Përfundimisht duket se pafundësisht do të ngelim popull euforik! Shkruan akëcil dijetari, pak njerëz e lexojnë, edhe më pak haptas e komentojnë, të mos flasim se sa prej tyre e zbatojnë! Flet hoxha me zë jo aq të lartë, shëmbëllen urtësi në vend të sokëllimave të Tarzanit, sërish pa rreze ndikimi në shoqëri, nuk përflitet as për keq e as për mirë.
Këndon "Gold AG" në shumë vende e thotë të vërtetën, dikund shanë e dikund sillet me shpoti kundrejt atyre që prej kohësh hedhin baltë mbi muslimanët! Harrojmë se Muhamedi alejhi selam thotë: "Mos e shaj tjetrin, sepse do t'i japësh shkas që ai të fyen gjënë më madhështore, të vërtetën"! E kuptoj "Gold Ag" është reper, por të kemi kujdes se kështu në emër të Islamit nuk bën të paraqitemi, sepse e vërteta është shumë më e madhe se sa nevrikosja jonë kundrejt dashakeqëve. Edhe mua ndonjëherë më vjen t'i shaj të gjithë, mbase të kapërthyhem edhe fizikisht me disa, por i them vetes kujdes, sepse unë jam musliman dhe kështu nuk më mëson Islami, deri sa nuk më kanë mbështetur për muri, pastaj mund të përgjigjem, por vetëm si i zënë tejet ngushtë, përndryshe do ta zgjedhi durimin në vend të kërcëllimit. Përse me urtësi dhe butësi të mos i bëhet ftesë në Islam këtyre kundërshtarëve tanë, duke përdorur detin e argumentëve që e kemi në këtë fe madhështore?
Unë nuk jam kundër "Gold AG"! Ai është reper, nuk pres prej tij të shkruan libra për të mirën e shoqërisë, por jam kundër që dikush në emër të Islamit që është paqe, nënshtrim, dituri e urtësi të vezullon neveri ndaj atyre që pas këngës së tij, edhe më tepër do të na urrejnë. Vëllezer, kemi shembullin më të çiltër të Dërguarin tonë (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të). Vëllezër të dashur e motra të nderuara, fal të madhit Allah, kemi dijetar, publicist e shkrimtar sa denjësisht mund t'i bëjnë ball rrebeshit të kundërshtarëve dhe luftuesve të fesë sonë të dashur, Islamit!
Burimi:Iljasa Salihu
loading...
Lexo edhe: