Skip to main content

“Ndarja e Kosovës? Po të ishte e mundur, do të ishte bash zgjidhja e duhur” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Ndarja e Kosovës? Po të ishte e mundur, do të ishte bash zgjidhja e duhur” plus 2 more Telegrafi Opinione


Ndarja e Kosovës? Po të ishte e mundur, do të ishte bash zgjidhja e duhur

Posted: 24 Jan 2017 10:29 AM PST

Rexhep Qosja, me sa di unë, nuk është hera e parë që e hedh idenë e shkëmbimit të veriut të Kosovës, që është tërësisht nën kontrollin serb qysh prej përfundimit të Luftës (e që, me gjasë, do të jetë nën kontrollin serb derisa, larg qoftë, të fillojë ndonjë luftë e re), me Luginën e Preshevës që është e populluar kryesisht nga shqiptarë.

Ideja, ashtu si herën tjetër, nuk është pritur mirë. Nuk është se kemi të dhëna të sakta lidhur me reagimin ndaj këtij propozimi, por në mungesë të anketimeve serioze nuk na mbetet tjetër veçse të ndjekim humorin e rrjeteve sociale, dhe mbi këtë bazë të ndërtojmë debatin tonë publik. Është krejt e padrejtë që të tërhiqemi zvarrë prej reagimeve të internautëve, por nuk kemi ç't'i bëjmë. Hëpërhë është koha e tyre.

Po ju bëj një propozim tjetër: Le t'i lëmë mënjanë internautët e tërbuar, dhe le ta diskutojmë shtruar idenë e shkëmbimit të territoreve me serbët. Por, le të supozojmë fillimisht që kjo është e mundur. E them këtë pasi bën vaki që palët (shqiptarët e serbët) të jenë dakord, dhe të tjerët, ata që e kanë në dorë këtë gjë (fuqitë e mëdha) të mos e mbështesin, pasi kështu do të hapej një lojë në Ballkan së cilës askush nuk mund t'ia parashikojë fundin.

Ka edhe të tjerë në Ballkan që do t'ua kishte qejfi ta spastronin fushën prej pakicave e të bënin këmbime popullsish (në rastin konkret, Qosja sugjeron që pakicat serbe të shpërndara nëpër enklava të Kosovës, të zhvendoseshin të gjitha në veri; vendet e mbetura bosh prej tyre të mbusheshin prej shqiptarëve të Luginës së Preshevës). Por, le ta zëmë që fuqitë e mëdha do ta mbështesnin këtë gjë. E, ky nuk është një supozim aq idiot sa duket. Trumpi që sapo është ulur në karrigen e Presidentit të SHBA-ve duket se ka një mendje më praktike se paraardhësit, e mund ta sugjerojë një gjë të tillë. Dhe Putini mund ta pranojë këtë zgjidhje duke kërkuar e marrë në këmbim diçka tjetër, që fillon po me K. Lind pyetja: duhet të bien dakord shqiptarët në këto rrethana?

Absolutisht, po. Nuk duket se ka një zgjidhje tjetër më të mirë e më të drejtë. Shqiptarët që këmbëngulin ta mbajnë veriun, kanë parasysh veriun pa serbë, por duhet thënë se, së pari, nuk do të ishte e drejtë të ndodhte, e së dyti, Beogradi nuk ka për ta lejuar kurrë zbrazjen e veriut të Kosovës prej serbëve. Do të investojë, siç ka investuar këto vitet e fundit të pasluftës, që serbët të mbeten aty ku janë, jo për të bërë një jetë të bukur, por për të sabotuar e diskredituar idenë e funksionimit të një Kosove jashtë juridiksionit të shtetit serb.

Kush mendon se do të vijë një ditë që veriu i Kosovës të jetë pa serbë, është duke parë ëndrra. Të gjitha llogaritë pra duhen bërë me serbët brenda në Kosovë. Dhe, nëse i bëjmë llogaritë kështu, atëherë i bie që të sigurt kemi:

1. Sherrin e pasosshëm mes serbëve e shqiptarëve brenda Kosovës;

2. Sherrin e pasosshëm mes shqiptarëve e shqiptarëve për këtë shkak;

3. sherrin e pasosshëm midis shtetit të Kosovës e shtetit të Serbisë.

Nuk ka pse të ketë më iluzione. Edhe kush ka pasur, nuk ka pse të ketë më. Kosova e kuptuar si një entitet shtetëror serbo-shqiptar nuk mund të funksionojë. Është e trishtuar ta thuash këtë truizëm, por ja që kështu është. Serbët e shqiptarët nuk kanë mundur të bashkëjetojnë. Kanë pasur raste për ta provuar se mund të bashkëjetojnë, por nuk e kanë bërë dot. Nuk iu ngjit me njëri-tjetrin, dhe pikë. Ky është leksioni i historisë. Ne kemi probleme edhe me grekët në jug, por konflikti me grekët është i vonë. Daton pas themelimit të shteteve kombëtare.

Më parë, edhe gjatë Perandorisë Osmane (ndoshta për shkak të ortodoksëve shqiptarëve që kanë shërbyer si një buffer mes shqiptarëve e grekëve), gjithçka ka qenë OK. Shqiptarë e grekë nuk janë konfliktuar me sho-shoqin (ndoshta me përjashtim të vitit 1770, por ajo luftë ishte ruso-turke, jo greko-turke, e aq më pak greko-shqiptare). Grekët janë shtyrë më në veri për të ndërtuar jetën e tyre mes shqiptarëve, dhe këta të fundit janë shtyrë më në jug, deri thellë në jug, për të bërë të njëjtën gjë mes grekëve. Dhe, ishte kjo bashkëjetesë mes dy popujve që i bëri disa rilindës tanët, në kohën e krijimit të shteteve ballkanike, të mbronin deri edhe idenë e krijimit të një federate greko-shqiptare.

Por pastaj erdhën kohë të tjera, Perandoria Osmane po thyente qafën dhe fqinjët, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, dhe Greqia po se po u vunë në garë për të fituar territore që ata i quanin osmane, por që në fakt ishin shqiptare. Qysh prej atyre kohëve, me grekët jemi tërhiq e mos këput. Por, sidoqoftë, në një mënyrë apo në një tjetër, shqiptarët e grekët ia dalin të bashkëjetojnë. Pakica greke në Shqipëri nuk duket se ndihet keq, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për dhjetëra mijëra shqiptarë në Greqi. Për më tepër, problemet që ekzistojnë mes Shqipërisë e Greqisë, sido që ndonjëherë i komplikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve tona, janë gjithsesi të zgjidhshme.

Për sa iu takon marrëdhënieve serbo-shqiptare, situata është krejt tjetër. Konflikti mes tyre nuk është i vonë, post-osman. Përkundrazi, është i hershëm. Edith Durhami e shihte fillimin e këtij konflikti qysh në shekujt i parë të invazioneve sllave në Ballkan. Por, le të mos shkojmë aq herët. Nuk mund të flitet me siguri për ato kohë aq të errëta. Le të flasim për kohë që janë më të dokumentuara.

Gjatë Perandorisë Osmane, fjala vjen, shqiptarët e sllavët kanë shkuar si macja me miun. Luftërat e shqiptarëve me malazezët nuk reshtën qysh prej shekullit XVII deri në fillim të shekullit XX (Koka e pashait të Shkodrës duhet të jetë ende e varur në murin e ndonjë manastiri të Cetinjes), dhe në këtë pikë shqiptarët do duhej të kishin bërë me kohë një mea culpa, pasi luftërat i kanë bërë në emër të turqve. Ndërsa, malazezët kanë luftuar për të mbrojtur troje të tyret, doke të tyret, fenë e tyre.

Kur serbët u ngritën në kryengritje, nuk ndodhi ajo që ndodhi në jug, ku shumë shqiptarë iu bashkuan pa të keq, madje me zell, revolucionit grek. Puna erdhi që edhe e udhëhoqën këtë revolucion. Me serbët nuk ndodhi kështu. Nuk mund të ndodhte. Kronikat kanë regjistruar vetëm një shqiptar me mbiemrin Konda që ka luftuar kundër osmanëve, në krah të serbëve. Të tjerët ishin në kampin e kundërt. Ashtu si edhe boshnjakët, në fakt. Historia – like it or not – kjo është. Dhe, është kjo histori konflikti që është përjetësuar edhe në epikën popullore shqiptare e sllave.

Eposi ynë i kreshnikëve është i ngritur i tëri mbi luftën e malësorëve shqiptarë kundër shkijeve. "Sa shumë bjeshkën djali e ka shëtitë/ por s'ka gjet ndonji shkja me pre", ka kënduar rapsodi popullor. Ose, diku tjetër: "Se ditë e dielle nesër ka qëllue/ pushkën shkjeve prej kishet me e fillue". Për të mos folur pastaj për Gjergj Fishtën që të gjithë poemën "Lahuta e Malcis" e ka kundër zogut të Shkinës, e që zelli kundër Shkinisë e ka çuar deri atje sa t'i këndojë Sulltanit si një mbreti të vetit e sa të këpusë edhe ndonjë mufkë të padëgjuar: "Unë shqyptar, ata janë shkje/ ne na ndan nji gjak e nji fe".

Hm! Një gjak po. Por, nuk është një fe që na ndan. Sa për fetë, ato na ndajnë edhe neve që jemi një gjak. Shqiptarë e serbë janë të ndarë prej historisë. Dhe në këtë mes, shqiptarët kanë fajet e tyre (siç thashë më sipër), por kur vjen puna te Kosova, faji është në një masë të madhe, shumë të madhe, i serbëve. Ata kanë krijuar e mbjellë pa u lodhur mitin e Kosovës, si djepin e kulturës dhe të fesë serbe, gjë që nuk provohet nga faktet historike (Noel Malcolm i ka bërë një trajtim shterues kësaj çështjeje në librin e tij "Kosovo, a short history"), dhe kjo nuk i ka lënë t'i japin jetë idesë së një Kosove shqiptaro-serbe. E kanë pasur në dorë ta bëjnë këtë gjë, madje kanë pasur kohë sa të duash në dispozicion, por nuk kanë mundur ta bëjnë. Sepse mendjen e kanë pasur te Kosova që është e Serbisë, e tëra e Serbisë, ekskluzivisht e Serbisë, sepse mendjen e kanë pasur që ato gjurmë të forta që serbët kanë lënë realisht në historinë e Kosovës (në shekujt XIII-XIV ata i vunë një vulë të mirë serbizmi Kosovës) t'i interpretojnë si dokument pronësie mbi Kosovën. Faji i atyre pra ka qenë se Kosovën e donin të tyren, pa shqiptarë. Gjërat, pas kësaj, dihet se si rrodhën. Dhe e gjithë ajo që ndodhi e ka komprometuar përfundimisht aspiratën për të ndërtuar një Kosovë shqiptaro-serbe.

Shkurt, Rexhep Qosja ka të drejtë. Dhe, nuk është çudi që duke pasur parasysh se Trumpi ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë e se marrëdhëniet e tij me Putinin do të jenë të ngrohta, ky opsion i Qosjës të hidhet realisht në tryezë. Do të ishte idiotësi që të refuzohej në emër të doktrinës "Kosova është e gjitha e shqiptarëve". Sepse nuk ka për të qenë kurrë e gjitha e shqiptarëve. Nuk ka qenë kurrë as në histori e tillë. Dhe ky është leksioni tjetër që historia na ka dhënë.

The post Ndarja e Kosovës? Po të ishte e mundur, do të ishte bash zgjidhja e duhur appeared first on Telegrafi.

Demitizimi i luftës

Posted: 24 Jan 2017 10:16 AM PST

Qytetin e vogël francez e kishin pushtuar forcat e huaja, e kishin plaçkitur, përfshirë këtu artefaktet me vlerë. Në të përfshihej edhe piktura "Madona e rrëzuar" (të cilën ata që e kanë parë e quajnë "Madona e rrëzuar me cica të mëdha") për të cilën doli të kishte qenë i interesuar edhe vet Hitleri. Por, dy oficerë gjermanë vendosin ta ndalin për vete, që ta kenë pas lufte dhe të njëjtën ia japin që ta ruajë pronarit të lokalit të vogël, njëherësh kamerierit Rene, i cili nga zori për të mos e vrarë lëvizja e Rezistencës për shërbimin e gjermanëve në restorantin e tij, bashkëpunon edhe më britanikët dhe lëvizjen e rezistencës.

E ngatërruar? Ndërsa Michelle, shefja e lëvizjes së Rezistencës është e dashuruar pikërisht në kamerierin Rene, sikurse që është dashuruar në të edhe majori gjerman, Gruber, i cili është homoseksual. Në shtëpinë e Renes fshihen edhe dy pilotë trima, por trullana anglezë të cilët assesi të arrijnë të kthehen fal mungesës së inteligjencës ushtarake.

E kuptuat për çka bëhet fjalë?! Për luftën heroike dhe për heronjtë e vërtetë.

E çfarë ka të bëjë me ne Rene, dhe seriali i famshëm "Allo-Allo"? Çfarë ka të bëjë kjo me këtë shoqëri që jeton ende me gjendje lufte? Çka ka të bëjë me ne një (anti)hero i cili përqesh të gjitha palët në një luftë botërore, pavarësisht motiveve, e që bashkëpunon me të gjithë? Çka ka të bëjë lufta jonë me këtë luftë e cila në përmasat e një qyteze të vogël franceze merr formën e tragjikomedisë njerëzore. Ata, qytetarët, nuk duan të ikin nga normaliteti, do të thoni ju, aq sa edhe idetë më të mëdha, më të egra dhe më të çmendura të ideologëve i kthejnë në banalitete dhe përditshmëri, pra një normalitet i cili të bën të qeshësh me lot.

Ndërkohë, njerëzit tanë edhe normalitetin e kthejnë në një çmenduri, që të bën të qash me lot. Edhe banalitetet më të zakonshme marrin energji negative dhe shërbejnë si pretekst për ndarje, grindje, luftëra… për epikë . Por, ne jetojmë nga politika. Pjesa më e madhe e Ballkanit politikën e ka biznesin primar. Të tjerët paguajnë tatim.

Por, të marrim gjërat me radhë. Tani po e lëmë mënjanë trenin rus i cili kërcënon të riniset, dhe të merremi me normalizimin. Projekti i bisedimeve të deritashme Kosovë-Serbi bazohej pikërisht në idenë e normalizimit, pra që të zbuteshin armiqësitë, të shuhej ndjenja e hakmarrjes te njerëzit, çka do të largonte jo vetëm kujtimet e luftës po edhe mundësinë që konflikti të rindizej. Kështu mendohej se do të ndërronte edhe pushteti. Por, ideja e krijuar në Evropë se përmes qytetarisë dhe të paqes të dominoheshin dhe të tejkaloheshin nacionalizmi ekstrem dhe kriza permanente, duket se dështoi tani për tani, aq më tepër se kjo krizë qytetarët i shndërroi në instrument të politikës në vend të reformës e cila i rriti dhe po i majë oligarkët e rinj ballkanikë.

Qysh me u kthye në normalitet kur njerëz krejtësisht të zakonshëm, krejtësisht anonim dikur, tash njëzet vite kanë hyrë në skenën politike dhe jetojnë nga politika; janë punësuar/instrumentalizuar prej elitave luftarake, vazhdimisht për të protestuar kundër dikujt, duke u konfrontuar me dikë? Ky u bë profesion primar i masave, të cilat me "merita" dhe me përkatësi fitojnë vende pune, përfitime të ndryshme.

Qysh me ikë nga heronjtë? Qysh me u rikthye në jetë normale, me u marrë secili me shtëpinë e vet, familjen, e me punën e vet, apo papunësinë e vet, me interesat dhe ambiciet e tij personale? Qysh me e kuptua se me qenë njeri i zakonshëm nuk është turp? Qysh me e ballafaque njeriun e zakonshëm me vetveten dhe mos të ndihet i turpëruar përballë shkëlqimit të rremë që u falin mediat atyre që i kanë përzgjedhur për të qenë të jashtëzakonshëm? Qysh me i bindë njerëzit se lufta është diçka e keqe, nga e cila përfitojnë pak njerëz dhe se paqja dhe puna janë ato që krijojnë gjithçka? Qysh me i bindë njerëzit se shteti duhet të shërbejë qytetarët?

Qysh, kur ata nuk ndihen aspak mirë sa herë ja kujtojnë se nuk i kanë shërbyer si duhet shtetit, politikës, Atdheut, ndërkohë që ideja evropiane se shteti, politika, Atdheu duhet t'i shërbejë qytetarët u duket utopi edhe përkundër përbetimeve kolektive për orientim euroatlantik. Po çfarë, kush do na shërbejë neve, thonë me vete qytetarët tanë? Kryetari do të na shërbejë, kryeministri, deputetët, kryetarët e komunave…?

Seriali ynë rrëfen se shoqëritë me traditë demokratike shumë shpejt arrijnë me e demilitarizua veten, duke i rikthyer njerëzit në jetë normale dhe duke e vlerësuar paqen më tepër se luftën, sado të jetë bërë ajo në emër të idealeve të shenjta. Demitizimi i luftës është hapi kryesor në këtë drejtim.

Por, të kthehemi te seriali në të cilin me aq mjeshtëri dhe humor parodizohet lufta, shërbimet sekrete dhe rrjetet e tjera konspirative që e drejtojnë atë. Në një qytezë të vogël franceze, e cila bën një jetë të qetë, ku njerëzit e pashkathët dhe politikisht dhe ideologjikisht të padijshëm si gjithë njerëzit e zakonshëm, duke ndjekur dëshirat, paragjykimet, apo interesat e tyre të vogla, përthyejnë dhe degjenerojnë politikat globale, armiqësitë dhe interesat globale, sa duken të pavlefshme të gjitha idetë me të cilat ishte zhvilluar një luftë. Natyrisht, ideja e serialit nuk ishte të përqeshej lufta antifashiste, as lufta për liri, por ishte në radhë të parë ideja që të karikohej propaganda e pasluftës, filmat dhe dramat për luftën, sidomos si kundërpeshë e një drame televizive të asaj kohe me emrin "Ushtria e fshehtë" të prodhuar nga BBC, me të cilin portretizohej lëvizja franceze e Rezistencës.

Qëllimet kolektive të shteteve, edhe pse nuk kundërshtohen, ato megjithatë paraqiten në një distancë aq të madhe prej interesave, dëshirave dhe shqetësimeve të njerëzve të zakonshëm sa vetvetiu rrëzohet propaganda e sforcuar për heronjtë si njerëz të përsosur, e jo si njerëz të (jashtë)zakonshëm të cilët kishin luftuar për të mbrojtur mënyrën e tyre të jetës, apo kundër imponimit të vullnetit të tjetërkujt. Demitizimi në fakt e bën të pamundur sundimin në emër të gjeneratave të kaluara dhe atyre që do të vijnë mijëra vite pas nesh, por e krijon realitetin ku qytetari sundon përmes përfaqësuesve të vet dhe të cilët ndërtojnë një jetë institucionale e cila është në shërbim të pikërisht këtyre interesave të përditshme të qytetarëve dhe komunitetit.

Demitizimi si proces, në Ballkan, por edhe ndër ne shqiptarët, po del me vështirësi. Të gjithë ne rrimë gatitu përpara miteve qysh nga ilirët, e deri te këto të cilat ka arritur t'i prodhojë makineria e lodhët e oligarkisë së re.

Por, të kthehemi te heronjtë nga seriali i famshëm. Edith këndonte aq keq sa të gjithë mysafirët në restorant i mbyllnin veshët me djathë; Maria e kishte shprehi të pështynte derisa fliste; ndërsa plaka Fanny ankohej se askush nuk po i dëgjon thirrjet dhe rënkimet e saj! Ndërkohë, kamerierin Rene e donin të gjitha palët dhe e bënte me të gjitha! Mbijetonte!

The post Demitizimi i luftës appeared first on Telegrafi.

Helikopterët

Posted: 24 Jan 2017 10:06 AM PST

Pjesa më e madhe e gazetave dhe portaleve sot kanë botuar një analizë të RTV Dukagjinit për kategorizimin e fuqisë ushtarake të vendeve të Ballkanit sa i përket pajisjes së tyre me helikopterë.

Analiza ka shumë mangësi dhe pasi i drejtohet lexuesit të rëndomtë, ajo mund të shkaktojë huti dhe panik. Shihet qartë se hartuesi i kësaj analize ka njohuri të cekëta sa i përket fushës ushtarake në përgjithësi dhe armës së helikopterëve në veçanti. Matja e fuqisë ushtarake të një ushtrie është komplekse pasi çdo herë nga numri nuk përcaktohet fuqia. Faktori teknik është vetëm njëri nga i cili përcaktohet fuqia e një ushtrie, pasi ajo varet dhe krijohet edhe nga dy faktorë tjerë bazikë që ndahen në moral, dhe natyror ku secili nga këta ka aspekte të veta të ndikimit në fuqinë ushtarake të një ushtrie.

Meqë në analizë bëhet fjalë vetëm për një segment të faktorit teknik, pra atë të armës së helikopterëve, analizuesi është dashtë të dijë në radhë të parë destinimin e helikopterit si mjet luftarak, mundësitë tekniko-taktike, aftësitë e mirëmbajtjes teknike të shteteve që janë marr për analizë etj.

Nga kjo do të rezultonte se: nëse shikohet destinimi i helikopterit si mjet transportues, fuqi ballkanike na rezulton të jetë Shqipëria, pasi ajo disponon flotën më të madhe të kësaj kategorie të helikopterëve dhe gjithashtu më modernen. Helikopterët e flotës transportuese shqiptare janë të brezit me të ri që i përkasin tipit AS-532 Couger, kurse flota serbe kryesish është e pajisur me tipin e vjetruar sovjetik Mi-8 dhe Mi-17. Pavarësisht se Serbia vitin e kaluar ka blerë edhe dy helikopterë rusë të versionit të përmirësuar Mil Mi-17V5, prapë karshi flotës shqiptare ka një inferioritet, ngase mundësitë tekniko-taktike të helikopterëve shqiptarë i tejkalojnë dukshëm të atyre serb. Gjithashtu është i njohur fakti se helikopterët transportues serbë Mil Mi-8 dhe Mil Mi-17 janë jashtë përdorimit operativ, ngase për shkak të mungesës së mjeteve financiare nuk është bërë remonti i tyre.

Por, pavarësisht kësaj, në konfliktin eventual ballkanik, transporti ajrorë i trupave dhe mjeteve luftarake nuk do të jetë ndikues i madh. Në konfliktin eventual ballkanik, ndikues do të jetë aftësia goditëse nga ajri, ku helikopterët gjuajtës janë mjete të përshtatshme. Edhe sasia e paraqitur në analizë prej 61 helikopterëve gjuajtës Gazela, nuk është e saktë. Në evidencën e Ushtrisë serbe aktualisht janë 45 helikopterë të këtij tipi, ku të gjithë nuk janë operativë. Së dyti, ky helikopter ka kapacitete të kufizuara tekniko-taktike; nuk është i blinduar – çka e bën të ndjeshëm edhe nga armatimi i lehët i këmbësorisë dhe nuk është i armatosur me armatim adekuat për luftim ajër-tokë. Se ka mundësi të vogla luftarake e dëshmon fakti së gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, ku është përdorur fare në misione gjuajtëse. më tepër ka shërbyer në misione transportuese të njësive sanitare.

Shikuar nga ky prizëm, na rezulton që Maqedonia disponon flotën më të fuqishme të helikopterëve, pasi ajo në kuadër të flotës së vetë ajrore ka 10 helikopterë Mi-24V, i destinuar kryesisht për luftë ajër-tokë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Maqedonia është fuqi në këtë fushë ngase helikopteri si mjet luftarak është i pavlefshëm në fushëbetejë nëse nuk ka mbështetje nga aviacioni luftarak dhe mbështetje elektronike gjë që Maqedonia ngec sa i përket këtyre dy elementeve.

Fuqia e një ushtrie është gjithëpërfshirëse, ku në konfliktin eventual Ballkanik determinues do të jetë në radhë të parë fuqia ekonomike, morali i trupave, stërvitja e tyre dhe aleancat ushtarake. Në rrafshin operativ, determinues do të jetë forcat tokësore, ku sa i përket faktorit teknik, sistemet moderne mobile kundërblinduese dhe kundërajrore do të vulosin epilogun e shumë betejave.

The post Helikopterët appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more