RTSH: “Basha protestuesve: Uashingtoni na mbështet !” plus 9 more |
- Basha protestuesve: Uashingtoni na mbështet !
- Rama: Opozita po shfrytëzon kompromisin që i ofruam për të penguar reformën në drejtësi
- Turkish Airlines: Laptopët dhe tabletet vetëm në valixhe!
- Vajgël për Maqedoninë: Në rast se nuk ka përmirësim të gjendjes, do të përdoren edhe sanksione
- Kumbaro: Gjirokastra, shumë shpejt një imazh i veçantë për turistët!
- Lejuan kamionin me 8 ton drogë, ndalohen policët në Qafë Thanë
- 2017 të rinj futin Shqipërinë në Guinnes
- Atletika shqiptare nderon figurat e saj ndër vite
- Bombat tymuese në “Renzo Barbera”, ndalohet një shqiptar dhe identifikohen të tjerë
- Të dielën ora shkon 60 minuta para
Basha protestuesve: Uashingtoni na mbështet ! Posted: 25 Mar 2017 02:04 PM PDT Kreu i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar se ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme në Uashington lidhur me protestën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. I sapo kthyer nga vizita në SHBA zoti Basha është gjetur mes përkrahësve të tij në çadrën para selisë së qeverisë, e cila të shtunën mbylli javën e pestë. “Në takimet me përfaqësuesit më të lartë të Partisë Republikane, të Kongresit Amerikan dhe të bashkëpunëtorëve të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, mora mesazhin e përgëzimit për qëndresën tonë të jashtëzakonshme për kauzën e madhe që i ndan kombet në të civilizuara dhe të pacivilizuara, në të lira dhe në të robuara, në të forta dhe në të dobëta, në liridashëse dhe të nëpërkëmbur, kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e demokracisë, kauzën e lirisë” shkruan zoti Basha në Fejsbuk. |
Rama: Opozita po shfrytëzon kompromisin që i ofruam për të penguar reformën në drejtësi Posted: 25 Mar 2017 07:13 AM PDT Vettingu do të kryhet, pavarësisht se opozita po shfrytëzon kompromisin e ofruar gjatë hartimit të reformës, për ta bllokuar atë. Gjatë një bisede me disa pensionistë në një kafene të Tiranës, kryeministri Edi Rama u shpreh se megjithëse shumica i mundësoi kompromis opozitës në lidhje me këtë çështje, ata po bllokojnë reformën. “Kërkuan 50% me 50% të komisioneve. Komisioni i parë është 12 veta dhe komisioni i dytë 6 veta. Nëse ata nuk vijnë, anëtarët e komisioneve nuk zgjidhen. Kjo ka qenë pika që ne i'a dhamë për kompromis dhe që po e përdorin për të bllokuar” tha zoti Rama. “E këtu janë zbuluar edhe me partnerët. Sepse partnerët, qoftë amerikanë, qoftë gjermanët kanë negociuar këtë kompromis dhe me kompromisin që kanë marrë, – që s'e ka pasur kurrë 20 e ca vjet opozita me qeverinë, – ata abuzojnë e thonë nuk vijmë” shtoi ai. |
Turkish Airlines: Laptopët dhe tabletet vetëm në valixhe! Posted: 25 Mar 2017 06:51 AM PDT Turkish Airlines nisi zbatimin e masës së ndalimit të laptop-ëve, tabletëve e çdo mjeti tjetër të madh elektronik nëpër avione, duke lejuar vetëm telefonat celularë, siç është kërkuar nga qeveria amerikane dhe ajo britanike. Pasagjerëve në aeroportin "Ataturk" u është lejuar t'i përdorin kompjuterat e tyre portabël deri në momentin përpara ngjitjes në bord, e më pas u është kërkuar t'i vendosin në valixhe. Nisma amerikano-britanike prek disa vende nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, por ajo godet në mënyrë të veçantë Stambollin e pozicionuar prej vitesh tashmë si nyje e rëndësishme ndërkombëtare e transportit ajror. Urdhri ishte pasojë e informacioneve të shërbimeve të inteligjences dhe paralajmërimeve të tyre mbi një sulm të mundshëm të Shtetit Islamik. Lëvizja e fundit konsiderohet mjaft e logjikshme nga nismëtarët e saj, megjithatë ka ngjallur dyshime përsa i takon sigurisë. Mjaft zëra janë ngritur e përmendin rrezikun që mund të barte në vetvete grumbullimi në një vend i dhjetëra mjeteve teknologjike, shumë prej të cilave përdorin bateri me jone litiumi, që në disa raste kanë marrë flakë. |
Vajgël për Maqedoninë: Në rast se nuk ka përmirësim të gjendjes, do të përdoren edhe sanksione Posted: 25 Mar 2017 06:38 AM PDT Rritja e presioneve nga bashkësia ndërkombëtare mund të ndihmojë në kapërcimin e krizës qeveritare në Maqedoni, e cila tani ka marrë edhe dimensionin e krizës etnike dhe ndëretnike, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare. Komentet vijnë pas mesazheve të fundit në Shkup të komisionerit Johanes Hahn, i cili kërkoi respektimin e shumicës së re parlamentare dhe lejimin e formimit të qeverisë. Sipas analistëve Maqedonia ka shansin e fundit për të evituar pasojat nga kriza e gjatë politike dhe masat ndëshkuese do të nisin që nga zyrtarët nëse vazhdojnë të shpërfillin thirrjet për kapërcimin e krizës institucionale. Europarlamentari Ivo Vajgl, në një deklaratë për mediat maqedonase tha se VMRO-ja duhet të respektojë rrethanat e reja dhe të mos e pengojë kalimin e pushtetit te shumica e re. Ai tha se në rast se nuk ka përmirësim të gjendjes, do të përdoren edhe sanksione, ku bën pjesë edhe ndihma financiare. Por aplikimi i sanksioneve, sipas njohësve të çështjeve ndërkombëtare mund ta përkeqësojë gjendjen në Maqedoni, pasi pasojat do të bien edhe mbi qytetarin e thjeshte. Partitë e shumicës së re parlamentare, LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët që kanë 62 deputetë, të premten kanë njoftuar se kandidati tyre për kryetar të Kuvendit është Talat Xhaferi nga BDI, por kandidatura e tij duhet të kalojë në Komisionin për zgjedhje dhe emërime që drejtohet nga VMRO. Ajo ka bërë të ditur se do ta kundërshtoje çdo nismë që nuk e respekton fituesen e zgjedhjeve apo VMRO-në, ndërsa këtë e kanë paralajmëruar edhe protestuesit, por me arsyetimin se do të kundërshtojnë zgjedhjen e çdo kryeparlamentari, i cili, sipas tyre nuk dënon deklaratën e partive politike shqiptare, me të cilën, sipas tyre, federalizohet Maqedonia dhe rrënohet karakteri i saj unitar. |
Kumbaro: Gjirokastra, shumë shpejt një imazh i veçantë për turistët! Posted: 25 Mar 2017 06:30 AM PDT Gjirokastra do të nxjerri shumë shpejt në dritë vlerat autoktone të këtij qyteti muze. Projekti më i fundit ai i rehabilitimit të fasadave të banesave, synon ti ktheje lagjet, banesat e vjetra, në stilin dhe arkitekturën origjinale. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka inspektuar nga afëri e ecurinë e punimeve. Fillimisht ajo është ndalur në zbatimin e punimeve për rikonstruksionin e fasadave të godinave në pjesën e poshtme të qytetit. Ky projekt është një bashkëpunim i qeverisë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i financuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, në vlerën e rreth 200 milion lekëve. Ai synon rehabilitimin e fasadave të 140 godinave të ndërtuara përpara viteve 90-të. "Falë zbatimit të këtij projekti godinat masive në Gjirokastër, do të ofrojnë një imazh të veçantë të qytetit për turistët", u shpreh ministrja Kumbaro. |
Lejuan kamionin me 8 ton drogë, ndalohen policët në Qafë Thanë Posted: 25 Mar 2017 06:15 AM PDT Gjykata ka lënë në burg katër punonjës të policisë të Doganës së Qafë Thanës, të akuzuar nga prokuroria e krimeve të rënda se kanë lejuar të hyjë në Shqipëri nga Maqedonia një kamion i cili pasi ka kaluar në Portin e Durrësit, është ndaluar në Itali me 8 ton drogë. Sipas prokurorisë në Portin e Durrësit kamioni ka kaluar pa ju nënshtruar regjimit të kontrollit në skaner. Kamioni i cili kishte si destinacion final Belgjikën ka udhëtuar në linjën Durrës- Ankona. Në Ankona, drejtuesi i kamionit, shtetasi maqedonas Z.S. është munduar që ta shkëpusë karrocerinë e kamionit për ta lënë tek një parking. Por policia italiane ka ndërhyrë, e ka arrestuar dhe sekuestruar kamionin së bashku me sasinë e lëndës narkotike prej tetë ton. |
2017 të rinj futin Shqipërinë në Guinnes Posted: 25 Mar 2017 05:02 AM PDT 2017 të rinj nga Shkodra, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora dhe Gjirokastra, kanë arritur të hyjnë në Librin e Rekordeve Guinnes përmes një performance realizuar mesditën e kësaj të shtune në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të rinjte e ulur në shesh teksa kanë formuar fjalën ALBANIA, kanë kënduar njëzëri këngën "Cup Song Albania" nën ritmet e mbajtura përmes përplasjes së duarve dhe gotave. Soliste ka qene 16-vjecarja Vivian Kokeri. |
Atletika shqiptare nderon figurat e saj ndër vite Posted: 25 Mar 2017 04:40 AM PDT Atletika shqiptare ka nderuar të premten në kryeqytet më të mirët e vitit 2017 dhe disa prej figurave të saj ndër vite. Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, njëra nënkampione e Evropës në 3000 metra me pengesa në korrikun e vitit të kaluar në Amsterdam dhe tjetri Kampion Ballkani dhe Evrope në salla të mbyllura këtë vit në Beograd, janë më të mirët e atletikës shqiptare për vitin 2017. Madje për Smajlajn, pas ardhjes së përgjigjes negative të analizës antidoping, tashmë ka mbërritur dhe shpërblimi prej 4 milionë lekësh, që i takon sipas Ligjit të Sportit për vendin e parë në Evropë. Ndërkohë, me për kontributin e tyre ndër vite për mbretëreshën e sporteve shqiptare, me titullin "Nderi i atletikës shqiptare" janë nderuar Elisabeta Morina, Dashamir Sherja, Fran Curani e Zhuje Bajko. Emocionues ka qenë edhe nderimi që i është bërë, pas vdekjes, një tjetër figure të atletikës shqiptare ndër vite. "Nderi i atletikës shqiptare" u është dorëzuar familjarëve të Sugar Ahmetit, ish-kampionit të hedhjes së shtizës. Për presidentin e atletikës shqiptare, Gjergj Ruli, mirënjohja dhe vlerësimi nuk do të mungojë për këdo që kontribuon për këtë sport me rezultatet e tij. |
Bombat tymuese në “Renzo Barbera”, ndalohet një shqiptar dhe identifikohen të tjerë Posted: 25 Mar 2017 04:31 AM PDT Skenat e shëmtuara që çuan edhe në ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes midis Italisë dhe Shqipërisë mbëmjen e së premtes në "Renzo Barbera" të Palermos, kanë patur padyshim autorë. "DIGOS", polica e specializuar në Itali që zakonisht merret me ngjarjet e dhunshme në stadiume, ka filluar menjëherë punën për të ndalur elementët e dhunshëm. Sikundër mësohet, ndërsa kontrolloheshin nga larg tifozët, zyra operative kontrollonte kamerat e sigurisë duke identifikuar të gjithë personat e dhunshëm apo ato që ndezën e hodhën fishekzjarrë e flakadanë në stadium. Sipas mediave italiane, është arrestuar menjëherë gjatë ndeshjes një tifoz shqiptar, i cili po hidhte fishekzjarrët, ndërsa më pas janë identifikuar edhe 77 mbështetës të tjerë të Shqipërisë të cilët janë në kërkim pasi ndiqen penalisht. |
Të dielën ora shkon 60 minuta para Posted: 25 Mar 2017 04:11 AM PDT E diela e fundit e muajit mars shënon ndërrimin e akrepave të orës dhe zhvendosjen e tyre një orë përpara. Ky ndryshim i orës do të ndodhë në orën 02:00 të mëngjesit të datës 26 mars, kur akrepat do të zhvendosen dhe ora do të shënojë 03:00. I quajtur numërimi i orës verore, ky ndryshim do t'u japë mundësi të gjithë njerëzve të shijojnë më shumë ditën dhe rrezet e diellit. Në vende të tjera, ky ndryshim do të ndodhë sipas orëve përkatëse lokale. Për vendet e Bashkimit Europian, ora e gjithë zonës do të ndryshojë në të njëjtin çast. Ndryshimi i orës më parë në Europë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por ajo filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj europian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma evropiane përcakton në mënyre të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ato shkojnë 1 ore pas.Ndryshimet bëhen të dielën e fundit të muajit marsit dhe të dielën e fundit të tetor. Këtë vit ora dimërore kthehet në 28 tetor. |
You are subscribed to email updates from RTSH-Radio Televizioni Shqiptar. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |
Lexo edhe: