se ka ardhur koha për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. "Udhëheqësia në të dy vendet është plotësisht e vetëdijshme se nuk do të ketë ndonjë anëtarësim në BE apo NATO për Kosovën dhe Serbinë, pa një normalizim të plotë paraprak të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Pa marrë parasysh se sa i vështirë ky proces mund të jetë, udhëheqësia në Serbi dhe në Kosovë duhet të gjejë mënyrën e duhur për të arritur këtë qëllim", është shprehur Çollaku. "Ata u detyrohen njerëzve të tyre para së gjithash dhe gjeneratave të ardhshme. Ne në Kosovë mbetemi të përkushtuar dhe të gatshëm për të arritur këtë qëllim dhe për të hapur kapitullin e ri të bashkëpunimit, dhe presim gjithashtu të njëjtën gatishmëri dhe përkushtim nga udhëheqësia në Serbi", ka thënë ai. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, edhe në të kaluarën ka promovuar idetë për ndarjen e Kosovës. Së fundit, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar një debat të brendshëm në Serbi në lidhje me çështjen e Kosovës, të cilën Serbia ende e sheh si të pazgjidhur, përkundër faktit që Kosovën e kanë njohur tashmë 114 shtete.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

“Ballisti” përballë azilit në Kroaci apo ekstradimit në Serbi

Posted: 31 Jul 2017 08:19 AM PDT

Shtetasi i Shqipërisë, Ismajl Morina i njohur në opinion me nofkën "Ballisti", për të cilin Serbia ka kërkuar ekstradimin nga Kroacia, për shkak të dronit me flamur në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd në vitin 2014, përveç ankesës së dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kroacisë, ka kërkuar azil politik në këtë vend. Azilin politik, Morina e ka kërkuar për shkak të frikës që në rast të ekstradimit në Serbi, nuk do të kishte gjykim të drejtë. Lidhur me këtë rast, në Kroaci flitet vetëm në rrafshin e gjyqësorit dhe jo në atë politik. Darko Butigan, avokat nga Dubrovniku, i cili e përfaqëson shtetasin e Shqipërisë, Ismajl Morina, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka sqaruar se mbi çka bazohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kroacisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Qarkut të Dubrovnikut për ekstradimin e Morinës në Serbi. Sipas tij, Morina nuk ka bërë vepër penale, për të cilën ngarkohet. "Republika e Serbisë kërkon ekstradimin e Ismail Morinës për veprën penale nga neni 317, alineja 3 , i Ligjit Penal, për vepër penale të nxitjes urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, si dhe mostolerancës. Gjatë gjithë procedurës, ne themi se flamuri i caktuar i cili ka rënë mbi atë stadium nuk përmban kurrfarë elementesh të thirrjes për urrejtje nacionale, racore ose çfarëdo urrejtje tjetër ndërmjet popujve", tha avokati Butigan. Ai gjithashtu ka sqaruar se bëhet fjalë për flamurin me fotografitë e dy baballarëve të kombit shqiptar - Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit - të cilët në konferencën e Londrës në vitin 1913, kanë kërkuar që Shqipëria të jetë në kufijtë, të cilët kanë figuruar në atë flamur. "Kjo është e gjitha për të cilën flet ai flamur. Ndërkaq, pas ndeshjes në Serbi, nuk ka pasur kurrfarë përshkallëzimi të dhunës ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve,dhe me këtë nuk është nxitur kurrfarë urrejtje nacionale ndërmjet popujve. Incidenti i cili ka ndodhur në ndeshje, në tërësi bie mbi përgjegjësinë e Policisë, gjegjësisht mbi organizatorin e vet ndeshjes. Është përgjegjësi e tyre që tifozët kanë depërtuar në fushën e futbollit, aty ku nuk e kanë vendin", tha Butigan. Ai ka thënë se në ankesë është vënë në dukje që Morinës në Serbi do t'i rrezikohej e drejta për gjykim të drejtë. Ankesa, sipas tij është krejtësisht e bazuar në fakte konkrete, të cilat tash për tash nuk do t'i bëj publike, përderisa procedurat janë në zhvillim e sipër. Avokati Butigan ka theksuar që si mundësi e mbrojtjes shtesë për të mos u ekstraduar në Serbi, Morina ka kërkuar azil në Kroaci, me shpjegimin që për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare, në Serbi nuk do të kishte gjykim të drejtë. Procedura për miratimin e mbrojtjes ndërkombëtare në Kroaci zgjatë 6 deri në 10 muaj. Në rast se Gjykata Supreme e Kroacisë, refuzon ankesën e tyre, Butigan ka theksuar se do të ankohet edhe më tej. "Absolutisht, do të shkojmë tutje në Gjykatën Kushtetuese e madje, nëse do të jetë e nevojshme, deri në Strasburg, sepse bëhet fjalë për shkelje të të drejtave themelore dhe lirisë së njeriut", tha Butigan. Në Gjykatën Supreme të Republikës së Kroacisë ende nuk e kanë pranuar rastin. Siç është konfirmuar zyrtarisht, gjykata do të vendosë me procedurë urgjente, por që edhe kjo do të zgjasë. Buitigan vlerëson se kjo mund të zgjasë deri në 2 muaj. Avokati Branko Sheriq, nga Zagrebi, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i mundshëm i Gjykatës Supreme, me të cilën konfirmohet ekstradimi, bëhet i plotfuqishëm në momentin kur edhe merret ai vendim. Por, sipas tij, është e mundur që Gjykata Supreme të anulojë vendimin për ekstradim nga gjykata më e ulët dhe rastin ta kthejë më Dubrovnik për një vendim të sërishëm. Në rast se përsëri vendimi do të jetë për ekstradim, hapi i ardhshëm i avokatit të Morinës, do të ishte Gjykata Kushtetuese. "Pas kësaj, personi që kërkohet për ekstradim, në qoftë se nuk është në procedurën e kontrollit për azil, mund të paraqesë padi në Gjykatën Kushtetuese, në rast se vërtetë ekziston dyshimi i arsyeshëm për cenimin e të drejtave themelore të njeriut të atij personi. Siç e dimë, procedura është e gjatë. Megjithatë, ekziston mundësia që nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kroacisë të kërkohet e ashtuquajtura masa e përkohshme, vendim i cili do ta pezullojë kryerjen e vendimit të plotfuqishëm për ekstradim, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidh çështjen", theksoi avokati Sheriq. Morina, i cili është arrestuar në muajin qershor në Dubrovnik, derisa po udhëtonte drejt Italisë, po qëndron në burgun e atjeshëm deri në një vendim të ardhshëm. Avokati Butigan ka theksuar se është në kontakt të rregullt me të. Sipas tij, Morina po trajtohet sikurse të gjithë personat tjerë të paraburgosur. Përgatiti: Bekim Bislmi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sulmi në Hamburg, me motive “islamiste radikale”

Posted: 31 Jul 2017 08:03 AM PDT

Prokurorët federal në Gjermani kanë thënë se personi i akuzuar për sulmin me thikë në një market në Hamburg, ka pasur motive "islamiste radikale". Në këtë sulm një person ka vdekur dhe gjashtë të tjerë janë lënduar. "Duket se sulmi ka shenja të islamizmit radikal. Sipas hetimeve që po vazhdojnë ende, i akuzuari ishte i vetë-radikalizuar", kanë thënë prokurorët përmes një deklarate. Ata kanë shtuar se nuk kanë të dhëna, nëse i dyshuari, i identifikuar si Ahmad A., ishte anëtar i grupit militant, Shteti Islamik, apo ndonjë organizate tjetër terroriste. I dyshuari, një palestinez i lindur në Emiratet e Bashkuara, nuk kishte arritur të fitonte azilin në Gjermani. Autoritetet gjermane kanë thënë se i dyshuari ka treguar shenja të radikalizmit para nisjes së sulmit. Mirëpo, ministri i Brendshëm i Hamburgut ka thënë më 29 korrik, se ai nuk ka qenë i njohur si person i rrezikshëm.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ronaldo paraqitet në gjykatë

Posted: 31 Jul 2017 07:31 AM PDT

Futbollisti, Cristiano Ronaldo, është paraqitur para gjykatës spanjolle, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për të zbuluar nese portugezi u ka ikuar taksave në vlerë të afro 15 milionë eurove. Lojtari i ekipit Real Madrid i është përgjiur pyetjeve të gjykatëses, Monica Gomez për rreth 90 minta. Seanca ishte e mbyllur për publikun. 32 vjecari ka përdorur hyrje të vecantë për t'iu shmangur interesimit të madh të gazetarëve. Në qershor, prokurori i shtetit e akuzuar Ronaldon për shmangie të tatimit nga viti 2011- 2014. Sipas prokurorit portugezi i ka deponuar mjetet në kompani jashtë Spanjës. Akuzat nuk përfshijnë pagesat që i janë bërë nga Real Madridi.     Ronaldo i mohon këto akuza.      

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

PAN zotohet se i ka numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë

Posted: 31 Jul 2017 07:12 AM PDT

Konstituimi i Kuvendit, pritet të pasohet me formimin e shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës. Kështu të paktën paralajmëron subjekti fitues i zgjedhjeve, koalicioni PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.  Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit për datën 3 gusht. Përfaqësues nga koalicioni PAN [PDK, AAK dhe Nisma] thonë se të enjten deputetët e rinj do të votojnë për zgjedhjen e kryetari i të këtij institucioni. Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së, tha për Radion Evropa e Lirë se veç konstituimit të Kuvendit, mund të votohet edhe për Qeverinë e re të Kosovës në të njëjtën ditë. "Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë kryetarin e Kuvendit, e ndoshta me gjasa reale që të njëjtën ditë të nxirret për votim edhe Qeveria e zotit Haradinaj. Përgatitjet, deri në këto qaste kanë shkuar sipas agjendës dhe kornizës se paraparë. Unë besoj që nuk do të ketë asnjë telashe që të mbahet mbledhja që shënon edhe krijimin e legjislaturës së re të Kosovës", tha Nitaj. Siç është bërë e ditur, deri më tash nga koalicioni PAN, pritet që Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, të jetë kandidat për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Blerand Stavileci, anëtar i kryesisë së PDK-së, dhe aktualisht ministër në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, tha për Radion Evropa e Lirë se tashmë është e ditur se koalicioni PAN do të formojë institucionet e reja. Ai nënvizon po ashtu se janë bërë veprime të nevojshme që të ketë vota të mjaftueshme për krijimin e institucioneve. "Ne konsiderojmë se tashmë kjo është punë e kryer dhe nuk presim diçka ndryshe. Pra, presim që nga data 3 gusht e tutje të nisë një epokë e re me institucionet e reja të Republikës së Kosovës", tha Stavileci. Nitaj thotë se rezultatit i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit ka nxjerrë koalicionin PAN me numrin më të madh të mandateve, dhe sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, koalicionit PAN, shton ai, i takon të propozojë dhe ta zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin. "Tani ka një Kuvend aty. Ka disa deputetë dhe gjithçka do të varet nga vota e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës. Ne jemi të bindu,r dhe besojmë fuqishëm se koalicioni PAN nuk do të ketë telashe as në krijimin e Qeverisë së Kosovës, mirëpo as në zgjedhjen e kryetari të Kuvendi", thotë Nitaj. Në seancën e 3 gushtit, pritet të bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve, të bëhet betimi dhe zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët. Valmir Ismajli, analist nga organizata joqeveritare "Demokraci Plus", konsideron se nuk mund të ketë probleme të mëdha në zgjedhjen e kryetari të ri të Kuvendit të Kosovës, nëse respektohen rregullat dhe ligjet. Mirëpo, sipas tij, problem mund të ketë në krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, si pasojë e numrit të pamjaftueshëm të votave nga koalicioni PAN. "Problemin më të madh e shoh në krijimin e Qeverisë, sepse deri më tani, veç asaj që është thënë se PAN-i i ka numrat, në fakt nuk ka asgjë konkrete dhe të gjithë të apostrofuarit (deputetët e përfolur se do ta votojnë Qeverinë e re) e kanë mohuar një gjë të tillë". "Megjithatë, unë pres që gjithçka do të duhej të shkonte sipas procedurës dhe mundësia e parë për formimin e Qeveris t'i jepet PAN-it, përderisa mundësia e dyte duhet t'i jepet koalicionit LAA ose VV. Nëse një gjë e tillë nuk shkon sipas këtyre proceduarave, mund të kemi problem ose bllokadë siç kemi pas edhe në vitin 2014", thotë Ismajli. Koalicioni PAN, si koalicion fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, pritet të përballet me dy 'beteja' rreth krijimit të numrave. Së pari, në seancën konstituive, kërkon të gjejë mbështetjen e deputetëve për zgjedhjen e kryetarin e Kuvendit, i cili sipas të gjitha matematikave zgjedhore, i takon që të propozohet nga ky koalicion. Sigurimi i numrave, është shndërruar në pjesën më të rëndësishme të kalkulimeve politike në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 3 gusht.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Presidenti Thaçi emëroi 53 gjyqtarë të rinj

Posted: 31 Jul 2017 06:18 AM PDT

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar sot emërimin e 53 gjyqtarëve të rinj. Gjyqtarët e rinj kanë bërë betimin dhe janë zotuar që do t'i qëndrojnë besnikë Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka theksuar se Republika e Kosovës përgjatë viteve të fundit ka bërë dhe po bën reforma në vazhdimësi, me të vetmin qëllim që sistemi gjyqësor të funksionojë sa më mirë. Presidenti ka thënë se në Republikën e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, ka filluar një jetë e re, jetë me plotë dinamizëm dhe zhvillim, në të gjitha fushat, prandaj na duhet një punë e palodhshme, në veçanti në fushën e drejtësisë. Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë punuar në plotësimin e legjislacionit që do të bëjë më të lehtë punën e gjyqtarëve. "Të gjithë duhet të jemi të angazhuar për respektimin e rendit juridik dhe kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës, më qëllim të ecjes përpara dhe që të jemi krah-për-krah me vendet e zhvilluara e demokratike", ka thënë presidenti Thaçi. Në fund, 53 gjyqtarët e rinj kanë bërë betimin, me zotimin për të mbrojtur ligjet e Republikës së Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dështimi i marrëveshjes me FMN-në rrezikon edhe 50 milionë euro të BE-së

Posted: 31 Jul 2017 06:07 AM PDT

Për shkak të mungesës së programeve të Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që vjen si pasojë e dështimit të marrëveshjes së re, Kosova rrezikon që të humbë edhe 50 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë Radios Evropa e Lirë se performanca në kuadër të programit të FMN-së është me rëndësi qenësore në vlerësimin e BE-së për stabilitetin makro-fiskal në Kosovë. Prandaj, sipas tyre, miratimi dhe zbatimi i programeve të BE-së do të duhet të vlerësohet në këtë kontekst. "BE-ja, aktualisht është duke përgatitur dy programe nga Sektori Mbështetës për Buxhetit, për të përkrahur Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike në Kosovë, me një vlerë prej 50 milionë euro. Për të përfituar mbështetje nga Sektori për Buxheti i BE-së, një kriter i domosdoshëm është stabiliteti makro-fiskal", thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së Kosovë. Marrëveshjet me FMN-në i kanë ndihmuar Kosovës në vazhdimësi që të marrë kredi me kushte shumë të volitshme, si nga Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, vlera e të cilave ka arritur në 400 milionë euro. Ndërkohë, projektet që nuk do të arrijnë të adresohen, në rast të dështimit të marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar, në përgjithësi kanë të bëjnë me përmirësimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në kohën kur marrëveshja ishte nënshkruar, autoritetet e Kosovës patën deklaruar se këto mjete do të kenë fokus projektet në fushën e bujqësisë, në ujitjen e tokave, të infrastrukturës hekurudhore dhe projekte të tjera në arsim dhe shëndetësi. Marrëveshja ekonomike, në vlerë prej 185 milionë euro mes Kosovës dhe FMN-së, e arritur në vitin 2015 me një kohëzgjatje prej 22 muaj, skadon në gusht të këtij viti. Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se nga kjo marrëveshje janë edhe 16 milionë euro që nuk mund të merren kredi, pa pasur rishikim të katërt të marrëveshjes, nga misioni i FMN-së. Por, që ky mision për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe situatës politike të krijuar në vend nuk kishte zhvilluar takimet. Në Kosovë, më 11 qershor ishin mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por që deri më tani nuk është arritur të formohen institucionet e reja të vendit. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 3 gusht. Ndërkohë, për ekspertë të çështjeve ekonomike, humbja e këtyre mjeteve dhe fondeve nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, do të ketë pasoja shumë dimenzionale. Eksperti i ekonomisë Naim Gashi thotë se përveç alokimeve të drejtpërdrejta të këtyre mjeteve në shumë fusha, buxheti i Kosovës do të ketë ngecje. "Çdo ditë që vonohet në konstituimin e institucioneve ,do të ketë një kosto financiare për ekonominë për qytetarët e Kosovës dhe për buxhetin e shtetit. Konstituimi sa më i shpejt i institucioneve të Kosovës është nevojë jetike për vendin. Unë dyshoj që Kosova do ta përsërit ngërçin që ka pasur në vitin 2014, ku si pasojë e këtij ngërçi, kishim një rritje ekonomike vetëm prej 1.2 për qind dhe një frenim të investimeve, të realizimit të projekteve kapitale", thekson Gashi. Gashi shton se projektet që dështojnë nga mosrealizmi i këtyre fondeve, përveç tjerash kanë të bëjnë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe projekte të tjera. "Sa i përket asaj se cilat projekte do të pësojnë më së shumti është arka e shtetit, likuiditeti financiar dhe realizimi i projekteve në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik forcimit të sektorit privat ruajtjes së mjedisit dhe është sektori energjisë së ripërtritshme nga alokimi i mjeteve sidomos i mjeteve të Komisionit Evropian", thekson Gashi. Marrëveshje ekonomike në vlerë prej 185 milionë euro ndërmjet Kosovës dhe FMN-së ishte rrezikuar të ndërpritej edhe në vitin 2016, kur projekt-buxheti i Kosovës ishte në rrezik të mosmiratimit. Fondi Monetar Ndërkombëtar, anëtar i së cilës Kosova është që nga viti 2009, në vitin 2011 pati ndërprerë marrëveshjen Stand By Arrangment me Qeverinë e Kosovës, për shkak se kjo e fundit kishte devijuar nga programi, respektivisht shkaku i rritjes së pagave në sektorin publik, pa pëlqimin e këtij misioni.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Stërvitje të përbashkëta të forcave të SHBA-së dhe Maqedonisë

Posted: 31 Jul 2017 05:52 AM PDT

Njësitet ushtarake të Maqedonisë dhe SHBA-së kanë nisur stërvitje të përbashkëta ushtarake.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shqiptari me dron në duelin futbollistik në Beograd, kërkon azil në Kroaci

Posted: 31 Jul 2017 05:32 AM PDT

Simpatizuesi shqiptar i futbollit, Ismajl Morina, i arrestuar sipas kërkesës së Serbisë, i dyshuar se e ka aktivizuar një dron për të fluturuar me një flamur në ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri, në Beograd, ka kërkuar azil politik në Koraci, për ta evituar ekstradimin. Ky person ishte arrestuar në muajin qershor në Kroaci, sipas kërkesës së Serbisë. Një gjykatë në Dubrovnik është pajtuar javën e kaluar, për ta ekstraduar shqiptarin 35 vjeçar në Beograd. Darko Butigan, avokat i Ismajl Morinës, tha sot se klienti i tij është ankuar kundër ekstradimit dhe, po ashtu, ka kërkuar azil politik në Kroaci. Avokati Butigan tha se Morinaj frikësohet se nuk do të ketë proces gjyqësor korrekt në Serbi. Në ndeshjen kualifikuese futbollistike ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, në tetor të vitit 2014 në Beograd, u shkaktua incident, kur droni me një flamur nacionalist shqiptar fluturoi mbi fushë, raporton AP nga Zagrebi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Stërvitje të përbashkëta të forcave amerikane dhe maqedonase

Posted: 31 Jul 2017 05:09 AM PDT

Njësitet ushtarake të Maqedonisë dhe SHBA-së kanë nisur në poligonin ushtarak Krivollak, rreth 100 km nga Shkupi, një stërvitje të përbashkët ushtarake të koduar "Dragoon Guardian 17". Kjo stërvitje ka për qëllim testimin e kapaciteteve për pastrimin e terrenit nga materiet shpërthyese, ndërsa do të përballen edhe me kërcënimet nga armët kimike dhe biologjike. Njëherësh, kjo stërvitje do të jetë edhe më e madhja e mbajtur ndonjëherë në poligonin Krivollak dhe do të zgjasë deri më 10 gusht, me pjesëmarrjen e 300 ushtarëve amerikanë dhe 95 të Armatës së Maqedonisë. Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily tha se stërvitja dëshmon partneritetin ushtarak mes dy vendeve dhe se kjo, sipas tij, do të ndihmojë aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në NATO, proces ky që mbështetet fuqishëm nga SHBA-ja. Baily gjithashtu i ka shprehur mirënjohje Maqedonisë për pjesëmarrjen në misionet ushtarake jashtë vendit. "Ushtarë nga Maqedonia kanë luftuar krah për krahu me ushtarët amerikanë në Afganistan në vitin 2002 dhe e dimë se ushtarët amerikanë kanë respekt të madh për kolegët e tyre nga Maqedonia. Duke punuar së bashku, ushtarët tanë forcojnë lidhjet mes tyre, dhe me këtë zhvillohen edhe lidhjet mes dy vendeve", tha amabasadori Baily. Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili ishte i pranishëm në hapjen e stërvitjes, tha se kjo ngjarje përcjell mesazhe të fuqishme për orientimin e Maqedonisë drejt demokracive të zhvilluara perëndimore. NATO-ja, tha Zaev, mbetet prioritet i punës së Qeverisë së re. "Të gjithë në botë e dinë orientimin e Maqedonisë. Edhe njëherë e përsërisë, se ne duam bashkëpunim me të gjitha shtetet, por vendi ynë është në NATO dhe ne synojmë anëtarësimin e plotë në këtë aleancë si dhe në Bashkimin Evropian. Këto stërvitje ushtarake përçojnë mesazhe shumë të vlefshme, mesazhin e bashkëpunimit në sigurimin e paqes në Botë dhe lirinë për gjithë njerëzimin", tha Zaev. Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska e ka vlerësuar si shumë me rëndësi përzgjedhjen e territorit të Maqedonisë nga ana e SHBA-së për të zhvilluar stërvitjen ushtarake. Ajo tha se Maqedonia po bënë gjithçka të mundur që të plotësojë të gjitha kriteret e paraparë që edhe ky vend të jetë pjesë e NATO-së, ku bëjnë pjesë demokracitë e zhvilluara perëndimore. "Në veçanti nga gëzon fakti se një vendi i cili investon shumë në zhvillimin e gatishmërinë e forcave të saja ushtarake, siç janë SHBA-të ka zgjedhur pikërisht poligonin ushtarak 'Krivollak' për të zhvilluar këtë aktivitet ushtarak", ka thënë Sheqerinska. Ushtarët amerikanë në Maqedoni po qëndrojnë që nga 28 korriku, me vizita në disa qytete ku edhe kanë ekspozuar pajisjet luftarake duke zgjuar kureshtjen e madhe të qytetarëve për të qenë sa më afër ushtarëve amerikanë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kabul: Zyrtarët thonë se sulmi ka përfunduar, sulmuesit janë vrarë

Posted: 31 Jul 2017 05:01 AM PDT

Zyrtarët afganë thonë se sulmi i sotëm i personave të armatosur kundër Ambasadës së Irakut në kryeqytetin Kabul në Afganistan, ka përfunduar. Për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS). "Të gjithë sulmuesit janë vrarë", thuhet në kumtesën e sotme të Minsitrisë së brendshme të Afganistanit, afro katër orë pasi militantët e kishin filluar sulmin e tyre. Në kumtesë, po ashtu, theksohet se një oficer i policisë është plagosur lehtë, ndërsa asnjë anëtar i personelit të Ambasadës së Irakut nuk është prekur nga ky sulm. Ministria tha se sulmi kishte filluar pas një sulmi vetëvrasës në hyrjen kryesore të ambasadës, duke e krijuar mundësinë që tre persona të armatosur të hynin në ndërtesë, që gjendet në lagjen qendrore, Shar-e-Nav, të Kabulit. Derisa pjesëtarë të sigurisë ende luftonin iundër personave të armatosur, Ministria e jashtme e Irakut njoftoi se diplomatët e lartë irakianë ishin evakuuar në Ambasadën e Egjiptit. Sulmi ndodhi dy javë pasi Ambasada e Irakut e mbajti një konferencë për gazetarë për ta festuar rimarrjen e qytetit të Mosulit në Irak nga luftëtarët e Shtetit Islamik.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sulmohet Ambasada e Irakut në Kabul

Posted: 31 Jul 2017 04:56 AM PDT

Pas një sulmi vetëvrasës me bombë, që goditi sot Ambasadën e Irakut në Kabul, në rrugët e kryeqytetit afgan, është parë një numër i shtuar i forcave të sigurisë. Ministria e Brendshme afgane tha se trupat qeveritare janë përleshur me sulmuesit e armatosur, të cilët sulmuan kompleksin e ambasadës, pasi një sulmues vetëvrasës shpërtheu eksplozivët e tij pranë portës së ambasadës. Ministria e Jashtme e Irakut tha se të paktën dy roje afgane të sigurisë janë vrarë në këtë sulm. Grupi militant Shteti Islamik, përmes agjencisë Amaq, ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Peskov: U mbetet SHBA-ve të vendosin për zvogëlimin e stafit diplomatik

Posted: 31 Jul 2017 04:16 AM PDT

Kremlini thotë se u mbetet Shteteve të Bashkuara për të vendosur se cilën pjesë të personelit diplomatik në Rusi do të zvogëlojnë, pas kërkesës së Moskës, që Uashingtoni në mënyrë drastike ta zvogëlojë numrin e personelit. Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit, Vlaidmir Putin, tha sot se shtetasit rusë që punojnë në përfaqësitë diplomatike amerikane në Rusi, mund të jenë në mesin e 755 diplomatëve që duhet të largohen. "Nuk është se ka aq shumë diplomatë amerikanë në Rusi", tha Peskov dhe ka shtuar se "ne po flasim për diplomatët, njerëzit pa status diplomatik dhe ata lokalë, pra shtetasit rusë, që punojnë" në Ambasadën dhe në konsullatat amerikane në Rusi. Moska ka urdhëruar reduktim të personelit diplomatik amerikan, pasi Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar legjislacionin me të cilin imponohen sanksione të reja kundër Rusisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

IS e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Kabul

Posted: 31 Jul 2017 02:11 AM PDT

Nga Kabuli i Afganistanit raportohet se forcat e sigurisë po zhvillojnë luftime kundër personave të armatosur afër kompleksit të Ambasadës së Irakut në Kabul, pas një sulmi vetëvrasës. Zyrtarë të paidentifikuar policorë i kanë thënë agjencisë AP se një makinë-bombë ka eksploduar sot në afërsi të ambasadës irakiane, pas një përpjekjeje nga personat e armatosur për të depërtuar në ndërtesë. Zëdhënësi i Ministrisë së brendshme të Afganistanit, Najib Danish, tha se diplomatët irakianë janë të sigurtë dhe se në sulm konsiderohet se ishin të përfshirë tre persona të armatosur. Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, ka raportuar agjencia propaganduese e këtij grupi, Amaq. Në pamjet e postuara në mediat sociale shihen retë e tymit duke u ngritur në qiell. Nuk ka pasur raporte të menjëhershme për viktima eventuale. Këtë vit në Kabul kanë ndodhur disa sulme vdekjeprurëse, për të cilat janë fajësuar talibanët ose Shteti Islamik.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pence e ka ngritur mundësinë e vendosjes së sistemit antiraketor në Estoni

Posted: 31 Jul 2017 02:00 AM PDT

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, dje e ka ngritur mundësinë e vendosjes së sistemit mbrojtës raketor, Patriot, në Estoni, ka thënë kryeministri i këtij vendi, Juri Ratas. "Ne folëm për këtë çështje, por ne nuk kemi biseduar për datë ose kohë", i tha zoti Ratas transmetuesit shtetëror, ERR, pasi Mike Pence e filloi një vizitë në këtë vend të vogël baltik, në kufi me Rusinë. Sistemi mbrojtës antiraketor i Shteteve të Bashkuara, Patriot, është mobil, i vendosur në tokë dhe me kapacitet për interceptimin e raketave dhe aeroplanëve. Kryeministri Ratas tha se me zëvendëspresidentin, Mike Pence, ka biseduar edhe për manovrat e planifikuara ushtarake të Rusisë, afër kufirit të Estonisë dhe se "Estonia, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, do të duhej t'i monitoronin ato dhe shkëmbejnë informacione". Zoti Pence, në ndaljen e parë të tij gjatë turneut, me ç'rast do ta vizitojë edhe Gjeorgjinë dhe Malin e Zi, tha në kryeqytetin Talin të Estonisë, se Uashingtoni qëndron me vendet baltike dhe aleatët e tjerë në pjesën lindore të Evropës, që kanë shprehur shqetësim për qëllimet e Rusisë në rajonet përkatëse. "Mesazhi ynë për vendet baltike, mesazhi im kur ne e vizitojmë Gjeorgjinë dhe Malin e Zi, do të jetë i njëjtë: për aleatët tanë këtu në Evropën Lindore, ne jemi me ju, ne qëndrojmë me ju në të mirë të lirisë", tha Pence gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan, Fox News. Në Talin zëvendëspresidenti, Mike Pence, është takuar me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, me ç'rast është biseduar për ekonominë digjitale, sigurinë kibernetike dhe për inovacione. Planifikohet që ai do të qëndrojë edhe në Letoni dhe Lituani, që të dy këto shtete, së bashku me Estoninë, janë anëtare të NATO-s, të cilat dikur ishin nën sundimin e Moskës gjatë periudhës sovjetike. Nga Talini, zoti Pence ndalet në Gjeorgji dhe në Mal të Zi, që është vendi më i ri anëtar i aleancës veriatlantike. Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara thonë se ky udhëtim shihet si vazhdim i vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Evropë, në fillim të muajit korrik. Me këtë rast, zoti Trump pat qëndruar në Poloni dhe Gjermani, për të shprehur mbështetje për NATO-n, derisa gjatë këtij udhëtimi ai ka mbajtur takime me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në përpjekje për përmirësim të lidhjeve me Moskën. Në fillim të presidencës së tij, Trump i pat zemëruar disa aleatë amerikanë pasi ai kishte dështuar që ta theksojë qartazi Artikullin 5 të Marrëveshjes për NATO-n, sipas të cilit sulmi kundër një anëtari të NATO-s paraqet sulm ndaj të gjitha shteteve anëtare të aleancës. Por, më 6 korrik në Varshavë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se qëndron "fuqishëm prapa" Artikullit 5 dhe e ka kritikuar Rusinë për aktivitetet e saj në Evropë. Estonia dhe Mali i Zi janë anëtarë të NATO-s, derisa Gjeorgjia ka shprehur dëshirë për bashkim me aleancën perëndimore. I pyetur për përkushtimin e zotit Trump për dispozitën për mbrojtje reciproke të NATO-s, Pence u tha reporterëve në Talin të Estonisë, se administrata e Shteteve të Bashkuara "e ka bërë të qartë se politika e jonë është që të qëndrojmë fuqishëm me aleatët tanë në NATO dhe të qëndrojmë fuqishëm prapa Artikullit 5, se një sulm në njërin prej nesh, është sulm në të gjithë ne". Në Gjeorgji, zyrtarët e këtij vendi thanë se Mike Pence pritet ta theksojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë. Gjeorgjia e ka përjetuar shkeljen ruse në territorin e saj. Kremlini i ka njohur si shtete të pavarura dy rajone separatiste në Gjeorgji, Abhazinë dhe Osetinë Jugore, pas luftës pesëditëshe kundër Gjerogjisë, në vitin 2008. Në këto dy rajone, Rusia i ka vendosur mijëra ushtarë. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Eksplodim dhe të shtëna me armë afër Ambasadës së Irakut në Kabul

Posted: 31 Jul 2017 12:50 AM PDT

Nga Kabuli i Afganistanit raportohet se ka ndodhur një eksplodim afër kompleksit të Ambasadës së Irakut. Burime të sigurisë janë cituar se kanë thënë se ky incident i sotëm ishte sulm vetëvrasës. Një zëdhënës i paidentifikuar i policisë tha se forcat e sigurisë ishin në vendin e ngjarjet dhe se po zhvillohen përleshje me të shtëna. Nu ka raporte të menjëhershme për viktima eventuale. Gjatë këtij viti në kryeqytetin Kabul në Afganistan kanë ndodhur disa sulme vdekjeprurëse, për të cilat fajësohen talibanët ose grupi ekstremist, Shteti Islamik.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump dhe Abe: Koreja Veriore – kërcënin në rritje

Posted: 31 Jul 2017 12:35 AM PDT

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, kanë vlerësuar se programi raketor i Koresë Veriore është kërcënim "serioz dhe në rritje". Gjatë bisedës së djeshme telefonike, të dy liderët kanë shprehur përkushtim për intensifikimin e presionit ekonomik dhe diplomatik ndaj Phenianit, pas testit të fundit të një rakete balistike ndërkontinentale. Trump dhe Abe "janë pajtuar se Koreja Veriore paraqet kërcënim direkt serioz dhe në rritje për Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Korenë Jugore dhe vendet e tjera në rajon dhe më larg", theksohet në lumtesën e Shtëpisë së Bardhë dhe shtohet se "presidenti Trump e ka riafirmuar përkushtimin tonë të fuqishëm për mbrojtjen e Japonisë dhe Koresë Jugore nga çfarëdo sulmi, duke e përdorë rrezen e plotë të kapaciteteve të Shteteve të Bashkuara".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjeorgji: Filluan ushtrimet ushtarake masive

Posted: 30 Jul 2017 11:50 PM PDT

Afro 2,800 ushtarë nga Gjeorgjia, Shtetet e Bashkuara dhe 6 vende të tjera, i kanë filluar ushtrimet ushtarake madhore. Giorgi Kvirikashvili, kryeministër i vendit mikripitës, Gjeorgjisë, dhe liderët e tjerë, dje thanë se këtë ushtrim e shohin si hap substancial drejt qëllimit të tyre për anëtarësim në NATO. "Këto ushtrime do ta ndihmojnë Gjerogjinë që të jetë më afër standardeve të NATO-s dhe ta forcoj aftësinë në gjithë rajonin", tha Kvirikashvili gjatë ceremonisë së hapjes në bazën ushtarake Vaziani, afër kryeqytetit Tbilisi. Në këto ushtrime, që zgjasin dy javë, marrin pjesë edhe ushtarët nga Britania, Gjermania, Turqia, Ukraina, Sllovenia dhe Armenia.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more