Skip to main content

Tirana Observer: “Rama ironi me rekordin e Bashës: Nuk paska nevojë për timon, por për këpucë!” plus 9 more

Tirana Observer: “Rama ironi me rekordin e Bashës: Nuk paska nevojë për timon, por për këpucë!” plus 9 more


Rama ironi me rekordin e Bashës: Nuk paska nevojë për timon, por për këpucë!

Posted: 18 Jun 2017 09:46 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka vijuar takimet elektorale në Bilisht ku para qindra të pranishmëve ka ironizuar njoftimet e stafit të Bashës.

Sipas Ramës, Lulzim Basha po përsërit deklratat qesharake si Berisha dikur që njoftonte thyerjet e rekordit të notit.

"15 kilometra ecje në këmbë. Basha e nisi ditën në këmbë në Kamëz, vazhdoi për Laprakë, e mbylli në këmbë në Paskuqan. E ka nisur në 9 të mëngjesit dhe stafi bën të ditur se ka ecur në këmbë 3 orë e 20 minuta pa ndalim. E kishim Saliun që thyen rekorde në ujë, kemi dhe Lulin që ecën në këmbë. Mbase ka dashur të thotë se nuk e do timonin pasi e bën rrugën në këmbë, por do këpucë", ironizoi Rama.

Ai tha se në fushatën e PD nuk ka këshilltarë gjermanë apo amerikanë.

"Ata kanë brenda vetëm shejtan. Shejtanin e politikës së vjetër që thotë gënje sa të mundesh. Unë i thëm të djathtëve të mos ndryshojnë bindje dhe të mos bëhen socialistë, por më 25 qershor ta kuptojnë mirë se është një zgjedhje për vendin" – tha Rama në Bilisht.

Ditën e sotme stafi pranë Lulzim Bashës njoftoi se ky i fundit ka ecur në këmbë mbi 3 orë nëpër Tiranë.

Katari alias shteti jashtë linje i Gjirit

Posted: 18 Jun 2017 09:00 AM PDT

Nga Cengiz Tomar

Vendimi për sanksione ndaj Katarit, vend ky që së bashku me Omanin gjithnjë kanë ndjekur politikë të ndryshme dhe të pavarur nga shtetet e tjera të Gjirit, nën protektoratin e Arabisë Saudite, nuk ishte paramenduar se do të ishte kaq i ashpër.

Ndjekja e një politike ndryshe e Katarit për dallim nga shtetet e tjera të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit daton shumë më herët.

Që nga vitet kur familja udhëheqëse e Katarit filloi të formohet si një entitet historiko-politik, gjithnjë ka tërhequr vëmendje rruga që vendi ka ndjekur, ndryshe nga ajo e Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera të Gjirit.

Influenca në rajon e familjes Al Halife, që drejton Bahreinin që nga fundi i shekullit të 18-të, ishte sfiduar në mënyrë serizse pasi pothuajse pas gjysmë shekulli familja Al Thani ishte njohur nga britanikët si lidere e rajonit.

Shteti i Katarit dhe politika e pavarësisë

Katari është ndjekur gjithnjë nga themeluesit e Arabisë Saudite, të cilët e kanë konsideruar atë si një pjesë natyrore të Gadishullit Arabik, duke dashur ta marrin nën ndikimin e tyre.

Familja udhëheqëse e Katarit ka shpëtuar nga kjo gjë vetëm duke bashkëpunuar me qeverinë osmane. Ndërkaq, osmanët, pas rezistencës ndaj këtyre trysnive deri në vitin 1916, më pas lëshuan vendin në duar të britanikëve.

Gjendja e njëjtë ishte përsëritur edhe gjatë krijimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, kur Katari u ftua të jetë pjesë e këtij entiteti, por nuk pranoi dhe zgjodhi rrugën e të qënit shtet i pavarur.

Madje, fakti që Katari ka përdorur emrin Devletu Katar (Shteti i Katarit), ndryshe nga shtetet e tjera të Gjirit që në emrat e tyre zyrtarë përdorin fjalët "mbretëri", "emirat" dhe "sulltanat", mund të interpretohet si simbol i kësaj politike të pavarur të saj.

Ky qëndrim i pavarur i Katarit u shndërrua në një realitet në mesin e emirateve dhe sulltanateve të Gjirit të kryesuara nga Arabia Saudite dhe vazhdoi deri në krizën aktuale. Në fakt, kjo krizë është hallka e fundit e krizave periodike në marrëdhëniet mes shteteve të Gjirit që janë anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe Katarit, dhe për shkak të kohës kur ndodh dhe intensitetit për një çast bëhet çështja më e përfolur e Lindjes së Mesme.

Këto kriza periodike filluan të bëhen konsekuente posaçërisht pas ardhjes në pushtet të Sheh Hamadit, babait të emirit aktual Sheh Temim, në vitin 1995. Politika e transmetimit e "Al Jazeera"-s, e themeluar nga shteti i Katarit në vitin 1996 si një mjet i soft power-it (fuqisë së butë) e cila me qëndrimin e saj liberal dhe protransparent për një kohë të shkurtër u shndërrua në televizionin më të ndjekur në botën arabe, mund të perceptohet si simboli më i rëndësishëm i marrëdhënieve problematike mes shteteve të Gjirit dhe Katarit.

Krahas televizionit "Al Jazeera", edhe gjatë periudhës së Sheh Hamadit, politika e jashtme e Katarit dallohej nga ajo e Arabisë Saudite dhe shteteve të Gjirit. Ndryshe nga shtetet e Gjirit të kryesuara nga Arabia Saudite që përkrahën Lëvizjen Fatah, Katari përkrahu Hamasin, si dhe ashtu siç përkrahu "Vëllazërinë Myslimane" përballë lëvizjeve salafiste në Egjipt, së bashku me Omanin kanë ndjekur politikë të dalluar dhe kanë treguar marrëdhënie të mira me Iranin. Krahas që marrëdhëniet mes Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe Iranit gjithmonë kanë qenë të vështira, shtetet anëtare të Këshillit janë treguar të kujdesshëm që t'i mbajnë të mira posaçërisht marrëdhëniet tregtare me Iranin në mënyrë reciproke.

Ironikisht, shteti i Gjirit që ka marrëdhënie më të mira me Iranin janë Emiratet e Bashkuara Arabe.

Procesi i Pranverës Arabe

Ndaj Sheh Hamadit, i cili në vitin 1995 kundërshtoi presidencën e Arabisë Saudite në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, ishin ndërmarrë dy grusht shtete të dështuara, gjë që kishte tensionuar marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Katarit. Në vitin 2002, Arabia Saudite tërhoqi ambasadorin nga Katari për shkak të politikës transmetuese të "Al Jazeeras". Ndërkaq, periudha më e vështirë në marrëdhëniet mes Katarit dhe Gjirit ndodhi me fillimin e procesit që u quajt Pranvera Arabe në vitin 2011. Veçanërisht në proceset në Egjipt dhe Libi hasi në mospajtim me Emiratet e Bashkuara Arabe, armikun e pamëshirshëm të "Vëllazërisë Myslimane". Arsyet themelore të kësaj krize i përbënte fakti që Katari u dha mundësi strehimi në kryeqytetin Doha anëtarëve të "Vëllazërisë Myslimane".

Në ndërkohë, megjithëse në vitin 2013 shtetet e Gjirit e pritën me shpresë ndryshimin e pushtetit në Katar, Sheh Temim dukej i vendosur në vazhdimin e politikave të të atit. Rrjedhimisht, ai u ftua në Rijad dhe ishte i detyruar të nënshkruante një marrëveshje sigurie në bazë të kërkesave të Arabisë Saudite dhe shteteve të Gjirit. Në fakt, shtetet e Gjirit kishin tërhequr ambasadorët nga Doha në vitin 2014 duke pretenduar se Katari nuk i ka plotësuar kushtet e kësaj marrëveshjeje. Shkak i krizës së vitit 2014 ishte sërish strehimi i anëtarëve të "Vëllazërisë Myslimane" në Doha. Edhe kjo krizë ishte zgjidhur me ndërmjetësimin e shehut të Kuvajtit Sabah al-Ahmed dhe largimin e anëtarëve të "Vëllazërisë Myslimane" nga vendi.

Për sa i përket krizës së fundit, ajo filloi me akuza nga Arabia Saudite, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe drejtuar Katarit, për të cilin pretenduan se kërcënon sigurinë rajonale dhe bashkëpunon me Vëllazërinë Muslimane. Kërkesat e shteteve të Gjirit, në mes të tjerash, ishin që Katari të mos strehojë anëtarë të "Vëllazërisë Myslimane", të ndryshojë politikën transmetuese të Al Jazeeras dhe të mos mbështesë kanalet dhe teologët e afërt me "Vëllazërinë Myslimane". Nga mesi i muajit prill Katari i kishte pranuar këto kërkesa. Megjithatë, e gjithë çfarë ndodhi, ndodhi pas vizitës së presidentit amerikan. Zjarri u ndez pas rrjedhjes së një deklarate të paqenë që iu atribuua shehut të Katarit Al-Thani. Edhe pse Katari deklaroi se kjo në fakt ka qenë sulm kibernetik, duke e përgënjeshtruar deklaratën e atribuuar, shtypi i Gjirit e pranoi si të vërtetë atë dhe shkoi në nivel më lartë dhe më në fund kriza arriti kulmin në të cilin gjendet aktualisht

Kriza është pjesë e planit të madh

Kronologjia e lartëpërshkruar në fakt tregon shumë gjëra. Arabia Saudite, e cila ka pretendime të rëndësishme për sa i përket lidershipit mbi botën islame dhe arabe që nga e kaluara, i ka dhënë Katarit mesazhin mbi atë se kush është padron i rajonit dhe se tani duhet të vendosë se në anën e kujt është. Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit, duke kërkuar përforcimin e unitetit kundër Iranit, treguan ashpër se në rajon nuk duan zë plasaritjeje. Kjo, sepse me marrëveshjen gjatë vizitës së Trumpit, Arabia Saudite forcoi mbështetjen kundër Iranit dhe, rrjedhimisht, pret bindje të pakusht ndaj lidershipit të saj në rajon.

Edhe pse zhvillimet duken si një problem i daljes nga linja brenda Gjrit kur shikohen në përmasa mikro, është mase e qartë se kriza është pjesë e një plani makro, duke patur parasysh simultanitetin me periudhën pas vizitës së Trumpit dhe delikatesën e gjendjes së përgjithshme në Lindjen e Mesme, sepse orientimi i Trumpit kah politika kundër Iranit dhe ndjekja e politikës për rrethimin e Iranit, prioritet i luftës kundër organizatave terroriste në rajon siç është DEASH-i, në plan të madh synojnë forcimin e frontit me të gjitha shtetet e Gjirit kundër Iranit.

Kjo në të njëjtën kohë do të thotë më shumë shitje armësh drejt shteteve të pasura të Gjirit kundër kërcënimit nga Irani. Kjo është një mundësi e rëndësishme për Trumpin, afaristi në gjendje shumë të vështirë i cili gjatë fushatës elektorale u kishte premtuar qytetarëve amerikanë më shumë pasuri. Natyrisht, mbrojtja e shteteve të pasura të Gjirit nga ekspansioni i ndikimit iranian ka çmimin e saj. Sigurisht, shteti që furnizon PYD-në terroriste me armë ka nevojë për kurbanin e tij lidhur me financimin e organizatave radikale terroriste.

Kjo gjendje mund të perceptohet edhe si lëvizje për ta detyruar Turqinë – e cila, sikurse Katari, viteve të fundit përpiqet të ndjek politikë të pavarur dhe kundërshton SHBA-të lidhur me atë që organizata terroriste PYD/YPG të përdoret kundër ISIS-it – të radhitet në kampin kundër Iranit, me të cilën Turqia përpiqet të krijojë marrëdhënie të mira. Andaj, edhe vizita e djeshme e ministrit të Jashtëm iranian Zarif në Turqi ka të bëjë për së afërmi me krizën e Katarit. Natyrisht, vazhdon të mbetet e paqartë nëse në anën e Iranit në këtë çështje do të radhitet Rusia, e cila veçmë është aleat i Iranit në Siri – sepse kjo gjendje mund të jetë shkaktar i një lufte rajonale dhe globale./AA

*Cengiz Tomar është prof. dr. i historisë politike të Lindjes së Mesme dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ligjërues në Departamentin e Historisë të Fakultetit të Letërsisë dhe Shkencës dhe Institutin e Hulumtimeve të Lindjes së Mesme pranë Universitetit Marmara.

 

Zbulohet identiteti i biznesmenit shqiptar që drejtonte rrjetin e kokainës në Ballkan

Posted: 18 Jun 2017 08:47 AM PDT

Mediat greke kanë zbuluar emrin e biznesmenit shqiptar të arrestuar në Greqi së bashku me 4 persona të tjerë, si pjesë e një rrjeti kokaine në Ballkan.

Nga hetimet e policisë greke dhe DEA-s amerikane, rezulton se një 53-vjeçar shqiptar është drejtuesi i organizatës së kokainës, raporton Tv Klan.

Ai është Arian Senaj, i cili jeton në Greqi në një vilë në zonën e quajtur Kavuri. Biznesmeni shqiptar është një nga më të pasurit në Shqipëri dhe është i përfshirë në tregtinë e gazit natyror, shkruan gazeta greke "Protothema".

Shqiptari Arian Senaj kishte krijuar lidhje me organizatën e drogës "Kali" në Kolumbi, e cila kishte dërguar në Ballkan edhe kokainën të paketuar me logon e "PlayBoy".

Kokaina ishte e cilësisë së pastër, thonë autoritetet greke. Plot 21 kg kokainë u sekuestrua gjatë operacionit anti-drogë. Gjysma e saj u gjet në pronat e biznesmenit grek Sakis Karatzounis kurse pjesa tjetër në makinën e një 35-vjeçari shqiptar, pjesë e këtij rrjeti.

Deri tani janë arrestuar 5 persona; 4 shqiptarë mes të cilëve biznesmeni Arian Senaj dhe i pesti është biznesmeni grek Karatzounis. Emri i Arian Senajt është treguar nga vet biznesmeni grek, i cili ka treguar emrin edhe të njërit prej shqiptarëve të tjerë të arrestuar, Sami H.

Sakis Kechagioglu, avokati i biznesmenit shqiptar, duke folur për gazetën "Protothema" ka thënë: "Sekuestrimi i sasisë së madhe të drogës është fakt i padiskutueshëm. Hetimi është përqëndruar për të evidentuar përgjegjësit. Klientët e mi thonë se janë të pafajshëm. Njëri prej klientëve të mi është njëri nga sipërmarrësit më të rëndësishëm në Shqipëri me një aktivitet të njohur ndërkombëtarisht. Shpresoj që pretendimet e tij për pafajësia të jenë të vërteta".

Si funksiononte rrjeti i drogës

Kokaina vinte direkt nga Kolumbia dhe magazinohej kryesisht në Athinë. Përgjegjës për ruajtjen e saj ishte pikërisht biznesmeni grek dhe ish-Presidenti i ekipit të futbollit të Trikallas, Sakis Karatzounis.

Një pjesë e kokainës shitej në kryeqytetin grek, kurse pjesa tjetër trafikohej në Mikono për t'iu shitur klientëve VIP.

Vlera e 1 gr kokainë kushtonte më e pakta 100 Euro.

Hetuesit kanë krijuar dyshimet e arsyeshme mbi bazë të provave dhe dëshimvë të siguruara se biznesmeni shqiptar Arian Senaj ishte truri dhe financieri i kësaj organizate dhe merrej personalisht me gjetjen e kokainës.

8 arsyet përse femrat e forta e gjejnë me vështirësi dashurinë

Posted: 18 Jun 2017 08:30 AM PDT

Ju mund të mendoni se gratë e forta e kanë të lehtë ta gjejnë dashurinë e vërtetë, por në fakt, gjërat janë krejt ndryshe. Gratë e forta nuk janë të pathyeshme.

Ato kanë ndjeshmëritë dhe pikat e tyre të dobëta.

Ja, 8 arsye pse është e vështirë për gratë e forta të gjejnë dashurinë:

1- Shumica e burrave kanë frikë nga gratë e forta.

Madje, mund të themi se ata lëndohen nëse kanë pranë një grua të fortë. Kjo mund t'i "dobësojë" idenë që kanë për burrërinë.

2- Gratë e forta janë ndonjëherë shumë përzgjedhëse.

Gratë me personalitet të fortë shpesh studiojnë dhe përzgjedhin boll kur vjen puna për të zgjedhur burrin ideal, për shkak të besimit që kanë tek vlerat e tyre ose edhe për shkak të pasigurive se duhet patjetër të gjejnë "njeriun perfekt".

3- Gratë e forta nuk kanë frikë të qëndrojnë vetëm.

Gratë e forta e dinë se ç'duan dhe nuk do të thyhen për asgjë më pak. Ato e dinë rëndësinë e të qenit të vërtetë me veten.

4- Gratë e forta nuk kanë frikë të thonë të vërtetën.

Ato nuk kanë frikë të thonë çfarë bënë gabim ose mirë.

5- Gratë e forta nuk ia lejojnë vetes të jenë opsionale.

Gratë e forta nuk do të pranojnë kurrë të jenë opsionale, duke qenë pjesë e një tufe grash me të cilat mund të dalë një burrë.

6- Gratë e forta i japin rëndësi mendjes, më shumë sesa bukurisë.

Ato gjithashtu janë më të tërhequra kundrejt burrave të zgjuar sesa të pashëm.

7- Gratë e forta nuk gjejnë lumturi në "gjërat e lehta".

Ato gjejnë lumturi tek gjithçka që ato mund të projektojnë seriozitet dhe qëndrueshmëri.

8- Gratë e forta kanë tendencën t'u japin nga forca e tyre atyre që duan.

Kur duan, këto gra e adaptojnë menjëherë personin tjetër sipas identitetit të tyre të fortë./ Gentlewomen

Edhe pse u largua nga kombëtarja, De Biasi na surprizon të gjithëve më 25 qershor

Posted: 18 Jun 2017 08:22 AM PDT

Xhani De Biasi nuk është më në krye të Kombëtares shqiptare të futbollit, por nënshtetësia shqiptare i jep atij mundësinë që të jetë një nga votuesit që do t'u drejtohen kutive të votimit më 25 qershor.

Për trajnerin italian, hera e parë si votues në vendin tonë e gjen atë në një nga zonat tradicionale në Tiranë, te "Xhamlliku".

Si për të qenë të pandarë, me gjithë largimin nga Kombëtarja, ish-trajneri i kuqezinjve e gjen vetën në të njëjtën qendër votimi me disa nga lojtarët që i ka stërvitur, apo edhe një tjetër që mund të ishte kandidat për t'u afruar në Kombëtare: Abrashi, Aliji dhe vëllezërit Ajeti, janë gjithashtu pjesë e votuesve në Njësinë Nr.3 në Tiranë.

Xhani De Biazi pritet që të jetë në Shqipëri të dielën e 25 qershorit, për t'iu drejtuar kutive të votimit.

Panorama Sport ka mësuar se ish-tekniku i Kombëtares, me atributet që i jep nënshtetësia shqiptare, do të ushtrojë të drejtën e tij të votës.

Në bazë të listave të votuesve, Xhani De Biazi do të votojë në shkollën 9-vjeçare "Kongresi i Lushnjes".

Ish-strategu i përfaqësueses shqiptare të futbollit do të votojë në qendrën numër 1749, në Njësinë bashkiake numër tre në kryeqytet dhe numri rendor në listat e votimit për të është 217.

Trajneri e mbylli aventurën e tij me kuqezinjtë pas pesë vitesh e gjysmë në drejtim të tyre, mirëpo në daljen e fundit si trajner i Shqipërisë, deklaroi se nuk do të humbasë lidhjen me shqiptarët dhe se ndihet krenar që ka nënshtetësi shqiptare.

Valbona më në fund takon Valbonën…

Posted: 18 Jun 2017 07:36 AM PDT

Kemi parë, që shumica e VIP-ave po e kalojnë fundjavën në bregdet ose buzë pishinave.

Por, fryma tropikale nuk është e preferuara e të gjithëve. Duke qenë se ajo ka ditur gjithmonë të jetë e veçantë, nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe këtë herë.

Po flasim për Valbona Selimllarin, e cila pak minuta më parë ka publikuar një foto në Instagram, ku shihet mes një sfondi natyror.

"Më në fund u takova me Valbonën", shkruan Selimllari, duke zbuluar kështu destinacionin e zgjedhur për ditën e shtatë të javës.

Zgjedhje e zgjuar kjo, për aq kohë sa klima malore është zgjidhja më e mirë për të shmangur të nxehtin…

Verratti i shpall luftë PSG: Nuk kthehem më në Paris

Posted: 18 Jun 2017 06:27 AM PDT

Barcelona kërkon mesfushorin Marco Verratti, por edhe italiani synon të njëjtën gjë, të luajë me skuadrën blaugrana sezonin tjetër. "Më lini të shkoj te Barcelona. Unë nuk dua të kthehem më në Paris", ka qenë me pak fjalë mesazhi që Verratti i ka dërguar drejtuesve të klubit francez.

Kështu, pas disa ditësh deklaratash mediatike për një kalim të italianit te Barcelona sot ka qenë vetë lojtari ai që është bërë aktiv dhe ka kërkuar transferimin.

Verratti i kërkon Paris Saint Germanin që ta lërë të lirë, pasi koha e tij te skuadra franceze ka përfunduar dhe tani synon të realizojë ëndrrën e tij, të luajë dhe fitojë me Lionel Messi.

Ky transferim mund ta mbushë me 100 milionë euro arkën e skuadrës së PSG, por ajo prej disa ditësh këmbëngul, duke thënë se "Verrati nuk shitet".

Për ta mbajtur mesfushorin, klubi francez po mendon t'i rrisë rrogën, por dëshira e lojtarit është të luajë me Barcelonën.

Nëna kërkon vajzën e humbur prej 31 vitesh, Ardit Gjebrea e gjen!

Posted: 18 Jun 2017 06:10 AM PDT

Valentina ka ardhur në rubrikën "Ka një mesazh për ty" në "E Diela Shqiptare", moderuar nga Ardit Gjebrea, për të kërkuar vajzën e saj të humbur prej 31 vitesh.

Ajo rrëfen se ka patur një lidhje prej dy vitesh e gjysmë me një djalë, nga ku ngeli shtatzënë, por ai kërkoi abortin e fëmijës dhe duke qënë se Valentina nuk pranoi, u zhduk.  Ajo tregon se në kohën e diktaturës ekzistonte një rregull për të mbrojtur fëmijët që vinin nga lidhjet jashtëmartesore, i largonin nga familja dhe i çonin në një qytet tjetër. Kjo gjë ndodhi edhe me Valentinën, të cilën e çuan të lindte në Seman të Fierit në vitin 1983 e më pas për 6 muaj të qëndronte në befotrofin e Durrës, ku ra dakord që të linte vajzën, Naidën, e të shkonte ta takonte çdo muaj gjersa të merrte një shtëpi nga qeveria. Për tre vjet Valentina merrte vajzën nga befotrofi dhe qëndronte me të për 5 ditë në Tiranë.

Planet e saj ishin shumë të qarta,  do të punonte, do të merrte shtëpi dhe nëqoftëse do të krijonte një marrëdhënie, do të ndodhte nëse do të ishte bashkë me të bijën. Naida në vitin 1987  u transferua në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, pa dijeninë e të ëmës dhe kur kjo e fundit shkoi ta kërkonte, i thanë se fëmija nuk ndodhej as në Durrës e as në Shkodër. Valentina ka vazhduar prej vitit 1987 e deri më sot të kërkojë të bijën në të gjithë shtëpitë e fëmijëve që ndodhen në Shqipëri.

Me bashkëshortin është njohur prej motrës së tij, e cila jetonte në Memaliaj, ku të gjithë e dinin që ajo kishte një vajzë. Pavarësisht kësaj ai u dashurua me Valentinën, formuan familje dhe e ka përkrahur gjithmonë për kërkimin e të bijës, ndërsa 3 vajzave u ka treguar kur ishin të vogla, të cilat presin me padurim që të gjendet motra e tyre e humbur. Valentina vuan nga kanceri në qafën e mitrës, sëmundje e cila është zhvilluar që prej lindjes së vajzës së humbur, Naidës.

"Për datëlindjen e saj blej torta dhe i shuaj qirinjtë me vajzat. 25 vjetorin e kemi bërë në lokal, vajzat kanë mbledhur shoqërinë, pa qenë vajza aty."

Ajo gjithashtu në vitin 2017 e ka kërkuar një emision televiziv, nga ku u verifikua se Naida ishte birësuar kur ka qenë në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër dhe se jeton në Shqipëri.

"Jam shumë e lumtur që vajza ime është birësuar sepse kisha dëgjuar që fëmijët ishin shitur në kohën e demokracisë nëpër vendet e Europës. I jap një falënderim shumë të madh sa rruzulli tokësor atyre prindërve birësuar që më kanë rritur vajzën."

Valentina kërkon vetëm ta shohë vajzën e saj që është mirë dhe se a i ngjan, ndaj Arditi i thotë se ngjasojnë shumë sepse e ka takuar, gjë që atë e emocionon shumë. Arditi tregon se e bija e saj është në dijeni, por nuk pranoi të ishte pjesë e rubrikës "Ka një mesazh për ty", pasi nuk dëshironte të lëndonte prindërit birësues dhe se po mendohet se çfarë do të bëjë sepse është një situatë shumë delikate.  Valentina e kupton pozitën e vajzës së saj dhe shprehet se do të presë, mjafton që ta takojë./tvklan.al

Kush është bosi nga Shqipëria që është koka e trafikut të kokainës? DEA nis hetimet

Posted: 18 Jun 2017 05:55 AM PDT

Policia greke ka zbardhur skemën si funksiononte organizata e kokainës e përbërë nga shqiptarë dhe grekë, kur 4 ditë më parë u arrestuan 5 persona.

Zyrtarisht njoftohet se mes të arrestuarve, 4 janë shqiptarë të moshës 34-56 vjeç dhe një biznesmen grek 61-vjeçar i njohur në zonën e Trikallas në Greqi.

"Truri" i organizatës së kokainës në Ballkan është një 53-vjeçar shqiptar, thotë polica greke, e cila shton se është ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri dhe i përfshirë në fushën e transportit të gazit natyror, raporton Tv Klan.

Në këtë operacion të madh anti-drogë është përfshirë dhe DEA amerikane e vendosur në Athinë.

Kokaina vinte nga Kolumbia nga organizata "Cali", e paketuar me logo të PlayBoy dhe ishte cilësi e pastër.

Plot 21 kg kokainë u sekuestrua nga autoritetet greke dhe shuma të mëdha parash të dyshuara se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Gjysma e sasisë së kokainës ju gjet biznesmenit grek, kurse gjysma tjetër një 35-vjeçari shqiptar tashmë të arrestuar.

Ky i fundit e kishte fshehur drogën poshtë sedijes së shoferit dhe të pasagjerit në një vend të modifikuar posaçërisht.

Nga aktiviteti i trafikut të kokainës, kjo organizatë kriminale ka qarkulluar të paktën 800 mijë Euro.

Shtypi grek shkruan se hetimet e DEA-s nuk kanë përfunduar akoma.

Agjencia amerikane e zbulimit të trafikut të drogës ka dyshime të forta se biznesmeni shqiptari që drejtonte këtë rrjet droge, ka lidhje të forta në Shqipëri dhe hetimet mund të nxjerrin në dritë të tjera informacione të vlefshme.

Gjatë këtyre ditëve mediat greke kanë raportuar se biznesmeni grek është pronar i një kompanie nafte në Shqipëri.

Ai është Thanasis Karatzounis, kurse identiteti i biznesmenit shqiptar që drejtonte trafikun e kokainës nuk është bërë i ditur.

Premtonte lekë në këmbim të votës, Tom Doshi denoncon punonjësin e tij

Posted: 18 Jun 2017 05:51 AM PDT

Tom Doshi ka denoncuar në polici një punonjës të tijin, të cilin e akuzon se u premtonte para qytetarëve që këta të fundit t'ia jepnin votën po Tom Doshit.

I identifikuar si Pjetër Prendi 42 vjeç, ai vepronte në lagjen "Mark Marku" të qytetit të Shkodrës.

I shpalluri në kërkim premtonte 10 mijë lekë për ata që do i jepnin votën Tom Doshit.

Deklarata e policisë

Në kuadër të punës së Policisë së Shtetit për parandalimim dhe goditjen e veprave penale në fushën e zgjedhjeve.

Në datë 17.06.2017, nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomiko-Financiarë në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, u referuan materialet proçeduriale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit P. P. 42 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas dyshohet se u ka premtuar me iniciativën e tij disa shtetasve nga 10.000 lekë për çdo votë që do jepej për një kandidat për deputet në Qarkun Shkodër.

Vepra penale në ngarkim të shtetasit P.P. është "Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve" parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more