A ke menduar ndonjëherë, vallë për çfarë arsye janë themeluar kaq shumë shkolla e universitete të mirëfllta, si në vendin tonë ashtu dhe në mbarë botën?! Pa dyshim se gjithë ato mijëra universitete me ata miliona nxënës kanë një qëllim. Ata s’dëshirojnë tjetër veçse marrjen e dijes dhe largimin nga injoranca. E çelësi më efikas për këtë, normalisht se është leximi. Njeriu kur lexon ka dobi të panumërta. Ai duke lexuar mbushë hapësirën boshe të injorancës së tij me njohuritë e reja, që fiton gjatë leximit. Me lexim ai ruan kohën nga humbja e saj në gjëra të kota e të ndaluara. Në të njëjtën kohë ai është i larguar nga shoqërimi me njerëzit e këqinjë, të cilët do të ishin shkaktarët kryesorë të devijimit të tij, shpëton nga ata, ngase ai për vete zgjodhi mikun më të mirë, zgjodhi librin. Leximi të rrit ambicien e të bën mendjemprehtë, të shton kulturën e të shprehurit, të ndihmon të përfitosh nga përvojat e të tjerëve, gjithashtu ai të largon nga pikëllimet, brengat e përditshme. Por, kot mundohemi ne të tregojmë vlerën e leximit, kur Allahu xh.sh. për fjalë të parë në librin e Tij zgjodhi fjalën: “Lexo!”. Thirrja e Tij drejtuar neve nëpërmjet këtij urdhri, ka një domethënie të veçantë dhe si e tillë na motivon akoma më shumë për të lexuar.Krahas këtyre dobive të shumta, njeriu gjatë leximit dhe marrjes së njohurive të ndryshme, në të njëjtën kohë bënë ibadet dhe adhuron Zotin e tij, në këtë mënyrë ai ngrihet tek Ai.Dijetarët tanë të mëdhenj dhe njerëzit e mirë, librin e kishin pasion. Ibni Haxheri (Allahu e mëshiroftë) gjatë tregimit për jetën e Ibni Kajimit thotë: Ibni Kajimi ishte dhënë pas tubimit të librave, ashtu që tuboi shumë libra, aq sa nuk mund të numëroheshin. Kurse fëmijët e tij, pas vdekjes së tij kanë shitur një kohë të gjatë prej atyre librave, përveç atyre që i kanë ndalur për vete”.Ndërsa Ibn Xhehmi tregon dhe thotë: “Kur më pëlqen një libër dhe në të shikoj gjëra të dobishme dhe interesante, vazhdimisht i shfetoj fletët e tij duke shikuar edhe sa fletë më kanë mbetur akoma. Këtë e bëj nga shqetësimi dhe dëshpërimi që libri së shpejti do të përfundojë, e me këtë edhe pushojnë magjitë e tij me të cilat e kam ushqyer shpirtin tim. Sikur Kur’ani të kishte edhe më shumë faqe, gëzimi dhe jeta ime do të ishin më të plota.” Këto, lexues i nderuar janë disa stacione dobiprurëse sa i përket leximit, të cilave duhet t’ju kthehemi herë pas here. Ato shpesh na përkujtojnë t’i marrim, t’i lexojmë ato që të përfitojmë prej tyre.
Shkruar nga: Arti Mahalla
loading...
Lexo edhe: