Tirana Observer: “Ka një inspektoriat për ashensorët, por nuk punon” plus 9 more |
- Ka një inspektoriat për ashensorët, por nuk punon
- Janullatos: Për të ngritur kishën nga gërmadhat u bëra “lypës ndërkombëtar”. Fjalët e para që mësova shqip
- Ja çfarë ndodh me fëmijët nëse i lini të qajnë me dënesë
- “Ndëshkoni politikanët e korruptuar nëse doni të hyni në BE”
- ‘SME Albania’, platformë e re për mbështetjen dhe rritjen e bizneseve
- Juve “blindon” Dybala-n
- Zbuloni varësinë tuaj bazuar te shenja e horoskopit
- Një flakëvënës në Shtëpinë e Bardhë?
- Tre fëmijë jashtë martese kërkojnë babain: Ka para e prona, por s’na ka dhënë as dashuri
- Ekuban: Do doja të isha në Serinë A, deri në qershor qëndroj te Partizani
Ka një inspektoriat për ashensorët, por nuk punon Posted: 24 Jan 2017 09:14 AM PST Ndonëse ka një vendim të Këshillit të Ministrave që prej dhjetorit të vitit 2015 për ngritjen e një inspektorati pranë Ministrisë së Ekonomisë që kontrollon ashensorët dhe kushtet e sigurisë, ky inspektoriat ka vetëm pak javë që është krijuar, por ende nuk ka filluar punë. Në fletoren zyrtare të 29 dhjetorit të vitit 2015 u publikua vendimi i qeverisë Rama për miratimin e rregullave teknikë të ashensorëve. Në të parashikohen të gjitha kushtet që nga prodhimi e deri në montimin e ashensorëve duke përfshirë mirëmbajtjen por dhe kontrollet periodike që duhet të bëjë inspektorati. Ndër to është dhe klauzola mbi sigurinë. Sipas saj, nëse struktura përgjegjëse për kontrollin e ashensorëve vëren mosplotësim të kushteve teknike atëherë ashensorët nuk duhet të vihen në përdorim. Një tjetër pikë e VKM së qeverisë është dhe ajo e sistemit të komandim kontrollit të kabinës së ashensorit. Edhe pse dyshimet së zjarri që i mori jetën nënës 30-vjeçare u shkaktua si pasojë e një kontakti elektrik me depozitën e vajit, në letër parashikohet se pajisjet elektrike duhet të jenë të ndara nga lëvizja e ashensorit. Në raste zjarri, kabina duhet të sigurojë kushtet termike, ndërsa kur kalon temperaturën maksimale ashensori duhet të vijojë lëvizjen dhe të hapë dyert automatikisht. Në fund është inspektoriati ai që duhet të kryejë kontrolle periodike të palajmëruara duke hequr kështu dhe mundësinë që fajin e kanë administratorët që nuk i mirëmbajnë apo banorët që nuk japin para për mirëmbajtjen e tyre./Vizion plus |
Posted: 24 Jan 2017 08:56 AM PST Ishte fillimi i vitit 1991, kur Kryepeshkopi Anastas i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, u caktua Eksark Patriarkal në Shqipëri. Në një intervistë eskluzive me Albanian Daily News, Anastas zbulon detaje të përpjekjes së tij për të ringjallur Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, plotësisht të shkatërruar prej vitit 1967 nga regjimi komunist, në këtë vend të Ballkanit. "Më së shumti ne mblidheshin në gërmadhat e kishave, nën pemë ose përjashta në mbarë vendin dhe konstatova dëshpërim dhe shpresë" – thotë kryepeshkopi Anastas, në lidhje me përpjekjen sfiduese për zhvillimin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, për të cilën, siç ai pohon, u bë një lypës ndërkombëtar. Fortlumturia Juaj, si u zgjodhët Primat i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, dhe cili ishte reagimi juaj kur feja rilindi në Shqipëri, pas rënies së regjimit komunist? Reagimi i parë ishte befasimi. Ishte fillimi i vitit 1991, kur mora një telefonatë nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës, që kishte përgjegjësinë për t'u kujdesur dhe mbështetur Kishat Orthodhokse në vështirësi, e cila më kërkoi të isha Ekzark Patriarkal në Shqipëri. Në atë kohë, isha profesor i Historisë së Fesë në Universitetin Kombëtar të Athinës, Kryepiskop në detyrë në Afrikën Lindore për organizimin e Hierapostullimit Orthodhoks dhe moderator (kryetar) i Komisionit dhe Konferencës për Misionin Botëror dhe Ungjillëzmin" të Këshillit Botëror të Kishave (studimet e mia pasuniversitare në Gjermani dhe shkrimet që vijuan u fokusuan mbi Fetë e botës dhe dëshminë e krishterë). Mbërrita në Tiranë në korrik të vitit 1991. Pas kontakteve të para me udhëheqjen politike, vizitova qytetet kryesore dhe një numër të madh fshatrash ku tradicionalisht jetonin komunitetet orthodhokse. Në shumicën e rasteve, mblidheshim në gërmadhat e kishave, në vende të hapura poshtë pemëve dhe kudo, në mbarë vendin, vura re dëshpërim dhe shpresë. Mesazhi im i parë ishte: "Guxojmë të shpresojmë. Perëndia i dashurisë nuk ka për të na braktisur!". Fjalët e para që mësova në shqip- atëherë isha 62 vjeç -ishin përshëndetja paskale: "Krishti u Ngjall". Pozita e kryepiskopit, veçanërisht në rastin e Shqipërisë, ku Kisha ishte krejtësisht e shkatërruar, nuk ishte një fron rehatie, pushteti dhe lavdie, por një fron shërbimi me frymën e Kryqit. Jisu Krishti e përshkroi mjaft qartë këtë detyrë: "Ai që do të jetë i pari, duhet të jetë i fundit, dhe shërbëtori i të gjithëve". Cilët ishin hapat e parë për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në atë kohë dhe ku e gjetët forcën për të kryer misionin tuaj? Cilët ishin mbështetësit tuaj moralë dhe financiarë? Ne nisëm të meshonim, të predikonim dhe të qarkullonim Shkrimin e Shenjtë dhe Literaturën e krishterë në gjuhën shqipe. Organizuam një komitet, ku merrte pjesë një prift i moshuar dhe një laik nga çdo rreth për të përfaqësuar Kishën Orthodhokse në marrëdhëniet publike. Krijuam një seminar për përgatitjen e klerit vendas. Meqenëse nuk kishim godinat e nevojshme dhe mjetet për këtë gjë, morëm me qira një hotel në Durrës dhe e hapëm me shumë vështirësi Seminarin tonë atje. Pranuam studentë, me kusht, që të kishin përfunduar të paktën arsimin e mesëm. Me hirin e Perëndisë, gjatë shërbimit tim këtu, kemi shkolluar, dorëzuar priftërinj dhe kemi mbështetur në veprën e tyre më tepër se 160 nënshtetas shqiptarë. Kur fillova punën këtu, nuk kisha asnjë premtim si për mbështetje financiare, ashtu dhe për njerëz që do të më ndihmonin. E pranova këtë sfidë me besim spontan te Perëndia dhe duke iu bindur në mënyrë të pakushtëzuar Kishës. E vetmja gjë e sigurt nga ana financiare për mua ishte pensioni nga Universiteti i Athinës. Për realizimin e projekteve të nevojshme, duhej të shkoja në drejtime të ndryshme: të shpjegoja, të bindja dhe të lypja. Trokita tek të gjithë miqtë e mi në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Australi, duke kërkuar mbështetje nga fondacione dhe individë të ndryshëm. Lavdi Perëndisë, ndihma më erdhi nga drejtime që nuk i kisha shpresuar. Për hir të zhvillimit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, unë u bëra një "lypës ndërkombëtar", por gjatë kësaj rruge, e dija fare mirë se gjithmonë lypja për diçka shumë esenciale dhe aspak për veten time. Sa i takon pyetjes, "Ku e gjetët forcën për të kryer misionin tuaj?", më duhet t'ju kujtoj se e gjithë jeta ime është bazuar në sigurinë se Realiteti Suprem në univers është Perëndia i Dashurisë. Gjithmonë sjell në mendje vargun e mrekullueshëm të shën Joan Ungjillorit: "Perëndia është dashuri dhe kush qëndron në dashuri, rri në Perëndinë dhe Perëndia në atë". Dhe jam i bindur se ky përkufizim rreth Realitetit Suprem është më i rëndësishmi, gjithmonë aktual dhe burim frymëzimi. Sigurisht, unë e di se ka shumë njerëz që nuk besojnë në Perëndi, ca më pak në Perëndinë e Dashurisë dhe ndoshta këta njerëz janë dyshues për keq, kur na dëgjojnë të flasim rreth bindjeve tona. Respektoj lirinë e tyre për të pasur secili idetë e tij, por unë nuk resht së frymëzuari prej besimit tim të krishterë, prej sigurisë së pranisë së Krishtit në çdo hap të përpjekjeve tona. Besoj me gjithë zemër se gjëja më e rëndësishme që ne mund të ofrojmë dhe të provojmë në këtë jetë është dashuria. Se përpjekja më esenciale e Kishës është të jetë një punishte e dashurisë që rrezaton dashurinë e Perëndisë. Gjatë gjithë këtyre viteve, jemi përballur shumë herë me dyshime (veçanërisht për shkak të origjinës sime greke), me sprova, keqkuptime, akuza dhe shpifje. Në të gjitha situatat e vështira dhe sfiduese streha dhe ngushëllimi ynë ka qenë dhe është siguria se "Nëse Perëndia është me ne, kush është kundër nesh?" dhe në mënyrë të veçantë eksperienca e apostull Pavlit, sipas të cilit: "Mund t'i bëj të gjitha me anë të Krishtit që më fal fuqi". Unë e kuptoj se kjo gjuhë për njerëz që kanë bindje të ndryshme fetare është e huaj. I përmend këto për të dëshmuar se ka një fushë të besimit dhe të përvojës, e cila na fal fuqinë shpirtërore për të kapërcyer pengesa dhe sprova. Besimi dhe lutja mbeten fuqia e fshehtë e çdo njeriu që përpiqet të ketë një marrëdhënie me Perëndinë dhe të shërbejë. Në këto përpjekje, nuk isha i vetëm; gjatë 25 viteve kam pasur bashkëpunëtorë të mrekullueshëm, pjesa më e madhe e tyre vendas, por edhe nga 4-5 klerikë të huaj dhe 5-8 laikë të ardhur nga vende të tjera, njerëz me frymë dashurie dhe sakrifice. Është një fakt i rëndësishëm historik se në vitin 1912, me krijimin e shtetit shqiptar, nisi një fazë e re për Kishën Orthodhokse. Ardhja e pavarësisë politike solli kërkesa të përsëritura për pavarësinë e të gjitha komuniteteve fetare nga qendrat e tyre në vendet e tjera. Si e konsideroni atë periudhë? Ky ishte një synim i natyrshëm (meqenëse shtetet e tjera ballkanike e kishin marrë Autoqefalinë prej Patriarkanës Ekumenike). Gjithashtu ishte e domosdoshme që autoqefalia të realizohej nëpërmjet Traditës dhe procedurës së duhur kishtare. Gjithashtu duhej të ruhej identiteti global kishtar si një gjymtyrë e Orthodhoksisë dhe shprehja vendore brenda Shtetit shqiptar. Zgjidhja u realizua më në fund pas një marrëveshjeje të ndërsjellë midis Patriarkanës Ekumenike dhe autoriteteve shqiptare me ofrimin kanonik të Autoqefalisë në prill të vitit 1937. Ashtu siç shkruhet qartazi në nenin e parë të Statutit të saj: "Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që ka si themelues dhe Krye të saj Zotin dhe Perëndinë tonë Jisu Krisht është institucion hyjnor si prania dhe shfaqja në vend e Një Kishe të Shenjtë Katholike dhe Apostolike, e bashkuar në mënyrë të pandashme me Patriarkanën Ekumenike, me të gjitha Kishat simotra Autoqefale dhe ruan të paluajtshme burimet e besimit, d.m.th. Shkrimin e Shenjtë dhe Traditën e Shenjtë, si dhe Kanonet e Shenjta apostolike e sinodike". Në Traditën Orthodhokse, ne kemi një sistem sinodial: asnjë Kishë "Autoqefale" nuk është e pavarur në kuptimin e një institucioni shekullar. Ekzistojnë shumë marrëdhënie të brendshme të vazhdueshme dhe ndërvarësi. Siç u theksua edhe në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Orthodhoksisë në Kretë, në 2016, "Kishat Orthodhokse Autoqefale nuk përbëjnë një federatë Kishash, por Një Kishë, të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike. Çdo Kishë lokale ndërsa ofron Eukaristinë e Shenjtë, është prania lokale dhe shfaqja e Një Kishe, të Shenjtë, Katholike, dhe Apostolike. "Uniteti i Kishës Orthodhokse bazohet në radhë të parë në Eukaristinë dhe në vijimësinë e pandërprerë apostolike të episkopëve të saj". Në këtë kornizë theologjike ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pas shkatërrimit të saj të plotë të kryer nga sistemi ateist, ishte e domosdoshme të bëhej sipas traditës orthodhokse. Patriarkana Ekumenike, që i dha Autoqefalinë Kishës së Shqipërisë, mori iniciativën e ringritjes së Kishës së shkatërruar. Çdo gjë është bërë sipas rregullit të saktë kishtar; ky fakt njihet jo vetëm në qarqet orthodhokse, por përgjithësisht në botën e krishterë. Në nëntor të vitit 1967, Shqipëria u shpall shtet ateist- i vetmi i këtij lloji në botë dhe në histori. Në këtë shtet, të gjitha format e shprehjes fetare ishin të ndaluara me kushtetutë. Qindra kisha u shkatërruan dhe shumë prej tyre iu ndryshua destinacioni. Si e patë atë kohë të vështirë që kaloi populli shqiptar? Cilat janë disa nga përpjekjet dhe arritjet në punën tuaj për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë? Para se të vija këtu, ndiqja me dhimbje dhe shqetësim të madh persekutimin e tmerrshëm ateist në Shqipëri. Shkatërrimi jo vetëm i ndërtesave fetare, por edhe i besimit në shpirtrat e njerëzve ishte padrejtësia më e tmerrshme. Çrrënjosja e besimit fetar nga ndërgjegjja e popullit ishte me të vërtetë një krim kundër njerëzimit. Por brenda meje ruaja sigurinë se Perëndia do të bënte mrekullinë e lirisë fetare, që do t'i dhurohej përsëri Shqipërisë. Sa i takon përpjekjes sime, dua të shtoj në lidhje me ato që përmenda më lart rreth përgatitjes së qytetarëve të Shqipërisë për shërbimin ndaj Kishës, se në vitet pasardhëse ne ngritëm Akademinë Teologjike "Ngjallja e Krishtit" në Durrës dhe dy shkolla të mesme kishtare me emrin "Kryqi i Nderuar", si edhe një shkollë të muzikës bizantine, të gjitha me konvikt. Një prioritet kryesor, sipas standardeve të Orthodhoksisë, ishte krijimi dhe zhvillimi i Sinodit të Shenjtë. Sot Sinodi përbëhet nga kryepiskopi, gjashtë mitropolitë dhe një episkop. Dy hapa të tjerë të rëndësishëm ishin hartimi i Statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Marrëveshja me Qeverinë e Shqipërisë, që u bë ligji nr. 10057 dt. 22. 2. 2009, të cilat përbëjnë dokumentet legale bazë të Kishës sonë. Gjatë kësaj periudhe, ne arritëm të ndërtojmë më shumë se 150 kisha të reja, të mëdha e të vogla, restauruam mbi 60 kisha e manastire-monumente kulture dhe mbi 160 kisha ekzistuese. Gjithashtu janë ngritur, blerë dhe rikonstruktuar më shumë se 70 godina për kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, seli metropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfrit etj. E gjithë vepra ndërtuese arrin në mbi 450 objekte. Janë botuar me dhjetëra libra teologjikë dhe shpirtërorë së bashku me periodikë të ndryshëm; Kisha Orthodhokse ka shtypshkronjën e saj. Janë formuar lidhjet rinore, lidhjet e grave dhe të intelektualëve; si edhe një stacion radiofonik, për të zhvilluar më tej jetën dhe dëshminë e krishterë. Gjatë këtyre viteve një çështje primare ishte sigurimi i vazhdimësisë financiare për të gjitha përpjekjet në të ardhmen. Kjo ëndërr ishte më e vështirë për t'u realizuar. Me fuqinë e Perëndisë, në vitin 2016 arritëm të ndërtojmë një hidrocentral afër Librazhdit. Ky projekt pati katër parametra kryesorë: plotëson të gjitha standardet mjedisore, përdor vetëm burime energjie të rinovueshme, ndihmon në zhvillimin e infrastrukturës së Shqipërisë, duke kontribuuar në shtimin e energjisë që disponon vendi dhe ka një perspektivë të qartë sociale: të ardhurat e përftuara nga kjo vepër do të mundësojnë vazhdimin e veprës sonë shpirtërore, filantropike, edukuese dhe sociale. Përveç fesë, a u përfshitë në projekte të tjera për të mbështetur njerëzit e zakonshëm, gjendja e të cilëve ishte e vështirë në atë kohë? Gjatë periudhave të vështira që kaloi vendi (1992, 1994, 1997, etj.), ne u përpoqëm të lehtësonim gjendjen e popullit që vuante. Ofruam një ndihmë të gjerë humanitare, duke siguruar e shpërndarë mijëra tonë ushqime, rroba e medikamente. Një rëndësi të veçantë i kemi kushtuar edukimit të përgjithshëm, që evidentohet me ngritjen e rreth 30 shkollave në të gjitha nivelet" kopshte, shkolla fillore e të mesme, Institute të Formimit Teknik dhe një Kolegj universitar (Kolegji universitar "Logos"). Gjatë këtyre viteve kemi ofruar mbi 30.000 bursa dhe kemi ndihmuar mbi 11.000 fëmijë e studentë në shkollimin e tyre. Në fushën e shëndetësisë, Qendra jonë Mjekësore Diagnostike "Ungjillëzimi" në Tiranë, ofron shërbime të kujdesit shëndetësor me kontributin e mjekëve të njohur dhe të pajisjeve mjekësore moderne. Gjatë 17 viteve të funksionimit të saj janë kryer më tepër se 2 milionë vizita dhe miliona analiza. Në disa qytete dhe në fshatra janë organizuar programe të tjera mjekësore në shërbim të banorëve. Gjithashtu kemi zhvilluar dhe mbështetur një numër të madh programesh sociale, ku përfshihen edhe projekte zhvillimi në zona malore. Një përpjekje shumë e rëndësishme u bë në vitin 1999, kur mijëra refugjatë nga Kosova mbërritën në Shqipëri. Kisha jonë, në bashkëpunim me Kishat e tjera Evropiane, ndihmoi dhe strehoi mbi 33.000 refugjatë. Këto janë një pjesë e vogël e përpjekjeve konkrete që kemi realizuar, por në këtë intervistë nuk është e mundur të hyjmë në më shumë detaje (informacion shtesë mund të gjendet në faqen tonë të internetit www.orthodoxalbania.org, si dhe në botime të tjera të rëndësishme të Kishës). Mbi 800 persona janë punësuar nëpër departamente të ndryshme, fondacione dhe institucione të krijuara nga Kisha, dhe kanë punuar gjatë gjithë këtyre viteve; duke i shtuar kësaj shifre edhe numrin e madh të punonjësve të kompanive të ndërtimit të cilat kanë punuar në shumë projekte të ndryshme të Kishës gjatë 25 viteve. Këto shifra flasin sado pak rreth kontributit social dhe financiar të Kishës për zhvillimin e vendit. Përmbledhtazi, Kisha jonë ka kontribuuar në mënyrë substanciale për rindërtimin dhe zhvillimin social e shpirtëror të Shqipërisë. Cilat janë lidhjet dhe bashkëpunimi i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë në nivelin ndërkombëtar? Ne marrim pjesë me të drejta të plota në të gjitha aktivitetet e Kishave Orthodhokse. Vitet e fundit, Kontributi i Kishës sonë ka qenë shumë i rëndësishëm në "Sinakset"- Mbledhjet e Primatëve të Kishave Orthodhokse dhe veçanërisht në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Orthodhoksisë në Kretë, qershor 2016. Kisha jonë është gjithashtu anëtare e Konferencës së Kishave Evropiane (Gjenevë), e Këshillit Botëror të Kishave (Gjenevë), si edhe e Konferencës Botërore Ndërfetare Fetë për Paqen (Nju-Jork). Është fakt i njohur se në të gjitha këto organizata ndërkombëtare, ne patëm një pjesëmarrje aktive (në Konferencën e Kishave Evropiane kam qenë zëvendës-president, në Këshillin Botëror të Kishave president dhe në Fetë për Paqe president nderi i kësaj organizate ndërfetare). Shqipëria është vlerësuar për harmoninë fetare në vend. Si e konsideroni këtë fakt dhe cili është roli juaj në këtë përpjekje? Edhe para se të vija në Shqipëri, isha anëtar i "Grupit Theologjik të Punës për Dialog me Njerëz të Feve dhe Ideologjive të Tjera", të Këshillit Botëror të Kishave. Këtu në Shqipëri, ne jemi në një "dialog jete" të vazhdueshëm, me respekt të thellë për çdo person njerëzor pavarësisht bindjeve të tij fetare apo se çfarë idesh filozofike ose bindje ka. Që në vitin e parë, ne punuam për marrëdhënie të përzemërta midis kryetarëve të Komuniteteve të ndryshme fetare. Morëm iniciativën për krijimin e Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale. Gjithashtu kemi krijuar Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë dhe jemi bërë anëtarë të Konferencës Botërore të Feve për Paqen. Në përgjithësi, jemi përpjekur për promovimin jo vetëm të tolerancës, por edhe të bashkëpunimit vëllazëror dhe të bashkëjetesës harmonike. Ky fakt është njohur publikisht prej autoriteteve shtetërore. Harmonia fetare në Shqipëri, është një fryt konkret i përpjekjeve të ndërgjegjshme dhe të zellshme nga të gjitha komunitetet fetare gjatë gjithë këtyre viteve dhe duhet të vazhdojë të jetë një aset i vyer shpirtëror i shoqërisë shqiptare. |
Ja çfarë ndodh me fëmijët nëse i lini të qajnë me dënesë Posted: 24 Jan 2017 08:01 AM PST Shumë prindër mund të mos kenë dëgjuar më parë për teknikën e "pritjes progresive" të krijuar nga neuropediatri anglez Richard Ferber. Por me shumë gjasë e keni përdorur atë gjatë rritjes së fëmijëve. Bëhet fjalës për një metodë shumë të thjeshtë për t'i vënë ata në gjumë: t'i lini të qajnë derisa të lodhen. Tingëllon paksa e pamëshirshme në pamje të parë, por shumë prindër zgjedhin ta praktikojnë me fëmijë të moshës 0-3 vjeç. Ata i lënë të qajnë nën pretekstin se fëmijët lodhen dhe më pas do të mund të flenë të qetë. Ajo që nuk dini është sesi ndikon e qara në jetën e një fëmije. Pasojat fizike dhe psikologjike prekin ecurinë e shëndetit të tyre edhe gjatë një periudhe më të vonë. Së pari duhet të dini që e qara e fëmijëve është mënyra e tij e vetme e komunikimit përballë një situatë të bezdisshme siç mund të jetë uria, etja, i ftohti, nervozizmi, frika etj apo qoftë papastërtia e pampersit. Kjo thirrje është forma e tij e vetme për të pasur praninë dhe sigurinë e prindërve. Kur ky apel nuk dëgjohet qëllimisht nga prindërit, tek fëmija vihet re një rënie e menjëhershme e serotoninës, hormonit të lumturisë. Qarjet e vazhdueshme ndikojnë në mënyrë progresive në sistemin e tij nervor qendror duke penguar zhvillimin e tyre cerebral dhe aftësinë e të mësuarit. Ngashërimet e shumta shkaktojnë tek ai stresin fëmijëror dhe idenë e braktisjes. Një risi vjen nga një studim i fundit, i kryer në universitetin e Amsterdamit, qarjet e vazhdueshme krijojnë tek ai ndjesinë e pamundësisë, një ndjenjë e cila e përndjek edhe gjatë adoleshencës. Në planin fizik, duhet thënë që të qarët dëmtojnë kordat vokale të fëmijës dhe nxisin hyrjen e radikaleve të lira, mikrobeve dhe baktereve nëpërmjet ajrit. Si pasojë sistemi i tij imunitar dobësohet dhe humb aftësinë mbrojtëse. |
“Ndëshkoni politikanët e korruptuar nëse doni të hyni në BE” Posted: 24 Jan 2017 06:49 AM PST Shqipëria dhe vendet e tjera kandidate për anëtarësimin në BE duhet të dëshmojnë me veprime konkrete zbatimin e reformës në drejtësi dhe ndëshkimin e politikanëve apo njerëzve me pushtet të përfshirë në afera korruptive. Përpara parlamentarëve në Strasburg, komisioneri për Negociatat e Zgjerimit, Johanes Hahn, duke iu referuar edhe Shqipërisë tha se, miratimi thjesht me votë i ligjeve nuk mjafton. Duke u ndalur tek vendet që aspirojnë Brukselin, Hahn tha se ndaj politikanëve duhet një hetim pasuror i plotë dhe transparent nga njerëzit e rinj që do të punësohen në sistemin e ri të drejtësisë, raporton Top Channel. Në Shqipëri ky proces do realizohet nga vettingu. "Komisioni Evropian nuk do ta ngadalësojë procesin e negociatave të zgjerimit, por na duhet të verifikojmë arritjet në zbatimin e angazhimeve në funksionimin e institucioneve demokratike, për t'i paraprirë kapitujve 23 e 24 që hapen në fillim të bisedimeve dhe që përfshijnë reformën në gjyqësor, lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut. Vetëm në pranverën e vitit 2019 do të publikohen progres-raportet e radhës, ndaj kjo periudhë mbetet kohë prove për vendet kandidate për anëtarësimin në BE", deklaroi Hahn. Komisioneri përmendi rastin e Shqipërisë, ku mbetet e domosdoshme ndërhyrja e Komisionit të Venecias që reforma në drejtësi të mos hasë më pengesa ligjore nga anikimi i palëve. Një pjesë të rëndësishme në fjalimin e komisionerit Hahn para parlamentarëve zuri çështja e politikës së re unike që vendet e BE do të zbatojnë së shpejti për refuzimin në bllok të kërkesave për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që tashmë janë pjesë e listës së vendeve të sigurta. Në këtë mënyrë, me këto vende ku përfshihet edhe Shqipëria do të nënshkruhen marrëveshjet për kthimin e të gjithë azilkërkuesve në vendlindje. |
‘SME Albania’, platformë e re për mbështetjen dhe rritjen e bizneseve Posted: 24 Jan 2017 06:23 AM PST Tashmë sipërmarrësit shqiptarë do të mund të njihen dhe të aplikojnë praktika e koncepte të reja për drejtimin e bizneseve të tyre, duke adresuar dhe gjetur zgjidhje për problematikat që lindin në aktivitetin e përditshëm. E gjitha kjo do të mundësohet nga Instituti 'SME Albania', i cili prezantoi së fundmi para mediave platformën e tij në këtë drejtim. Në aktivitetin e organizuar në Tiranë ishin të ftuar përfaqësues të qeverisë, pushtetit vendor si dhe personalitete nga biznesi dhe fusha të tjera. Konkretisht në këtë aktivitet përshëndetën me fjalën e tyre Asetila Koestinger, eksperte e SME Albania; Ervin Bushati, deputet i Kuvendit të Shqipërisë; Brunilda Paskali, nënkryetare e Bashkisë Tiranë; Ardit Çollaku, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit; Evisi Kopliku, Përfaqësuese e Zyrës së 'Diplomatic Council' në Shqipëri, etj. SME Albania ofron një platformë edukimi dhe trajnimi, që furnizon me njohuri e informacion, që mbështet sipërmarrësit në arritjen e sukseseve në aktivitetet e tyre. Ai do të zhvillojë mekanizma mbështetjeje dhe programe të reja të zhvillimit të biznesit që ndihmojnë sipërmarrësit aktualë dhe të ardhshëm në rritjen e biznesit të tyre dhe zhvillimin e kapaciteteve. Sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm kanë nevojë të rrisin njohuritë e tyre vazhdimisht lidhur me mundësitë në Shqipëri dhe në tregjet ndërkombëtare, zhvillimet në sektorët përkatës, menaxhimin financiar dhe formulimin e strategjive që rrisin shitjet dhe fitimet. Një rëndësi e veçantë do t'u kushtohet sipërmarrjeve Start-up dhe gruas sipërmarrëse. Aktivitetet kryesore të Institutit konsistojnë në: Programe Trajnimi, Seminare, Ëorkshop-e, Sesione interaktive me tematika të ndryshme, Vizita në terren (fabrika prodhimi etj.), Mbështetje në draftimin e projekt-propozimeve (projekte të BE-së dhe donatorëve të tjerë), Mbështetje për aplikime në programe të BE-së, Vizita studimore dhe programe shkëmbimi për njohjen me praktikat më të mira, Programe dhe fushata ndërgjegjësimi, Programe kërkimore, Programe konsulence, Publikim i buletineve dhe informacioneve periodike, etj. Ndërsa objektivat janë: Ofrimi i edukimit dhe konsulencës për aktivitetet e biznesit, Edukimi i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve. Inkurajimi i individëve në krijimin e bizneseve start-up, Inkurajimi dhe mbështetja e gruas sipërmarrëse, Integrimi i bizneseve dhe sipërmarrësve të ardhshëm, me një fokus të veçantë në nxitjen e sipërmarrjes së gruas dhe të rinjve, inkurajimi i pjesëmarrjes në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare dhe mbështetja për aplikime në këto projekte, Inkurajimi i sipërmarrësve të jenë sa më inovativë në tregun vendas dhe të huaj, identifikimi i nevojave të trajnimit për bizneset, përfshi bizneset start-up, Nxitja e performancës në biznes dhe konfidencës së sipërmarrësve të rinj, dhënia e konsulencës dhe mbështetjes ndaj SME-ve në linjë me parimet e Aktit të Biznesit të Vogël (SBA), SEE 2020 dhe dokumente të tjerë strategjikë kombëtarë e evropianë, nxitja e bashkëpunimit mes biznesit, universiteteve dhe institucioneve shtetërore.
|
Posted: 24 Jan 2017 06:21 AM PST Juventus mban Dybala-n në radhët e saj edhe për disa sezone. Sipas të përditshmes italiane "La Gazzetta Dello Sport", klubi baredhezi ka arritur marrëveshjen me futbollistin argjentinas për rinovimin e kontratës deri në vitin 2021 për të mbyllur përfundimisht zërat që e shihnin atë në kampionatin spanjoll. Gjithnjë sipas "Gazzetta Dello Sport", në kontratën e re të Dybala-s është parashikuar një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon, por nuk është shtuar asnjë klauzolë për zgjidhjen e saj. Kjo do të thotë se për çdo klub që do të pretendojë blerjen e Dybala-s në të ardhmen do ta ketë të vështirë për të arritur këtë objektiv, pasi do të duhet të zhvillojë bisedimet me drejtuesit e "Zonjës së Vjetër". Për Dybala-n së fundmi kishte shfaqur interes edhe Reali i Madridit, por futbollisti nuk e mori aspak në konsideratë një lëvizje të tillë duke theksuar se dëshira e tij është që të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës kampione të Italisë. |
Zbuloni varësinë tuaj bazuar te shenja e horoskopit Posted: 24 Jan 2017 06:17 AM PST Dashi Personat që i përkasin kësaj shenje janë të varur ndaj aventurave. Ata nuk mund ta jetojnë jetën pa u futur në ndonjë rrezik, vetëm për të përjetuar ndonjë aventurë. Demi Ata që i përkasin shenjës së demit nuk mund të jetojnë dot pa ushqim të shijshëm. Demat dashurojnë çdo gjë që ka të bëjë me ushqimin e mirë. Binjakët Binjakët duan shumë të komunikojnë me njerëzit. Ata janë të varur ndaj mediave sociale. Nuk qëndrojnë dot pa bërë status në rrjetet sociale. Gaforrja Gaforret në vend që të përballen me problemet, marrin qetësues për të përballuar lëndimin shpirtërorë. Ata nuk mund të jetojnë, pa i përballuar gjërat në mënyrë dramatike. Luani Ata nuk e konceptojnë jetën, nëse nuk i harxhojnë paratë. Nëse janë në një festë, blejnë pije për miqtë dhe duan të jenë të rrethuar nga njerëz që i adhurojnë. Dëshira për vëmendje, i bën ata të harxhojnë shumicën e parave të tyre. Virgjëresha Një virgjëreshë nuk mund të qëndrojë pa bërë ushtrime fizike, për t'u dukur bukur. Dëshira për një pamje të jashtme perfekte, i bën ata të jenë të varur nga ushtrimet fizike. Peshorja Si ndonjë tekst kënge, thuhet se peshoret janë të varur nga dashuria.Ata nuk e shikojnë veten e tyre të plotësuar, nëse nuk kanë në krah një partner që e dashurojnë. Akrepi E njohur si shenja më pasionante e horoskopit, akrepat nuk bëjnë dot kompromise për të gjetur dikë vetëm për seks. Prandaj, e gjejnë zgjidhjen, duke parë porno në internet. Shigjetari Shigjetarët janë të varur nga udhëtimet, edhe nëse nuk i përballojnë dot nga ana ekonomike. Ata mundohen të jenë të lirë për të shkuar ku të duan. Bricjapët Bricjapët punojnë fort për të fituar sa më shumë para. Ata pëlqejnë gjërat e bukura dhe janë të varur nga blerjet. Ujori Ujorët janë të ftohtë kur bëhet fjalët për ndjenjat ndaj dikujt. Lojërat elektronike, i ndihmojnë ata të rrinë larg emocioneve dhe të vënë në punë imagjinatën. Peshqit Si shenjë e ujit, peshqit janë të varur ndaj alkoolit. Pija i ndihmon ata të largojnë problemet që kanë në jetë.
|
Një flakëvënës në Shtëpinë e Bardhë? Posted: 24 Jan 2017 06:08 AM PST Në Uashington Trump u kundërvihet demonstruesve dhe medieve, në Koblenc shokët e tij të idealit në Europë festojnë. Pa asnjë dyshim: Rendi i vjetër është vënë në shënjestër, mendon Volker Wagener. Bota e vjetër e shekullit të 20-të ka marrë fund pa kthim – Frank-Walter Steinmeier, ende ministër i Jashtëm dhe së shpejti kreu i shtetit gjerman nuk është një nga ata që i shpëton kollaj goja- e megjithatë ai i përmblodhi kështu zhvillimet aktuale. E pikërisht, Marine Le Pen, kryetarja e Front National i jep atij të drejtë. „Po përpjetojmë aktualisht fundin e një bote dhe lindjen e një të reje", tha ajo të shtunën (21.01) në Koblencin gjerman, ku u mblodhën 800 të ftuar, populistë të djathtë nga e gjithë Europa. Mund të qahesh për këtë, po nuk ia vlen. Brexit është realitet. Trump po ashtu. Në Europën perëndimore po ndodh një metamorfozë politike. Populizmi është në modë. Asgjë (ende) nuk duket se do të jetë si më parë. Së shpejti votohet në vende të tjera të rëndësishme: Franca, Spanja, Gjermania. Një flakëvënës në Shtëpinë e Bardhë? Ndërkohë që SHBA po i thonë përfundimisht lamtumirë epokës si fuqi e rendit botëror. Në Siri ato i kanë hapur vend Putinit. Aq më shumë do të përqendrohen ato tani në Izrael. Premtimi i fushatës për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem nuk është thjesht një vendim organizativ – ajo është një deklaratë politike. Një deklaratë e fortë madje. Një zhvendosje e tillë mund gati të barazohet me njohjen faktike të Jeruzalemit si kryeqytet i vetëm i Izraelit. Më pak i rrezikshëm do të ishte një flakadan nëpër një pikë karburanti. E për Europën nuk ka pse ta vrasë mendjen presidenti i ri, për këtë ai ka Petryt, Le Penët, dhe Wildersit – të afërmit e tij në qëndrime në format perëndimor. Qëllimi i të djathtëve europianë është kthimi tek shtetet egoiste, të përqëndruara në madhështinë e vet, pasqyrim i qëndrimeve të Trumpit "America first". Nuk të çudit fakti, që Theresa May është kryeministrja e parë nga kontinenti i vjetër që takohet me Trump. Lamtumira e britanikëve nga BE është për Trump dhe populistët europianë një ushqim i gatshëm për të shprehur hapur përçmimin ndaj aleancave ndërnacionale. Duket sikur zotëron tallja me çdo gjë që mësoi bota perëndimore pas Luftës së II Botërore. Politika e aleancave, parimi i solidaritetit, ndihma ekonomike. Sigurisht vota e Brexit ishte fitore e ngushtë, më shumë të mobilizuar ishin kundërshtarët e Brexit, të tjerët qëndruan në shtëpi, duke menduar, se do të mjaftojë edhe pa mua, ndoshta është menduar. Edhe Trump përfitoi nga sistemi amerikan i votimit, ndërkohë që në bazë të numrit absolut të votave ai përfaqëson më pak se gjysmën e amerikanëve. AfD në Gjermani dhe Front National janë ende në opozitë. Por ajo që e bën mjaft të rrezikshme zhvendosjen në skaj djathtas të politikës, ndryshimin e normave dhe atmosferën shoqërore në SHBA dhe Europë është urrejtja e hapur ose e nënkuptuar e populistëve ndaj shtetit, demokracisë dhe elitave shoqërore, multinacionalitetit dhe mediave. Kur e drejta bëhet padrejtësi, rezistenca kthehet në detyrim Fundjava që kaloi pasqyron nga Uashingtoni në Nju Jork, Boston, Sidnei, Londër, Paris – edhe Koblenc – një realitet tjetër: protestën, protestën masive kundër qëndrimit të thjeshtëzuar, shpjegimeve sempliste për botën dhe nxitësve të së keqes. E nëse demokracia duhet të jetë më shumë, se një koncept akademik në shkolla, atëherë ajo duhet të provojë veten tani, kudo: në parlamente, në media dhe në rrugë./DW |
Tre fëmijë jashtë martese kërkojnë babain: Ka para e prona, por s’na ka dhënë as dashuri Posted: 24 Jan 2017 05:48 AM PST Tre fëmijë nga Fushë-Kruja, të sjellë në jetë nga një lidhje jashtëmartesore, rrëfejnë peripecitë që kanë kaluar në jetën e tyre, dhe dashurinë e munguar të babait. Në emisionin "Me zemër të Hapur" në "News 24", ata kërkojnë mbështetjen e babait, që përveç atësisë, nuk u ka dhënë asgjë tjetër. Ata janë Dhurata, tashmë e martuar, dhe dy vëllezërit e saj Gazmendi dhe Alfredi, (34, 32 dhe 28 vjeç). Nëna e tyre, pas martesës së parë nga e cila ka një vajzë me emrin Merita, pati një lidhje jashtëmartesore me një burrë të martuar, me të cilin pati tre fëmijë. Por duke qenë se babai i tyre ishte i martuar, ai për gati 20 vite i ka mbajtur të dyja familjet paralel. Nga martesa e tij zyrtare, ai ka patur 7 fëmijë, por njeri prej tyre nuk jeton më. Dhurata, Alfredi dhe Gazmendi tregojnë se nuk e kanë ndjerë kurrë prezencën dhe ngrohtësinë e figurës atërore. Sipas tyre ai vinte në shtëpi vetëm për nënën e tyre, dhe nuk e ka luajtur kurrë me ta rolin e babait. Në certifikatën e lindjes ishte vetëm emri i tij si baba, por nuk ju kishte dhënë mbiemrin, dhe ata rezultonin të regjistruar me mbiemrin e nënës. Në vitin 1997 të detyruar nga situata, tre fëmijët iu drejtuan gjykatës dhe kërkuan njohjen e atësisë. Me vendim gjykate e morën këtë të drejtë, dhe që atëherë rezultojnë me mbiemrin Merlika, mbiemri i babait. Personi që ka kontribuar më shumë në rritjen e tyre dhe që vazhdon t'i mbështesë shumë, është motra e madhe Merita, e cila dhe tani ju sjell të ardhura për të jetuar. Sa herë shkonin tek shtëpia e babait të tyre, iu dilte dikush që u mbyllte derën, duke u thënë se ai nuk ndodhej atje. Kanë qenë shumë afër me babain e tyre, por edhe pse i shihte, ai nuk i trajtonte si fëmijët e tij. Dhurata aktualisht është martuar ndërsa 2 vëllezërit jetojnë me nënën dhe ndodhen në vështirësi ekonomike, pasi momentalisht janë të dy të papunë. Babai i tyre duke qenë se vjen nga familje e persekutuar ka marrë një shumë të konsiderueshme parash thonë ata, ka edhe prona, por atyre nuk ju ka dhënë kurrë asgjë. Ata rrëfejnë historinë e tyre dhe kërkojnë që ai të kthehet më në fund e të luajë rolin e babait me ta, atë që s'e ka bërë kurrë. Përveç kësaj ata duan që t'ju përgjigjet edhe me ndihmë financiare, t'ju japë atë që me ligj iu takon si trashëgimtarë të barabartë me fëmijët e tjerë të tij. DHURATA Pse nuk ju pa asnjëherë si fëmijët e tij? Sa dakord ishte nëna juaj për të ardhur ju këtu? Si e kuptonit këtë lidhjen e babait tuaj me nënën? Vinte shpesh? Si ka qenë njohja e tyre? Si ka qenë për nënën tuaj kjo lidhja paralele? Çfarë kërkon nga babai, kur je e martuar dhe je nënë vetë? Është paragjykuar nëna juaj për këtë gjë? GAZMENDI Si ka qenë fëmijëria jote? Si ka qenë kjo periudhë? Kur babai vinte në shtëpi si sillej, sa kohë rrinte? Si sillej, si mysafir, apo baba? Cilat ishin bisedat që bënte me ju? DHURATA Sa vite shkollë ke bërë? Si ishte rebelimi juaj ndaj tij, p.sh i keni thënë pse na solle në jetë kur na braktise?Po i kemi thënë, më mirë mos na kishte lindur. ALFREDI Për herë të parë kush ta tregoi historinë? Pak më parë dhe motra dhe vëllai tha që babai qëndronte pak orë me ju, një ditë ka qëndruar shumë, në këto pak orë si ishte sjellja e tij, çfarë ju thoshte? E mban mend takimin e fundit me babain? Pra është larguar duke thënë që nuk do kthehet? Gazi kur je takuar me ndonjërin nga motrat ose vëllezërit për herë të fundit? Pse heshtin 5 motrat dhe 2 vëllezërit? Me motrat nga babai a keni vendosur komunikim? Pse kjo gjë? E keni kërkuar ju këtë gjë? MOTRA: VLERESONTE VETEM FEMIJET E ARDHUR NGA MARTESA "Ka qenë e trishtë për ne, që ai i ka braktisur tre fëmijët e tij. unë kam qenë 4 vjeç kur e kam njohur babain e këtyre, dhe kam patur më shumë marrëdhënie me të. Pasi isha më e rritur. Është sjellë shumë mirë me mua. Ishte njeri i urtë, i sjellshëm, i respektuar. Është treguar i afërt me mua. Por ka 17 vite që nuk është dukur fare, që prej momentit që i ka ndarë marrëdhëniet me nënën tonë", thotë Merita. "Për të fëmijët e ishin vetëm fëmijët e ardhur nga martesa, ndërsa këta të tre nuk i konsideronte", rrëfeu Merita. |
Ekuban: Do doja të isha në Serinë A, deri në qershor qëndroj te Partizani Posted: 24 Jan 2017 05:42 AM PST Sulmuesi ganez i Partizanit, Kaleb Ekuban, ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp në ambientet e klubit. Ai ka folur në lidhje me sezonin që të kuqtë kanë zhvilluar deri më tani dhe vazhdimin e pjesës së mbetur që fillon nga Luftëtari, si dhe gjithashtu nuk ka lënë pa komentuar situatën e merkatos. "Nuk e nisëm kampionatin me këmbën e mbarë, por me kalimin e javëve filluam të luanim si skuadër. Jemi përmirësuar e kemi rritur ndjeshëm ritmin dhe kemi dalë deri në diku në lojën tonë. Megjithatë kemi ende për t'u përmirësuar, dhe kjo është një periudhë në të cilën nuk duhet të ndalemi dhe të provojmë të vazhdojmë kështu." Për faktin që është pjesë e Partizanit "Unë për momentin do të preferoja të luaja në Serinë A, por për të qenë i sinqertë aktualisht mund të isha pjesë e skuadrave të Serisë B. Në këtë kontekst ndihem i lumtur këtu, jam përshtatur shumë mirë në familjen Partizani dhe po argëtohem gjithnjë e më shumë." Për merkaton "Unë do të jem këtu deri në përfundim të kontratës time me të kuqtë e cila skadon në qershor, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë, por për momentin jam i përqëndruar ashtu si edhe shokët e mi të skuadrës për të dhënë më të mirën në fushë. Në Itali përdorin shpesh shprehjen që futbolli është i çuditshëm. Nuk e di nëse do të jem pjesë e Partizanit edhe sezonin e ardhshëm, por nëse kjo ndodh do të isha shumë i lumtur." Për zëvendësuesin e tij ndaj Luftëtarit "Mendoj se kemi lojtarë në skuadër që mund të më zëvendësojnë më së miri në sfidën ndaj Luftëtarit. Kush do të shënojë në mungesë të Ekuban? U kam thënë të gjithë sulmuesve që kemi në skuadër që do të realizojnë nga një gol me kokë." Sukaj? "Ai është një bomber i vërtetë, duke parë atë që ka bërë sezonin e kaluar me Partizanin. Nëse do të luajmë të dy do të ishim edhe më kompetitivë. Goli më i rëndësishëm që kam shënuar në kampionatin shqiptar mendoj se është ai ndaj Skënderbeut, në Korçë, i dyti, sepse na dhuroi fitoren. Ka qenë një ndeshje disi e çuditshme, sepse nuk e nisëm mirë, por gjetëm forca për ta kthyer gjithçka në favorin tonë." |
You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |
Lexo edhe: